Munir Shehu: Si më vodhi Radio Tirana kangën “Bulqizakeja”


Ministrisë s’Arsimit dhe të Kulturës
– Seksionit të Muzikës -Tiranë

I nënshkruemi, Mynir Shehu, mësues muzike pranë Shkollës Pedagogjike “8 Nëntori” në Peshkopi, kam nderin të ju parashtroj sa vijon.
Si çdo punonjës i kulturës në vendin tonë, që kryen nji aktivitet për të zgjanue thesarin kultural të popullit, ashtu edhe unë, mbrenda këtyne tre-katër vjetëve të fundit, për sa më kanë lejue dhe aftësitë, kam mundë me krye nji diçka të vogël, që asht pritë mirë nga populli i ynë, nga Partija dhe nga Pushteti në rreth. Unë kam kompozue disa kangë e valle, tue u-bazue ma fort në dialektin dibran. Për të mos thanë aspak, mue më duket se përpara festivalit të vitit 1957 fort pak vlerësohej motivi folkloristik i muzikës dibrane. Kangët dhe vallet, që hodha unë në kët festival, u-përhapën shumë në popull, dhe vetë fakti që tani shumë të tjerë kërkojnë të kompozojnë e të përpunojnë melodi, tue u-bazue në kët motiv, më ban të besoj se unë, atëherë, kam krye nji punë të mirë.
Unë nuk kam ndër mend këtu që të çfaq vlerën e këtyne kompozimeve dhe as kërkesën time për shpërblime, sepse shpërblimi ma i math për mue ka qenë vlerësimi, që u ka ba atyne populli. Por nuk mund të qëndroj indiferent kundrejt qëndrimit të padrejtë që po mban Radio-Tirana e, ndoshta, edhe ai Seksion kundrejt këtyne kompozimeve. Unë nuk jam kursye që kompozimet e mija t’ia jap Shtëpisë së Kulturës këtu në Peshkopi, Radio-Tiranës dhe kujtdo, që m’i kërkue. Këtë e kam ba që të popullarizohet kanga dhe valleja dibrane; por nuk më shkoi ndër mend që njerës të ndryshëm do të gjejnë terren për të abuzue në kët sinqeritet.
Qysh tani në fillim e shoh se më duhet të zgjatem pak. Unë nuk e kam drejtue asaj Ministrije asnji herë asnji kërkesë. Kjo çashtje ka rëndësi për mue dhe më duhet të shpjegohem për hir të punës. Në vitin 1956 të dërguemit e Radio-Tiranës, me rasë të ngritjes së nji montazhi informativ këtu në Peshkopi (me muzikë të dhanun krejt prej meje), u-përpoqën me inçizue kangën time për tekst e melodi “Bulqizakeja” me solit Besim Çutrën. Atëherë dritat nuk punonin në rregull, dhe incizimi nuk doli edhe aqë i mirë. Por, me gjithë atë, Radio-Tirana pat dhanë n’emisionet e saj disa strofa të kësaj kange, e, sidomos, kur kishte për të dhanë ndonji lajm për minierën e kromit “Fitore” të Bulqizës. Këtë kangë Shtëpija e Kulturës këtu në Peshkopi e ka shfrytëzue në shfaqjet e saj, e, prandej, ajo asht përhapë mjaft në popull. Kështu ata të Radio-Tiranës e kanë gjetë diku në Burrel e e kanë inçizue; por jo vetëm kaqë, ata e kanë gjetë në Shkodër e e kanë inçizue. I pari incizim i bamë në Burrel neverit çdo njeri që e ndigjon. Solisti llomotit disa fjalë pa kurrfarë kuptimi, ndjenje e humori tue prishë krejt përmbajtjen e shëndoshë të saj. Melodija asht krejt e bastardhueme. Për incizimin e dytë të bamë në Shkodër solistët janë të mirë, e unë i falënderoj për interesin, që kanë tregue për kangën time. Mirë më thonë (këtë ma tha tash së fundi në Tiranë shoku Tish Daija) se ata e kanë marrë prej gojës së nji ushtari, që ka qenë me shërbim në Bulqizë. Si ç’dihet kanga, tue kalue gojë më gojë, deformohet. E, pra, edhe në kët rasë, fatkeqësisht, incizimi i bamë në Shkodër ka defektete tij, e, sidomos, teksti nuk asht aspak ai, që kam ba unë. Unë i kam këndue asaj bulqizakeje, që, me dollamën e kuqe, gjoksin plot me xhingra, cfurkun në dorë tue tjerrë “tirët”, tufën e dhive përpara, nget si nji dhi e egër shkrep më shkrep. Unë i kam këndue asaj bulqizakeje, që, përkrah minatorëve të Bulqizës, po e transformon krahinën e saj të ashpër në nji vend të lulëzueshëm. Unë e kam paraqitë bulqizaken e ashpër, ashtu, si ç’janë të ashpra edhe vendet, ku ajo jeton. Bulqizakes sime nuk i ban zemra “”rik-e-take”, shprehje kjo, që përdoret në shumë kangë të Shqipënisë së Mesme, por zhduket nëpër dushqe. Vetëm, kur vjen në minierë, asaj i pëlqen puna, gjenë nji burr e martohet. Kanga, që kam ba unë për të asht e motivit dibran, dhe, a ka mundësi, pra, që t’i ipet ky interpretim? Por, mbi të gjitha, po të durohen shtrembërime të tilla, atëherë, ku mbetet puna e autorit me vlera artistike e veprës së tij? Asnji kompozitor, as edhe ata të Radio-Tiranës, nuk do të duronin që të shtrembërohen kompozimet e tyne, dhe kjo asht nji e drejtë e padiskutueshme. Mos vallë, sepse në Tiranë, në Shkodër e në Korçë ndodhen kompozitorët tonë ma të mëdhej, që kanë në dispozicion orqestrat edhe solistët ma të mirë, këta kanë të drejtë që të mos i marrin a por të mos i quejnë edhe aqë serioze punët tona të vogla? Me kangën puna vete kështu që shumë herë ato bajnë nji jetë fare të shkurtë, nji ose dy vjetë, edhe, pastaj mund edhe të harrohen, sepse ua zanë vendin kangë të tjera ma të reja ose ma të bukura. Unë kam të drejtë të dëshpërohem, kur shoh se “Bulqizakeja” e ime po ban nji jetë shumë të keqe. Këtu në Peshkopi këtë e shohin të gjithë, dhe, sa vetë që takoj në rrugë, më pyesin: Përse nuk proteston? Dhe pastaj asht e imja a por asht e popullit? Të gjithë kompozitorët kompozojnë kangë për popullin, por në fund ruhet e drejta e autorit. Kuptimi i kësaj shprehjeje parimore dihet, por vallë Radio-Tirana a e ka vu në zbatim? Unë vuna pikëpyetje në fund të kësaj fraze, por edhe në të vërtetë duhet vu kjo pikëpyetje. Nuk due ta shtroj këtë çashtje në nji analizë të përgjithshëme, por unë due të shtroj që, për sa u përket krijimeve të mija, ky parim nuk asht ruejtë. Natyrisht këtu nuk baj fjalë se dikush vodhi krijimet e mija, ato nuk i ka vjedhë asnjeri; ato i këndon populli, i këndon Radio-Tirana, e unë jam krenar që këto kangë janë futë në thesarin e popullit. Por nuk pranoj që të quhen “kangë popullore”, si ç’i quen Radio-Tirana, kur i jep n’emisionet e saj, sepse, t’i quejshë kështu, don të thotë t’i varrosish në varrezat e ushtarëvet të panjoftun, don të thotë të humbasish punën time. Ato kanë nji autor, ky autor jam unë.
Kangën “Katundare në Katund të Ri”, t’inçizueme dy herë këtu në Peshkopi dhe nji herë në selinë e Radio-Tiranës, me soliste Sehadete Miftarin, ajo e ka futë në listën e kangëve popullore me autor të panjoftun. Për ma keq, ai Seksion ka lejua botimin e saj në “Kangë për Masa” (v. 1958) tue i vu vizë emnit tim pa të drejtë. Për kangën “Mirditoreja”, t’inçizueme këtu në Peshkopi me nxanësit e Shkollës Pedagogjike, nuk përmendet asnji herë emni im. Për vallen e Vashave (suitë vallesh popullore dasme dibrane për gra) të kërcyeme, të këndueme e t’inçizueme për herë të parë me vajzat e Shkollës Pedagogjike në Peshkopi, veprohet po kështu. Valleja asht inçizue tue përdorë si instrumente qetelitë, por kjo nuk don të thotë se mund të gjejshë në popull, tek ata, që u bijën qetelive, një valle kaqë të qëndisun e të gjatë (afër 10 minuta). Ajo asht e imja, e këtë ua kam tregue inçizuesëve.
