“Qytetar Nderi i Dibrës” sipas shijes partiake


Të gjitha këto argument dëshmojnë se zgjedhja për shpallje “Qytetar Nderi të Dibrës” kërkon një analizë të thukët dhe një përgjegjësi morale, etike, njohëse dhe kombëtare, të argumentuar, duke shmangur interesat personale dhe politike, ngas kjo është në dëm të seleksionimit të drejtë. Së pari duhet të çmohet kontributi qytetar, gjithëkombëtar e pastaj ai territorial.

Ndarja dhe shpallja e personave “Qytetar Nderi” për kontribute të veçanta në interes të qytetit të Dibrës dhe ata kombëtare nga fushat e ndryshme, është një ide e mirë, por atëherë kur ata shkojnë tek individë meritues. Mirëpo, kur forcat politike të komunës nga papërgjegjësia e shfrytëzojnë për interesa partiake dhe politike krijojnë ndasi tek personalitetet e figurat e mirëfillta, ngase shpërblimet nuk kanë shkuar tek më të merituarit. Kjo ndodh ngase seleksionimet nuk bëhen nga persona kompetent, por nga individë pa përgatitje arsimore adekuate që nuk arsyetojnë shpalljen e tyre. Ndaj është mirë të organizohen debate nga intelektualë dhe të formohen komisione nga profesionistë të njohurive e degëve që do të arsyetojnë shpalljen e tyre.
Së fundi, zgjedhja e Tefik Jegenit, Molnar Kolanecit dhe Saimir Shatkun, si ekspert të hidrologjisë, që u bënë zëngritur në protestat e shoqërive civile kundër devijimit të lumit Radika, duke trajtuar edhe shkencërisht pasojat që sjell ky devijim, meritojnë mirënjohje. Por, kjo duket si hipokrizi e funksionarëve komunalë të BDI-së, që ish-ministri i kësaj partie në pushtetin e Gruevskit nënshkroi dokumentin për këtë devijim. Kjo i ngjan shprehjes popullore: ”Të vrasin natën dhe të qajnë ditën!” Mirëpo, në këtë rast rol funksional dhe themelor luajtën qytetarët dibranë, të cilët bashkë me shoqatat jo qeveritare të Dibrës, ngritën fuqishëm e masivisht protestat, duke treguar vendosmëri, qëndrim të palëkundshëm gjer në vetëflijim, që zbrapsi nismën e qeverisë.
Dibra ka pasur shumë figura që meritojnë të zgjidheshin e të shpërbleheshin, sidomos ata që ngritën revoltën kundër shovenizmit sllav, rezistuan kundër politikës antishqiptare, kundër copëtimit të trojeve shqiptare, përkrahën pluralizmin politik menjëherë pas luftës antifashiste dhe zhvilluan veprimtari atdhetare kombëtare ndaj “hëngrën” shumë vite burg dhe përjetuan terror të paparë. Ndër ta ishte Xhafer Kodra, nënkryetar i RM, po që s’e joshi kolltukun, por mbrojti idealet nacionale, ndaj u akuzua “për veprimtari kundër shtetit”. Por, në realitet ai iu kundërvu shovinizmit maqedonas, që ishte shumë agresiv dhe i padrejtë. Dhuna e egër e çmendi.
Nexhat Agolli, ministër i shëndetësisë, i cili kërkonte barazi dhe të drejta të barabarta, për të cilat kishin luftuar shqiptarët. Ai u akuzua se gjoja donte të shkatërronte vëllazërim-bashkimin. Dhe u vra duke iu shpifur se donte të kalonte kufirin.
Burhan Pasholli, atdhetar i paepur për liri dhe bashkim kombëtar, anëtar i Organizatës Demokratike Shqiptare, nismëtar dhe ideolog i pluralizmit. Ai kërkonte përmirësimin e gabimeve historike të Konferencës së Lodrës, kundër shpërnguljeve në Turqi, hapjen e shkollave, përdorimit të flamurit kombëtar etj.
