Vranezet e Staravecit


 

Setki Vranezi nuk ishte më shumë se dy trembëdhjetë vjeç, kur i ngjitej babait të tij, Bedriut, duke e ndihmuar për të kullotur e mbarështuar bagëtitë. Disa ishin të fshatit e disa ishin të familjes. Nisi kështu një dashuri e një pasion, që nuk do të shuhej kurrë, duke u transmetuar më tej, ashtu siç kishte ardhur deri aty i trashëguar në breza. Djali i ri e ndiqte me vëmendje tufën e bekuar në çdo hap, duke vëzhguar cilat ushqime i pëlqenin, cila lloj kullote ishte për mish e cila jepte më shumë qumësht. I shihte se si rriteshin qengjat e pikëllohej kur vinte Shëngjergji dhe babi i shiste, apo i skartonte një pjesë të tyre.
Në vitet e para të demokracisë, mes shumë rrugëve e alternativave, të ikjes apo të qëndrimit në troje të tij, ai mendoi se duhej vazhduar rruga që kishte nisur dikur. Stallë nuk kishte, fuqi ekonomike jo e jo, kësisoj hapat duheshin bërë të matur. Në kokë pati një projekt të ri. Të merrte qengja, kryesisht meshkuj, që fermerët shisnin në pranverë, ti trajtonte gjatë verës e fillimit të vjeshtës e më pas ti shiste. E provoi me 20 – 30 krerë dhe rezultatet ishin goxha interesante. Punoi për disa vite e më pas një ndërprerje tjetër. Për shtatë vite të tjerë Setkiu studioi për teologji në Kuvajt. Mësoi arabishten, mësoi Kuranin, bile arriti ta memorizojë atë komplet, duke merituar titullin “hafiz” i Kuranit. Por e gjithë kjo eksperiencë jo vetëm që nuk i’a shuajti dashurinë për delet e dhitë, këto krijesa të bekuara, por i’a shtoi akoma më shumë. A nuk kishin qenë dhe shumë pejgamberë barinj e blegtorë për shumë kohë?
Ishte viti 2000 kur u kthye që andej, tashmë i vendosur për të vazhduar më tej. Krerët shtoheshin çdo vit e më shumë, fitimet po ashtu. Ata mjaftonin për të mbajtur familjen dhe për të akumuluar diçka. Me këtë punë e me këto kursime bleu një truall, pak më poshtë fshatit, bëri shtëpinë, por dhe një stallë shumë funksionale, ku ushqimi e shërbime të tjera të bëheshin lehtësisht. Falë këtij investimi ai mundet të trajtojë në stallën e tij deri 400 krerë, pra dhjetë herë më tepër se fillimet e punës së tij.
Treguam që Setkiu i merr qengjat në pranverë, me një peshë mesatare deri në 25 kilogram. Falë ushqimit intensiv gjysmë kullosor e gjysmë stallor, me jonxhë, bar, hime e misër, në pak muaj qengjat arrijnë një peshë prej 65 kilogramësh, një shtesë prej gati 40 kilogram për çdo kokë. Në vjeshtë ka mjaft kërkesa, për pastërma, për konsum, për kurbane, pasi cilësia e mishit me të vërtetë është e një niveli mjaft të lartë.
Fshati i tij, Staraveci, krahas dhenve, ka një terren të mrekullueshëm dhe për dhinë. Fillimisht me pak krerë dhi, më pas duke i shtuar, sot ai ka bërë gati 50 krerë, apo një gjysëm tufe. Mbarështon racën alpine me origjinë nga Franca dhe atë të bardhë, apo dhia e Misirit, siç e quan populli. Vitin e kaluar bleu në Fushë Krujë një cjap me vlera rracore për një milion lekë. Rezultatet janë me të vërtetë impresionuese. Ai merr 350 deri në 400 kilogram qumësht për kokë dhe tenton që këtë shifër ta ngrejë akoma më lartë.
Qumështin nuk e shet por e përpunon në djathë dhe kërkesat për këtë produkt të shijshëm e cilësor, janë mjaft të mëdha. Po kaq të shijshëm janë dhe kecat e njomë që shiten në pranverë sa hap e mbyll sytë. Setkiu dëshiron që tufën e dhive ta bëjë të plotë, pra të paktën me 100 krerë dhe këtë vit ka lënë 20 keca femra për remont, apo për shtesë.
Në gjithë këtë sipërmarrje, në këtë industri mishi që prodhon afërsisht 300 kunjtalë mish në vit, Setkiu ka ndihmën e pakursyer të familjes së tij, bashkëshortes, djalit të madh, Jusufit, por dhe të tjerëve.
Njerëz të tillë janë modele që duhen ndjekur dhe ne i urojmë punë e shëndet, duke sjellë sa më shumë produkte në treg e të ardhura për familjen e tij. Të gjithë vëllezërit e Setkiut, Adnani, Saliu, por dhe më i vogli Fiqiriu, janë marrë e merren me blegtori, por ndoshta për ta do të tregojmë në shkrime të tjera.