Dibrani që desh të blinte një kuintal me gjilpëra!


Në Shkodër ishte hapur fjala se në Dibër, një tregtar me emrin Perviz, ishte shumë i zoti. Thuhej se ai kishte pasuri të madhe, që askush nuk matej me të jo vetëm në Dibër, por edhe gjetkë. Mirëpo, kurioziteti dhe njëherazi zilia që përcillej nga lajme të tilla, e nxiti një nga tregtarët më me emër në Shkodër, që ta ftonte tregtarin dibran në qytetin e tij, për t’u njohur nga afër çfarë njeriu ishte ky Pervizi i shumëpërfolur. Ishte një ftesë sa për të shkuar radhën, se tregtari shkodran ishte më se i sigurt që Pervizit të Dibrës duhej t’i kish dalë nami kot. Ai nuk besonte se ndonjë tregtar gjetiu, e aq më tepër në Dibër, që sipas tij nuk krahasohej me Shkodrën për punë tregtie, të kish një tregtar më të zotin se ai.
Dhe një ditë Pervizi ia shaloi mushkës dhe mori rrugën për në Shkodër, i veshur me tirqe e xhamadan leshi dhe kapuç të bardhë mbi krye, siç visheshin dibranët zakonisht. Mbas nja 2-3 ditë rrugë, mbërrin tek ai që e kish ftuar. Tregtarit shkodran, qysh në paraqitjen e parë të Pervizit, nuk ia mbushi syrin për zotësinë e përfolur. I kish bërë përshtypje veç veshjes edhe shtati mesatar, që sipas shkodranit nuk binte shumë “era tregtar”. Le pastaj të matej me atë që e kish ftuar. Dhe për këto arsye, nuk i kushtoi aq vëmendje. U duk një farë shpërfillje e tij për të. Megjithatë, për të mos ulur veten, tregtari shkodran filloi t’i fliste për pasurinë e tij, për llojshmërinë e mallrave, magazinat e shumta, famën e madhe që kish në Shkodër e gjetkë, etj.
-Nuk mungon asgjë në dyqanet e mia, – kish thënë ai. Edhe “qumësht dallëndysheje” gjendet te unë.
Dhe po i ndriste nuri, ngaqë i numëroi tërë ato pasuri që ai kish në Shkodër. Ishte një karshillëk i dukshëm që shkodrani po i bënte tregtarit dibran, ndërkohë që ky i fundit dëgjonte dhe rrinte si i hutuar. Të paktën, kështu ta jepte përshtypjen. Kjo i ra në sy edhe shkodranit , i cili për një çast mendoi se, “ky më duket se nuk marka vesh nga tregtia, si na qenka tregtari më i madh në Dibër…?!” Mbasi dëgjoi gjatë ato që i tregoi tregtari shkodran, më në fund Pervizi tha:
-Të lumtë! Qenke tregtar i zoti. Paske vërtetë shumë gjëra që unë nuk i kam. Por unë jam që jam këtu, desha të bëja një pazar tek ti…
-Urdhëro e fol! – i tha tregtari shkodran dhe u çel në fytyrë nga kënaqësia që më në fund tregtari dibran po e pranonte që nuk matej dot me të.
Ndonëse ende nuk e kish marrë vesh se për çfarë “pazari” e kish fjalën dibrani që do të bënte tek ai, ky fakt, sipas tregtarit shkodran, e bindi atë që nuk paskam gabuar kur kam menduar që dibranit i mungoka zotësia për t’u marrë me tregti…
-Me t’thanë të drejtën, – tha dibrani, – më duheshin një kuintal me gjilpëra, se kam kërkesa, por ky mall më mungon. Dhe meqë ti paske çdo gjë, m’i bëj gati gjilpërat t’i marr tani… Ndërkohë, futi dorën në xhepin e brendshëm të xhamadanit dhe nxori që andej një qese prej së cilës po numëronte monedhat e floririt.
-Çfarë…?! – tha tregtari shkodran. Dhe bëri sikur nuk e kish dëgjuar mirë kërkesën e dibranit, i cili ia përsëriti edhe një herë:
-Një kuintal me gjilpëra desha, për të cilat të paguaj tani në dorë.
-Ky mall nuk më ndodhet,- u përgjigj shkodrani. Por kërko diçka tjetër dhe me siguri e gjen.
Ndërkaq, shkodrani rrudhi buzët me këtë kërkesë të befasishme, mbas së cilës vuri në dyshim mendimet e tij të deriatëhershme për “pazotësinë” e dibranit. Ca më shumë ai shqeu sytë kur pa qesen me flori të tij dhe mërmëriti nëpër dhëmbë:
-Ku dreqin i vajti mëndja këtij fshatari të pagdhendur, që të më zinte ngushtë me atë punën e gjilpërave?! Po gjithë atë qese me flori, si e ka navasur ky njeri që nuk të jep përshtypjen për zotësi? Ndërkohë po priste prej dibranit të kërkonte ndonjë mall tjetër.
-Jo, jo,- tha Previzi,- këto më duheshin, po ti meqë nuk i paske, po largohem pa gjë…
Dhe ia hipi mushkës e doli nga Shkodra, krenar që ia kish hedhur shkodranit. Ndërsa tregtari shkodran mbeti kokëvarur dhe pa fjalë në atë çast.