GJURMË TË MENÇURISË


Dibra gjatë historisë së saj ka nxjerrë prijësa të shquar që kanë udhëhequr luftëra të rëndësishme për mbijetesë, ruajtjen e trojeve, gjuhës, identitetit kombëtar, traditave e zakoneve etj. Besa, trimëria, bujaria e mikpritja janë manifestuar brez pas brezi në trevën e Dibrës. Bashkëudhëtare me këto virtyte të larta morale e patriotike ka qenë edhe zgjuarsia e mençuria, shfaqur në kohë lufte e paqe. Mbartës të mençurisë ishin prijës të maleve, drejtues të kuvendeve, të shtresave të pasura por edhe fshatarë të varfër.
Pjesa më e madhe e tyre ndanin kanune, pajtonin gjaqe, vinin në lojë herë parinë e Dibrës e herë armiqtë e shumtë të saj, kritikonin veset e këqija, parazitët, dembelët, të pabesët etj.
Xhafer Martini, Haziz Ndreu, Mevlud Buci, Shaqir Skarra etj, në studimet e tyre i kanë trajtuar zgjuarsinë, mençurinë e alegorinë e Dibrës që kultivohej gjerësisht në Odën Dibrane. U përpoqa të mbledh pjesë nga mençuria dibrane sidomos nga Gryka e Vogël një pjesë e të cilave botohet për herë të parë.
1- Dy nga fiset më të dëgjuara në Zogje, Markja dhe Leka patën një mosmarrëveshje që çoi mbledhjen e përkrahësve të tyre të armatosur përballë njeri tjetrit, gjendje lufte. Një përrua i ndante ato në fshat. Një plak nga fisi Kaja i lajmëron dy krerët e fiseve se të nesërmen në orën 12 të ditës i kërkonte Tush Lleshi. Asnjeri prej tyre e as Tushi nuk ishin në dijeni për pjesëmarrësit e takimit.
Tushi ishte njeri i zgjuar, ndante kanun e kuptoi se dikush e kishte organizuar këtë takim. Nuk u bë asnjë lloj gjyqi, kush e ka fajin, as u kërkua llogari pse ndodhi kjo. Pinë kafe. Të dy prijësit e fiseve u ngritën, larguan mbështetësit nga pozicionet luftarake që kishin zënë. U bë kështu pajtimi, ishte e vetmja mosmarrëveshje në historinë e fshatit.
2-Ramiz e Iljaz Markja martonin nipin e tyre në Grevë. Si daja që ishin morën edhe dy shokë sipas zakonit midis tyre dhe Xhemail Marken. Në një konak(odë), gjatë bisedës një i afërm i familjes Baruti u përplas me shoqëruesit e dajave . U prish atmosfera dhe u krijua një heshtje. Në konak një prej miqve iu drejtua Xhemail Markes:
-Fol Xhemail se kemi dasëm, kemi gëzim.
-Po, u përgjigj Xhemaili, do të bëjmë muhabet se ky shoqi jem ngarkon vezët në leqe të kalit dhe shkon në Tiranë, ndërsa ai shoqi juaj shika lamën me ferra këmbë zbathur.
3-Në vitin 1942 pas ardhjes së Italisë në Dibër u bombarduan me avion katundet e Epra të Grykës së Vogël. U vra një djalë 12 vjeç në Bllacë. Mblidhen pleqtë e Zogje e Bllacës dhe dërguan Xhemail Marken tek Halil Alia në Çidhën për të ndërhyrë tek italianët të ndaleshin bombardimet. Xhemaili, takon Halilin.
-Jam i dërguar prej pleqve të ndërhyni pranë autoriteteve italiane me të cilat bashkëpunon për të ndaluar bombardimet , po vriten fëmijë, gra e pleq në disa fshatra të Grykës së Vogël.Partizanët janë në mal e jo në fshat.
