“Kushëriri i ëngjëjve”


Xhafer Martini

“Kushëriri i ëngjëjve” është nga librat më tërheqës që ka shkruar Kadareja. I kushtohet baletmaestrit të madh shqiptar që jeton e punon në Francë, Angjelin Preljocajt. Por Kadareja si siguron bazën e nisjes, nga ajo bazë, bombardon me artin e tij, edhe skajet më të largëta të globit. Mjetet artistike që përdor shkrimtari janë të shumta. Është veti e këtij shkrimtari që të mos ketë troje të ngulitura rreptësisht. Lëvizja, fluturimi, kalimi nga një situatë në një tjetër, nga një dukuri në një tjetër, nga një vend në një tjetër, është oksigjeni që ushqen veprën e tij. Në këtë vepër Kadare synon lehtësinë e qenies, çlirimi I saj nga pesha dhe rëndesa, nga tërhqja e tokës. Lehtësia e qenies ka të bëjë me lehtësinë e shkëputjes së njeriut nga toka, me idenë e fluturimit. Vepra I kushtohet një baletmaestri dhe sipas synimit filozofik të Kadresë vallja më mirë se çdo gjë tjetër në jetën e njeriut e siguron lehtësinë e qenies. Duke shfletuar Shekspirin, ka një cast kur Merkuti hynë në skenë thotë: “Ti je dashnor, I merr Kupidit krahët dhe kapërce kufijtë e zakonshëm. Këto fjalë atij ia ka thënë Romeo, por ky e kundërshton Romeon duke I thënë: “ E kam shpirtin plumb, sa s’lëviz dot”. Mënyra e të lëvizurit të Mërkutit nëpër botë përcaktohet nga foljet e para që përdor : to dance, to soar, to prickle (të vallëzosh, kapërce, shpëto). (Italo Kalvini: 2011: 63). Filozofikisht përcillet ideja se kërcimi, vallja, lehtësia të shpëtojnë edhe nga rreziqet. Si shikohet, raporti trupit me shpirtin, qenies me mendimin shikohet në një plan universial. Kadareja u vë rëndësi dhe është në gjendje të gjejë edhe mjetet për të shprehur lehtësinë e qenies. Kjo mënyrë për të gjetur mjetet e çlirimit nga rëndesa dhe për të provuar lehtësinë e qneies kanë ngacmuar vazhdimisht njerëzimin. Mbretëresha Mab, zonja e ëndërrave sipas mitologjisë, shfaqet në një karrocë të ndërtuar me një lëvozhgë lajthie:
“Karroca e saj prej këmbësh
merimange,
Mbuluar lart me krahë karkalecash,
Ka ca pajisje kali prej pezhishke
Dhe një qafore rrezesh hëne endur
Kmzhik I saj është prej membrame filmi” (Italo Kalvino: 20011: 64)
Figurat bazike të tij janë përfytyrimi, shoqërimi I ideve, planet retrospektive, shembëlltyrat e mjete të tjera artistike përmes të cilave ai zgjeron shumë këndin e projeksionit, por duke ruajtur në të njejtën kohë harmoninë e ekuilibrin e nevojshëm. Kadareja ka një imagjinatë të fuqishme. Baza krijuse e çdo shkrimtari të madh është imagjinata. Estetë të shquar, ndër ta edhe Italo Kalvino, I kushtojnë një rëndësi shumë të madhe imagjinatës. Danteja, duke riprodhur idetë e filozofëve të kohës së vetë, thërret: “ O imagjinatë, që ke fuqi të imponohesh vullnetit tonë e të na rrëmbesh në një botë të brendshme, duke na shkëputur nga bota e jashtme, aq sa edhe sikur të binin një mijë bori nuk do t’I vinim re..” (Italo Kalvino: 2011: 116) Kadareja në mënyrën e vet e realizon idenë e fluturimit. Në most ë fluturimit tamam, të kapërcimit epokal. Ai ngrihet në fluturim menjëherë si ato aeroplanët gjuejtës dhe bombardues që shpejtësinë dhe befasinë kanë një pjesë të suksesit. Kadareja të del “atje ku nuk e pret”, nëse shprehemi me këtë gjuhë popullore. A nuk është ky fluturim ose kapërcim, nga gjendje e qetë, “e rehatshme”, në një gjndje tjetër krejt e ndryshme nga ajo e para. Mënyra për arritjene kësaj është befasia. Në këtë kuptim, befasia nuk është pritë kaçakësh, por kurth artistik, është mjeti më i mirë për të kapur lexuesin në pikën më të lartë të emocioneve dhe të ndjenjave. “Midis këshillave që u japin grave gjatë kohës së shtatzanisë është harmonia e lëvizjeve, shmangia e zhvendosjeve brutale, e lodhjes, e kapërcimit, si dhe paqja shpirtërore që lidhet, siç thonë mjekët, me shëndetin shpirtëror të fëmijës së ardhshëm.” (Kadare: “Vepra”, 2009: 27) Kjo fjali, marrë veças, është një këshillë e dhënë bukur si të bëhej nga një mjek gjinekolog. Kadareja nuk vazhdon të jap këshilla të tjera për gratë shtatzëna. Befasia e vërtetë vjen më poshtë kur marrim vesh që gruaja që po arratiset bashkë me burrin e saj, në vitin 1965, është nëna e Angjelinit, që të birin e ka në bark. Nuk kishte gjë më të vështirë, më tronditëse sesa të kaloje kufirin në ato kohëra. Kufiri ishte i rrethuar me tela me gjemba, pëllëmbë e rojë. Me sinjalin më të vogël ngrihej në këmbë “populli ushtar” i zonave kufitare, çetat kufitare, dhe, projektorët e dritat të verbonin nga të gjitha anët; ato i prisnin guvat e humnerat si me shpata zjarri. Sa e sa njerëz , burra dhe gra, madje me fëmijë e pleq, kanë dashur të dalin në botën e lirë, matanë telave me gjemba, por janë diktuar nga rojat kufitare, dhe, për të mos rënë në duart e tyre, për të mos provuar burgjet dhe torturat komuniste, janë hedhur nga shkëmbenjt duke i dhënë fund jetës në mënyrën më tragjike. Prandaj nëna e Angjelinit donte të ishte pa peshë, e padukshme, të fluturonte, por, meqë kjo ishte e pamundur, të shkilte sa më lehtë në tokë, të ecte ndryshe. Dëshira e nënës së Angjelinit për të ecur ndryshe, i kaloi të birit si dëshirë, si kumt, si ëndërr…. “Por një ecje ndryshe s’është veç vallja”. (Kadare: Vepra: 2009: 28) Angjelin Preljocaj akoma pa lindur, qe përcaktuar nga fati të merrej gjithë jetën me valle, të ecte ndryshe. Kadare di të shfrytëzojë çdo imtësi të jetës të protagonistëve. Një shkrimtar pa përvojë dhe pa talentin e Kadaresë një akti të tillë mund t’i kalonte pa e vënë re siç mund të shkelim me këmbë një perlë.
Proza e Kadaresë është në formën e rrathëve koncentrikë që, duke nisur nga qendra, vinë duke u zgjeruar. Zgjerohet tematika, problematika, këndet e shikimit, shpeshtohen dhe ndërlikohen mesazhet, hollohen dhe konfigurohen filozofitë, gërshetohen dhe alternohen prurjet nga të gjitha fushat, por me mjeshtri, me elegancë, pak nga pak, sa vetëm një lexues i vëmendshëm mund ta vërë re. Proza e Kadaresë është si një kullë shumëkatshe, me arkitekturë të përsosur, ku çdo send apo vegël është në vendin e vet për të kryer funksionin e caktuar. Me pak fjalë, mund të themi se funksionaliteti është një tipar tjetër i artit të Kadaresë. Është një funksionalitet organik, si tek trupi i njeriut, ku nuk ka asgjë të tepër por edhe asgjë të mangët.
