Talentet që “shpëtuan” nga riatdhesimi familjen Tonuzi


Olsi Tonuzi, vjen nga një fis jo pak i dëgjuar në Allajbegi. Ndoshta atëherë kur jo vetëm fshati, por dhe Dibra i kishte me pikatore njerëzit që dinin shkrim e këndim, ky fis kishte nxjerrë njerëz të shquar, që kishin mbaruar akademinë ushtarake në Itali, Spanjë, apo diku tjetër. Të ditur, krenarë e nacionalistë deri në fund, ata nuk mund të bashkëjetonin me sistemin e ri komunist, që u instalua në Shqipëri. Një valë kërcënimesh, presionesh, goditjesh, pse jo dhe eliminimesh fizike filluan të shfaqen në sfond, për ta zhdukur që në rrënjë këtë fis me vlera. Shumica e tyre u larguan. Në Jugosllavinë e dikurshme, në Belgjikë, në Francë e në Amerikë. Ata mbijetuan, hodhën rrënjë e u shumuan, duke e përcjellë stafetën e punës dhe të diturisë, nga njeri brez te tjetri. Bota i donte dhe i do njerëzit e ditur, Shqipëria jo. Shehat Tonuzi, Abazi, Hajdari, Ganiu, plot vëllezër e kushërinj me njëri-tjetrin, nderuan veten, fisin, fshatin, por dhe më shumë akoma. Sapo u hap demokracia, ata erdhën në Shqipëri, u çmallën me tokën ku kishin lindur dhe rindërtuan një pjesë të xhamisë 500 vjeçare të Allajbegisë.

Olsi, prova e dashurisë së madhe

Vetëm dy shtëpi mbetën në fshat prej tyre, Feriti dhe Izeti. Feriti bëri dhe shumë vite burgim politik dhe u kthye në familje në një moshë gati të thyer. Të paktë në numër, të lodhur, vazhdimisht të kërcënuar, të burgosur, ata mbijetuan deri në kufijtë e viteve nëntëdhjetë. Hulsi Tonuzi, më i vogli i djemve të Izetit, mbaroi shkollimin e lartë dhe filloi punë për disa vite si mësues. Por nuk qe e thënë që gjërat të shkonin sikur ëndërronte djaloshi i ri. Këmbët filluan ti enjten dhe shëndeti ti rrezikohej. Bëhej fjalë për një sëmundje të veshkave, që asokohe vetëm pak njihej e vështirë se mund të kurohej. U vizitua nëpër spitale dhe mjekët i thanë se vetëm pak ditë jetë kishte. Pasi u mjekua pak kohë në Tiranë, u nis për në Greqi. Dhe orët tashmë ishin të shtrenjta, jo më ditët e javët. I thanë se duhej bërë detyrimisht një transplant i veshkës. Babai e nëna e tij, xha Izeti me të shoqen, afruan trupat e tyre për të dhuruar njërën veshkë. E kush do të vraponte më shumë se ata, në këtë betejë me vdekjen të djalit të tyre? U afrua dhe një shok i ngushtë i tij, Eduart Rama. Do ti jepte një veshkë të tij, thjeshtë dhuratë, pa asnjë lloj interesi e përfitimi. Por rregulli mjekësor e donte që dhuruesi të ishte mbi 30 vjeç dhe ai u refuzua. Analizat e mëtejshme zbuluan se veshka e nënës ngjante me të djalit në masën 70 %, kurse e babait vetëm 30 %, kështuqë u zgjodh varianti i parë. Olsi kujton momente prekëse, tronditëse, kur nëna u afrua të hiqte veshkën. Para se të kryhej operacioni i nënës, ajo iu drejtua kirurgut grek: – Dëgjo, doktor! Ta heqësh veshkën time, atë më të mirën. Nëse nuk bën punë ajo, hiqe dhe tjetrën e provoje! Nuk ka problem për mua, nëse vdes, vetëm djali të bëhet më mirë e të jetojë. Fjalët ishin në shqip e doktori grek nuk kuptonte. Kur përkthyesi i tregoi kuptimin e tyre, doktori vuri duart në kokë, lotët i shpërthyen vetiu e kërkoi ndjesë, se për momentin ishte i pamundur nga emocionet, që i kishte dhuruar ajo grua burrneshë nga Shqipëria. Jo, në Greqi për njërën veshkë dhe do të mendoheshin, për të dyja, as që bëhej fjalë. As greku, as shumë të tjerë nuk e dinin se ajo ishte nga fisi i Ndreut, të shquar për trimëri, besë e dituri. Tashmë ajo nuk jeton më, por ajo jeton në gjakun e trupin e të birit, në kujtimet tona dhe Zoti ta ketë çuar në parajsë. Vetëm pas një ore kirurgu grek e mori veten dhe e kaloi me sukses veshkën e nënës në trupin e djalit. Shumë shokë e miq të Hulsiut, që kishin ardhur enkas për të nga shumë qytete të Greqisë shpërthyen në brohorima, për një jetë të fituar. Zoti ia kishte falur jetën, ndoshta për hir të prindërve, që aq shumë ishin përpjekur e stresuar, ndoshta për hir të nuses së tij, që atëherë ishte shtatzënë me vajzën e parë dhe ajo të mos rritej jetime, apo për shumë gjëra të tjera sëbashku.