E vërteta është se Halil Alia ndërhyni tek italianët dhe u ndaluan bombardimet. E mbajti atë natë Xhemailin . Si shumë pari të tjera Halil Alia kishte odë. Kafe e muhabet kishte gjithë ditën e natën deri vonë. Mysafirin nga Gryka e Vogël e respektuan, por Halili kërkoi ti bënte një pyetje. Xhemaili i lutet mos më ngatërroni me pyetje se mund të ketë hatër mbetje e nuk është mirë për mua se jam i vjetër e mik në shtëpinë tuaj.
-Jo, e ndërpret Halili, vetëm të na e ndash kush vnjen ( është ma e zonja) Dibra e Poshtëme apo Dibra e Epërme?
-Dibra e Poshtëme or Aga, thotë Xhemaili. Tun e ha, Dibra e Epërme tun e mblidh! Dibra e Poshtëme është drejt shpartallimit, Dibra e Epërme drejt organizmit e fitores. Megjithse Halili u premtoi se nuk do të ketë hatërmbetje, për një kohë të gjatë ra heshtja. Halili nuk foli atë natë.
4-Në konakun e Dine Demës si kudo në Dibër gjatë luftës Nacional-Çlirimtare ziente debati. Musë Izvira nga Çereneci ishte i pranishëm shpesh në konakun e Demës.
Musën një natë e pyet Shaqir Dema se kush do ta fitojë luftën, Nacional-Çlirimtarja apo Paria?
-Nacional-çlirimtarja, përgjigjet Musa, çil e mshil, ndërsa paria hut e dil. Pra luftën do ta fitojë nacional-çlirimtarja.
5-Fiqiri Dinja në Maqellarë ndërtoi në sarajet e tij shtëpi, objekte shërbimi, furrë buke, reparte artizanati, magazina etj. Në pranverë të vitit 1943 organizoi një darkë ku thirri gjithë parinë e Dibrës, ftoi edhe Xhemail Marken nga Zogjet. Natyrisht erdh Xhemaili, qëndroi me hyzmeqarët e njerëzit e shërbimit. Të nesërmen shtëpitë e reja u vizituan prej të ftuarve. Fiqiriu u shpjegonte objektet. Xhemaili i shoqëronte i distancuar nga paria. Në një çast Fiqiriu shikoi Xhemailin dhe i bën përshtypje. Të gjithë shikonin shtëpitë e reja, Xhemaili shikonte nga e kundërta e tyre. Në një moment shkëputet Fiqiriu dhe pyet Xhemailin se pse po shikon nga e kundërta e të tjerëve?
-Po shikoi or begj se a ke ndonjë fukara afër sepse kur të shemen këto saraje mos i zësh poshtë fukarenjtë.
-Pse, do të shemen? ne sapo i ndërtuam të reja!.
-Nuk i dihet or beg, nuk i dihet, vazhdoi Xhemaili.
Mbas tre muajsh italianët dogjën kullat e Fiqiri Dines gabimisht. Kërkuan falje dhe i dhanë dëmshpërblim. Atë ditë Fiqiri Dinja kujton Xhemailin duke shprehur konsideratën ndaj tij sepse parashikoi shembjen e shtëpive të reja ditën e inagurimit.
6- Gjatë luftës nacional-çlirimtare në Bllacë qëndroi një natë Mehmet Shehu, mik i Rexhep Krosit. Mehmeti ishte i kënaqur nga mikpritja dhe biseda me malsorët. Midis të tjerave Rexhepi i thotë Mehmet Shehut se miqësia me rusët dhe serbët që po bëni nuk është e mirë dhe nuk do të zgjas shumë!.
Kjo këshillë nuk u prit mirë nga mysafiri i lartë dhe muhabeti u ndërpre për një kohë të gjatë. Erdhi koha për të fjetë. Rexhepi i drejtohet Mehmet Shehut:
-Flij i qetë mik se dy rrathë(skalione) shtëpinë e ruaj me djemtë e mi, pastaj vijnë rojet sipas rregullave që ka ushtria.