Tjetër veçori krijuese e Kadaresë është krijimi hapësirave të reja për veprën që ka nisur. Baza e nisjes mund të jetë e ngushtë, veçse disa metra katrore, por a di të çelë horizonte dhe ta bëjë këtë në mënyrë fare të natyrshme. Edhe këto janë kalime të befasishme, por kalime të mëdha. Kështu, si shembull, ëndërra e fluturimit, që e nënvizoi tek nëna e Angjelinit, e jep më poshtë si një ëndërr universale, si ëndërr e gjithë njerëzimit në të gjitha kohërat. Njeriu e ka realizuar sot këtë ëndër, por jo në formën dhe në mënyrën si e deshi ai. “…ëndërra e fluturimit ka pasur zhvillimin e saj. Ajo ka qenë me dy kahje. E para që njeriu të fluturonte vetë. E dyta, të fluturonte me një mjet. (Kadare: Vepra: 2009: 9) Siç dihet u realizua kjo e dyta, por shumë kohë më vonë. Me rrugën e parë njeriu u mor shumë kohë, sepse në ato shekuj ideja e fluturimit ishte më e gjallë, më e shpeshtë, më këmbëngulëse dhe njeriu më I predispozuar për të besuar se mund të arrinte gjithçka, duke u nisur nga ajo që shikonte në natyrë: “fluturonin hyjnitë, shtrigat, fantazmat, erinitë…, përse të mos fluturonte edhe njeriu?” Dhe ky iu vu ëndërrës së guximshme. Fluturimi ka pionierët e parë, por ata, mjerisht, qenë edhe dëshmorët e parë: Ikari, i biri i Dedalit, vuri krahë prej flatrash që i ngjiti me dyll, dhe, për të fluturuar sa më lart, nga ambicia e madhe iu afrua diellit që ia shkriu dyllin dhe fluturuesi u vra. Lëvizjen dhe rritjen e këndit të projeksionit Kadareja nuk I ka qëllim në vete. Ai do të dalë diku dhe atje ku del, ka rastin për të bërë përgjithësime të natyrave të ndryshe: filozofike, morale, psikologjike etj. Miti I Ikarit qe një paralajmërim që iu bë racës njerëzore: rri tek toka, je lindur tokësore dhe atje do ta kesh fluturimin tënd, bile, po të jesh me arsye të shëndoshë, nuk ke çfarë e do fluturimin se, punët që do të bësh, kërkojnë përqëndrim, rëndesë dhe jo fluturim. Por ideja dhe dëshira e fluturimit nuk mposhtet nga asgjë. “Në shekujt dhe qytetërimet e para, në fshatrat ku gruaja duronte peshën e rëndë të një jete të vështirë, shtrigat fluturonin natën mbi bishtat e fshesave dhe madje edhe mbi mjetet të tjera më të lehta, si kallinj ose fije kashte. Përpara se të kodifikoheshin nga inkuizitorët, këto pamje bënin pjesë në imagjinatën popullore, ose, më saktë, në jetën e përditshme. Besoj se lidhja midis dëshirës për të fluturuar dhe vuajtjes për mosarrtjen e saj është një konstante antrpologjike” (Italo Kalvino: 2011:72). Por meqë njeriu nuk mund të fluturonte vet, se kjo ishte përcaktuar nga ana antroplologjike, ai fluturonte me mjete të tjera” në kurriz të një kali apo të një zogu, mbi një anije fluturuese, mbi një qilim fluturues, mbi shpatullat e një gjigandi apo të një shpirti, në karrocën e djallit etj: “ (Italo Kalvino: 2011: 72) Kadare rresht pas rreshti i jep prozës së tij hapësira planetare, e pasuron me ide, me përgjithësime artistike dhe filozofike, me mesazhe, me një sistem të ri të menduari. Pas argumentimeve të logjikshme, në formë të debateve dhe përplasjeve të brendshme dhe të gjitha formave intelegjente që përdor Kadareja në funksion të kthesave të personazheve dhe ndryshimit të situatave, vetvetiu hapen shtigje të reja mendimi. Kadare din të ndez dhe të mbajë gjallë debatin. Debatin filozofik dhe jo fjalët e plakave të mëhallës. Të mëdhenjtë ndihmojnë për të shpjeguar dhe kuptuar njeri-tjetrin. Kur I hyn punës për të zbërthyer Kadarenë këtë nuk mund ta bësh vetëm. Thirren miq të tjeraë nga larg, të gjallë apo të bdekur kjo nuk ka rëndësi. Njeri prej tyre që më ka ndihmuar në këtë punë, siç edhe e keni kuptuar, është Italo Kalvino. Kadareja don ta çlirojë njeriun nga peha e trupit të vet. Kjo, thotë ai, bëhet me anë të valles. Kalvino pranon peshën, por simaptizon shpejtësinë, lehtësimin e qenies ndoshta jo për të fluturuar, por për të ecur shejt, shumë shpejt. Kjo është çështje individuale, thotë ai, nuk mund të bëhet me ndihmën e askujt, dhe del tek mendimi se ana sasiore nuk shpie në ndryshime cilësore. Ana sasiore ndikon vetëm tek sasia, në asgjë tjetër. “…shumë kuaj, thotë ai, do të mbanin më shumë thasë me grurë nga ç’mund të mbajë një kalë I vetëm. Unë do të pranoja se diskutimet e shumta japin më tepër se sa një I vetëm, por diskutimi është si vrapi, jo si mbajtja e peshave, ndaj një kalë berber I vetëm do të vrapojë më shpejt nga njëqind kuaj Frislandi” (Italo Kalvino : 2011: 84) Shfaqja e Kadares për të spjeguar vallen, ose për t’u marrë me jetën e një baletmaestri, është më frytdhënëse se sa dhjetra etnografë qofshin këta akademikë. Kadareja shpjegon dhe I jep kuptim asaj që është ndryshe, sepse, në fund të fundit, funksioni i letërsisë është komunikimi midis asaj që është ndryshe, me atë që është e zakonshme. Nga ajo që është ndryshe nuk shpëtojmë duke e nëvlerësuar ose, ca më keq, duke e zhdukur, por I duhet dhënë kuptimi në raport me atë që është e zakonshme.
Njeriu, më në fund, del sikur pajtohet me idenë se për të është më mirë të mos fluturojë se fluturimi nuk i hyn në punë për qëllimin e jetës së tij. Kjo është ideja e arsyes, e misionit të njeriut në këtë jetë, e kufizimeve që i ka vu atij natyra. Tërthorazi del që njeriu e ka lirinë e kufizuar. Kufizimi I lirisë do të sillte edhe kufizime të tjera që do të bëhen nga vetë njeriu. Nuk është fjala për liri politike, por për liri natyrore që ka të bëjë me mundësinë e jetesës së njeriut, me lirinë që i ka dhënë asaj natyra, krijuesi, si një qenie eprane në shumë drejtime, por edhe e kufizuar në disa drejtime të tjera.

(vijon nga numri i kaluar)
Të gjitha të drejtat dhe mundësitë Zoti ia lanë vetëm vetes. Të tjerat qenie, edhe më e përsosura, siç është njeriu, kanë kufizimet e veta. Siç shikohet, këto janë ide filozofike. Proza e Kadaresë para së gjithash pëlqehet se është filozofike, por kjo filozofi nuk jepet nëpërmjet traktateve filozofike, as në formë tezash, nuk ka të bëjë aspak me filozofinë e katedrave dhe të universiteteve. Ajo është një filozofi e shtrydhur, nëse mund të shprehemi kështu, e “lëngëzuar”, si gjaku i njeriut që rrjedh edhe nëpër kapilarët më të hollë, aq sa të krijohet iluzioni i mosekzistencës, megjithëse ai ja jep forcën dhe jetën njeriut. Por ky gjak ka rrugët e veta dhe nuk duhet të devijojë as edhe pak prej tyre, ndryshe bëhet burim i vdekjes së njeriut, si, për shembull, trombozat, hemarrogjitë celebrale etj. Gjithë ajo tramundanë që fryn në veprën e Kadaresë do të shkaktonte një kaos sikur të mos kishte një pikë komandimi. Kadare e ka situatën në dorë, si balonën në fluturim. Ekuilibrin e ka jeta. Kadareja, në analogji me këtë ekuilibër kaq delikat, ka ekulibrin artistik, atë harmoni dhe përsosmëri të domosdoshme për çdo vepër vërtet artistike. Gjithçka e mban në jetë ekulibri dhe harmonia.Të shkojmë edhe një herë tek filozofia e lëngëzuar. Natyrisht, ky nuk është as term dhe as koncept imi. Filozofia varet nga jeta. Në qoftë se jeta është “e lëngshme”, edhe filozofia e tillë do të jetë. “Ideja e modernitetit ose e shoqërisë “së lëngshme”, mban autorësinë e Zygmund Baumanit. Për këdo që dëshiron të kuptojë se ç’mbart ky koncept mund të jetë dobiprurës Gjendje krize, ku Baumani dhe Carlo Bordoni diskutojnë rreth këtij dhe problemeve të tjera….Shoqëria e lëngshme nis të ravijëzohet me atë rrymë të ashtuquajtur postmoderne…Postmodernizmi shënon krizën e “rrëfimeve të mëdha” që mëtonin t’i mbivendosnin botës një model të rendit; iu kushtua një interpretimi të ri ludik dhe ironik të së shkuarës…është një lloj kpërcyelli nga moderniteti te një e tashme pa emër” (Umberto Eco: “Pape Satan Aleppe- kronika e një shoqërie të lëngshme- 2017:9) Shkurt, shoqëria e lëngshme është ajo që të rrëshqet nëpër duar, që nuk ka formë dhe është e ikshme, gjithçka tretet, humbet siguria, besimi, nuk ka më asnjë pike referimi: “gjithça tretet në një gjendje të lëngët”. Tek vepra e Kadaresë interferojnë të gjitha rrymat krijuese paramoderniste, moderniste e postmoderniste, sistemet e ndryshme politike, rryma dhe rrymëzave filozofike. Por tek Kadare gjithçka është si tek rrjedhat nëtokësore. Jo se ai dëshiron të fsheh diçka, por se arti vetvetiu është i fshehtë. Flasim për artin që buron nga thellësitë.
Kadareja procedon me ide të rëndësishme, me mesazhe të fuqishme, por, nga që këto jepen me mjete artistike të holla dhe brilante, aspak në mënyrë bërtitëse dhe pëlcitëse, mezi diktohen. Kadare zotëron shumë teknika rrëfimtare që u përgjigjen kritereve të funksionalitetit, ai ka plot detaje, disa I lë mbasdore nëse I ka shfrytëzuar plotësisht, të tjera I rimerr në një mënyrë të re, kur të vijë rasti dhe vendi për to, përsërit kur është e nevojshme, por jo përsëritje që vine nga varfëria, por nga nevoja e shprehësisë artsitike. Kadare në një vend të kësaj eseje që po analizojmë, thotë që vallja korrigjon brutalitetin. Për analogji do të thoshim se proza e tij korrigjon brutalietin, vulgaritetin, naivitetin, konformizmin dhe të gjithë të këqijat që ka një shorëqi “ lëngshme”, që nuk ka asnjë “shtyllë” ku të mbahet. Prandaj vepra e Kadaresë është emancipuese, purifikuese. Puna është të kuptojmë se arti i madh pret hollë. Kadareja është artist i prerjeve të holla. Idenë e prerjes së hollë e jep edhe arti popullor:
“Në muajin e ramazanit që ra në verë, pikërisht në ato muaj kur dita ishte më e gjatë, burrat e një mëhalle iu lutën xhipit të katundit që t‘i binte lodrës për të ngrënë iftarin nja pesë minuta ma para.
Unë i bije, – tha lodërtari, – por më thonë njerëzit “na prishe ramazanin”.
Bjeri veç për ne, – ia kthyen kërkestarët.
