Naim Berisha, profil i një krijuesi të veçantë…


Me emrin e Naim Berishës lidhet një krijimtari e gjërë dhe e larmishme letrare, me fokusime emocionale të ngjeshura rreth kujtesës, si bartëse e të ndodhurës dhe mesazhim në kohë. Gjithashtu me emrin e tij lidhet talenti muzikor, si krijues tekstesh e muzike, si interpretues kënge me një profil të veçantë, që përcjell një botë të tejndezur nga pasioni për të bukurën, për traditën dhe risitë e modernitetit.
Në rreth 37 titujt e librave të tij, të botuar në këto dy dekadat e fundit, lëviz një botë e trazuar, në kërkim të një universi në hije, ku gëlojnë nën sipërfaqet e lëmuara të gjërave, qasje, ide, pasione, ëndrra, kauza, verdikte, që vënë në lëvizje gjeneratorët e një krijimtarie shpërthyese, me ndjeshmëri dhe emocion të fortë njerëzor. Dalja e tij në rrugën e artit shkrimor ishte e natyrshme, e paralajmëruar nga ciklet me poezi të botuara në shtypin e kohës, nga ai pasion që e ushqente me flakët e një shpirtit të dashuruar me fjalën e bukur, me magjitë e fshehta të një lënde estetike, që ai e vështronte gjithëkund, si një mundësi potenciale shprehjeje dhe vetërealizimi shpirtëror dhe intelektual.
Në vëllimin e parë me poezi “Ngado sytë e vajzës”, botuar më 1993, poeti shpërfaq një botë të pastër dhe fluide, të materializuar në një produkt poetik spontan, me akuarele të befta, me një gjuhë të thjeshtë dhe përcjellje ndjesishë dhe mesazhezh sinqerta njerëzore.
Teksa vazhdon udhëtimin e tij poetik, Berisha bëhet më i menduar, më filozofik, ndërkohë që ndjeshmëria dhe spontaniteti, derdhur në llavën e tij lirike, shoqërohet me struktura të reja të ligjerimit poetik, duke ruajtur në të gjitha rastet muzikalitetin dhe qartësinë e diskursit të “ligjerimit”, me qëllim që të jetë i prekshëm nga të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë.
Në librat pasues me poezi si “Lejlekët e lumit tim”, “Hiq dorë”, “Zog i qiellit”, “Le të vijnë vajzat”, “Njëzet lumenj rrjedhin në klasën time”, “Ç’m’i ra vrugu gjethit t’verës” poeti vazhdon t’i qëndrojë besnik lirizmit dhe spontanitetit, ndërkohë që zgjeron rrethin e tematikës dhe të qasjes, pasuron spektrin liriko-emocional.
Befasia që sjell vargu i tij buron nga dy elementë: nga rikonfigurimi i imazhit si kujtesë dhe perceptim dhe nga strukturimi poetik me vargje të rimuara, ku metafora dhe figuracioni letrar ngërthejnë dritëhijet e një bote poetike plot ndjesi dhe emocion.
Teksa lexuesi gjurmon atë plazmim estetik të dendur e të ngjeshur në përfytyrime, imazhe, mesazhe, tekst e nëntekst, që përftohet prej një leximi të kujdesshëm të poezisë së Berishës, gjen të plazmuar një përditshmërinë të thyer në grimicime gjërash të prekshme, të imëta e konkrete, gjen nën të njejtin kulm historinë dhe ardhmërinë, të cilat që të dyja “frymojnë” nga përditshmëria…
Naim Berisha është i natyrshëm në aktin e tij shkrimor; poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është suprizuese; duke sjellë ritme dhe melodi spontane e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Kjo shpalosje e poetit, sjell me vete një aromë të veçantë jete, si një kumt ndjellës drejt përsosmërisë shpirtërore, në kufijtë mes realitetit të rëndomtë, që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik…
Naim Berisha ka botuar dhe 100 sonete nën titullin “Kashta e Kumtrit”, ka botuar edhe përkthimin e 154 soneteve të Shekspirit, pra ka bërë botimin e të gjithë soneteve të tij, duke qenë i pari që i ka përkthyer e botuar këtë vepër të plotë. Gjithashtu ka botuar 1001 hajke, poezi japoneze trevargjeshe, sipas ritmit rrokjesor:5-7-5, si psh: Një llucë është jeta/ Bën të nxjerrësh njërën këmbë/ Fundoset tjetra”. Është autor i nëntë poemave me përmbajtje dhe tematikë historike dhe apsekte të përditshmërisë së trazuar shqiptare. Ndër gjashtë romanet e tij, i treti ështënë vargje, me pesë mijë vargje i gjithi: “Gurkeshtjella”, dhe i gjashti është romani historik, “Të jetosh në paqe”, që është një udhëtim historiko-estetik në kohën e shpirtit njerëzor, të kujtesës dhe të emocionit të fortë të së ndodhurës, si produkt i transfiguruar rrëfimtar. Në librin me tregime “Nata e një lypësi” shkrimtari sjell vjen me proza të shkurtëra të shkruara me një frymë, në mënyrë filmike, imazhiniste, ku përshkrimet e gjalla dhe dialogjet e zhdërvjellët të mbesin gjatë në mendje. Tregimi “Fillim vjeshte”, me figuarcion të pasur, përshkrime idilike dhe dialogje impresionues, pasohet nga një tregim tjetër domethënës “Fryma e nënës”, nga vetë titulli rikrijohet me frymë dashurie deri në kult portreti njerëzor i nënës. Më tej vijnë me rradhë “Nata e një lypësi”, etj, tregime që pulosjnë nën sipërfaqe të qeta ndjesi dhe emocione të forta njerëzore.