Në vitet 60 u prishën marrëdhënet me rusët. Mehmet Shehu paska pyetur për plakun e Bllacës Rexhep Krosi rron apo jo?.
7- Dalip Skarra në Shpukth do të martonte djalin por i duheshin para për të blerë rrobat e nuses e shpenzime të tjera. Për ti siguruar ato i drejtohet beut të maqellarës:
-Dua të më japësh borxh për të mbyllur dasmën e djalit, pas një viti do ta kthej borxhin. Beu i drejtohet me të qeshur:
-Kur i siguron lekët pas një viti, pse nuk e bën dasmën atëherë, një vit ma vonë?
-Ja për këtë nuk më paska vajtur mendja or begj, prandaj nuk thonë kot se duhet të kesh mendje begju, ia kthen Dalipi. Ne fshatarët jemi të pa shkollë.
8-Në Bllacë Jashar Zenelit i kish vdekur një djalë i ri, student në Liceun e Shkodrës. Erdhën për ngushëllim nga e gjithë Dibra. Ali Jani nga Topojani hyri në dhomën e burrave dhe tha:
-Kryet shëndoshë katundit dhe një lagje!.
Jashari e kuptoi dhe iu përgjigj si duhet Aliut. Shumë prej të pranishmëve nuk e kuptuan prandaj çuan njëri për të pyetur Rexhep Krosin. “Qofshi shëndoshë ju si katund dhe lagja Manjani ku është nip djali” ka dashur me thënë Ali Jani!
9-Osman (Tup) Leka doli në pension si mësues. Pranë familjes kryente disa shërbime, kulloste lopën..Kishte edhe një kafshë ngarkese, gomar për të siguruar drutë e zjarrit për dimër.Shpesh i takonte për të kaluar rrugës afër zyrave e stallave të kooperativës bujqësore. Kuadrot vendas dhe të ardhurit e njehnin Tupin sepse ai i merrte në shtëpi për kafe, i mbante për drekë a darkë sipas rastit, ishte bujar e mipritës. Një ditë gomari ngordhi. E shikojnë Tupin vetëm me lopë. Mblidhen disa nga kuadrot dhe vendosin të shkojnë tek Tupi e ta “ngushëllojnë” për gomarin. Pas përshëndetjeve të rastit me të gjithë, më i vjetri e pyet:
-Të kemi pa vetëm me lopën, ku e ke gomarin?
-Gomari më ngordhi, përgjigjet Tupi.
-A u mërzite?
– Ditët e para, thotë Tupi u mërzita, po sikur e kalova unë nuk e kisha ditur se gomari im paska pas gjithë ato shokë, kuadro deri në kryesi të kooperativës!
– Na e punove bukur or Tup, ia kthyen të ardhurit.
-Jo, jo, thashë të vërtetën, foli Tupi.
10-Në vitet e demokracisë një ministër i partisë demokratike u caktua deputet në rrethin e Dibrës, nuk ishte dibran. Gjatë fushatës shkoi në Luzni. Në takimet me zgjedhësit i shtruan problemin e farave.
-Zoti ministër, kemi dalë nga fara e misrit, duam farë vendi sepse është më i rezistueshëm kemi toka të varfra e pa ujë.
Kandidati për deputet u premtoi se do ju gjej farë misri vendi. U kthyen në Peshkopi dhe e pyetën ministrin se çfarë problemesh i shtruan në Luzni.
-Me specialistët do të përpiqem se do të sigurojmë farë misri vendi sepse kjo ishte kërkesa kryesore e tyre.
-Mos u lodh zoti ministër. Nuk është problem për luznakët fara e misrit, duan që deputeti
11-Për kryetarin e njërës prej kooperativave bujqësore në Dibër të Poshtme kishin ardhur shumë letra anonime për vjedhje dhe dëmtim të pronës së përbashkët. Hekuran Isai në atë kohë shkon menjëherë, mbledh popullin, lexon letrat dhe kërkon mendimet e pjesëmarrësve në atë takim.