Po si t’i bije veç për ju? Po i rashë, e dëgjojnë të gjithë!
Për ne bjeri me karthi (thupër e hollë), kur të vijë ora tamam, bjeri me topuz…”.
Megjithë atë që thamë më lartë, njeriu nuk hoqi dorë nga dëshira për të fluturuar. Tani njeriu vuri vetes kufi se sa mund të fluturojë, ose, thënë pa figurë, sa mund të ngrihet mbi tokë. Ai filloi ta kuptojë madhështinë e vet edhe pse ishte qenie tokësore, midis tokës dhe qiellit. Lindi dëshira tjetër për të kërcyer, për të bërë me trupin e vet ato lëvizje, ato kapërcime, ato hedhje dhe kërcime që trupi normalisht nuk është i gatshëm t’i bëjë. Kadare jo vetëm në këtë ese por edhe në forma të tjera të krijimtarisë së tij është zotëruar nga filozofia e shkëputjes së trupit nga toka, edhe pse ai është krijesë që ecën mbi tokë duke mbështetur mirë këmbët në tabanin e saj. Kadareja “ka shkruar një vjershë me titull: “Vallja e shqiptarëve” që, veç ideve dhe mesazheve të tjera, përçon edhe idenë se njeriu është i lidhur fort me tokën, dhe për çdo shkëputje mbi të duhet t’i marrë leje asaj:
“Tri herë opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij,
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi

Kështu midis qiellit dhe botës
Vallja u lind, vallja u shpall
Këmba sinjale i çoi tokës
Dhe dora qiellit i dha lajm”.
Vallja nuk lindi kot, pa mision në jetën e njeriut. Vini re foljen tek vargu u shpall. Vallja shpalli veten. Me anë të saj njeriu ka diçka për të thënë, diçka për të shprehur ani pse gjuha është mjeti më i përshtashëm për të komunikuar. Kadare i referohet Jose Gil, i cili shkruan: “Kur gjuhët pushojnë së qeni vepruese, duhen kërkuar të çara të tjera. Njeriu, me sa duket, gjen vallen, trupin që flet”. (Kadare: Vepra: 2009: 234) Nuk e kanë të gjithë gjuhën e valles. Natyra kompenson në mënyrë të çuditshme dhe arrin t’i kënaq të gjithë njerëzit me prirjet e ndryshme që u ka dhënë. Kam parë në mexheliset e Dibrës burra që nuk dinë të bëjnë muhabet, ose nuk janë në lartësinë e virtuozve të alegorisë dhe mënyrave të tjera të shprehjes. Këta vetëm dëgjojnë. Por kur ndodh që hidhet vallja, janë këta që ngrihen në valle, janë këta që fitojnë qoftë edhe përkohësisht (aq sa zgjat vallja), atë prestigj dhe rëndësi që do të dëshironin ta kishin gjithmonë. Po kështu ndodh edhe me atë çobanin e dhive që pothuaj nuk qaset në asnjë mexhelis, sepse di të ruaj vetëm dhitë. Ngaqë e ndien veten mjaft larg të tjerëve në zejen e odave, ai preferon të mos shkojë fare as për të dëgjuar. Ai fut fyellin në torbën e bukës dhe, kur është vetëm në mal, i bije atij aq bukur, aq përmallshëm sa e dëgjojnë edhe ata që janë poshtë në fshat. Ja, çfarë bën natyra, ka shpërndarë edhe talentet, ka shpërndarë edhe artin. Pelgam G. Wodehouse ka thënë “Duket sikur është ligj i pashmangshëm i natyrës njerëzore që askush nuk mund të shkëlqejë në të dy krahët. Nëse dikush është ballëlart dhe ka etje për dituri, fokstorti i tij (nëse vërtet vallëzon), do të jetë si lëkundjet e një të dehuri; ndërsa, poqese është valltar i mirë, nga veshët e lart do të jetë thuajse kokëbosh.” (Njeriu me dy këmbë të majta”, Tiranë 2002, f. 234)
Vallja flet shumë, thotë Kadare, madje më shumë e më mirë, më saktë se letërsia, piktura dhe artet e tjera. Vallja ka “epërsinë” e vet se zgjat pesë deri në dhjetë minuta. Ndryshe është një roman, fjala vjen, që zgjat me muaj për ta lexuar. Kjo e bën vallen një zhanër më demokratik sepse shijohet nga shumë njerëz njëkohësisht, është i kuptueshëm për të gjithë dhe shkakton ato emocione që asnjë art tjetër nuk mund ta bëjë në aq pak kohë. Edhe një pikturë, fjala vjen, do më shumë kohë dhe jo vetëm një herë për ta vështruar që “të nxjerrësh” diçka prej saj. Vallja edhe përgjithëson, thotë Kadare. “Era e lirisë, e pluralizmit, valëvitja e turmave, sulmi kundër idhujve e shtatoreve të tyre, sprapsja, sulmi i përsëritur, rrënimi i iudhjave, etj., etj., të gjitha këto ngjajnë me lëvizjen e gjithësisë”. (Kadare: Vepra: 2009: 233)
Të shprehurit me anë të valles është një gjë shumë e vështirë, i thotë Angjelini shkrimtarit, se “Alfabeti i im janë vallëtarët. Janë ata me të cilët unë do të thur elipset e mia, figurat, idetë, ekstazën, tmerrin, gjithçka. Ti mund të shkosh kudo dhe atelien tënde, dhe veglat e tua, domethënë gjuhën, dhe shkronjat i ke me vete, kurse unë duhet të zhvendosem me gjithë këta njerëz të gjallë, që janë alfabeti im. A e mendon dot ti, që gjatë kohës së të shkruarit disa nga shkronjat ose vetëm një prej tyre, ta zëmë shkronja k, të mos jetë aty, të mos vijë, të mungojë?” (Kadare: Vepra 2009: 235) Kjo bisedë nuk e dimë në është bërë apo jo. Kjo nuk ka rëndësi. Ka rëndësi mënyra se si e thotë Kadare, kjo e bën konstatimin e baletmaestrit të veçantë. Ne befasohemi me mënyrën si e ka thënë shkrimtari dhe na ngelet në mendje. Këtu nuk ka vetëm art, ka edhe një farë ndarje midis arteve të ndryshme, depërtohet tek specifikat e secilit prej tyre . Secili, me atë mënyrën e vet, të jep kënaqësi. Arti ka harmoninë; gjithë artet, pa përjashtim, janë harmoni. Vallja, si shembull, nuk është kthehu e rrotullohu, kërce e hidhu kuturu, por të gjitha lëvizjet bëhen sipas një ritmi, sipas një melodie, shkurt, ato janë harmonike. Jeta fizike, jeta e vërtetë dhe arti, nuk kanë të ndarë. Janë të dyja për njeriun. Njeriu, siç ka nevojë për ushqimin fizik, që ai të jetë me larmi dhe llojshmëri, kështu ka nevojë edhe për artin, por jo vetëm për një lloj arti. Edhe këtu dalim tek një mësim tjetër filozofik dhe estetik: tek natyra e artit, tek funskioni i tij për ta bërë jetën e njeriut më të bukur. Pra, Kadare, ashtu si kalimthi, me një farzë, madje edhe me një fjalë, jep mësime të natyrave të ndryshme. Gjithë puna qëndron tek kuptimi që i japim fjalës.
“Në diktaturë jetonte në fshatin tim (Fushë Alie), një fshatar pa shkollë, por shumë i zgjuar, Can Kurti. Kuptohet që të gjithë të zgjuarit ishin kundër diktaturës. Cani ishte edhe shumë i varfër. Ai derdhte helm kundër sistemit, por jo drejtpërdrejt, por me anë të fjalëve me dy kuptime. Nëse ti, për arsye të ndryshme, – qoftë edhe për ta akuzuar Canin, – do të bëje një analizë të këtyre fjalëve, do ta filloje me kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre, me atë që thuhej. Cani punonte në kooperative dhe, meqë e dinin se e kishte gojën hem, e caktonin shumë larg për të punuar. Kur ai nisej në mëngjes me shat ose lopatë në krah, ndodhte që dikush e pyeste:
Ku punon, or Can?
Ai përgjigjej:
Këtu në Prat, në Prat.
Prej aty ku ishte Cani, Prati mbante gjashtë orë larg vajtje – ardhje, për të mos thënë më shumë. Pra, vetëm përdorimi i fjalës këtu, (ndajfolje për të treguar vendet afër), për një vend që ishte shumë larg, i jep krejt tekstit vlerë ironike dhe alegorike. Kadarjea pak a shumë kështu vepron, por në mënyrë tjetër. Por nuk ka rëndësi mënyra. Rëndësi ka nxjerrja e fjalës, frazës, nga “përgjumja” e zakonshme për ta ngritur atë në shkallën më të lartë të përdorimit për të na emocionuar më shumë. Ashtu si ka njeriu vallen për t’u bërë tjetër, ka edhe fjala vallen e saj për ta rritur shprehësinë dhe intensitetin e veprimit. Mjeshtrat e mëdhenj futin në valle jo vetëm fjalën, por edhe yjet. Kujtoni vjershën “Vallja e yjeve” të Lasgush Poradecit. Gjithçka vallëzon po dite ta futësh në valle.
Por mësimi në vetvete që na jep pothuaj në çdo pasazh Kadare nuk do të ishte gjë pa parë mënyrën se si e jep. Esetë e Kadaresë duhet të lexohen pikërisht për thellësinë e fjalës. Fjala është si toka, ka edhe ajo thellësinë e vetë. Por deri ku e ka thellësinë toka- flasim për një thellësi relative, duke mos synuar këtu zemrën e tokës. Thellësia e tokës është sipas vendit, në disa vende është më afër sipërfaqes, në disa më thellë saj. Kjo shtresë e tokës që është shumë e fortë, e papërshkueshme nga uji, e vështirë për t’u punuar me mjetet që puojmë tokën, quhet Celinë. Celina sikur i thotë njeriut: “Deri këtu ke punë, deri këtu mund të hyjsh në thellësitë e mia”. Fshatarët më përpara kur ndërtonin shtëpinë, themelet i çonin deri në celinë. Atëherë ishin të sigurtë nga çdo lloj tërmeti. Për analogji, (kam frikë se kjo analogji do të jetë pak e kërkuar), edhe fjala ka celinën , me çka duhet të kuptojmë shprehësinë më të lartë. Kadare e çon fjalën deri në celinë.
