Masakra serbe në Sopot të Zerqanit


Rrëfen për “Rrugën e Arbërit”, Isa Kola, 92 vjeç, nga Sopoti i Zerqanit, mbi bazën e kujtimeve të familjes së tij, mbi këtë ngjarje, në të cilën ka marrë pjesë edhe gjyshi i tij, Qerim Kola: Ja si u masakruan të therur me bajoneta nga patrulla serbe, 5 burra nga fshati Sopot i Zerqanit, 3 prej të cilëve vëllezër të së njëjtës familje.

Me tërheqjen e Perandorisë Osmane, nga Rumelia, pra edhe nga Dibra, në fillim vitin 1912, shtetet ballkanike, shfaqën orekset e tyre, për zaptimin e trojeve shqiptare. Të gjithë këta shtete, nisën bisedime të fshehta e drejtpërdrejta, për ndarjen e Shqipërisë në copa për vete. Pikërisht, në këtë kuadër, Dibra ra pre e sulmeve të ushtrive serbe, të cilat vijuan për 9 vite rresht, nga 1913 deri në 1921.
Masakrat, barbarizmat, djegia e fshatrave, plaçkitja, vrasjet ditën me diell, të burrave dhe grave, në sy të fëmijëve, duke i therur me bajoneta, jashtë çdo caku njerëzor, shkuan deri në vrasje të 3 vëllezërve të së njëjtës familje, duke çuar kështu në zhdukjen e saj. Ka plot dokumente të kohës që dëshmojnë për këto masakra të serbëve mbi popullsinë e fshatrave të Dibrës,. Në plotësim të shpalosjes së këtyre masakrave, një dëshmi e gjallë mbetet ajo që dha për “Rrugën e Arbërit”, 92 vjeçari Isa Kola, njohës i mirë i historisë së Grykës së Madhe (Zerqanit), por edhe më gjërë Dibrës,.
Ja çfarë rrëfen ai për një masakër të serbëve, në fshatin Sopot të Zerqanit:
“Ka qenë një mëngjes janari i vitit 1920, kur në rrugët e fshatit Sopot, ja beh patrulla serbe, e cila si zakonisht bënte krehjen e zonës, për armë e plaçkitje, për t’i hapur rrugën ushtrisë serbe, në sulmet e saj për pushtimin e Dibrës. Patrulla duke kaluar në lagjen Mustafanje, të këtij fshati, është parë nga nëna e Muharrem Zenelit, e ndodhur në oborrin e shtëpisë. Teksa ka dëgjuar të artikulohet fjala pushka, nga patrulla, ajo ka mallkuar duke thënë; “shtatë pushkë ju rafshin”. Porsa marrin vesh për mallkimin e plakës, patrulla bastis shtëpinë e saj, në kërkim të gjetjes së armëve. Pasi nuk mundi të gjej armë, kanë marrë me vete të zotin e shtëpisë, Muharremin. Ndërkohë patrulla urdhëron që të gjithë burrat e fshatit të grumbullohen tek lisi i kuvendit ke varrezat. Komandanti i patrullës serbe, u ka bërë thirrje fshatarëve të dorëzojnë armët.
“Armë, nuk kemi, – ka thënë Muharrem Zeneli.”
“Si nuk keni armë, – ka thënë komandanti serb. Nëna jote tha që shtatë pushkë ju rafshin”, – vijoi komandanti dhe urdhëroi ta rrahin me shkopinj. Për të ndërprerë masakrimin që serbët po i banin bashkëfshatarit të tyre, ngrihen 3 vëllezërit e fisit Kamberi: Selim, Ali dhe Hajredin Kamberi dhe deklarojnë se nuk kanë armë.
“ Ne vetëm të bëjmë pushkë druri për t’i dorëzuar, se të tjera nuk kemi”, – thotë Sal Kamberi.
Siç dhe u duk, komandanti serb, i mirinformuar për armëmbajtje të fshatarëve, jep urdhërin për kontroll në shtëpinë e Kamberëve. Gjatë kontrollit, në hajatin (ahurin) e lopëve, patrulla serbe gjen 3 pushke austriake. Kaq mjaftoi që patrulla serbe të niste masakrimin e banorëve të këtij fshati.
Pas rrahjes në grup të fshatarëve, komandanti urdhëron veçimin nga turma, të 6 prej tyre, për t’i vrarë: Selim Kamberi, Ali Kamberi, Hajredin Kamberi, vëllezër, Sal Kamberi, Muharrem Zeneli dhe Tahir Hoxha. Në fjalën e tij të fundit para ekzekutimit, Muharrem Zeneli, i thotë kryeplakut të fshatit, Xhabir Zeneli: “- Mos mi ler në shpirt 4 napolonat, që ja kam borxh Ahmet Lokës”.
Pasi e dëgjoi këtë serbi, lëshoi si nëpër dhëmbë: “-Lirojeni qenin të punojë e copëtohet vetë për të larë borxhin, duke i falur kështu jetën. Ndërkohë 5 të tjerët, Selim, Ali dhe Hajredin Kamberi, vëllezër, Sal Kamberi dhe Tahir Hoxha, i vrau duke i therur me bajoneta në oborrin e shtëpisë në sy të fëmijëve”.
“Masakra të tilla, si kjo e Sopotit, – tregon 92-vjeçari Isa Kola, – kanë vijuar edhe në fshatra të tjerë të Grykës së Madhe, si Zerqan, Valikardhë, Peladhi, si dhe Dushaj, Dragu, e Vajkal në Bulqizë, ku serbët kanë msakruar në mënyrë makabër luftëtarët e këtyre fshatrave, në mbrojtje të trojeve të tyre, duke i therur me bajoneta, në sy të fëmijëve, duke mos kursyer as vrasjen e grave, siç dhe ka ndodhur në Dragu të Bulqizës.”