-Kërkoi të më thoni të vërtetën a vjedh kryetari apo jo?
Njeri prej diskutantëve thotë:
Kryetari i kooperativës është kuadër i zgjedhur nga partia, ai nuk vjedh vetë por thesin e mban çelë.
Sekretari pyet një bashkëpuntor se çfarë do me thënë kjo që vetë nuk vjedh po thesin e mban çelë.
-Vetë nuk vjedh po çfarë t’i çosh nga prodhimet e pasuria e kooperativës e merr dhe e fut në thesin e tij.(Ramiz Leka Tiranë qershor 2019).
12-Shefki Lleshi në Zogje ka qenë për rreth pesëdhjetë vjet kryetari i këshillit fshatit. Këshilli jepte leje për ndërtim shtëpish në tokat e përcaktuara si vijë e verdhë . Aty nga viti 1986 Lazim Leka paraqitet për përgjigjen e kërkesës që i kishte bërë këshillit për leje për ndërtimin e shtëpisë së re. Shefkiu e këshillon Lazimin që të shkonte të bisedonte me Sami Lekën dhe vëllezërit e tij a janë ato dakord që të ndërtohej shtëpia aty pasi vija e verdhë ishte në ish tokën e tyre para kolektivizimit. Dikush i thotë kryetarit:
-Pse i sorollat njerëzit, e ke vijën e verdhë, jepi leje.
-Nuk ka gjë , u përgjigj qetësisht Shefkiu, nuk i dihet, ti pyes njëherë ish pronarët. Këtë e kishte praktikuar me të gjithë ata që kishin ndërtuar shtëpi të reja në Zogje. Pas viteve nëntëdhjetë Zogje ishte ndër fshatrat që nuk pati asnjë problem me pronat. (Lazim Leka, Zogje, 1990).
13-Në kohën e mbretërisë fshatarët e Çidhnës me anë të një letre i kërkuan mbretit të hapet kanali që ujët e Setës të dalë në Grykë Nokë e Mustafe. Erdhën dy inxhinierë nga Tirana për të verifikuar problemin. E panë terenin dhe mblodhën popullin. Shaqir Tola u thotë inxhinierëve:
-Na tregoni a del ujët për vaditje apo jo?
-Kanali bëhet, ujët del po të ishte naltmadhënia (Ahmet Zogu) ose Lalë Krosi nga fshati i juej. (Ali Hoxha, gusht 2019)
14-Dibra e Poshtëme në Lidhjen Shqiptare të Prizerenit zgjodhi përfaqësuesin e saj Isuf Beg Karasani. Gryka e Vogël dërgoi Zenel Hoxhën që ti përcillte Isuf Karasanit vendimin për të përfaqësuar atje edhe Grykën e Vogël. Për fat të keq kur shkoi tek Lusha në Arras, Isufi ishte nisur për në Prizren. Lusha vuri në dispozicion një djalë të ri dhe e nisi për të kapur Isufin rrugës, e gjeti në Sllovë dhe i çoi porosinë e Zenel Hoxhës. Shtëpia e Lushës e mbajti atë natë Zenel Hoxhën në konakun e tyre gjithnjë të çelur. Në bisedë e sipër dikush e pyet Zenel Hoxhën:
-Kush qëndron në krye të parisë së Dibrës?
-Në krye të parisë së Dibrës është ai që ka gardhin më të madh, u përgjigj Zeneli!. Pas përcjelljes së Zenelit e pyetën plakun e Lushe se çfarë deshi me thanë Zenel Hoxha?
-Gardhi i Zenel Hoxhës është pasuria, miqtë, shokët, mbështetësit afër. Kur ke pasuri, ke odë, mbledh burrat, luftëtarët etj. (Beqir Mata, “Zenel Hoxha i Gjurasit” Tiranë 2015, faqe 62).