***
Një pyetje që bëhet shpesh në këtë ese është edhe kjo: pse vallëzojmë, pse vallëzon njeriu, çfarë të mire ka prej kësaj veprimtarie? Siç shikohet, pyetja nuk është e thjeshtë. Natyra filozofike e kërkimeve të Kadaresë në botën dhe shpirtin e njeriut, ndryshon formë dhe bëhet e larmishme, por nuk mungon kurrë. Drejtpërdrejtshmëria dhe informacioni i thatë, atij nuk i duhet fare. Arti lind për të plotësuar një boshësi tek shpirti i njeriut dhe gjatë këtyre përpjekjeve, krijuesi nuk e ka të sigurtë suksesin. Po kështu nuk e ka as baletmaestri, madje as vallëtarët vetë. Sepse është jo vetëm e çuditshme, por e mundimshme, madje disi absurde “Të thërrasish në ndihmë trupin, këtë hamall, këtë varr, këtë burg të shpirtit (për të përmendur vetëm disa nga cilësitë e tij), pra, të thërrasësh në ndihmë pjesën tënde më prozaike, më të përbaltshme, më të vdekshme, për të shprehur hovëzimet qiellore të shpirtit, kjo është më se paradoksale “ (Kadare: Vepra: 2009: 239). Se nuk do të sillesh dhe të rrotullohesh kot, por do shprehësh “hovëzimet qiellore të shpirtit”.
Njeriu kur kërcen sikur e nxjerr zgjyrën nga shpirti, sikur pastrohesh nga helmet që përmban organizmi, sikur ia merr jetës atë gëzim që ajo e ka për çdo njeri. Kështu e kam kuptuar unë vlerën e të kërcyerit. Por Kadare i përgjigjet pyetjes : pse vallëzon njeriu? – ashtu si di ai të përgjigjet, në mënyrë befasuese dhe shumë mbresëlënëse: “Njeriu ngrihet në valle për t’u bërë tjetër. Ai bën një përpjekje për të kaluar nga një gjendje në një tjetër, ai ndërron lëvizjet e zakonshme me lëvizje më të ngadalta os emë të shpejta, prej vetes së vet ai nxjerr një shëmbëllim, një pasqyrim, një refleks të vetëvetes, një hije si ato të përrallave, një lloj ylberi, një lloj dyzimi ose fantazme, që edhe i ngjet , edhe nuk i ngjet vet atij”. (Kadare: Vepra 2009: 239) Edhe pse shprehet me figura, me kaq elegancë dhe mjeshtëri, edhe pse jemi në nivelin më të epërm ku mund të ngritet gjuha njerëzore, ai, çuditërisht, është aq i saktë në atë që thotë sa të kishte shprehur përkufizimin e një teoreme. Le të më lejohet që këtë që totë Kadareja që valltari edhe i ngjet edhe nuk i gjet vetes kur ngrihet në valle, ta konkretizoj me një rast nga jeta. Në vitet gjashtëdhjetë në qytetin e Peshkopisë jetën kulturore dhe artistike e gjallëroi shkolla pedagogjike e qytetit. Kishte një ansambël këngësh dhe vallesh të mrekullueshëm. Midis valltarëve ishte edhe Miftar Alia, një shoku im i klasës. Në atë kohë ishte në modë dhe nuk kishte rast që nuk kërcehej e ashtuquajtura Vallja e Xhafer Kabës. Xhafer Kaba kishte kohë që kishte vdekur, por ruhej vallja e tij. Ai kishte qenë një kërcimtari i rrallë, por u sëmurë dhe nga reumatizmi e njera këmbë i mbeti drejt. Po atë e merrte malli për valle dhe ngrihej dhe kërcente me këmbën drejt duke u mbajtur në shkop. Kërcente vetëm. Vallja është për shumë njerëz, më e pakta është Vallja dyshe. Që këtu fillonte përveçësia e saj. Ishte një valle, pra, jo e natyrshme dhe njerëzit qeshnin. Në çdo repertor hyri si valle humoristike se pastaj kërcehej edhe nga ata që nuk kishin asnjë këmbë të sëmurë, por imitonin Xhafer Kabën. Vallja hyri, si të thuash, në shtratin e vet vetëm kur atë e kërceu Miftar Alia. Miftari kapi filozofinë e valles dhe e përçoi tek spektatorët ndryshe. Miftari dukej sikur këmbën e kishte pa jetë, por duke mos u pajtuar me atë fatkeqësi, për ta mundur atë, për të mbetur sërish në radhët e artit, shtrëngonte veten deri në dhimbje të fortë fizike që këmbën “ta vdiste me të vërtetë” për të qenë i vërtetë në kërcim. Por gjatë kësaj përpjekeje të mundimshme atij nuk i vinte të qeshte dhe të bënte grimasa humoristike si disa të tjerë. Ai nidente dhimbjte të madhe derisa këmba vërtet “i drunohej” dhe ai kujtonte që nuk e ka. Këmba I mbeteje mpirë edhe për disa kohë kur kishte dale nga vallja. Sëmundja kishte dashur ta linte Xhafer Kabën ulok, por ai nuk bindej. Miftar Alia ia hoqi valles karakterin humoristik dhe i dha asaj karakterin heroik burrëror, që konsistonte në mposhtjen e fatkeqësisë, të fitores së njeriut mbi sëmundjen dhe të artit mbi mangësitë trupore. Për çudi Miftari vërtet bëhej tjetër kur kërcente atë valle. Shtrëngohej dhe mundohej, sikur ishte Laokonti që e shtrëngonin gjarpërinjtë për ta mbytur. Partiakët dhe pushtetarët që erdhën për të parë ansamblin, e kritikuan Miftarin për mënyrën se si e kërceu vallen e Xhafer Kabës, për karakterin dramatik që i dha.
Ne jo vetëm nuk guxonim, por as nuk dinim, as nuk na shkonte ndërment përse partiakët dhe pushtetarët reaguan aq keq. Ata ishin njerëz të paditur dhe vetëm për këtë arsye ne e quajtëm reagimin e tyre thjesht një tek. Por nëse diktatura përbëhet nga njerëz të paditur, sigurisht prej atyre që i mban në krye të punëve, vetë ajo është e ditur dhe dinake, veçanërishte mprehtë dhe e stërholluar në aftësitë për të mbrojtur veten. Të keqen që po i afrohet, ajo e shikon kudo, edhe tek vallet. Diktatura përherë porosiste për të qenë vigjilentë.

 

Vigjilencën më të mprehtë ajo e kishte vetë, nuk kishte më dyshimtare se diktatura.
Këto që ne i themi tani, Kadareja i ka thënë tek “Kushëriri i engjëjve”. Kadare thotë se diktatura ishte e prirur për valle festive. Në atë sistem u ngritën shumë ansamble të këngëve dhe valleve popullore. Manifestimet sportive dhe veprimtaria e këtyre ansambleve e “zbukuronin” jetën e popullit dhe shtonin atmosferën festive. Diktatura donte të luftonte zymtësinë. Ajo vetë ishte e zymtë, e zezë. Donte ta ndryshojë ngjyrën, veshjen, vallëzimin që të dukej ndryshe nga ç’ishte. Po si do t’ia dilte mbanë kësaj pune që ishte mjaft e vështirë? Si do të arrinte ajo të gënjente, të mashtronte, madje, ajo më kryesorja, ku do t’i gjente ata njerëz që do ta bënin këtë punë, se, pa dyshim, duhet të ishin të zgjuar, se budallanjtë nuk e bënin dot. Kadareja thotë se diktatura është mbështetur gjithmonë tek konformistët. Ajo është shtresa që i duhet asaj dhe që i ka shërbyer më shumë.
Përveç konformistëve, thotë Kadarea, kishte edhe antikonformistë. Këta luftonin njeri-tjetrin si dy rryma krejt të kundërta. Edhe jokonformistët kishin armët e veta. Vallja, si të thuash, nuk ishte arma e tyre se vallet në shumicën dërrmuese të rasteve kontrolloheshin dhe nuk lejoheshin ato që nuk ishin të përshtashme për regjimin. Por jokonfomistët kishin edhe rrugë dhe mënyra të tjera për t’iu kundërvënë konformistëve, gjegjësisht diktaturës që ata përfaqësonin. Për shemull, një prej tyre ishte moda. Një tjetër ishte muzika. Një tjetër ishte piktura, skulptura, letërisa, krejt arti. Por, nëse për artin kishte komisione e nënkomisione, redaksi e shumë organizma për ta kontrollur, moda nuk kishte ndonjë organ të veçantë. Ajo ruhej nga syri vigjilnet. T’i mbaje flokët pak më të gjata se zakonisht, të merrej si oponencë ndaj sistemit. Pak ta kishe fustanin të hapur tek gjoksi, ose mbi gjunjë, i bëje opozitë sistemit. Kishte edhe mjaft shfaqje të tjera në jetë që të nxirrnin në opozitë me sistemin. Fjala opozitë nuk njihej dhe nuk përdorej se konsiderohej diçka e organizuar, puç, kundërrevolucion. Opozitarëve një herë u ishte prerë koka që më 46-tën dhe tani nuk guxonte kush të dilte me platforma. Këta që luftoheshin – jokonformistët – jo vetëm ishin të paktë, por edhe të paorganizuar, këta luftonin më vete. Diktatura nuk ishte budallaqe. Ajo duke vepruar kështu luftonte intelektualët. Intelektualë konformistë nuk ka. Të gjithë intelektualët duhet të jenë jokonformistë. Pra, duke luftuar antikonformizmin, diktatura në të vërtetë luftonte intelektualët. Një shkrimtar që merret me politikë ka thënë: “Dallimi midis shtetit të një vendi demokratik dhe atij të një vend nën totalitarizëm , është se ky i dyti e konsideron si diversion politik çdo lloj antikonformizmi” (Besnik Mustafaj: Fletorja rezervat. Prishtinë 1996, f. 108)
Byroistët nuk kishin karakteristik dinamizmin, por ngathtësinë. “Karaktersitikë e parë e lëvizjeve të tyre është një farë ngathtësie solemne, shoqëruar me një shprehje të ngrirë në fytyrë, e cila është midis buzëqeshjes dhe vërenjtes, dhe bën të njejtin efekt në të dy rastet…lëvizjet e komunistëve janë kryesisht të ngadalta. Ky ritëm i ngrirë vjen, me sa duket, nga lindja aziatike…”(Kadare: Vepra : 2009: 24) Mund të vijë edhe nga bota e egër. Dinozaurët kanë qenë kafshë të egra të tmerrshme, por të ngadalta. Po të ishin edhe të shpejta, sidomos po të ishin fluturuese, e kishin shkatërruar çdo gjë. Por ajo ngathtësi i la në baltë: ata u shkatërruan vetë.
