Ndërtimi i HEC-eve në Bulqizë, me ndikim në mjedis dhe në konflikt me banorët


Shumë projektet për ndërtim HEC-esh në zonën e Bulqizës kanë sjellë përplasje mes banorëve dhe kompanive koncesionare. Shkak për një përplasje të tillë kanë qenë mos konsultimi me banorët dhe ndikimet në mjedis që kanë këto projekte. Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëhet me dije se në Bulqizë janë 9 projekte për ndërtim HEC-esh që pritet të vihen në zbatim dhe 28 projekte të tjera që janë në ndërtim e sipër. Sipas Balkan Rivers në Shqipëri numërohen 692 hidrocentrale, duke përfshirë 179 ekzistuese, 453 të planifikuara për t’u ndërtuar dhe 60 hidrocentrale të cilat janë në ndërtim e sipër.

Njësia administrative Fushë-Bulqizë është vetëm 7 minuta larg nga qyteti i Bulqizës. Në këtë zonë ka burime të shumta ujore që rrjedhin nga lartësitë e maleve. Këto burime njëkohësisht janë projektuar për një sërë HEC-esh. Tre projekte për ndërtim HEC-esh ju prezantuan Këshillit Bashkiak të Bulqizës në muajin Mars të vitit 2019-të. Kundërshtimi i banorëve të Fushë-Bulqizës për të lejuar nxjerrjen e një pjese të pyllit të kësaj zone nga fondi pyjor i Bashkisë Bulqizë për t’i hapur rrugë projekteve për HEC-e, çoi në dështimin për të disatën herë të mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku do shqyrtohej kjo çështje. Ende sot e kësaj dite që flasim, Këshilli nuk ka trajtuar projektin për transferimin e pronësisë tek Ministria e Mjedisit që do ti hapte rrugë ndërtimit të këtyre HEC-eve. Naim Visha, banor i fshatit Kodra e Danit tregon se këto projekte për ndërtim HEC-esh nuk kanë marrë dakordësinë e banorëve të zonës dhe se ndikojnë në jetën e tyre, duke ju marrë ujin e pijshëm dhe vaditës, por edhe në mjedis. “Këta e kanë ndritur mjedisin, pyjet e të gjitha. Vijnë me një projekt që duan të marrin ujin, të shkaktojnë dëme në mjedis, një mrekulli e natyrës që është ajo zonë, ato ujra që rrjedhin në ato male e ti fusin në tuba, dakordësinë e komunitetit nuk do ta kenë kurrë.” shprehet Visha.
Bashkia Bulqizë në përgjigjen me shkrim për këtë rast, shkruan se kërkesa për transferimin e pronësisë të pyllit të kësaj zone vjen si kërkesë zyrtare e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për t’i hapur rrugë projekteve për HEC-e.
Në datë 17. 09. 2018, lidhur me projektet për ndërtimin e HEC-eve “Dragoi” dhe “Dushk” njësia administrative Fushë – Bulqizë, në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit është raportuar me dokumente se janë zhvilluar takime për efekt të konsultimeve me publikun për të dyja HEC-et, përkatësisht në orën 11.00 për HEC “Dushk” që ndodhet në fshatin Dushaj dhe në orën 13.00 për HEC “Dragoi” në fshatin Dragua. Banorët e pyetur për një fakt të tillë, tregojnë se nuk kanë dijeni dhe nuk janë thirrur për dëgjesë duke treguar se distanca e kohës, vetëm dy orë larg njëra-tjetrës, dëshmon për një mungesë të theksuar serioziteti, për një zhvillim fiktiv të konsultimeve me publikun. Gjithashtu në faqen e Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Dibër nuk ka të publikuar informacion lidhur me ecurinë e këtyre konsultimeve. Në raportin e ndikimit në mjedis të kompanisë “Renewable Energy” shpk, për këto projekte HEC-esh thuhet se nuk do të ketë ndërveprime me mjedisin dhe as ndikime të mundshme, thelbësore në elementet përbërës të tij. Në VNM thuhet edhe se në zonën ku do të zbatohen projektet janë pak të banuara.
Vendimi për transferimin e pronësisë nga Këshilli Bashkiak Bulqizë, bie në kundërshtim me ligjit Nr.10440, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, “Pyllëzimi fillestar dhe shpyllëzimi për qëllimet e ndryshimit në një lloj tjetër të përdorimit të tokës, pasi duhet t’i nënshtrohet procedurës paraprake të vlerësimit të ndikimit në mjedis”. Në rastin konkret ekziston vetëm një procedurë paraprake e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, dhe është ajo për projektin e ndërtimit të HEC-ve, e miratuar nga VNM-ja paraprake e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. E njëjta procedurë ligji detyron që të kryhej edhe për procesin e shpyllëzimit. Bajram Disha u shpreh gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se kjo është “prerje në besë” për së dyti herë që i bëhet kësaj zone. “Kemi vujtur shumë me pyjet, tani po doni me ja nis me ujin. Ndaluni sa jeni në kohë. Pyjet dhe uji janë jeta jonë. Nuk do ju lejojmë që ta merrni. Mjedisi i kësaj zone duhet të shërbejë për të zhvilluar turizmin dhe ndihmuar zonën e çdo banorë që jeton aty dhe jo një grup njerëzish”, u shpreh Disha.

