Dritëhijet e pinjollëve të parë të fisit Murrja – Halili dhe Osmani


I -ASPEKTI METODIK
Punimi “Dritëhijet e pinjollëve të parë të fisit Murrja” është vazhdim i studimit “Kronologjia dhe gjeneza e fisit Murrja në Luzni të Dibrës”. Për të evidentuar pinjollin/pinjollët e parë të fisit Murrja periudha nga sot e deri në origjinë është perceptuar si piramidë dhe është segmetuar në breza bilogjikë. Baza e piramidës është gjenerata e sotme (1991-2020) dhe gjatësia e brezit bilogjik është marrë në konsideratë si periudhë kohore 30 vjeçare. Pasi janë vendosur faktet e gjetura në literaturën historike në “piramidën” e mëposhtme jemi orjentuar në brezin e parë të fisit Murrja.

II –ANALIZA DHE DISKUTIME
Në kronologjinë e fisit Murrja, fakti historik më i hershëm, i shkruar dhe i pakontestuar është vrasja e Isufit nga ushtarët turq në vitin 1882 (Kolgjegja, 1991:38-41; Ndreu, 2003:163-164 & Frashëri, 2012). Viti 1882 përfshihet në segmentin kohor 1871-1900, që i përket gjeneratës së gjashtë, duke filluar nga origjina Lika, ndërsa si fis i mëvetësuar Murrja është gjenerata e tretë.
Studiuesi i historisë së Dibrës, Hazis Ndreu, në librin e tij “Dibra në Udhën e Historisë” shkruan: “-Isuf Murrja, biri i atdhetarit Elez Murrja, që pat udhëhequr Luznisë kundra Hajerdin Pashës“. Babai i Elezit është Halili, i cili bashkë me të vëllanë e tij Osmanin janë pinjollët e parë të fisit Murrja. Halili dhe Osmani janë pasardhësit e Skuk Likës, i cili u martua dy gra. Katër djemtë e lindur me gruan e parë Mani, Ademi, Rizani dhe Baftjari trashëguan mbiemrin Skuka; ndërsa dy djemtë e lindur me gruan e dytë nuk mbajtën si mbiemër emrin e të atit, por morën si mbiemër emrin e fshatit të lindjes së nënës së tyre nga Qaf-Murra e Katër-Grykëve.
Legjenda e bukurisë dhe e madhështisë së gruas që u trashëgoi emrin e fshatit të vajzërisë për mbiemër dy djemve të saj ka lënë gjurmë edhe në fshatin Qaf-Murrë. Gojëdhëna vendase e banorëve të Qaf-Murrës thotë: -Fisi Lala në Qaf-Murrë kishte hyrë në konflikt territoresh me fisin Allamani të Matit. Allamani ishte i fuqishëm ekonomikisht. Më pas konflikti me fisin Allamani u zgjerua jo vetëm me fisin Lala, por edhe me banorët e tjerë të fshatrave të Katër-Grykëve. Fisi Lala i ndihmuar nga banorët e tre fshatrave (vetëm një fshat nuk mori pjesë) u organizuan dhe vranë të gjitha antarët dhe ismiqarët e fisit Allamani. Nga ky konflikt i përgjakshëm shpëtoi vetëm një vajzë e vogël, e cila nuk ishte e fisit Allamani, por e ismiqarit të kësaj familje i ardhur nga Lura, ku disa thonë ishte nga fisi Vladi e disa të tjerë mbesa e këtij fisi. Vajzën e rritën Lalët, si bjën e tyre. Ajo u bë shumë e zonja, puntore e madhe, ku dhe sot kemi toponime të staneve që lidhen me famën e saj. Vajza u martua në Luzni dhe thirrej Murrja. Lindi dy djem, të cilët trashguan për mbiemër emrin e saj Murrja. (Burimi: Sami dhe Hekura Lala. Gojëdhënën e kanë dëgjuar nga pleqtë në mexhelise).
Kur fëmijët e Murres ishin të vegjël, Kreu i Malit të Luznisë (para vitit 1800) ishte “Grethi”, kështu quhej fisi i Sefere në atë kohë. Grethi ishte plaku i parë, i fisit. Ai iu thotë djemve që të vritnin djemtë e Murres, sepse sipas tij, kur të rriten nuk do të drejtoni ju, por ato. Por djemtë e Grethit nuk pranun. Ato i thënë babait se nëse do të bënin një gjë të tillë, do të turpëroheshin dhe do të humbisnin emrin e mirë që kishte krijuar fisi i Sefere (Burimi: Ibrahim Murrja dhe Ilmi Murrja).
Pasi u rriten, dy vëllezërit Murrja, Halili dhe Osmani u ndanë. Osmani qëndroj në Lishan të poshtëm, ndërsa Halili u zhvendos në Hotesh. Historia induviduale e tyre iu ngjan dy anëve të monedhës, ku njëra anë është mossukesesi (e keqja) dhe ana tjetër është suksesi (e mira).

-Dritëhijet e Osmanit si pinjolli i parë i fisit Murrja në Lishan të Epërm, Luzni
Sipas gojëdhës Osmani dhe fëmijët e tij Tahiri, Sinani dhe Rrahmani morën “kaçakllëkun”. Kështu quheshin ato që dilnin për plaçkitje (Burimi: Ilmi Murrja). Telepatia na bën të mendojmë se kjo ka qenë arsyeja që trungu i Osmanit në Lishan të Poshtëm sot e mot nuk i ka kaluar 15 shtëpi apo familje. Kjo është e keqja, ndërsa e mira shpjegohet me legjendën e mëposhtme vendase.
Plaçkitja e tyre ishte në numër të kufizuar. Ato merrnin disa krerë bagëti dhe jo të gjithë tufën, disa okë (njësi e vjetër peshe) bereqet dhe jo të gjithë prodhimin. Thuhet se ku plaçkisnin ato, të dëmtuarve nga vjedhja u shtohej edhe më shumë tufa e bagëtive, bereqeti në arë etj. (Burimi: Ibrahim Murrja).
-Dritëhijet e Halilit si pinjoll i parë i fisit Murrja në Hotesh, Luzni
Në lidhje me historikun e Halilit ka dy burime gojdhënore. Burimi i parë, flet për lidhjen e Halilit me perandorinë Osmane. Për shak të kësaj lidhjeje Ai u fuqizua ekonomikisht dhe u zhvendos në fshatin Hotesh (Burimi: Musa Murrja dhe Ilmi Murrja). Burimi i dytë, flet për largimin e Halilit për shkak të grindjeve/zënkave me të ëmën e tij (Burimi: Ibrahim Murrja). Sipas këtij burimi thuhet se Halili u bë shumë arrogant dhe i dhunshëm ose beterr siç i thonë në gjuhën lokale. E ëma e këshilloi disa herë të birin e saj, që të kthehej në rrugë të mbarë, por Ai vazhdonte me sjelljet e tij jo normale/të këndshme. Meqë i biri nuk iu bind, ajo vendosi që ta vriste atë. Halili nga frika detyrohet të largohet nga fshati. E ëma e ndoqi/gjurmoi duke e detyruar Halilin, të kërkonte ndihmë tek Karahsani në Brezhdan. Fisi i Karahsanit në Brezhdan njihet si një nga katër qendrat kryesore të administrimit të Dibrës në perandoria Osmane. Karahsani, Agolli, Xhilaga në Dibër të Vogël/Poshtme dhe Hoxholli në Dibër të Madhe/Epërme ishin “oxhaqe”. Titulli “oxhak” ishte ofiq i perandorisë Osmane për të administruar Dibrën.
E ëma e Halilit i kërkon Karahsanit, t’i dorëzonte vocin (djalin) sepse kishte vendosur ta vriste si pasojë e sjelljeve arrogante. Me gjithë kërkesën e Murres, Karahsani nuk e dorëzoi Halilin, duke i thënë se është në besën tij. Atëherë, e ëma e Halilit i përgjigjet: -Dëgjo këtu Karahsan! Unë e njohë djalin tim dhe më mirë është ta vras me dorën time; sepse, nëse nesër më gjen gjë vocin do të biem në hasmëri dhe nuk e lë gjakun pa marrë. Por Karahsani e bindi Murren, se Halili do të ishte nën kujdesin e tij dhe se nuk do t’i ndodhte asgje e keqe. Kështu u ra dakord dhe Halili ndejti tek Karahsani.
Karahsani e angazhoi Halilin në sistemin ushtarak të tij, për të mbajtur qetësinë publike në njësinë e tij administrative. Brezhdani ishte qendër kryesore ku bëhej tregtia e gjithë Dibrës së Poshtme. Karvanet e kuajve me karroca, të ngarkuar me mallra vinin nga Shehri i Dibrës (Dibra e Madhe sot apo Dibra e Epërme më parë). Një ditë prej ditësh, po kalonte një karvan kuajsh me mallra ushqimore në mes të fshatit. Një fëmijë i vogël zgjat dorën dhe merr një kokërr sheqeri (karamele e rrumbullakët e kohës). Tregtari turk ose tuxhari, siç njihej në atë kohë reagon ashpër/egërsisht, duke goditura barbarisht me gërbaç fëmijën. Halil Murrja ishte prezent në këtë ngjarje. Për shkak të detyrës ishte i armatosur me hutë (armë artizanale e kohës që kishte vetëm një shkrepje baruti). Ai duke mos duruar rrahjen barbare të fëmijës, qëllon për vdekje tregtarin. Vrasja e tregtarit tronditi marrëdhëniet e Karahsanit me adminsitratën turke. Karahsani i detyruar nga ultimatumi i administratës lokale turke, nxorri urdhrin për të vrarë Halilin.
Menjëherë vjen reagimi i nënës së tij nga Luznia. Ajo i dërgon «plakun» (personi që sipas traditës së Maleve të Dibrës ishte gjyqtar për sqarimin e çështjes në fjalë) dhe i bën të ditur Karahsanit se: -Nëse, djalit të saj i prekej qoftë edhe qimja e flokut do të merrete hak (hakmerrej). Ajo i kujtoi Karahsanit se i kishte dal borxhit që të mos mbante djalin e saj. Karahsani i detyrur nga fjala e dhënë anullon urdhërin e vrasjes, por me kusht që Halil Murrja të largohej nga njësia administrative e tij (Brezhdani).
Kështu, Ai përfundimisht vendoset në fshatin Hotesh, në vendin, ku dhe sot quhet kodra e Halilit. Gjithsesi shërbimi te Karahasani në Brezhdan i krijoj mundësinë Halilit që të lidhej me administratën e perandorisë Osmane dhe “Mihajri” ose thënë ndryshe vula e kreut të Luznisë iu dorëzua Murres nga Gredhi i Sefere. Murrja bëhet Kreu i Luznisë.
Halili me disa nga vllezërit nga ana e babait (Skuka) “zabtuan” territorin më të mirë të fshatit Hotesh. Fshati ndahet në dy pjesë nga rruga kryesore që kalon për mes tij. Në të majtë ose poshtë dhe rrezë brigjeve të lumit Drini i Zi janë vendosur Murret dhe Skuket. Halili u martua dhe u shtua me pesë djem Elezin, Hasanin, Hysenin, Tafën dhe Limanin. Trungu i Halilit u shtua shumë dhe më pas u zgjerua në fshatin Selane, Trenë e Trepçë në Topallti (quhej atëherë Dibra e Vogël/Poshtme matan Drinit të Zi).