Kemi edhe shumë të tjerë që qëndruan në krye të demonstrave anti-jugosllave, që u futën nëpër birucat dhe u torturuan, por mbetën besnik të idealeve të tyre, s’u bënë “oligarkë” të partive, nuk lakmuan postet qeveritare, ashtu siç vepruan shumë të tjerë.
Edhe Moisi Murra e Fatos Daci, të shpallur “Qytetar Nderi të Dibrës”, të cilët kanë dhënë kontribut në ndriçimin e shumë ngjarje historike, sidomos të periudhës të sundimit osman dhe të figurave të dalluara të kësaj kohe, përmes portretizimeve apo edhe të zhvillimit të arsimit në tërë rejonin e Dibrës’. Por, në këto studime, ka edhe trajtime komerciale me performanca glorifikuese atdhetare, por edhe arsimtarë që nuk kanë dhënë asnjë meritë gjatë zhvillimit të arsimit në Dibër. Andaj, për të bërë një analizë shkencore të veprave dhe të veprimtarive të tyre, duhej të caktoheshin studiues kompetent që do të bënin analizën dhe zbërthimin e vlerave dhe jo vlerave dhe të mos bëhej përcaktimi nga individë që s’kanë asnjë përgatitje të tillë, apo për shije individuale e politike.
Unë do të propozoja që disa prej tyre, të harruar, të shiheshin me pozitivitet në të ardhmen. Njëri prej tyre është Kristo Frashëri, i cili bëri gjithëpërfshirjen historike të Dibrës nga lashtësia e hershme deri në ditët tona, te shkrimet e të cilit do të gjejnë mbështetje të gjithë studiuesit të tjerë të ardhshëm.
Hulumtues dhe shkencëtar i njohur në rang kombëtar që zë një vend të denjë si historian i letërsisë është dr. prof. Mahmud Hysa, profesor universitar, botues i më se 50 studime të veprave të shkrimtarëve të periudhës së letërsisë së vjetër, alamiadës, të romantizmi, të realizmit gjer te ato të modernes, pjesëmarrës në shumë simpoziume, të ballafaqimit eseist dhe polimizues me shovenistë sllavofilë etj., që e bëjnë ndër më të merituarit për shpalljen qytetar nderi të Dibrës.
Një ndër hulumtuesit e dalluara të trevës dibrane është Adem Bunguri, i cili përmes gjurmime arkeologjike zbuloi lashtësinë e Dibrës, por edhe studiuesit e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, si Nam Plaku, Xhafer Martini, Hazis Ndreu, që pothuajse nuk veçohen nga të tjerët.
Në kohën kur në Dibër papunësia është e madhe dhe mërgimi i shtueshëm nga një politikë e keqe dhe e padrejtë sociale dhe të zhvillimit e të investimit, sadopak për ta zbutur, bënë emigrantët dibranë në SHBA, gjegjësisht ne Alaskë, Abib Sela me të birin e tij, Ilirin, dhe Zudi Dobrova, të cilët hapën call-centar-in për porosi të picave të shtetasve të tyre, duke punësuar qindra vajza dhe gra, të cilat mbajnë familjet e tyre, dhe në një masë, penguan zbrazjen e qytetit. Edhe këta të dy duhej të ishin ndër të merituarit për t’u shpallur Qytetar Nderi.
Të gjitha këto argument dëshmojnë se zgjedhja për shpallje “Qytetar Nderi të Dibrës” kërkon një analizë të thukët dhe një përgjegjësi morale, etike, njohëse dhe kombëtare, të argumentuar, duke shmangur interesat personale dhe politike, ngas kjo është në dëm të seleksionimit të drejtë. Së pari duhet të çmohet kontributi qytetar, gjithëkombëtar e pastaj ai territorial.

* Opinionet dhe komentet e botuara nuk shprehin domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë