“Ne jemi me Agronin”


Në fillim të Dhjetorit, poeti, shkrimtari, studiuesi e profesor Agron Tufa, së bashku me familjen e tij kërkoi azil politik në Zvicër.
Agron Tufa mbante detyrën e Drejtorit të Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Ky institut është miratuar nga Parlamenti shqiptar që në shkurt të vitit 2010 dhe ka për detyrë detyrë të studiojë dhe të vlerësojë objektivisht krimet dhe dëmet e komunizmit në Shqipëri, t’i zbardhë dhe t’i dëshmojë ato në mënyrë të dokumentuar dhe të pakontestueshme.
Agroni udhëhoqi prej gati 9 vitesh këtë institut me një staf të vogël prej afro 15 vetësh, por që gjatë këtyre viteve ka bërë një punë të madhe në zbardhjen e të shkuarës tragjike të Shqipërisë.
Që nga 1 prilli i këtij viti, Agroni është gjendur nën sulme denigruese e shpifëse ndaj punës dhe personalitetit të tij. Njerëz të veshur me pushtet, deputetë dhe media pranë tyre kanë udhëhequr një fushatë dizinformuese ndaj punës së ISKK në përgjithësi dhe ndaj Agronit personalisht. Dhe kjo fushatë fyese e denigruese kaloi edhe në sulme personale, duke u ndjerë i rrezikuar jo vetëm ai personalisht, por edhe familja e fëmijët e tij.
Institucionet shtetërore, ata që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë, aq më tepër të drejtuesve të një institucioni që po zbardhte çdo ditë të kaluarën e errët të njerëzve me pushtet në Shqipëri, nuk e bënë detyrën e tyre. Edhe pas largimit, nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare për këtë çështje, me përjashtim të një deklarate të vonuar të Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, gjatë një aktiviteti mbi liritë e shprehjes dhe të drejtave të njeriut. Madje, deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, kanë deklaruar pas largimit, se “… do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet”.
Por ndërsa ka pasur një heshtje institucionale, nga ana tjetër ka pasur një reagim publik nga personalitete të kulturës shqiptare, shkrimtarë, studiues, kritikë, miq e dashamirë të autorit. Disa prej këtyre shkrimeve kemi vendosur ti botojmë këtë numër.
Ata e kanë mbështetur Agronin, jo vetëm si koleg, poet e shkrimtar nga më të mirët e postdiktaturës, por edhe në misionin e tij të zbardhjes së krimeve të komunizmit.
Për këtë arsye, ne kemi vendosur të botojmë një botim special në këtë numër, për të dëshmuar jo vetëm përkrahjen ndaj Agronit dhe familjes së tij, por edhe mbështetjen për punën e tij në zbardhjen e krimeve.
Sepse një krim i pandëshkuar rrezikon të rikthehet me një krim të ri.