III -PËRFUNDIME
Epopeja e fisit Murrja në Luzni të Dibrës ka filluar me lindjen e këtij fisi në shekullin e XVIII, si pasardhës të fisit Lika. Pinjollët e parë janë Halili dhe Osmani.
Osmani qëndroj në fshatin e lindjes Lishan i Epërm dhe u shtua me tre djemë. Hijedrita e tij dhe fëmijëve është vesi i kakçëkllëkut, ndërsa dritëhija e tyre është “dora e mbarë” në plaçkitje, ku të dëmtuarve nga vjedhja iu shtohej edhe më shumë pasuria. E pambeshtetur shkencërisht, por kjo është arsyja që trungu i Osmanit nuk është shtuar shumë.
Halili u zhvendos në fshatin Hotesh dhe u shtua me pesë djemë. Hijedrita e tij është sjellja arrogante kur ishte në rini, ndërsa dritëhija është bashkëpunimi me administratën e perandorisë Osmane, ku dhe mori “mihajirin” ose vulën e Kreut të Luznisë nga Grethi i Sefere. Trungu i Halilit u shtua shumë dhe u zgjerua më vonë në fshatrat Selane, Trenë dhe Trepçë përballë Hoteshit në anën tjetër të lumit Drini i Zi. Pasardhësit e Halilit u shquan shumë brez pas brezi, ku spikasin Elez Murrja, Isuf Murrja, Ahmet Murrja, Zenel Murrja, Halil II, Myftar Murrja, Elez II, Xhetan Murrja, Vesel Murrja, Sadik Murrja etj.

* Profesor i lëndës “Menaxhimi i Riskut të Biznesit” në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Është “Doktor i Shkencave Ekonomike” dhe ka titullin akademik “Profesor i Asociuar”. Ka botuar dhjetra artikuj shkencor në fushën e ekonomisë dhe biznesit në revista me impakt faktor dhe konferenca shkencore ndërkombëtare. Është autor dhe bashkautor në katër teksteve universitare, si: Baza Finance, Financat Lokale dhe Qeverisja, Drejtim i Fermave dhe Menaxhim Risku.