Gjorica, një tjetër zonë përplasjesh për ndërtimin e HEC-eve

Gjorica është një nga zonat më të populluara në Bashkinë Bulqizë. Përpjekjet e kompanisë koncesionare që kërkon të ndërtojë një HEC në zallin e Bulqizës, rrjedha e të cilit shkon mes për mes njësisë administrative Gjoricë, ka dështuar. “Rajfi” Shpk ka aplikuar që në korrik të vitit 2018-të për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të thelluar. Por përpjekjet e kompanisë koncesionare për të mbajtur një dëgjesë publike me banorët e zonës kanë dështuar, pasi janë kthyer në protesta. Nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Dibër, u shprehën për autorin e këtij shkrimi se konsultimet me publikun për këtë rast kishin dështuar disa herë me radhë, pasi banorët e zonës që preken nga ky projekt që shfrytëzon ujin e Zallit të Bulqizës nuk pranonin të merrnin pjesë dhe as të firmosin raportet pas takimeve të mbajtura. Bashkia Bulqizë në një përgjigje me shkrim për rastin në fjalë, por edhe për raste të tjera që kanë të bëjnë me ndërtim HEC-esh shprehet se ky institucion nuk jep leje, pasi kjo kompetencë është tek institucionet qendrore. “Ti fusësh Gjoricës ujin në tuba, sidomos gjatë stinës së verës është fatkeqësi. Me futjen në tub të ujit, të gjitha gjallesat ngordhin. Gjorica është një fshat që ka 1400 hektarë tokë, që zhvillohet mbi bazën e ekzistencës së këtij lumi”, deklaron Shpëtim Kaja, banor në Gjoricë, por që ka mbajtur edhe pozicionin e ish-inspektorit të mjedisit. Gjorica ka problem me ujrat e zeza dhe menaxhimin e mbetjeve, të cilat depozitohen në zallin e Bulqizës. Për banorët, nëse nuk ka ujë të bollshëm që do të tërheq këto mbetje, do të prekeshin nga infeksione dhe sëmundje të ndryshme.

