Nazif Bodini, mësuesi dhe veprimtari i kulturës së brezave


Jeta dhe puna e njeriut ngjajnë fort me mineralet e çmuara. Ata sa më fort kohë që të kalojnë nuk treten, por shndërrimin dhe bëhen edhe me të forta. Kështu të ndodh edhe me Nazif Han Bodinin e Selishtës së Katër-Grykëve, njërit prej 9 Maleve të Dibrës. Sinqerisht, kur mora vesh se ky intelektual virtuoz e me talent ka 80 vjetorin, ndjeva krenari e përmallim, por edhe një peshë të rëndë me shpirt e në mendje, sepse s’është e lehtë të shkruash për këtë mjeshtër të palodhur të arsimit e të kulturës. Pata fatin të punoj përkrah tij e të mësoj shumë prej tij, sepse udha e shenjtërimit njerëzor kalon përmes mësimit, punës, përkushtimit e humanizmit. Këto kurrë nuk i munguan Nazifit. Fëmijëria dhe jeta e Nazif Bodinit kanë qenë të vuajtura, të dhimbshme, por edhe të bukura e krenare. Ky trinom fisnikërie meriton të thuhet që në hyrje të këtij shkrimi modest, sepse ky intelektual i talentuar ka ecur përmes zjarrit, vështirësive e luftës klasore, sepse ishte nipi i akademikut (atdhetar nacionalistit të shquar) Lik Abaz Dervishi, i cili u pushkatua padrejtësisht në Arbanë të Tiranës në vitet e pragut të çlirimit. Geni i atdhetarisë Nazif Bodinit buron edhe nga Hoxhë Bodini (Sefer Bodini) i cili së bashku me Hoxhë, me të birin ranë në mejdan të lirisë në Petrino në shtator 1913, në betejat kundër pushtuesve serbë. Nazifi u rrit dhe edukua me kulturën e odës me dashurinë për diturinë, për fjalën, për humorin e mbi të gjitha me dashurinë për traditat. Prindërit e urtë e bujarë, vëllezërit Ibrahimi e Dani, filozofi Haxhi Bodini, dëshmori i kombit Salë Bodini, i nderuari Hysni Bodini, Ahmet, Haziz, Tahir e Ramiz Bodini ngjajnë për Nazifin si krahët e shqipes. Historia e familjes dhe fisit të Nazifit është histori e qëndresës, e bujarisë, histori e fjalës dhe e kulturës.
Gjyshi i Nazifit, Hoxhë Bodini (Seferi) siç i thonin në Dibër të Madhe, Hoxhë Tanushi ishte shok i Hoxhë Vokës e Dervish Himës solli abetaren e Naimit në mejtepin e tij, në kullë, ku u mësoi disa fëmijëve të Selishtës shkrim e këndim. Ishte edhe i lidhur ngushtë me atdhetarin e flaktë Jashar Erebara.