Nga Allajbegia në Francë:
vendime të vështira

Hulsiu kthehet në Shqipëri, në vendlindjen e tij, me një aktivitet pothuaj normal. Zgjidhet për një mandat dhe kryetar i këshillit në Allajbegi, fshatin e tij, duke u angazhuar maksimalisht në projekte për të mbështetur e zbukuruar atë fshat me kulturë e me histori të madhe. Në krye të disa viteve niset për të banuar në Tiranë. Sëmundja që do ishte gjithnjë prezente, ishte një arsye më shumë. Më pranë spitaleve të mëdha do të ndjehej pak më i sigurtë në vizitat dhe analizat e shpeshta që do të bënte më vonë. Familja e tij tani ishte shtuar ndjeshëm. Kishte lindur vajza e parë, Marsida dhe tre të tjera më pas, Hidia, Daniela dhe Njovi, më e vogla. Po rriteshin, ashtu pak nga pak, duke belbëzuar, duke hedhur hapat e para, duke recituar vjersha fëminore e duke shtuar gëzimin në familje. Por krahas vështirësive, shpesh dhe ekonomike, sëmundja nuk e linte të qetë.
Një ditë, krejt rastësisht, teksa bisedonte me një mik të tij, ndodhet pranë dhe profesor Lekë Dodani. Ai që kishte shërbyer vite e vite si mësues në Shqipërinë e veriut, ai njeri që ishte gatuar me mëshirën dhe nacionalizmin, u prek. – Ti djalë, i tha Olsit, duhet të shkosh dhe do të shkosh në Francë. – Atje do të kesh trajtim më të mirë mjekësor dhe të ardhme për familjen tënde. Hulsiu uli kokën mendueshëm. Shumë e madhe ishte oferta për ta besuar. Si do të shkonte? Ku do ti gjente paratë? Kush do ta priste atje? Këto e një sërë pyetjesh të tjera u ngritën në mendjen e tij, pa mundur dot të marrin përgjigje. Olsi ishte rrahur shumë me jetën. Kishte takuar në këtë lumë njerëzor që rridhte pa pushim njerëz të mirë e të këqinj. Po ky, ky profesori, që po i afron magjitë e Francës a është një shenjt, apo një mashtrues? Do të donte të besonte të parën, por vetëm Zoti e dinte të vërtetën. Koha do ta tregonte më vonë.
Ishte mbrëmja e po asaj dite, kur një zile telefoni e shkëputi për pak. Emri i profesor Lekë Dodanit në ekran. – Olsi, e diskutova dhe njëherë atë problemin dhe gati janë gjërat. Do ta kesh ndihmën time deri në fund.
Atë natë Olsi diskutoi gjatë me familjen, të nisej apo jo, një nga vendimet më të vështira që ishin diskutuar në familjen e tij.
Pak ditë më vonë gjendej në aeroportin e Rinasit, me bileta të prera. Katër vajzat, nëna e tyre dhe ai, gjashtë veta gjithsej. Ç’farë surprizash i prisnin në tokën e huaj? Në fund të fundit, le ta provonte njëherë fatin. Ai nuk ishte Tonuzi i parë që do të shkelte në tokën franceze. Mbi gjysëm shekulli para tij kishin studiuar e punuar në Francë dy xhaxhallarë të tij, dy intelektualë të shquar, Bajram dhe Hajdar Tonuzi. Ktheu kokën pas në shenjë lamtumire për vendin e tij, që dhe pse nuk kishte bërë shumë për të, do ta donte e do ta mbante në zemër përherë.