Po kështu veprohet për kangën time kushtue dëshmorit Nazmi Rushiti. Kjo e fundit u-këndue për herë të parë në vitin 1957. Nji pionier i Shkollës Shtatëvjeçare në Peshkopi, i quejtun Hasan Hajdari, që banonte në konviktin e Shkollës Pedagogjike, e ndigjoi këtë kangë, kur unë po e përgatitshe me grupin folkloristik të shkollës, e kopjoi dhe ia dërgoi gazetës “Pionieri” për të marrë pjesë në nji konkurs të shpallun prej saj. Pionieri fitoi çmimin e parë në konkurs dhe e stolisi dorën me një orë të bukur. Redaksija e botoi kangën në nr. 22, dt. 1 Qershor 1957, natyrisht me shumë gabime e cungime. Seksioni për botimin e kangës, ndërsa unë e urova nxanësin tim për orën e bukur, që ai e mbante me krenari.
Mos vallë nji urim të tillë presin prej meje edhe ata të Radio-Tiranës për kontributin, që u jap unë, sado që, unë e dij, ky kontribut asht shumë i vogël? Sa herë vijnë në Peshkopi incizuesit e Radio-Tiranës kërkojnë muzikë për montazhet e tyne. Nga muzika, që u kam dhanë për montazhet dhe nga kangët që kanë inçizue, ata vetë mund ta kenë stolisë dorën e tyne me ndonjë orë të bukur, ndërsa, (këtë më vjen turp ta them, ndonëse mbas shumë vjetësh), mue nuk më kanë dërgue as edhe nji lapës sa për të shkrue nota. Tani ka kalue mjaft kohë, dhe unë e thashë edhe ma sipër se nuk e ve aspak në diskutim çështjen e pagesës, me gjithë se, si mbas vendimit të Këshillit të Ministrave, që u përket krijimeve, Radio-Tirana më mbetet borxh. Por desha me thanë se, sikur e marrin me shumë lehtësi punën tonë incizuesit e Radio-Tiranës, ashtu edhe duhet të përgjigjen me shumë lehtësi, por jo hiç fare. Kur vijnë këtu në Peshkopi, ata premtojnë, betohen deri në “për ideal” dhe lidhin kështu nji kontratë të bukur, por pastaj … harrojnë. Përse të mos e them se, ndoshta, ndonji, porsi nxanësi Hasan Hajdari, mund të përfitojë dhe të abuzojë në kurrizin e punës sime?
Unë kam tani plot kangë të tjera; por në kondita të tilla kaqë të papranueshme për mue, nuk kam se si ia jap Radio-Tiranës. Dhe jo vetëm kaqë, por nuk mundem me ia dhanë as Shtëpisë së Kulturës e të Krijimtarisë Popullore këtu në Peshkopi, sepse kam frikë se përhapen (I), shtrembërohen e pastaj, kështu të shtrembërueme bijën në “vesh” të Radio-Tiranës. Sikur të veproja kështu, nji punë e dillë do t’ishte e damshëme për mue, për punën e Shtëpisë së Kulturës dhe për punën kulturale në rrethin ku punoj unë. Veprime të tilla mue më duket se janë në kundërshtim me ato, që na tha shoqja Liri Belishova në konferencën e amatorëve dhe të lëvizjes amatore në rrethe. Nji amator i tillë më duket se jam edhe unë dhe kam qenë i mirë për Radio-Tiranën. Unë i kam dhanë Radio-Tiranës edhe shumë kangë të tjera të bukura, si Cuca katundare, Kanga e kurbetit etj. etj., që i kam mbledhë në popull nga pleq të vjetër dhe u kam ba ndonji rregullim të vogël si mbas nevojës. Këto nuk janë të mijat, janë me të vërtetë të popullit, sepse autori i tyne nuk dihet, mbasi janë shumë të vjetra. Por edhe këtu duhet të ruhet e drejta e mbledhësit, e atij, që i gjeti dhe i mblodhi për herë të parë.
Tani se deri në ç’pikë kam unë të drejtë le të vendosë ajo Ministri. Dëshira e ime asht që Radio-Tirana të ndalojë dhanëjen e kangës “Bulqizakeja” n’emisionet e saj për të dy incizimet, dhe të më njohë të drejtën e autorit për kangët origjinale të mijat dhe të mbledhësit për të tjerat. Në pastë mundësi lutem për nji përgjegje. Me nderime.
Mynir Shehu
Mësues Muzike në Shkollën Pedagogjike “8 Nëntori”, Peshkopi, më 20.I.1960