Eskursion në Rrugën e Arbërit


Më 20 prill në mëngjes u nisëm nga Tirana me një autobuz 20 vendësh për eskursionin Klos-Ura e Vashës-Plani i Bardhë-Tuneli i Bulqizës dhe Ura e Shupenzës-Gjoricë-Ura e Drinit për t’u njohur me punimet që po kryhen në Rrugën e Arbërit nga kompania “Gjoka”. Grumbullimi dhe nisja u bë më ora 700 të mëngjesit nga qendra e Tiranës. Në këtë eskursion përveç anëtarëve të kryesisë së LID, Latif Miha, Enver Hysa, Bashkim Lleshi, Miranda Goleci, Demir Osmani e Shaqir Skarra, muarën pjesë edhe aktivistët, Ana Lleshi, Agim Kasa, Bujar Karoshi, Besa Uka, Bukurije Cami, Dëfrim Methasani, Hajredin Toca, Hysen Uka, Irfan Zebi, Islam Uka, Kamber Farruku, Mehdi Dema, Osman Miha, Osman Vladi, Qamil Sula, Rahman Dapi, Selami Nazifi, Shehat Cami, Vesel Hoxha, Zabit Lleshi, Zaim Elezi, Ymer Saraçi etj. Më ora 930 arritëm në Klos ku biznesmeni Irfan Zebi kishte porositur mëngjesin për të gjithë eskursionistët. Pas një mëngjesi shumë të këndëshëm në Klos u nisëm për tek aksi i rrugës së Arbërit mbi fshatin Fshat ku vizituam tunelet dhe Urën që po ndërtohej poshtë Urës së vjetër të Vashës.
Inxhinieri i Kantierit të Ndërtimit na foli për ecurinë e punimeve të tuneleve dhe Urës së Vashës mbi lumin Mat. Kishte përfunduar hapja e tuneleve 4, 5 e 6 , vazhdonte betonimi i tunelit 4 dhe puna për ngritjen e këmbëve të betonit në Urën e Vashës.
Pastaj i gjithë grupi u nis në drejtim të Planit të Bardhë ku pamë trasenë e kësaj rruge në këtë luginë dhe tunelin e përfunduar më parë të Qafës së Buallit. Ndalimin e dytë e bëmë në Urën e Shupenzës mbi zallin e Bulqizës. Aty u takuam dhe me Musa Selamin, drejtuesin e punimeve të kompanisë “Selami” që ka ndërtuar dy urat mbi zall e Drin dhe segmentin Ura e Çerenecit-Gjoricë-Majtarë.
Pasi vizituam dy urat e betonit të përfunduara dhe trasenë që lidh këto dy ura gjatë argjinatutës së Zallit nga Gjorica e Epërme në të Poshtëmen, bëmë foto e dhamë intervista për Tv Bulqizën, të gjithë së bashku u nisëm për të kaluar drekën në një Restorant shumë të bukur pranë pishave matanë Fush Bulqizës të cilën e kishte porositur zv/kryetari i LID, biznesmeni Latif Miha. Eskursionistët e shtruar në këtë drekë i përshëndeti në emër të kryesisë së LID Bashkim Lleshi. Në këtë drekë përshëndetën pothuajse të gjithë eskursionistët. Pas kësaj dreke shumë gazmore u nisëm për në Tiranë. Të gjithë eskursionistët që ishin në autobuz u ndaluan në një lokal tek Ura e Skurajve, për një kafe të ofruar nga Bashkim Lleshi me vajzën e tij Ana që mori pjesë në këtë eskursion shumë të bukur.
Më 27 prill u zhvillua eskursioni i dytë për t’u njohur me punimet e Rrugës së Arbërit në segmentin Tiranë-Ura Brarit-Brar-Zall Dajt-Shpal-Hyrja e Tunelit të Murrizës. Në këtë eskursion përveç anëtarëve e kryesisë së LID, Musa Riçku, Bashkim Lleshi, Enver Hysa, Nazmi Koçi, Shpëtim Cami, Demir Osmani e Shaqir Skarra, megjithëse koha ishte me shi muarën pjesë edhe shumë aktivistë të vjetër e të rinj dibranë e matjanë si: Ali Selita, Aziz Keta, Artur Buci, Bukurije Cami, Esat Skarra, Mentor Deda, Flutura Osmani, Halil Robi, Ilmi Cani, Ilmi Dervishi, Ismail Hysa, Jahe Selmani, Kamber Farruku, Lavdërim Shehu, Mentor Deda, Mirela Cami, Naim Karaj, Nehat Daci, Osman Vladi, Rakip Dançe, Ramazan Ceni, Rustem Deva, Sali Bushi, Shahin Lazri, Shehat Cami, Shuip Methasani, Vesel Hoxha, Xhafer Martini, Xhelil Gjoni e Ymer Saraçi.