Konfliktet për HEC-et

Në Bulqizë konfliktet kanë qenë të shumta, gjeneruar nga projekte për ndërtim HEC-esh. Liman Kenga, banor i fshatit Lenë në Martanesh, ka që prej vitit 2013-të që ndodhet në proces gjyqësor për një HEC-i që po ndërtohet në fshatin e tij. Ai pretendon se kjo po ndodh në tokën e tij dhe pa i marrë dakordësinë. Sipas Kengës, lejet për ndërtim HEC-esh në zonë vazhdojnë. “Punimet për ndërtimin e HEC-it vazhdojnë. Kanë bërë një masakër mjedisore të tmerrshme. Kam kaluar një kalvar seancash gjyqësore dhe në Gjykatën e Apelit në Tiranë kam fituar duke e rikthyer çështjen sërish për trajtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër”, shprehet Kenga. Për këtë rast Kenga ju drejtua edhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me një ankesë ndaj gjyqëtarit Halil Vani, i cili e kishte rrëzuar padinë e tij në Gjykatën e Dibrës për rastin e ndërtimit të HEC-it në tokën që pretendon se është e tija.
Ndërtimi i Hec-it në fshatin Valikardhë të njësisë administrative Zerqan dhe punimet për devijimin e ujërave të Liqenit të Sopeve, kanë sjellë prej vitit 2014 përplasje të ashpra me banorët e fshatrave që preken. Banorët e zonës së Valikardhës dhe Martaneshit kundërshtojnë punimet me argumentin se devijimi i ujit të liqeneve u shkatërron atyre ekosistemin, u cënon mundësitë për vaditje dhe madje edhe furnizimin me ujë të pijshëm. Në protestën e 10 qershorit 2014, policia procedoi penalisht 7 persona të cilët më pas u dënuan nga Gjykata e Apelit në Tiranë me gjobë 100 mijë lekë për akuzën e shaktërrimit të pronës. Studimi i Bankwatch, publikuar në vitin 2017-të nxjerr se në HEC-in e Tërnovës, janë duke u shkatërruar ekosistemet natyrore që lidhen me Liqenin e Zi, në Majën e Gjatë, i shpallur si Monument Natyre. “Ndërtimi i këtij HEC-i përveç të tjerash konsiston në ndërtimin e 23 km kanale devijimi dhe rreth 30 km rrugë aksesi. Projekti po shkakton një erozion masiv përgjatë linjës së tubacionit të devijimit që çon ujin nga Liqeni i Zi drejt turbinave. Nga ana tjetër gjatë vizitës që Bankwatch zhvilloi në Qershor 2017, erozioni ka qenë i lartë edhe përgjatë kanaleve të devijimit që furnizojnë me ujë vetë Liqenin e Zi duke transportuar së bashku me ujin edhe një sasi të konsiderueshme të sedimenteve drejt këtij liqeni.” thuhet në raport. Protestat e banorëve ja kanë dalë që deri më sot të bllokojnë vënien në zbatim të projekteve për ndërtim HEC-esh.
Një studim vlerësues mbi konfliktet për ujin të lidhura me HEC-et në Shqipëri, i titulluar ‘Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri’ dhe i realizuar nga tre organizata mjedisore, nxori në pah 18 raste konfliktesh të lidhura me hidrocentralet që janë raportuar në Shqipëri gjatë periudhës 2012-2016, ku ka pasur 34 persona të arrestuar ose të shoqëruar nga policia. Po në këtë studim, hidrocentralet e vegjël janë burimi kryesor i konflikteve, duke listuar si shkaqe nxitëse mungesën e konsultimeve dhe atë të informimit të komuniteve të prekura nga ndërtimi i HEC-eve, të drejtat e ujit dhe shkatërrimin mjedisor.
Geri Emiri, bashkëpunëtor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN Albania, në një investigim të realizuar për konfliktet e gjeneruara nga ndërtimi i HEC-eve, me të dhëna nga të gjitha prokuroritë e vendit, shprehet se në Dibër ka pasur një sërë konfliktesh të banorëve të fshatrave të ndryshëm, që kanë kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve, për arsye që nisin nga marrja e ujit vaditës dhe atij të pijshëm. “Nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, nga 13 prokurori, 12 gjykata rrethesh dhe 7 drejtori policie mbi banorët që janë përballur me sanksione ligjore për shkak të konflikteve të lindura si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve, prokuroritë e ndryshme bënë me dije se në vitet 2008-2017, rezulton të jenë dënuar 10 persona, 27 janë hetuar dhe 7 prej tyre janë arrestuar. Gjykatat dhanë shifra të tjera, por edhe ato të larta, ku rezulton se janë dënuar 15 persona, 7 janë hetuar dhe sipas tyre nuk ka pasur asnjë person të arrestuar”, shprehet Emiri.