Vallja ishte e lejuar kur ishte pozitive, kur kishte në brendësi të saj elementë festivë, kurse të vallëzuarit modern ishte krejtësisht i ndaluar. Meqë shumica e këtyre modeleve na vinin nga Kina dhe sigurisht edhe nga vendet e tjera aziaike, ishte e rrezikshme të përqafoje elementë të modernitetit. “Më 1967, Kina shkoi më larg: bashkë me vallëzimin klasik në skenë, ndaloi krejtësisht vallëzimin e njerëzve. Akoma më larg shkoi Kamboxhia. Të rinjtë që mund të gjendeshin duke vallëzuar, pushkatoheshin. …Më 1972, goditja e infarktit që pësoi diktatori, pa së cilës një kohë të gjatë ai lëvizte duke u mbështetur mbi një shkop, përveç valës së re të terrorit, i dha një goditje fatale valles. Ishte hera e parë që Komiteti i Partisë i Tiranës u bëri thirrje komunistëve që të mos vallëzohej edhe nëpër shtëpi, përveç rasteve të dasmave…Për të mbushur boshin që krijohet nga dëbimi i valles, diktatura shton festat festive: festivalet kombëtare, manifestimet sportivo- artistike, gjithëfarë olimpiadësh të fëmijëve, të rinjve, të grave, të veteranëve, të ushtarakëve”. (Kadare: Vepra: 2009: 241).
***
Kadare ka shumë sukses në veprat e tij, sidomos në esetë, edhe për faktin se ka një prozë demokratike. Dikush mund të thotë ç’na prrallis kështu, se të thuash për shkrimtarin se është demokrat, hadje de, por të thuash për prozën e tij që është demokratike, këtë nuk e kemi dëgjuar. Nuk ka ndonjë rrymë letare apo drejtim letrar që të quhet “demokratik”. Nga ana tjetër, demokraci do të thotë pushteti i të gjithëve, dhe i mediokrëve. Kadare ç’është e vërteta kuptohet nga pak njerëz, nuk është “kulturë masive” për masat “shumëmilionëshe”.
Megjithatë, mos nguti, o lexuesit e mi, se të urtit nuk nguten. Unë me demokraci kuptoj mendimin kundër, të drejtën e mendimit kundër. Nuk di nëse kjo lloj demokracie kështu si e kuptoj unë, është a -ja e demokracisë, apo Zh-ja, por që është koncept demokratik kjo nuk ka dyshim. Kadare, parë në këtë aspekt, pothuaj çdo frazë e ka demokratike dhe kjo është një cilësi e tjetër e tij. Frazat e tij përshkohen nga të kundërta, janë shprehje e të kundërtave. Po japim një shembull, nga moria e shembujve të kësaj natyre: “Popujt kërcenin kudo e kurdo dhe, ndonëse kishte mendime të ndryshme se në ç’kohë gjunjët e tyre ndienin padurimin për valle e në ç’kohë plogështoheshin, një gjë është e sigurt: vallja ashtu si jeta s’rreshtte kurrë. Disa mendonin se në prag luftërash, domethënë zhvendosjesh të mëdha, popujt nisnin të kërcenin më shumë e më ethshëm, e të tjerë mendonin të kundrëtën, domethënë, që në prag fatkeqësish, këmbët mpiheshin nga reuamatizma. (Kadare: Vepra 2009: 246) Ose: “Kur Tebës i afrohej lajmësi, që do të sillte gjëmën për krimin e Edipit, thuhej se vallja nuk reshtte ditë e natë. Të tjerë kronistë e poetë rrëfenin se si në vigjilje dramash e tërmetesh, dëshira për valle fashitej….Kurse puçistët në Bashkimin Sovjetik, në gusht të vitit 1991, e shoqëruan shpalljen e puçit me një koncert të pamabrimtë në TV, ku shumicën e vendit e zinin vallja dhe baleti klasik”. (Kadare: Vepra 2009: 247)
Fjalitë që nënvizuam dëshmojnë këtë që sapo thamë, mendimin kundër brendapërbrenda një faze. Por kjo mënyrë të shprehur, sipas meje, jo vetëm e demokratizon frazën, por është edhe një hapësirë lirie, nuk i mbyll alternativat nuk ngulmon në një formë të menduari, nuk vendos veton vetëm në një gjë duke përjashtuar të gjitha të tjerat. Këtë mënyrë shprehjeje lexuesi e pëlqen jo vetëm për sa thamë, por edhe për faktin se kjo përjashton monotoninë, është krejt reflekse dhe alternativa. Kundër, kundër, kundër – kjo është demokracia. Duhet të vemë në dukje se Kadare është I vetmi autor në gjuhën shqipe që përdor mirë dhe u jep funksionalitet të ashtuquajturave “konvergjencave paralele”. Kjo figurë retorike ka lidhje me aftësinë për të afruar gjëra që jo vetëm nuk lidhen, por edhe kundërshtojnë njeri-tjetrin. Si shembull, japin fjalët “dobësi e fortë”, “shpresë e dëshpëruar”, “dhunë e ëmbël”, “kuptim pa domethënie” e të tjera. (Umberto Eco: “Pape Satan Aleppe- kronika e një shoqërie të lëngshme, “Dituria” 2017: 415) Po Kadareja nuk jep vetëm konvergjencë fjalësh, por edhe konvergjencë kuptimesh, nocionesh, shembëlltyrash, idesh. Si shembull, ai kur flet për vallen, pastaj papritur, shkon tek një vallzim I madh, planetar, që shihet tek rrotullimi I globit rreth vetes, yjet rreth diellit, diejte pafund në harmoni me njeri-tjetrin. Kështu kalimesh janë të pafundme në veprën e Kadaresë. Mosbindja dhe kontradksioni mbrohen dhe shpallen nga artistët më të mëdhenj në botë. Ja çfarë ka shkruar Uollt Uitman:
“Kundërshtoni shumë, binduni pak
Se bindja e verbër të shpie në skllavëri të plotë.
Prej skllavërisë së plotë asnjë populi I botës
Nuk e fiton dot përsëri larine”. (Gazeta “Republika”, 3 korrik 1997)
Çdo vepër e Kadaresë jo vetëm është kundër diktaturës, por është kundër të keqes në përgjithësi. Por e keqja luftohet kur nuk e pranon atë. Veç të mos ketë bindje- kjo në esencë është demokracia.
Veç të tjerave, Kadare dallohet për mënyrën e përsosur se si i thotë gjërat. Thuaj sa të duash gjëra të drejta, ata nuk ngjisin nëse nuk thuhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Gabriel Garcia Marques, kur flet për artin thotë se ai nuk ka as fillim e as fund: të ngjit ose nuk të ngjit. Kjo me të vërtet është cilësi e artit. Nuk ka art të mirë dhe art të keq. Arti ose është art ose joart. Arti, natyrisht duke pasur këtu parasysh në radhëtë parë letërsinë, sidomos eseistikën, sidomos eseistikën si të Kadaresë, ka brënda magjepsjen edhe për faktin se nga çdo radhë e tij mëson. Brenda një faqje, madje brenda një pasazhi ai të jep të dhëna ose, më saktë, të jep një informacion dituror që bëhet pjesë e kulturs tënde. Të gjithë veprat e Kadaresë, përveç specifikave të veçanta dhe mesazheve që përcjellin, janë vepra kulture, janë eknciklopedi artistike, të mësojnë e të emancipojnë njëkohësisht, të kalojnë në anën e progresit. Vetëm në pak radhe Kadare tregon për Edipin e Tebës, për Gjrin Persik duke të sjellë ndërmend luftën e përgjkashme që u bë atje, për puçin e sovjetikëve, për vazot ilire që kishin të vizatuar një valle, për zanafillën e teatrit tragjik e të tjera. Paralelizmat Kadareja I ka të pafund, por të larmishëm në mënyrën e shprehjes. Sa meson prej paralelizmave nuk meson nga asgjë tjetër. Dykuptimsinë çka ne e konsideruam si mjet demokratik dhe si shprehje e demoracisëj, ai e shtjellon më tej duke ngritur në një parim filozofik. Vallja ka trajtë rrethore, thotë Kadareja. Këtë nuk ka njeri që nuk e di. Por mendja e askujt nuk shkon më tej për të zbuluar ndonjë domethënie për këtë trajtë rrethore. Kadare na e shpjegon se kjo trajtë rrethore, “përsërit një nga simbolet më të lashta dhe më universalë të njerëzimit: rrethi, domethënë simbolin e diellit, si dhe lëvizjen e tij në kupën qiellore. (Kadare:Vepra: 2009: 248) Trajtë rrethore ka edhe Zoti, thotë Jose Luis Borges. “Zoti ka trajtë të rrumbullakët, sipas tij, “është një sferë që mund të rroket veç prej intekeltit, qendra e së cilës është gjithkund dhe perimetri askurrkund” . (Jose Luis Borges: “Inkuzicionet e tjera”: Tiranë 2005: 10) Po vallja kishte edhe një karakteristikë tjetër: rrotullimin nga e majta në të djathtë, për këtë arsye “vallja i ngjate një mekanizmi që mund të punonte në dy kahje: të mirë dhe të keqe. Ajo të kujtonte kështu orën e mirë dhe orën e ligë, kthimin e papritur të fatit, së fundi, kahjen e rrjdhjes së kohës, këtë enigmë që ka munduar dhe vazhdon të mundojë ç’prej mijëra vjetësh mendjen njerëzore”. (Kadare: Vepra: 2009: 48)
Në këtë libër bëhet fjalë për një baletmaestër dhe për vallen. Por Kadareja nuk shpjegon si baletmaestër, madje ai as që shpjegon, ai filozofon rreth valles. Por një filozofi e mirëfilltë rreth valles sigurisht do të ishte gjë e merëzitshme. Kjo është një filozofi me art, me aq shumë dyzime, me aq shumë të kundërta, me aq shumë kapërcime në kohë dhe në hapësirë, sa ti si lexues, ddukesh aq shumë I rrethuar nga dituria, se “nuk ke shteg për dalje”, të paktën për disa kohë. Veprat e mëdha të “robërojnë”, ata të mbajnë për vete për shumë kohë.Në një kuptim, të dehin, një dehje që vjen nga bukuria.