* * *
Nazifi, mësimet e para i mori në vendlindje nga mësuesit Myslim dhe Ramadan Loca, Hysni Bardhi, Ramadan Perhi e Dilaver Gjoka.
Pas përfundimit të arsimit pedagogjik punoi në përkushtim si mësues në Fushë-Alie (Çidhën), Kastriot, Lukan, Kacni, Selishtë. Ka punuar 32 vjet në arsim dhe 7 vjet përgjegjës kulture, organizator i përkushtuar, regjisor, aktor, drejtues i skenës, koreograf etj.
Gjurmët e punës së Nazif Bodinit rrezatojnë në vite e kohëra. Metodist, kërkues, veprimtar e organizator, komunikues me nxënësit e kolegët, intelektual me kulturë të leme, si i thonë, gjithnjë i thjeshtë, i dashur, me humor të mprehtë e të rrallë. Brezat e nxënësve edhe prindërit flasin me respekt e nderim për Nazif Bodinin. Për këtë intelektual me vlera të çmuara e të ndritur të Selishtes, Dibrës e më gjerë shkruhet në librin e të nderuarit Faik Ramadan Bruçi “Fisi Bruçi i Lukanit të Dibrës”. Nipi i Dervishe. Ka punuar gjithë jetën arsimtar në disa fshatra të Dibrës. Sot pensionist. Jeton në Kodër Kamëz. (Faqe 198).
Për Nazif Bodinin shkruhet edhe te libri “Dritare fisnikërie” (f. 248-249, autori M. B.) tek libri “Katër Grykët e Dibrës” (f. 14 dhe 236 i autorit të nderuar Qazim Prejsi), tek libri “Krenaria” e të talentuarit Hysen Dervishi, (në faqet 456, 457, 458). Ajo që m’u ngulit në mendje ishte fjala e mësuesit dhe nipit të Dervishajve, Nazif Bodini. “Gëzuar dajë Hysen, më tha. Qofshin me faqe të bardhë edhe fëmijët tuaj, siç je ti dhe pasardhësit e tu”, – tha nipi. U emocionova, u djersita, pak fjalë të mëdha tha nipi. Ajo fjalë ishte peshë e rëndë, që kërkon mendje të hollë… Sokoli erdhi më fshiu djersët, më puthi në ballë e pastaj tha ca fjalë, të zgjedhura që me ngrohën shpirtin (f. 495) (Me 70 vjetorin e autorit Hysen Dervishi, M.B.)
Intelektual i fjalës së mençur, mësues, mjeshtër, veprimtar e organizator i kulturës, aktor i talentuar (Cekja i Dibrës), i përkushtuar si përgjegjës kulture, mendjemprehtë, me humor të këndshëm, therës e dashamirës, kurdoherë mirënjohës për shokët, fisin, miqtë, vlerat intelektuale, komunikues e fjalëpeshuar, i lidhur ngushtë me miqtë, me traditat e të parëve. Së bashku me bashkëshorten e nderuar Lirien, bijën e Valdetes (Vates) së Macukullit të Matit të barutit rritën dhe edukuan katër fëmijë, secilin më të mirë se tjetrin: Afërditën, Përparimin, Lefterin dhe Mentorin. Geni i Bodinit dhe nipa të Valdetes së krenarisë matjane e kombëtare. Udhët e dijes e të punës së Nazif Bodinit janë mall të përkushtimit, të mbijetesës përballë vështirësive e persekutimit çnjerëzor me iluzione për “njolla” në biografi, udhë të dashurisë për mësuesinë e kulturën në vendlindje e më gjerë.
Në prag të viteve 70-të Nazif e Hysni Bodini, Besim Ndregjoni, Fadil Ferhati më në krye regjisorin e mësuesin virtuoz Sami Shehu e Kumrie Shehu, morën çmimin e dytë në Republikë në takim në vatrën e humorit në Shkodër, në konkurrimin e estradave. Kushedi sa e sa herë në konkurrimet në zonë të Katër-Grykëve (Selishtë) e në Dibër janë duartrokitur aktorët e lindur për skenë Nazif e Hysni Bodini. Dy kushërinj të talentuar, dy mësues fisnikë e human, dy aktorë të rrallë të viteve 70-të. Edhe sot në rrethet shoqërore me çiltërsi i thonë veteranit të arsimit Nazif Bodini: Cekja i Dibrës.
Shembulli, përkushtimi, shpirti atdhetar, talenti prej mësuesi metodist të kulturës në zonë e mbi të gjitha mjeshtëria prej aktori të lindur, janë dëshmi e punës, përvojës, atdhetarisë, prova të një demokrati të vërtetë, që i shërben vendlindjes, arsimit, kulturës së brezave.
Nazif Bodinit të Dibrës i flet kultura intelektuale, zgjuarsia e lindur i flasin provat në mësimdhënie në edukimin e brezave, arti i komunikimit prej mjeshtri të pedagogjisë, shpirti i punës, dashuria e provat për kulturën e popullit, për mësimin dhe edukimin e mësuesve, të cilat sot janë drita e atdhetarisë së Dibrës e të kombit. E ritheksoj se ndjeva peshë të rëndë kur mora penën të thur këtë shkrim, të thjeshtë sepse për Nazif Bodinin mund të thuren balada, ese, poema e pse jo edhe monografi. Dekoratat më të mëdha të këtij intelektuali të vlerave janë në provat e jetës, të punës, të diturisë, të shëmbëllimit prej mësuesi, veprimtari, organizatori të kulturës, aktorit vital, dekoratat më të mëdha janë nderimi i brezave. Pra, cilido ndjen çudi kur në këtë jetë të shkurtër e provizore, nuk kujtohet para vdekjes i paharruar Sami Frashëri, ideologu, filozofi i Rilindjes i cili thoshte: “Kur shteron pusi, i dihet vlera ujit”.
Nazif Bodini, rrezaton me dritë diturie, arsimi e kulture. Një fisnik, një bir i shkrepave të Selishtes (Selishtjanët si gjermanët – autori M.B.).
Me siguri nëse Bashkia Dibër ose e Tiranës dhe Ministria e Arsimit e RSh, po të tregoheshin si shqiponja që shikon mizën mbi bar, do të skuqeshin, do të vepronin, do të nderonin të nderuarin e Dibrës e të kombit mësuesin, veprimtarin, aktorin e organizatorin e kulturës Nazif Bodini. E thjeshta, e bukura, e madhërishmja, është se Nazif Bodinit i flasin provat drita e diturisë, mirësitë e shpirti prej atdhetari e demokrati të vërtetë. Pra, këta janë dekoratat që rrezatojnë, janë ai mineral që thamë në fillim të këtij shkrimi. Me dritën e zemrës e të të vërtetës thurëm vargjet që burojnë nga dritësimi i këtij veterani virtuoz të arsimit të kulturës së brezave:
Gen lirie i Selishtjanëve
Ti je nipi i Dervishjanëve
Nip i Lukanit, nipi i Runjës
Or Bodin – dritë e fortunës

Mësues atdheu – demokrat
Shpirt lirie – hov shtrëngat’
Si valë Murre si valë Drini
N’breza je Nazif Bodini…

* * *
Urime biri i Selishtes së gurit, Selishtës (Katër-Grykëve) të pushkës, pendës e të flamurit! E thonë faktet, koha dhe e vërteta: Nazif Bodini mësuesi dhe veprimtari i kulturës së brezave. Edhe 100 vite të tjera nga sot veterani i arsimit dhe i kulturës!

Tetor 2019