400 mijë dollarë ndihma për Spitalin e Bulqizës


Projekti C.U.R.E., një organizatë bamirëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dorëzoi në spitalin e Bulqizës një konteiner me mbi 400 mijë dollarë ndihma në pajisje spitalore.
Transporti i ndihmave tejet i shtrenjtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Bulqizë u pagua falë një fushate për të mbledhur fonde nga Vëllezërit Keta me fondacionin Keta4kids. Kësaj fushate ju bashkuan shumë donator, nga Bulqiza dhe jo vetëm të cilët dhuruan për të mbuluar koston e transportit dhe të shpenzimeve të tjera doganore. Një ndihmë të madhe për mbërritjen e ndihmave në Bulqizë dhanë Ina Farka dhe mjeku gjerman Dr. Carsten Buse, që së bashku me vëllezërit Keta morën pjesë në një maratonë vrapimi në Gjermani për të mbledhur sa më shumë donator për transportin e ndihmave nga Amerika në Shqipëri.
Projekti C.U.R.E. shpërndan pajisje mjekësore kudo pasi mbledh dhurime të vogla nga qytetarët deri 1 dollar e më shumë. Spitali i Bulqizës mbulon me shërbim më shumë se 30 mijë banorë dhe në këtë spital ka shumë raste të aksidenteve në minierë. Falë ndihmave të mbërritura në spital do të ketë një set të ri të pajisjeve kirurgjikale për trajtimin e rasteve urgjente. Edhe reparti i pediatrisë dhe gjinekologjisë do të ketë pajisje mjekësore bashkëkohore, e shumë të tjera. Një kujdes të veçantë për mbërritjen e këtyre ndihmave treguan edhe autoritetet lokale shtetërore.
Faleminderit gjithësecilit për ndihmën e dhënë që këto ndihma të vinin në spitalin e Bulqizës! Faleminderit dhe mirënjohje Vëllezërve Keta për punën e palodhur në të mirë të këtij komuniteti! Faleminderit ndaj çdo donatori, që dhuroi nga pasuria e tij për mbulimin e kostos së transportit të ndihmave! Faleminderit personave që lobuan që këto ndihma të vinin në spitalin e Bulqizës!
Sami Curri / bulqizaime