“Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush” shpreh pamundësinë për të asimiluar përvojat tona



Poeti Agron Tufa vjen në këtë vjeshtë me vëllimin e ri poetik “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush”. Për të folur rreth këtij libri, ai është ftuar në disa studio dhe emisione letrare, ndërsa ne për lexuesin e gazetës kemi zgjedhur të botojmë intervistën e tij në emisionin e mëngjesit në Top Channel. -Redaksia

Libri poetik është akumulimi i kësaj energjie artistike. Imazhet, metaforat dhe mishërimi i ideve me një veshje të tillë ligjërimore përbëjnë poezinë. Ajo ka jetën e vet të pavarur, të cilës ti nuk i ndërhyn pas botimit të librit. Dhe ajo jetë e pavarur e librit është tashmë (gjendet) tek lexuesit. Çdo lexues për fat të mirë përfaqëson relacionin e vet, me librin, prandaj dhe ka shumë lexime

Agron Tufa: Procesi i krijimit është i thjeshtë: shkarkon energji nga vetja jote dhe e ekspozon. Libri poetik është akumulimi i kësaj energjie artistike. Imazhet, metaforat dhe mishërimi i ideve me një veshje të tillë ligjërimore përbëjnë poezinë. Ajo ka jetën e vet të pavarur, të cilës ti nuk i ndërhyn pas botimit të librit. Dhe ajo jetë e pavarur e librit është tashmë (gjendet) tek lexuesit. Çdo lexues për fat të mirë përfaqëson relacionin e vet, me librin, prandaj dhe ka shumë lexime. Me poezitë e mira ka vetëm fillim komunikimi, është ashtu siç marrëdhënia me një pikturë dhe nuk mund të thuash për një libër me poezi “e kam lexuar”, siç mund ta themi këtë për një tregim apo roman. Me poezinë ndërton relacione të ndryshme, kemi zhvendosje ose shtegtime diskursive. E lexon në fillim, siç kemi poetët e mirë qoftë edhe të traditës sonë, le të themi Mjedën, Lasgushin, etj. Ne zbulojmë gjithmonë raportet tona të tjera me poezinë, raporte gjithëherë të reja në çdo akt leximi. Nëse poezia zotëron njëfarë misteri apo enigme, lexuesin e mban mbërthyer, e bën bashkautor, përderisa lexuesi vetëm se i afrohet misterit, pa e deshifruar atë deri në fund. Kjo është gjendja më e shëndetshme e marrëdhënieve të një lexuesi të kultivuar ndaj një poezie të mirë.

Lirika ime është një prirje, që në fillim, që në librin e parë “Aty te portat Skée” (Onufri, 1996) – një prirje për një lirikë filozofike, lirike meditave, diskursive; një lirikë që nuk ngazëllehet nga momenti, nga një pamje, d.m.th., nuk shkruhet nga ato lloj impresionesh të çastit, por është padyshim një trajektore meditave me raportet, fenomenet, gjësendet… është diskursive dhe “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush” siç e ilustrojnë një varg poezish në libër, shpreh pamundësinë për të asimiluar përvojat tona. Mos asimilimi i këtyre përvojave, ajo që na bën ne të kemi një identitet (sepse identiteti na mban në kornizë), na hedh në erë, na shpërfytyron, na bën që të mos dimë se kush jemi. D.m.th. identiteti ynë është si puna e nivelës, që i ka shkarë flluska nga qendra, na bën të jemi njerëz pa fytyrë. Kjo ka lidhje me kujtesën, kjo ka lidhje me identitetin dhe ka lidhje dhe me idealet, dobitë tona. Por nëse i heqim të gjithë këto….. Shpesh ne themi si nuk zumë mend, si nuk mësuam nga historia, por zhdukja e kësaj përvoje na bën tabula rasa.
Është reale, që çdokush që gjendet në atë rreth adresatësh, ushqen një specifikë të caktuar poezie. Poezia nuk është letërsi e drejtëpërsëdrejti për një person, madje edhe në rastin kur ne adresojmë poezinë. Një person bëhet shkak për meditimin dhe për një ndjeshmëri që shtjellohet, në përputhje me domethënien që ka ky person në jetën tënde. Madje edhe lirikën e dashurisë kur ia adresojmë një personi, ne kemi parasysh diçka shumë më të gjerë, pa u kufizuar me personin vetë. Pra, kemi parasysh një koncept shumë më të gjerë.