Futbolli “shpëtoi” familjen Tonuzi

Kaluan gjashtë muaj në azil, në Francë. Peshorja e fatit të familjes Tonuzi akoma lëkundej mes po-së dhe jo-së, mes pozitives e negatives, mes qëndrimit në Francë dhe largimit prej saj. Largimi prej saj tingëllonte gati si një vetvrasje. Ndërkohë vajzat ishin adaptuar më shpejt në shtetin e ri. Kishin mësuar perfekt gjuhën franceze, ishin regjistruar në klube të ndryshme sporti dhe pse jo kishin bërë dhe emër në aq pak kohë.
Por të gjitha këto nuk kishin qenë të mjafta për një përgjigje pozitive. Familja Tonuzi duhej të kthehej përfundimisht në atdheun e saj, bile në fare pak ditë, pas të cilave ajo mund të ndiqej dhe penalisht. Një dramë e re për familjen. Miq e dashamirës u mblodhën në shërbim të tyre. Miqtë francezë Zhani, Odetta, Zhan Poli, Mari Poli dhe shumë të tjerë u bënë mbështetje e fortë për familjen, që i rrezikohej qëndrimi. Dashamirës të tjerë erdhën në ndihmë të familjes Tonuzi. Trajneri i ekipit të futbollit të qytetit do të deklaronte se Daniela Tonuzi, vajza e tretë e familjes, është kapitene e ekipit dhe Franca nuk duhet të humbasë talente të tillë.
Duke kujtuar ato ditë të vështira, Olsi thotë se u hodh në gjyq prefektura dhe pas 13 ditësh i thirrën në Lion, ku shkoi e shoqja e tij dhe njëra nga vajzat. Gjyqtari, pasi u njoh me gjithë dosjen, sjelljen e familjes Tonuzi, talentet që ajo kishte, i tha Elidës, gruas së tij: Të jeni krenarë për këto fëmijë që keni. Qëndrimin në Francë e keni prej tyre.

Marsida, Daniela dhe Njovi, vajzat e talentuara futbolliste

Ato, që të katërta janë njëra më e talentuar se tjetra. Ajo që kanë të përbashkët janë katër gjuhët e huaja që i flasin rrjedhshëm, dashuria për librat dhe të qenurit nxënëse modele në sjellje dhe në mësime.
Marsida është më e madhja. Ka fituar për inxhinieri farmaceutike dhe është në vitin e dytë. Futbolli, karateja dhe baleti janë pjesë e aktivitetit të saj të përditshëm. Vajza e dytë Hidia është po kaq e talentuar në mësime, por dhe në sporte. Këtë vit shkon në shkollën e lartë dhe mes shumë degëve të preferuara mendon të zgjedhë arkitekturën. Daniela ka një lidhje akoma më të fuqishme me futbollin. Që e vogël, kur ishte në Tiranë, luante me skuadrën e djemve të moshës, meqë nuk kishte klasa futbolli për vajza. Ishte java e parë e qëndrimit në Francë, kur ajo u paraqit pranë klubit të futbollit, me shpresën e inkuadrimit pranë tij. Me pak gjeste, me pak shprehje të anglishtes, vajza i tregoi qëllimin e ardhjes. Trainerja e futi mes vajzave që luanin.
Teknika, forca, shkathtësia e Danielës ranë përnjëherë në sy. Kur vajza goditi një top gati nga mesi i fushës dhe e ktheu në gol, trainerja nuk u përmbajt më. E përqafoi Danielën dhe i tha, që ti tani je vajza ime. Kanë kaluar tre vjet që atëherë. Daniela është rritur në moshë, është rritur në popullaritet. Tre vjet rresht është shpallur sportistja më e mirë e qytetit. Sot, ajo është 15 vjeç, por luan me 21 vjeçaret dhe për më tepër mban dhe shiritin e kapitenes së ekipit të qytetit. Ndoshta, shumë shpejt do të jetë dhe kapitenia e ekipit kombëtar francez të futbollit për vajza.
Njovi është më e vogla e familjes Tonuzi, por po kaq e talentuar sa dhe motrat. Nuk e dimë pse kaq shumë e paskan talent futbollin. Ndoshta nga babai, Olsi, që në rininë e tij luajti pak kohë me Korabin, por pasi theu kaviljen nuk u mor më me sportin. Trajneri i Njovit e provoi vajzën në disa pozicione dhe tashmë e ka fiksuar atë në mbrojtje të portës. Është vetëm 13 vjeç dhe premton shumë në të ardhmen, ashtu si motra e saj, Daniela, që ka bërë shumë emër. Familja Tonuzi po bën çdo ditë hapin e radhës në ngritjen e identitetit të saj. Ajo përkulet me nderim e respekt ndaj atyre që e ngritën deri në këtë shkallë dhe i kthyen buzëqeshjen.