Të gjithë e dimë se ka valle burarsh, valle garsh dhe valle të përziera, siç ka edhe valle pleqsh. Kjo e fundit është valle dyshe burrash, por kur këtë valle e kërcejnë burra shumë të moshuar, ka një dallim nga vallja e zakonshme. Në shpjegimet e një baletamestri, koreografi e të tjerë, qofshin këto edhe njerëzit më të dalluar të fushës, nuk do të gjenim ndonjë gjë interesante, sepse ata flasin profesionalisht për disa elemente, për veshjen kostumet, mënyrat e lëvizjeve e të tjera. Këto kanë një bojkot në krijimet e Kadaresë. Jo se ai i nënvlerëson etnografët, porse ai shikon përtej tyre, shkikon ndryshe nga ata. Për të vallja e burrave ishte e lidhur me tokën, kjo lidhje me tokën do të thotë lidhje me vdekjen sepse burrat me të vërtetë ishin të lidhur me tokën, por toka shpesh ua sillte vdekjen. Në kanunet shqiptare vetëm po të vriteshe për tokën, do të thoshte se nuk të kishte shkuar gjakuhuptë. Me pak fjalë, quhej vrasje me vend, vrasje e bukur. Kjo mendësi, sipas Kadaresë, (dhe ai ka shumë të drejtë), ka kaluar edhe tek vallja e burrave. “Vallet e burrave kishin një ritëm të përmbajtur, me goditje të shpeshta të tokës me këmbë dhe me përsëritje të mundishme, thua se vallëtarët e kryenin ritin përmes një pengese të rëndë. Asnjë valle burrash shqiptarë s’mund të përfytyrohej pa goditjen e tokës.”. (Kadare: Vepra. 2009: 248) Shqiptari betohej: “Për këtë tokë”, “Më vraftë plisi i kësaj toke” “Për këtë dhe”. Beja për tokën bëhej me njëzet e katër vetë. Ishte beja më e rëndë.
“Kurse në vallet grarishte, ndërsa mungonte prania e tokës, theksohej lëkundja e shamisë, pra, ana qiellore e valles. (Pra, theksohej e lehta, fluidja, e pakapshmja, ose e kapshmja me shumë mundime, pse jo, edhe pabesia). Edhe fjalët që e shoqëronin ishin fare të ndryshme nga ato të ritit burrëror. Ato flisnin më shumë për largësinë, për ndarjen, për mallin. (Kadare: Vepra: 2009: 249). Kurse në vallen dyshe të pleqve vallëzuesit u ngjanin dy kërcunjve të vjetër që zhvendoseshin gjithë mund, mu në buzë të vdekjes”. (Kadare:Vepra:2009: 250).
Kadare flet edhe për një vallen Bodrumçe. Këtë valle në shkollën pedagogjike të Peshkopisë, në mbrëmjet e vallëzimit, që pothuaj bëheshin çdo javë, e kërcenin burrat, domethën shkollarët e rinj, në krye të të cilëve printe një kuksian, Nezir Visha, që kërcente aq bukur, jo vetëm me këmbët, por me gjithë trupin, me mimikën, me atë shpalosje burrërie sigurisht në momente të vështira të jetës ku etja për lavdi dhe dëshira për t’u sakrifikuar përziheshin bashkë. Kur mbaronte kjo valle, vallëtarët ndiheshin të lodhur, por këtë lodhje e ndienim edhe ne që nuk kishim kërcyer. Nderim dhe mirënjohja e të gjithëve kalonte tek Neziri. Neziri për këtë valle kishte fituar një status të veçantë. Kur Neziri mbaroi shkollën, vallen e tij nuk e kërceu më askush.
***
Kadareja në esenë e tij nuk mund të rrinte pa paraqitur kostumet shqiptare, dasmën shqiptare nën prizmin intelegjent dhe artistik të konceptimit të tij të veçantë ku absurdja dhe logjikja rrinë kaq pranë e pranë sa shpesh alternohen me njera-tjetrën. Këto ai i jep nëpërmjet balerinit të ri të ardhur nga Franca i cili çuditet sapo shkel në truallin shqiptar, qoftë ky edhe jashtë kufijve shtetëror, si në Ulqin. Kadare di ta organizojë mendimin. Nuk është as dialog, as monolog, as rrëfim linear i mërzitshëm. Kjo mënyrë të treguari është shumë sugjestionuese, e freskët dhe mbresëlënëse. Kadare shkruan: “Balerini i ri, i ardhur nga Franca, hetonte i mahnitur veshjet e burrave dhe të grave, që më shumë se për në jetë, dukej se ishin ishin qepur për në skenë”: (Kadare:Vepra: 2009: 252) Të huajt (balerini kishte lindur dhe ishte rritur në Francë, pavarësisht se kishte gjak shqiptar) e vështrojnë me kërshëri shqiptarin, u duket i veçantë, pak teatral siç thotë Konica për të, me lëvizje të prera dhe të guximshme, por pa karagjozllëk. Shqiptari edhe veshjen e ka skenike. Përshkrimi i Kadaresë për veshjen është e pamundur ta komentosh, por edhe mëkat ta bësh një gjë të tillë. Etnografë që janë marrë një jetë me veshjet popullore dhe i kanë përshkruar ato, kostumin e plot të burrave, kostumine plotë të grave, madje edhe lementë të veçantë të tyre, të venë në gjumë me përshkrimet që bëjnë. Janë skrupulozë në përshkrime dhe në paraqitjen edhe të stolive përkatëse, por janë të mërzitshëm, pa fantazi, shih e shkruaj, pa forcë përfytyruese . Etnografët kostumin e shikojnë të varur në kremastar, ose në stendat e muzeut. Te Kadare fryn si fllad mendimi. Ai e shikon kostumin bashkë me njeriun, të veshur prej tij, madje të veshur jo nga një njeri dosido, por që të jetë përkryerja e racës shqiptare. Këtë nuk e them për të mburrur Kadarenë sepse ai nuk ka fare nevojë për një gjë të tillë.Këtë ma imponon përshkrimi që ai i bën kostumit të burrave dhe të grave, përshkrim plot dinamizëm, sugjenstionues. E bën disi me ngut sa të krijohet ideja se kostumi po ikën, po fluturon. Më kujtohet në fëmijrinë time të hershme kur në Ditën e Verës, që festohej aq shumë, një nga drejtimet që merrte festa ishte edhe parada e modës. Nuk kam asnjë ekzagjerim në këtë që them. Visheshin me kosutme nusërie dhe kostume dhëndërie e nusërie vajzat dhe djemtë më të bukur, me trupat si llastarë. Këto ishin kostumet e vërteta plot stoli dhe ornamente, pastaj me kostume popullore vishesh të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Por dy, dhëndëri dhe nusja, ishin të zgjedhur.

Zhvilloheshin plot sfilata dhe gara të bukura, por këtu nuk është vendi të zgjatem. Ne nuk e përfytyronim kostumin pa njeriun. Kadare e shikon kostumin me njeriun, madje me fatin e tij historik. Prandaj kostunmi i Kadares është dhënë në lëvizje, në jetë, mes stuhive dhe bubullimave, me një kalim përherë përmes rrezikut siç ka kaluar përherë shqiptari dhe çdo gjë e tij. Kadareja mbledh të gjitha mjetet artistike: asociacione, përfytyrime, paralelizma, krahasime, metafora, epitete, dhe, si të ishin një batalion kompakt, i hedh në sulm që ta merrnin në të parën, në befasi, me shpejtësi vetëtime, “Kalanë e bukurisë”, ndryshe do të mbeteshin nën muret e saj. “Një e bardhë alpine, e ndërprerë befasisht nga shpërthimi tronditës i të kuqes. Do ta besoje se kishin shpërthyer ca lule të kuqe, ose gjaku kishte vërshuar pas goditjes së sëpatës. Mbi tirqet e bardha të burrave ishte një zigzage e zezë që të kujton shenjën rrezik vdekjeje pranë kabinave elektrike. Tek krahët e xhokes kishte ca flatra të prera, thua se njeriu ishte përherë gati për t’u nisur drejt qiellit. Në gjithçka ndihej rreziku, fataliteti dhe përkohshmëria” (Kadare: Vepra: 2009: 25) Pra, kemi drita dhe ngjyra, gjakun që supozon luftën dhe shenjën e vdekjes që e ka paralajmëruar atë gjëmë; dita është me shi, madje me shtrëngatë, me bubullima dhe vetëtima, dhe nisja drejt qiellit jo se është diçka e pamundur, por edhe plot me rreziqe, siç është rreziku i moskthimit, domethënë i vdekjes. Të bëhen bashkë kaq gjëra krejt të largëta dhe të huaja për njera-tjetrën vetëm një mendje si e Kadaresë dhe një penë si e tij e bën të mundur. Por ai në një kuptim edhe është i detyruar të veprojë kështu, me alarm dhe të sulmojë “me ç’t’i vijë përdore, sepse betejat nuk presin. Më kujtohet ajo vjersha magjepsëse e Kadaresë tek “Motive me diell”, kur piktori po pikturon perëndimin e diellit, muzgu bie me shpejtësi, dritat dhe ngjyrat ndryshojnë , prandaj piktori duhet të nxitojë. “Kap ç’të kapësh”, thotë poeti. Kadareja i ruan dhe i rimerr motivet për t’i përdorur për herë të tjera. Edhe këtu, meqë njeriun e kostumin e tij, i shikon në fluturim, në luftë, përmes stuhive dhe gjakut që çel lule të kuqe, duhet të nxitojë. Nuk ka rrugë tjerë. Nuk ka kohë për t’u engledisur me një mëngë këmishe, ose me një shami koke. E jep gjithçka shjpejt, nën dritën e shpërthimit të rrufesë.
Kostumi i burrave është i pandarë nga burrat që e vishnin atë kostum. Nëse në kostum ka shenja rrezik vdekjeje , ka flatra të prera, ka fatalitet, rrezikshmëri dhe përkohshmëri, kjo ndodh sepse burrat gjithnjë kanë qenë të rrezikuar. Edhe nusja ka qenë përherë e rrezikuar. Kadareja nuk ka thënë kot : “Krushqit janë të ngrirë”. Kjo është një metaforë, përdorur për tjetër qëllim tek eseja e tij, por krushqit vërtetë kanë qenë të rrezikuar. Përderisa merrnin një nuse, një vajzë, zakonisht nga larg, ata quheshin hajna, rrëmbyes, dhe nuk ishte aspak çudi ta kishin pritën përpara për të vrarë krushqit dhe për t’u rrëmbyer nusen.
Gruaja, femra, ka qenë e rrezikur vetëm ditën e martesës, kur po shkonte tek burri, shoqëruar nga krushit. Por edhe atë ditë ajo mund të rrezikohej kur të vriteshin të gjithë krushqit. Ditët tjera ajo ishte e sigurtë, e qetë, e mbrojtur nga Kanuni, ndryshe nga ç’prrallisn disa mendjelehtë që nuk njohin as kanunin, as traditën. Femra përgjithësisht simbolizon qetësinë, paqen, lumturinë, harmoninë. Femra në Kanun ka vendin kryesor si pajtuese, si ndërmjetëse. Sikur të ishin vrarë dhjetar burra nga të dyja palët- nuk ka rëndësia për çfarë, si e kur- po të hynte gruaja në mes, pushka pushonte në çast. Kadareja i di këto, në mos i diftë i merr me mend. Prandaj kur përshkruan kostumin e gruas ka kohën e mjaftueshme për të vërejtur edhe imtësitë. Përleshja ka mbaruar dhe tani sikur ka ardhur koha të ulemi, të prehemi pak, të lëmë luftën dhe të merremi me bukurinë. Është çasti për të admiruar, por admirimi nuk mund të bëhet vetëm në qetësi. Madje është vetë femra, kostumi i saj që ta imponojnë këtë qetësi dhe këtë dëshirë për të adhuruar. Ja si shkruan Kadareja për kostumin e grave: “Kurse tek gratë, si përherë, çdo gjë ishte më qetësuese. Por ajo që e befasonte fort Angjelinin në veshjen e grave, ishte fustanin që ato mbanin, xhubleta. Ajo ishte në trajtë këmbane të valëzuar dhe, gjatë ecjes, gjithmonë lëkundej. Ajo ishte si një valle e përhershme e varur poshtë mesit të gruas”. (Kadare: Vepra : 2009: 252)
Kadare ka forcë të jashtëzakonshme përfytyruese. Por fjala përfytyrim tek Kadareja nuk ka kuptimin e zakonshëm. Ne, sipas kuptimit të zakonshëm, përfytyrojmë, ose marrim me mend diçka që nuk e kemi parë, madje që e kemi shumë larg. Ne kemi dëgjuar, fjala vjen, për kopshtet e varuara të Persisë, por nuk i kemi parë. Ne ato vetëm i përfytyrojmë. Ne kemi dëgjuar për oazet në shkretërira, por i kemi parë vetëm në filma. Kurse Kadare e ka objektin përpara, megjithatë e largon për t’i dhënë forcë përfytyrimit që është përherë më i pasur se çdo realitet. Largsia të shkakton mall, dëshirë, madje të tjetrëson edhe pamjen e asaj që e ke njohur mirë, por tani e “shikon ndryshe”. Kam bërë dikur një përshkrim për Lurën, kur ende nuk e kisha parë atë. Kur e pashë, sikur u zhgënjeva, sepse forca përfytyruese është gjithnjë më e madhe se sa realiteti që të shikon syri. “Mund të dallojmë dy tipa procesesh që kanë të bëjnë me përfytyrimin: ai që niset nga fjala dhe arrin tek imazhi viziv dhe ai që niset nga imazhi viziv dhe arrin tek shprehja verbale”. (Italo Kalvino: Leksione amerikane: 2011: 117) Të dy këto tipe Kadare I përdor me shumë sukes. Kadareja në kalimet e tij të mrekulklueshme të kujton filamat artsitikë: Nga fjaja është kaluar tek imazhi që ka ardhur si rezultat I përfytyrimit të regjisorit. Sa më I fuqishëm të jetë tekstit letar, aq më dritdhënës do të jetë edhe imazhi viziv. Dhe e kundërta, sa më I plotë dhe emocionues të jetë imazhi viziv, skena e filmit, aq më shumë do të zgjoje tek ne përfytyrime për të shkuar tek teksti I shkruar. Natyrshëm Kadareja kalon tek dasma. Ka rastin për të krahasuar dasmën shqiptare me dasmën franceze se këtë e kërkon prania e Angjelinit. Dasma shqiptare është krejt ndryshe nga dasma franceze. Ndryshimi qëndron tek elementi i sigurisë. Tek dasma shqiptare edhe në mes të gëzimit e të këngëve, të hovit shpirtëror të valleve rreziku është i pranishëm, është në formë ankthi, në fromë pasigurie, përkohshmërie, për të mos thënë në formën e kobit. I zoti i dasmës i merrte leje hasmit për tri ditët e dasmës, pastaj mbyllej, si përherë. Pra, edhe nëse do të kishte lumturi, ajo do dë ishte e përkohshme, e shkurtër. Dhëndëri mund të vritej pas tri ditësh. Po të vritej dhëndëri, siç ka ndodhur shpesh, nusja do të martohej në tjetër derë. Kadareja nuk hyn në këto hollësi se as që i duheshin, por ai thotë hapur dhe qartë se dasma “mund të bëhej për shumë arsye, por lumturia e çiftit ishte e fundit që merrej parasysh”. Vërtet kështu ishte. Nuk kishte kohë për të qenë i lumtur. Kënga e Rexhës që njihet në gjithë Shqipërinë dhe përtej saj, edhe motivin edhe heroin i ka sa për të thënë, se Rexha, në fund të fundit, nuk pati ndonjë vdekje të hijshme, vdiq në grazhd të kalit, e vrau kali. Por forca e kësaj kënge nuk qëndron tek motivi, por tek ai shndërrim i befasishëm i lumturisë në fatkeqësi. Kjo është ajo forcë e madhe që e bën atë të paharruehsme dhe Rexhën sikur të ishte një hero i madh. Tragjikja përherë është e bukur, ka shumë forcë, të trondit. Njeriu vazhdimisht ka nevojë për tronditje. Tronditja të nxjerr nga banaliteti, nga ditëpërditshmëria.. por ka tronditje që të shkatërrojnë fare. Ka tërmet që ta dridh dhe ta lëkund ngrehinën, por ka prej atyre që ta lëshojnë në kokë. Forca shndërruese, – treguesi i paqëndrushmërisë së lumturrisë- është motiv heroik në vetvete. Kadareja thotë: “Gati gjysma e dasmave shqiptare kishin brenda një të papritur dramatike. Njerëzit e dinin këtë, ndaj ngazëllimi i tyre s’ishte kurrë banal. Këtyre dasmorëve, po t’u thoshe se mbi dasmën përgjojnë hyjnitë, ata që janë dashanmirës e ata që janë dashakeqas, kjo do t’u dukej atyre gjëja më normale”. (Kadare: Vepra: 2009: 253)
Kurse dasma franceze ishte tjetër gjë, ajo ishte e sigurtë, atje lumturia nuk ishte e cënuar, të paktën nuk ishte e rrezikuar shpejt si tek dasmat shqiptare.Kur nuk ka lumturi as në dasmë, kur edhe aty gëzimi është i trazuar nga frika e përmbysjes, do të thotë që je popull i nëmur, sipas shprehejes së popullit, ose popull tragjik, sipas mendësisë së Angjelinit. “Ai i përkiste një populli me fat dyfish tragjik. Një populli të vonuar në histori. Një popull i ndarë më dysh, që lëngonte nën dy diktatura, njera më e keqe se tjetra”. (Kadare: Vepra: 2009: 254)
Fati dyfish tragjik ishte edhe në simbolet e kombit shqiptar. “Sa herë në simbolet dhe shenjat e vendit të tij ai ndeshte dyfishimin, shqiponjën me dy kokë në flamur, dy brirët e dhisë në përkrenaren e Skënderbeut, vetë heroin sublim të kombit me dy emra, një të krishter dhe një myliman, Gjergj Kastriotin, kontin katolik të shndërruar në Skënderbe oriental, për t’u kthyer prapë më pas në katolik perëndimor, Angjelimit i vinte ndërmend dytragjedia e kombit të vet”. (Kadare: Vepra: 2009: 254) .