Vëllimi “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush” është ndarë në katër cikle, sipas këtij rendi: “Askush nuk e do mëkatin”; “Gardërobë gramatike (nokturne)”; “Gëzhoja të zbrazëta netësh” dhe “E dashura qau ndaj të gdhirë”. Është vëllimi i shtatë me poezi (pa llogaritur përzgjedhjen “Fryma mbi ujëra”, Fjala, 2007).

Vëllimi poetik është një arkitekturë e mirëmenduar, i cili, e cila nuk kushtëzohet nga poezitë e fundit që ti ke shkruar, as për poezitë e 2-3 vitet të fundit, ndonëse pjesa më e madhe e tyre përfshihen në vëllimin ri. Çdo poezi zgjidhet e mund të përfshihet si element arkitekturor, që ta durojë arkitektura e vëllimeve, ndryshe del pak jashtë strukturës. Kështu që shumë poezi gjykohen nga vendi që zënë ato në çdo libër. Në vëllimin e ri gjejmë poezi të hershme dhe poezi fare të vona, por mjaft poezi të vona nuk janë përfshirë, për shkak se dhe nuk rrinë mirë në arkitekturën e vëllimit. Poezitë janë si gurët në mur. Nëse nuk harmonizojnë strukturën, ato të prishin atë fasadë që ti ke në kokë. Ka poezi të hershme që, përsëri, vazhdimisht, janë marrë në çdo vëllim, sepse në librat e mëparshëm nuk e kanë gjetur vendin në arkitekturat e vëllimeve. Poezia që keni zgjedhur ju për lexim është e hershme.
Është fillimi i vitit 1990, d.m.th. është koha më e hershme, kur unë e kisha marrë tepër seriozisht artin e poezisë. Sikur të gjithë shqisat e tjera mos të ekzistonin, vetëm dëgjimi, identifikimi i saktë i çdo poezie me një rrethanë të caktuar do të ishte i menjëhershëm. D.m.th. si kjo poezi, që është shkruar në Shkodër, me që ra fjala. Unë isha në Shkodër në këtë kohë. Kuptohet, poezitë më të mira shkruhen në situata të ngarkuara pasioni. Pikërisht për këtë poezitë e dashurisë janë më të rrezikshme prandaj dhe marzhi i gabimit më të madh, janë lirikat e dashurisë. Sigurisht ka qenë një ndjenjë shumë e fortë për bazën e kësaj poezie. Poezitë e këtilla janë dhe kundërpërgjigja e çdo lloj ndjenje, e çdo lloj fuqie ose pafuqie. Kjo është poezia e krijimit. Pikëllimi, dëshpërimi ekstrem të çon në përjetim intensiv, të cilit s’ke me çfarë të përgjigjesh. Reagimi nuk dihet kur je i përfshirë, por nuk mund të reagosh ndryshe në situata pafuqie, përveçse me krijimin. Prandaj dhe lirikat e dashurisë janë prodhuar në të tilla gjendje ekstremi. Unë mendoj se poezia që lexuat nuk është as poezia më e mirë, as më e dobët. Unë mendoj që ajo përfaqëson mesataren e natyrshme të shkrimit tim të asaj kohe…
Kohë nuk ka, kam ëndërr që të kishte, por me kohë e kam kuptuar që kohë s’do të ketë më. Diçka duhet bërë, kështu që unë kam përshtatur mënyrën time të sjelljes, që ta ruaj motivin. Nëse nuk ia dal, nja 10 a 15 gjëra shkatërrohen në kokë. Mungesa e kohës më ka imponuar që të jem më shumë i vëmendshëm, d.m.th. si fillim me imazhin e parë, qoftë me një varg apo me dy vargje. Nëse kam fatin dhe nuk kam të papritura të pakëndshme (në përditshmërinë tonë ato i kemi gratis, nga mëngjesi deri në mbrëmje) atëherë gjej një moment të lirë të ditës dhe e shkruaj. Ka mundësi që motivi të mbijetojë deri në fund të ditës. Atëherë shkrimi ecshumë shpejt. Unë kohë nuk kam, axhendat janë shumë të ngjeshura. Me mbet e vetmja mënyrë që e ushtroj, të cilën e kam quajtur dhe dikur “penallti në ecje”.
Vëllimi “Zonja asnjeri dhe zoti askurrkush” është ndarë në katër cikle, sipas këtij rendi: “Askush nuk e do mëkatin”; “Gardërobë gramatike (nokturne)”; “Gëzhoja të zbrazëta netësh” dhe “E dashura qau ndaj të gdhirë”. Është vëllimi i shtatë me poezi (pa llogaritur përzgjedhjen “Fryma mbi ujëra”, Fjala, 2007).