Më ora 800 u nisëm nga qendra e Tiranës dhe përshkuam rrugën e Dibrës deri tek Ura e Brarit, pastaj vazhduam rrugën gjatë grykës së lumit të Tiranës deri tek tuneli i shkurtër tek Shkalla e Tujanit ku u ndalëm për foto dhe për vrojtimin e punimeve të rrugës.
Të gjithë pjesëtarëve të eskursionit i’u shpërndanë nga dy fletë ku shënoheshin programi i eskursionit, të dhënat e rrugës sipas projektit teknik (largësitë, tunelet, urat) dhe monumentet historike që mund të vizitohen për gjatë rrugës nga Tirana në Bulqizë, Peshkopi, Çidhën e deri në Kala të Dodës e Lurë, të përgatitura nga Bashkim Lleshi.
Pastaj vazhduam rrugën nga Zall Dajti sipas trasesë së re të rrugës për gjatë lumit të Tiranës, kaluam në përroin e Selitës së Malit afër lagjes Marec dhe u ngjitëm në rrugën dytësore deri tek sheshi i Tunelit të Murrizës. Aty u takuam me inxhinierin e punimeve të Kompanisë “Gjoka” Mark Pepkolën i cili na foli për ecurinë e punimeve të tunelit. Tuneli kishte avancuar rreth 520 m nga krahu i Tiranës dhe këto ditë kishte filluar puna nga krahu i Xibër Murrizës.
Në kthim të gjithë pjesëmarrësit e eskursionit bënë një pushim në një lokal në grykën e Brarit afër ish Repartit Ushtarak ku së bashku pimë nga një kafe të ofruar nga biznesmeni Musa Riçku, i cili mbuloi edhe shpenzimet e transportit të gjithë eskursionistëve. Në emër të kryesisë së LID eskursionistët pjesëmarrës i përshëndeti Bashkim Lleshi. Në përmjet këtij eskursioni shumë të bukur u njohëm me ritmet e punimeve të kësaj rrugedhe na u krijua bindja se Rruga e Arbërit do të përfundojë sipas parashkimit dhe premtimit të Kompanisë “Gjoka”, brenda 6 mujorit të parë të vitit 2021.
Kështu edhe dy vite na ndajnë nga realizimi i ëndrrës gati 30 vjeçare të dibranëve për përfundimin e Rrugës së Arbërit. Por në Qarkun e Dibrës janë në gjendje shumë të keqe, ose në disa vende mungojnë, rrugët lidhëse me aksin kryesor të kësaj rruge. Në rrugët e brendëshme të Dibrës e Matit ka vite që nuk është vënë dorë. Ato kanë nevojë për përmirësime e mirëmbajtje dhe në disa zona, si në Martanesh e Macukull, Grykë të Vogël, Gollobordë e Katër Grykët, në Lurë, Reç, Dardhë e Kala të Dodës duhet edhe ndonjë shtesë rruge e re, ç’ka do t’i jepte një shtytje të mëtejshme zhvillimit ekonomik të këtij qarku me pasuri të shumta nëntokësore e mbitokësore, me pasuri ujore, pyjore, me bjeshkë e kullota alpine malore, me monumente historike, gjeomonumente, hidromonumente e biomonumente, me lumej, kanjone, ujvara e liqej akullnajorë malorë shumë të bukur të cilat natyra ia ka falë kësaj treve të pasur e me bukuri të rralla të natyrës, për zhvillimin ekonomik dhe turizmin historik e malor të kësaj treve të begatë.
Shoqata LID dhe gazeta “Rruga e Arbërit” ashtu si deri tani do të vazhdojnë të jenë në opozitë me çdo qeveri, jo vetëm për përfundimin në kohë e me cilësi të Rrugës së Arbërit por edhe për përmirësimin, mirëmbajtjen dhe hapjen e ndonjë segmenti të ri për t’u lidhur me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit, ç’ka do ti jepte një hop të mëtejshëm jo vetëm zhvillimit ekonomik të kësaj zone, nëpërmjet zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë, frutkulturës, kërkimit e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore e mbitokësore, por edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit historik e malor. Pasuritë dhe bukuritë e Qarkut të Dibrës nuk janë pronë, vetëm e dibranëve dhe matjanëve, por janë pronë e gjithë kombit shqiptar, pasuritë nëntokësore e mbitokësore të kësaj treve janë pronë e gjithë shqiptarëve, prandaj organet e larta të shtetit duhet t’i kthejnë sytë edhe nga Dibra që asaj t’i akordohen investimet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të saj.
Zhvillimi i kësaj konference do të na njohë jo vetëm me pasuritë nëntokësore e mbitokësore dhe bukuritë natyrore e historinë e këtij qarku, por edhe me gjendjen e rrugëve lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit, duke shtruar detyrën para organeve qëndrore e vendore të pushtetit, për akordimin e fondeve të nevojshme për përmirësimin, mirëmbajtjen e hapjen e ndonjë segmenti të ri rruge, ç’ka do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik e kulturor të kësaj treve.