Raportet ndërkombëtare, kritik për dëmet e HEC-eve në mjedis

Në një analizë të posaçme për programin e reformave ekonomike në Shqipëri 2019, Komisioni Europian vlerësoi se qeveria e Shqipërisë po i ndërton këto HEC-e duke shpërfillur rreziqet që ata krijojnë në mjedis. “Qeveria planifikon të rrisë gjenerimin e energjisë nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve të reja. Këto objekte po shkaktojnë shqetësime serioze në ndikimin në mjedis dhe kanë efekte negative të mëdha mbi komunitetet lokale dhe për turizmin”, thuhet në dokumentin që Komisioni Europian lëshoi së fundi për reformat ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, sipas Komisionit është e nevojshme që Shqipëria të zgjerojë qasjen e saj strategjike duke e diversifikuar prodhimin e energjisë elektrike, duke rritur investimet në prodhimin e energjisë diellore dhe të erës, si dhe të zhvillojë një strategji gjithëpërfshirëse të menaxhimit të ujit.
Një studim në terren në vitin 2018-të të 20 ekspertëve të atashuar nga PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) ka vërejtur një situatë alarmante në të gjithë procesin që shoqëron ndërtimin e HEC-eve që nga momenti i dhënies së lejeve, planifikimit dhe ndërtimit.
Dëmet më të mëdha, në raport thuhet se janë bërë në zonat e mbrojtura, pasi aty dendësia e lumenjve dhe ujërave është e madhe. Gjithashtu ekspertët treguan në raport se Ministria e Energjitikës, gjatë dhënies së lejeve nuk ka marrë në konsideratë ligjet e tjera në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe zonave të mbrojtura. Gjithashtu ata verifikuan se Shqipëria ka shkelur edhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit që i ka nënshkruar më parë.
Projekti “Vëzhguesi Rural”, i mbështetur nga BE, ka konstatuar se problemet mjedisore të shkaktuara nga Industria hidroenergjetike në Bulqizë janë të shumta. Duke filluar që nga problemet me pronësinë, ku shumë investime janë bërë në prona private, pa marrë më parë dakordësinë e zotëruesëve, në biodiversitet, bujqësi, turizëm, përdorimi i ujrave, shkarkimi i sedimenteve. “Shumica e projekteve të HEC-ve mund të ndikojnë në procesin e ujitjes dhe përdorimin e ujit të pijshëm. Ky aspekt është lënë pas dore gjatë hartimit të VNM-së. Sidomos në ndërtimin e HEC-eve që kanë një shtrirje të gjatë të tubacionit. Ndryshimi i rrjedhës natyrale të ujit ka ndikim negativ kumulativ në biotën e lumenjve. Nuk ka të dhëna dhe analiza për impaktin që kanë këto HEC-e edhe në burimet nëntokësore”, shkruhet në faqen zyrtare të Vëzhguesit Rural.
Por nga ana tjetër përhapja me shpejtësi e HEC-eve të vogla në të gjithë vendin, përveçse ka përkeqësuar gjendjen mjedisore aty ku janë ndërtuar, ka ndikuar në rritjen e prodhimit të energjisë në vend. Shifrat tregojnë se, për herë të parë në tremujorin e dytë të vitit 2019, HEC-et private dhe ato me koncesion kanë prodhuar 62% të energjisë në vend, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.
Një studim në terren i ekspertëve mjedisor të atashuar nga PNUD, tregon se ndërtimi i rrugëve për shtrirjen e tubacionit kanë sjellë degradimin e karakteristikave të peizazhit në nivele të shumëfishta. Kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë tek vegjetacioni natyror. “Gërmimi në shpatet e pjerrëta, proceset e erozionit ndodhin kryesisht si pasojë e punimeve për ndërtimin e HEC-eve dhe mos marrja e masave rehabilituese të mjedisit. Rrugat e hapura për ndërtimin e HEC-eve, siç mund të ndihmojnë komunitete për ti përdorur, gjithashtu edhe mund të çojnë në prerjen e paligjshme të pyjeve.” thuhet në raportin e PNUD.
Kanë qenë të shumtë raportet ndërkombëtare të organizatave mjedisore që kanë kritikuar lejet e larata për ndërtim HEC-esh në Shqipëri. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës (MIE) shpalli në fillim të vitit 2019-të për “pezullimin e të gjitha kontratatave jo-operative”. Për këtë qëllim, u lajmërua fillimi i një procesi “skanimi fizik” e dokumentimi të çdo hidrocentrali, pasi “duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive natyrore”.