Ka në këto rrëfime ka lëng jete, realitete që të gjithë i prekim çdo ditë, por autori i transfiguron në materie estetike; ka nerv, detaje të imëta, zhbirime psiko-analitike, mesazhe që të bëjnë të reflektosh rreth të ndodhurës së pasqyruar në këto tregime. Një element që vazhdon të mbajë në fokus një procedim të lartë rrëfimtar është lirizmi, që ashtu si në poezitë e tij,por tashmë në një mënyrë tjetër, i shërben shkrimtarit si element konceptual dhe organizues i “lëndës së parë” rrëfimtare.
Një kënd qasjeje dhe pasqyrimi artistik të veçantë përcjell autori dhe në poemën fabuleske “Kafshët në kuvend”, në librin “Djallëzia e kafshëve” (fabula), ku qasja fokusohet rreth botës së fëmijëve, me një stil të veçantë dhe gjuhë të pasur poetike.
Kulmin shkrimtari e arrin në romanin e tij “Vetëvrasja e shpirtit”, ku në qendër të rrëfimit është një histori dashurie, me kurbat ngjitëse dhe rënese, me vrullin e flirtit, erotizmit, dramën e pritjes së pafat, humbjen dhe zhgënjimin.Ana dhe Andi, dy protagonistët e romanit, kryejnë një udhëtim jo vetëm në ndjenat e tyre për njëri-tjetrin, në kujtesën dhe fiskionin, por dhe një ekpslorim në vetë shpirtin njerëzor, ku është vështirë të dallosh fitimtarët dhe të humburit, pasi rrëfimi i Berishës është spontan, pa kahje dhe filtra. Siç thotë me të drejtë kritiku dhe stuiduesi i mirënjohur Fatmir Terziu: “…filozofia e Berishës gjen se në këtë lidhje është konceptualja midis përshkrimit të natyrës njerëzore dhe konceptit se çfarë është mirë për njohjen e kësaj natyre, sipas Almond, është e njëta gjë, që lidhet me disa probleme etike, që shërbejnë për të ngritur konfidencialitetin dhe informuar në mënyrë të plotë atë që është diskutuar. Sipas të dyve, ajo që është kryesore është se lidhjet jetike sjedhin një kuptim më të plotë për kuptimin e ideales në tolerancë”.
Ajo që e bën të veçantë, të ngrohtë dhe sugjestive në kuptimin e befjes si lexim dhe reflektim është mënyra poetike e rrëfimit të autorit, procedimi poetik, që strukturon të gjithë elementët romaneskë të formës dhe përmbajtjes.
Personazhet e romanit nuk na përcjellin një dramë sentimentale e melankolike të vuajtjes dhe rënkimit, por një sagë poetike kërkimtare, që merr kuptim në udhëtimin e saj drejt vetvetes, drejt kujtesës, drejt historisë së saj dhe të brezit të saj, në raport me kohën dhe bashkëkohësin.
Romani përshkohet nga një narracion i zhdërvjellët, i çliruar nga “vijat e kuqe”, nga rëndomësirat, nga truket dhe recetat, nga moralizimet dhe shtampat agjustive, me të cilat është mbushur dëng romani shqiptar, edhe pse jetojmë në një epokë të çlirimit të madh të estetikës nga jashtëestetika.
Aftësia e tij e pazakontë për të rrëfyer përfundimet e vëzhgimeve, soditjeve, përsiatjeve të mjediseve, njerëzve, ndodhive, por mbi të gjitha të thellësive të unit, e bëjnë romanin tërheqës deri në befasim, duke na zbuluar një botë të pasur shpirtërore dhe një temporitëm të thyer emocional.
Kuadratimi lirik, vëzhgimi i imët, i ndjeshëm, konkret në përshkrime, thellësisht realiste dhe transhendente, duket se janë produkte të një shpirti të ushqyer me dashurinë e madhe për jetën, me frymëzime nga lufta për të triumfuar mbi ndalesat fiktive të dashurisë, mbi harresën dhe zhbërjen si procese regresive, mbi humbjen dhe dhimbjen, mbi rënien dhe zvetënimin, mbi fatin që duket si fatalitet, por që personazhet e romanit, e përjetojnë si çlirim nga çdo dozë pesimizmi dhe fataliteti, si kërkim në shpirtin vetjak dhe universal të plotërimit.