Ferma e familjes Ndregjoni


 

Ashtu si për të gjithë shqiptarët e tjerë, vitet nëntëdhjetë e gjetën familjen e Haziz Ndregjonit në Brezhdan të Dibrës në një huti e konfuzion të plotë. Hazizi kishte shërbyer për vite e vite si punonjës në ndërmarrjen bujqësore të asaj kohe. Fëmijët akoma të vegjël, pa ndonjë zanat, fare pak tokë. Shpresë dhe frikë për të ardhmen. Vuri pak blegtori si fillim, një lopë, një kalë dhe 20 kokë dhen. Kishte dëgjuar nga të vjetrit që bujqësia nuk të bën të pasur, por dhe pa opinga nuk të len. Mori toka me qira, mësoi zanatin e shoferit, gjeti dhe një fugon të përdorur, duke filluar në linjën që lidh fshatin e tij me Peshkopinë.

EKSPERIENCA NE SHTETIN FQINJ

Vitet po ecnin dhe fëmijët po rriteshin. Ndonëse në moshë të njomë, ata provuan emigracionin. Asllani është më i vogli nga dy djemtë. Ai ishte vetëm 14 vjeç kur mori rrugët e Greqisë. Rastësia e çoi te një pronar grek, që kishte jo pak, por tre mijë kokë dhen dhe 17 punëtorë. Gati 10 vjet punoi atje, për tu lidhur përfundimisht me ato kafshë të urta, të mbara e të bekuara. Ishte normale që të mjelja deri 300 litra qumësht në ditë, tregon Asllani. Mësoi dhe shumë sekrete, që do ti duheshin në të ardhmen. Në një rast, pa që dikush solli një dele që sillej rrotull vetes me një sëmundje të trurit. Populli e quan “ e ndërkryer”, kurse në gjuhën veterinare emërtohet si cenurozë. Pronari i tij mori një thikë të mprehtë, i hapi një vrimë në mes të kockave të kokës, në anën nga rrotullohej delja. Futi te vrima e hapur një kunj me pak lesh të mbështjellë dhe fshikëza, apo qeska me lëng që kishte pushtuar njërën anë të trurit, u mbështoll për kunji dhe bashkë me të dolën jashtë. Pak dezinfektantë e pak pluhur mbi plagë dhe delja ishte shëruar plotësisht. Kur Asllani e pa tre herë këtë gjë, të katërtën e kreu vetë operimin, gati po aq mirë sa dhe mjeshtri plak.
Dhjetë vjet më vonë, Asllani u kthye në Shqipëri. Ishte viti 2005. Mendja i thoshte se dhe ai mund të vinte një tufë dele e t’i mbarështonte me kujdes e dashuri. Ndoshta jo aq shumë sa mjeshtri plak në Greqi, por le ta niste njëherë . Eksperiencë tashmë kishte fituar, por dhe ca para kishin vënë mënjanë si familje. Sakaq, tufa e tyre prej 20 krerësh u dhjetëfishua e u bë 200 kokë. Vështirësitë e fillimit si kudo, por familja e bashkuar u bëri ballë sfidave dhe e rriti akoma më shumë numrin e tyre, gati 400 kokë, sot që flasim. Duke bërë eksperimente të vogla në vite, tashmë ata kanë përcaktuar një skemë të mbarështimit të tufës.

KUJDESI PER TUFEN

Deshtë i lëshojnë me 25 korrik dhe mjelja vazhdon deri me 5 shtator. Gati gjysma e tufës kanë pjellë, akoma pa shkuar data 10 dhjetor dhe familja Ndregjoni është angazhuar në kujdesin për të posalindurit, meqë janë dhe ditë të ftohta. Në fillim të dhjetorit fillon trajtimi me tagji në masën 0,5 kg për barsat dhe gati një kilogram për pllejat. Ndoshta me norma më të reduktuara ky trajtim vazhdon deri në prill. Rraca është vendi e kryqëzuar me Rudën. Në vjeshtë skartohen delet e vjetra mbi 5 – 6 vjeçare, më të dobtat, si dhe ata që janë me një gji . Ndërkohë tufës i shtohen çdo vit dhe 40 krerë qengja femra, që janë përzgjedhur si më të mirat, në pamje dhe në madhësi. Në prill shiten dhe qengjat, meqë pjelljet kanë qenë të hershme. Çmimi ka qenë i mirë këtë vit, thotë Asllani, deri në katër mijë lekë për kilogram peshë të gjallë. Po kështu dhe çmimi i qumështit ka qenë me leverdi. Kur e dërgojnë verës në baxhon e Radomirës paguhen me njëmijë lekë për një kilogram. Në një sezon pjellje ata kanë rreth 50 dhen që pjellin nga dy qengja. Ka një sekret të vogël këtu që lidhet me trajtimin, Nëse delet trajtohen me tagji dy javë para e pas ndërzimit, ky numër shkon dhe më tepër. Asllani ka marrë pjesë në takimet që ka bërë organizata AGRO EKO DIBRA me fermerët e rinj blegtorë, duke përfituar mjaft nga të tjerët, por dhe duke dhënë eksperiencat e tij pozitive.