s h ë n i m


Për një lapsus…

Nga Bujar karoshi

Në fillim të dhjetorit një grup nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e kryesuar nga drejtoresha znj. Adriana Peti , ishin për një inspektim në Kanionin e Setës, aty ku janë ndërtuar disa hidrocentrale, njëri prej të cilëve, Seta 4, kundërshtohet fuqishëm prej banorëve dhe organizatave mjedisore. Në këtë takim ishin ftuar edhe përfaqësues nga bashkia e Dibrës, por me gjithë premtimet se do të ishin aty dhe do të mbronin interesat e banorëve, ata nuk erdhën.
Banorët e zonës dhe ekspertët e mjedisit mendojnë se për të marrë lejen për ndërtimin e këtij HEC janë falsifikuar dokumente, duke spostuar në hartë burimin e Sopanikës dhe grykën e thellë dhe të ngushtë të Setës, të cilat janë shpallur monumente natyre.
Mustafa Tola, i cili udhëheq një përfaqësi banorësh që kundërshtojnë fuqishëm ndërtimin e këtij HEC-i, thotë se “është zhvendosur qëllimisht burimi i Sopanikës nga Çidhna në Fushë Çidhën, si dhe është manipuluar harta e lumit, e cila ka rrjedhën nga lindja në perëndim ndërsa në dokumente është veri – jug.”
Sazan Guri, eksperti mjedisor që po e ndjek çështjen edhe në gjykatë, thotë se “harta satelitore është manipuluar dhe se është nxjerrë qëllimisht nga kufiri i zonës së mbrojtur shpella dhe burimin i Saponikës”. Ai thotë se do ta dërgojnë këtë çështje edhe gjykatat ndërkombëtare. Banorët janë të bindur se manipulimet e hartave janë të qëllimshme, me synim që ti hapin rrugën ndërtimit të HEC-it.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, e ndodhur në terren dhe duke u ballafaquar me vetë shkresat që kjo agjenci ka përpiluar, madje ka dërguar edhe në gjykatë, pranoi se mund të ketë një lapsus…
Po të pranojmë si të vërtetë deklarimin e znj. Peti, për këtë “lapsus” gjatë këtyre dy viteve kanë ndodhur shumë ngjarje…
Për një “lapsus” kompania ka hedhur miliona euro në një vend ku nuk duhej të kishte HEC…
Për një “lapsus” burrat e një fshati janë akoma në hetim policor, atyre u janë bllokuar pasaportat dhe nuk dalin dot as në Dibër të Madhe.
Për një “lapsus” gjykata administrative e Tiranës zhvilloi një gjyq për këtë çështje, vendimi i së cilës duket dukshëm “i marrë nën presion” nga “lapsuset” e shkresave zyrtare…
Për një “lapsus” një konfilikt i hapur është mes banorëve dhe kompanisë, dhe nuk dihet kur do të shpërthejë…
Për një “lapsus” Seta po thahet dhe e ardhmja e turizmit në këtë zonë po venitet..
Për një “lapsus” që askush nuk mban përgjegjësi, jo vetëm janë lënë në mëshirë të fatit interesat e komunitetit, por janë futur në rrugë pa krye institucionet qeveritare, përfaqësuesit e të cilëve, ndërkohë që në terren u japin të drejtë banorëve, në zyrat e shtetit, aty ku ballafaqohen me këto “lapsuse” marrin vendime të gabuara…
Pra, ky është një “lapsus” që me sa duket nuk do ti gjendet zgjidhja, veç në qoftë se me të merret, së paku, SPAK-u.