* * *
Kadareja është i veçantë në gjithçka. Të gjithë, si shembull, e kritikojmë diktaturën, kritikojmë edhe mënyrën dhe mjetet se si ajo ndikoi mbi letërsinë dhe artin që ato t’i shërbenin asaj. Që t’i shërbeje diktaturës do të thoshte se nuk kishim letërsi e arte, ose kishim letërsi dhe arte të shëmtuara. Por këtë kritikë shumëkush e bën në mënyrë naive dhe banale. Nëse mbledhim fjalimet, shkrimet, madje edhe librat që janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen sot kundër diktaturës komuniste, më të egërs dhe më të paftyrës në botë, pra, të një diktature të veçantë, që të jep dorë për të thënë diçka të re, për çudi gjithë ky mal me letër është disi vulgar, banal dhe pa ide. Kjo vjen ngaqë thuhen të njejtat fjalë, më shumë shahet se sa argumentohet, ngase mungojnë kënde të ndryshme shikimi, mungon filozofia për të vënë në lëvizje ato mekanizma që përdorte diktaura për të realizuar qëllimet e saj. Unë kam jetuar shumë kohë në bazë, siç thuhej atëherë, më pranë popullit, siç mund të thuhet realisht. Atëherë bëja çudi pse diktatura vinte në krye të punëve njerëzit më injorantë, ata më pak të shkolluar, ata që ishin shumë nën mesataren njerëzore, për të mos thënë bërllokun. Tani e kuptoj se ata ishin njerëzit më të përshtashëm për diktaturën sepse ata nuk kishin sesnin e punëve dhe nuk kishin mëshirë. Ata i besonin diktaturës dhe vetëm atë njihnin për Zot. Po Intelektualët? Pjesa më e madhe konformohej, të tjerët shtypeshin nga të konformuarit. Kadare e ka bërë kritikën e diktaturës jo në një libër të vetëm, por më të gjithë librat që ka shkruar mbas shembjes së saj. Po ajo më kryesorja është se ai e ka bërë një gjë të tillë, edhe kur diktatura ishte gjallë. Unë nuk jam për ekzagjerime, si ato që thonë se të gjithë librat e Kadaresë vrisnin kështu e vrisnin ashtu, me një fjalë, ta fusnin ujin nën hasër, por kam bindjen që disa prej tyre vërtet të tillë ishin. Ai të gjithëve na ka paralajmëruar në çfarë rendi dhe sistemi jetonim, por kumtet rrallë herë kuptohen. Megjithatë, librat nuk e shembin diktaturën. Ata kanë efekt paralajmërues.
Po le të kthehemi tek libri që kemi në duar. Kadare e di mirë se ç’plagë ka marrë arti shqiptar. Në letërsi doli heroi i neveritshëm pozitiv, një mostër sipas modeleve të letërsisë sovjetike dhe të jetës kineze. Letërsia u godit e para se ajo ishte edhe më e kontrollueshme.Redaktorët, shefat, dhe gjithëfarë njerëzish nën ta dhe përmbi ta kishin mprehur shpatat dhe bënin kërdinë mbi letërsinë. Kadare ka shkruar një vjershë “Romanvrasësi”, nuk di me cilin redaktor apo shef e kishte, por ata për vijën e partisë ishin të gjithë njëlloj. Në një ekspozitë pikture të piktorëve shqiptarë në Paris, Kadare thotë se kritikët, por edhe njerëzit e thjeshtë u tallën me përçudnimin e artit shqiptar, mbasi më shumë se me pikturë kishte të bëje “me një koleksion modelesh mustaqesh burrërore, tendosje muskujsh e shikime optimiste të heronjve drejt të ardhmes. Muzika përpiqej të mbahej disi, ngaqë nuk qe e detyruar të përdorte fjalën ose imazhin e drejtpërdejtë, por edhe ajo po mbushej me marshe histerike dhe me një surrogato kinse muzikë e lehtë, që më shumë i afrohej oratorios dhe kantatës.” (Kadare: Vepra: 2009: 257) Degradoi edhe koreografia sepse “në shfaqeje vinin udhëheqësit me gratë, e, sidomos me shijen e tyre vulgare. Të kapërdisur nëpër lozha e veçanta, këta injorantë të pashoq, pasi kishin shkatërruar ekonominë e vendit, pasi kishin mbushur burgjet me viktima dhe pasi kishin prishur atje ku kishin mundur jetën njerëzore, vinin të thanin edhe atë gëzim të paktë që mund të jepte vallëzimi njerëzor…skenat nisën të mbusheshin me personazhe me kasketa punëtorësh dhe me rroba ushtarake , me femra që bënin gjeste burrash, me një histeri të pafund lëvizjesh, që jepte gjoja dinamizmin dhe optimizmin e jetës socialiste.”. (Kadare: Vepra: 2009: 260) Ky është një përshkrim i saktë që i bën Kadareja artit që u zhvillua nën diktaturë. Po ne nuk kemi dalë ende tek e veçanta e Kadaresë. Kritikën e mësipërme mund ta bënte çdo shkrimtar tjetër. Nga kjo del që edhe Kadareja, në krijimtari vende – vende është “si të gjithë të tjerët”. Proza e tij bëhet me të vërtetë elitare, brilante me gjetjet e mrekullueshme që bën ky autor, me zbritjen e tij deri në ato thellësi ku të nuk mund ta përfytyrojnë, pale më të nisen dhe të shkojnë. Vetvetiu lind pyetja: përse regjimi diktatorial nuk e donte vallen, vallen natyrore, desha të them, jo atë të denatyrizuar? Nuk e donin se vallja ka ritmin dhe harmoninë. “Regjimet e egra nuk e donin vallen, – thotë Kadare, – pikërisht për këtë. Ata qenë përpjekur t’i mbushnin mendjen vetes dhe të tjerëve, se jeta njerëzore nuk rregullohej prej kurrëfarë harmonie të epërme, por prej ligjeve të shpikura prej tyre ose prej diktaturave të tyre të egra. Për to, jeta njerëzore nuk mund të përftohej veçse e gjymtuar prej luftës së klasave, prej urrejtjes, egërisë dhe ndërprerjeve tragjike. Por ata nuk e donin vallen sidomos për zbutjen dhe fisnikërinë që ajo e kishte të vetvetishme. Valle do të thoshte përkitje e kujdesshme e tjetrit, afrim dhe largim harmonioz, rikthim i përhershëm tek njeriu. Ajo ishte një qortim i përhershëm i brutalitetit. Krahun edhe shkelmin që godiste, ajo e moliste, e çarmatoste. Ajo të ftonte për marrëveshje dhe për lutje. Lutja është e mirë për gjunjët, pra, edhe për vallen, kishte thënë Merce Cunnigham. Por pikërisht lutjes dhe providencës diktatorët i trembeshin më shumë se gjithshkaje” (Kadre: Vepra: 2009: 260) Ja,për këto perla mendimi adhurohet Kadare. Tek këto perla ajo që të rri në mendje dhe nuk të shqitet nga truri është sidomos fjalia: “Ajo (vallja) ishte një qortim i përhershëm i brutalitetit”, ose perla të tjera si: vallja është dehëse gati si pija dhe në të dyja “ndiesia e ikjes nga realiteti është tepër e fortë”. Imagjinata e Kadaresë është kaq e fuqishme sa përkufizimi i tij për vallen tani nuk është tokësor por kap galaktikat, se këto dëshmojnë që gjithë universi është një valle e madhe. “Mendimi i parë që të vjen është rrotullimi i rruzullit tokësor rreth vetvetes, pra, një lloj vallëzimi i tij. Ky rrotullim nuk mund të ndërpritet. Siç thonë, bën pjesë në një valle më të madhe, në atë të galaktikës dhe galaktika vetë nuk është veçse pjesëmarrëse në një tjetër vallëzim: në atë të universit. Duam apo nuk duam, ne jemi të rrethur prej vallzimit”. (Kadare: Vepra: 2009: 261) Ja, këto perla e çmendin lexuesit, e bëjnë atë “rob” të Kadaresë, se ai e ushqen njeriun me të papriturën e freskët, duke e larguar nga vulgariteti i përditshëm i thënieve të njëllojtja, i përsëritjeve tepër të mërzitshme ku nuk ka gjë tjetër veçse një shkretërirë mendimi. Po merre me mend se sa gëzohet syri, shpirti dhe zemra e njeriut, kur në mes të kësaj shkretërire gjen një oaz me ujë, me hije dhe gjelbërim. Ja, kështu oazesh ka pa fund në veprat e Kadaresë.
Mbasi vallen e ka parë tek galaktikat dhe të universi, Kadareja me atë imagjinatën e tij pa fre e pa fund, e zret atë në tokë, atje ku vallja, në të vërtet nis dhe mbaron: “Ti je i detyruar gjatë kërcimit të kthehesh dhe të rikthehesh tek toka, sepse tij je njeri. Afati që ajo të të jep është i shkrutër, ndaj edhe vallëzimi s’është veçse bashkimi i mijëra afateve të tilla, në secilën prej të cilave toka, njëlloj si zyrat e kontrollit të vizave nëpër aeroporte, vë vulën e saj”. (Kadare: Vepra: 2009: 26) Nuk të vjen të thuash gjë tjetër veçse: “Të faleminderit Kadare, që këtë jetën tonë të varfër dhe të mjerë e bën disi më të bukur me veprën tënde të jashtëzakonshme”.
Fund