KATËR MUAJ NË BJESHKË, QË MUND TË BËHEN DHE PESË

Qëndrimi i tyre për katër muaj në bjeshkë është sa i bukur, aq dhe i vështirë. Karvani i dhenve, i njerëzve, i qenve dhe i kuajve ngjiten në bjeshkë me 15 qershor dhe zbresin zakonisht me 15 tetor. Asllani thotë se sikur ca gjëra të ishin ndryshe në legjislacionin shqiptar dhe ne mund të vepronim ndryshe. Pronësia e kullotës, vazhdon arsyetimin djaloshi i pasionuar pas dhenve, duhet detyrimisht ti kalojë shtetit dhe unë të marr një leje shfrytëzimi dhjetë deri njëzetë vjeçare. Atëherë mund të ndërtoja një shtëpi të vogël pranë stanit, ku të merrja dhe familjen. Po kështu mund të ndërtoja një stallë verore tek stani. Kjo do ta shtonte të paktën dhe një muaj qëndrimin në bjeshkë, dy javë përpara e dy javë pas datës që ne ikim zakonisht. Stalla na shërben dhe në netë të veçanta, kur moti është me shira, erë e rrebeshe. Pajisja me ndonjë panel diellor na mundëson një ndriçim minimal, pak ujë të ngrohtë, karrikim telefoni e plot gjëra të tjera, që në kushtet e stanit do të ishin luks për ne.
Rruga për të shkuar e për të ardhur është një hall më vete. Nuk është se ata shkojnë vetëm njëherë. Qumështi transportohet çdo ditë me kuaj për në baxho. Ushqimet për njerëz e qen, krypa e furnizimet e tjera bëhen shpesh. Po të ishte rruga më e mirë dhe turizmi do të ishte në limite të pa imagjinueshme. Kush nuk do të donte të shihte liqenin e Gramës, bjeshkën e Zonjave, ku qëndrojnë ato, apo vise të tjera po aq të bukura? Kush nuk do mahnitej e mrekullohej duke shijuar kosin, djathin e mishin e njomë, të mbrujtur me lulet shumëngjyrëshe të bjeshkës? Turisti do të kthehej sërish vitin tjetër, duke marrë plot miq e shokë të tjerë. Që këtë vit Asllani kishte marrë në bjeshkë dhjetë pula deti të gjalla dhe rreth 30 pula shtëpie, për ti pasur atje vezët e freskëta. Disa blegtorë të tjerë, si ajo e Dertit nga Blliçja, kanë ngjitur sipër koshere blete, duke prodhuar një mjaltë, që nuk gjen të dytë si ai. Këto imazhe të bukura e shumë të tjera si këto nuk do ishin aspak një trill imagjinate, por një përvojë e jetuar, mjaft që të plotësohej ai kriteri që përmendëm, dhënien e bjeshkës me një qira shumëvjeçare.

TË TJERA AKTIVITETE

Familja Ndregjoni është vazhdimisht në punë e në lëvizje, si një zgjua mbushur me bletë punëtore. Babai, Hazizi, nuk i ndahet me fugonin e tij linjës së Brezhdanit me qytetin e Peshkopisë. Sa herë që ka ndonjë pushim u përvishet punëve të shumta të fermës me mbi dyzet dynymë tokë të mbjellë me jonxhë, misër, grurë e ndonjë kulturë tjetër. Dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Asllani, gjysmën e kohës janë në shërbim të fermës dhe gjysmën tjetër punojnë në Gjermani në një kompani ndërtimi. Nuk ka zanat e mjeshtëri, që ta shohë njëherë Asllani dhe të mos e bëjë. Po aq mirë sa blegtorinë di të shtrojë pllaka, të punojë gurin dekorativ, të punojë tokën me zetorë, të kosisë e të mbledhë jonxhën me mjete mekanike, apo të punojë me fadromën e firmës në Gjermani. Po kaq fort punojnë dhe gratë e kësaj familje, duke i bërë më të lehta punët për burrat e tyre. Përveç gati 400 kokë deleve, ata mbarështojnë dhe katër lopë të mëdha, me vlera të larta racore, dhjetë kokë dhi dhe shtatë kuaj, duke e bërë më të larmishme dhe më efiçente fermën e tyre. Këtë vit që vjen ata duan të ndërtojnë një stallë moderne, që ti përgjigjet shtesës progresive të numrit të krerëve dhe për të lehtësuar shërbimet në të. Pak ndihmë nga shteti, fare pak. Në Greqi, te pronari me tremijë kokë që përmendëm në fillim, qumështin e mishin e merrnin te dera e stallës. Por kjo nuk i pengon këta njerëz për të ecur përpara. Ja, kështu ecën çdo ditë e më e sigurt, çdo ditë e më e rritur ferma e familjes Ndregjoni, duke na dhënë surpriza të këndshme, duke lartësuar akoma më shumë emrin e saj.