Misionet angleze dhe përshtypja e tyre për krerët dibranë gjatë Luftës


 

Në nëntor, siç do të kujtonte Ridëlli, veprimet e gjermanëve përreth Dibrës i kishin bindur shumë vendas se nuk ia vlente të bënin qëndresë. Prej veprimtarisë së gjermanëve misioni kishte mbetur pa lidhje telegrafike me Kajron dhe ishte detyruar që të fshihej dhe të mbështetej tek vendasit për strehim dhe mbrojtje. “Ishte tashmë një çështje mbijetese më tepër se sa çdo gjë tjetër, prandaj Toni Simkoks dhe Majkëll Lis dhe unë u tërhoqëm në shtëpinë e një pjesëtari të familjes Lita, i cili jetonte lart mbi shpatet e malit të Korabit dhe mjeti kryesor i jetesës ishin inkursionet në Kosovë për të grabitur dele. “Kaluan javë dhe nuk kishin shumë për të bërë. Ridëlli dhe Lis bënin garë se kush t’i rriste më tepër mustaqet. Në mbrëmje ata luajtën me letra dhe vunë bast me stërlina dhe mushka, por asnjë shumë nuk ia kërkuan ndonjëherë njëri-tjetrit”. Erdhën Krishtlindjet; “ziemë një dhi” dhe “si i ftuar nderi, m’u desh të haja një nga sytë e saj” dhe “zbukuruam një pemë me fishekë.” “Të gjithë pranuam se, pas luftës, çdo Krishtlindje do të vinim një fishek ose krehër fishekësh mbi pemën e Krishtlindjeve. Unë e bëra këtë për vite me radhë.”
Në janar, duke kërkuar për të mbijetuar nga misioni i Dejvisit në pjesën perëndimore, Ridëlli takoi Xhon Dejvisin dhe Gregson-Ollkotin, të cilët kishin qëndruar në arrati që nga periudha e Krishtlindjeve. Pastaj, kur Hiberti erdhi nga Dega me një aparat ndërlidhje, misionit iu rikthye lidhja telegrafike. Ishte kërkuar një lëshim me parashutë që nga nëntori, që do të ishte lëshimi i parë për Ridëllin, por, kur ai u krye, vendasit i vodhën gjysmën e rezervave, por gjithsesi u shtuan shpresat se ata do të ishin aktivë. Në shkurt, Ridëlli dhe oficerët e tij po i zgjeronin përsëri kontaktet me familjet, krerët dhe fiset vendase. Ridëll ishte kryesisht në kontakt me familjen Kaloshi, Majkëll Lis me familjen Lita, ndërsa Hibert dhe Simkoks kryesisht me Muharrem Bajraktarin. Pasi u larguan Hends dhe Haiberdin, një forcë e përbashkët e përbërë nga xhandarë dhe gjermanë u dukën në luginë, dogjën shtëpitë dhe pyetën se ku gjendeshin britanikët. Pastaj, i erdhi radha për t’u larguar grupit të Ridëllit. Gjermanët u tërhoqën nga mesi i prillit, kështu Ridëlli dhe njerëzit e tij iu rikthyen punës.
Zhgënjimi i misionit u rrit, sepse përpjekjet e tij nuk sollën shumë rezultat. Lidhur me familjet dibrane, si, për shembull, familjen Kaloshi, Hibert shkroi më vonë:
Në zonën e Dibrës anarkia për shkak të drejtimit nga ana e krerëve shkon në ekstrem. Pothuajse nja dhjetë prej këtyre krerëve kontrollojnë zonën dhe secili ka zonën e vet të ndikimit e përpiqet gjithmonë që ta shtrijë drejt asaj të fqinjit. Mburrja për pasurinë dhe ndikimin personal qëndron në bazë të politikës së tyre. Ata flasin shumë për patriotizëm, por është e vështirë në realitet të gjesh edhe gjurmën e tij më të vogël në parime apo në praktikë …
Çdo dibran të deklarohet i gatshëm për të luftuar gjermanët; flet me fjalë të zjarrta për patriotizmin e tij dhe nëse është e mundur për aktivitetin që ka pasur familja e tij në të kaluarën. Këto rrëfime janë të tepruara dhe kalojnë çdo cak. Ai jep një vlerësim për numrin e ndjekësve të tij dhe përmend të gjithë fqinjët që janë nën ndikimin e tij dhe tepër të gatshëm për ta ndjekur. Përmend shifra prej 2000 vetash, por faktet më vonë dëshmuan se nuk kishte në dispozicion më shumë se 50 vetë. Ai shpreson në këtë mënyrë që të sigurojë furnizime nga britanikët dhe kështu të grumbullojë të tjerë…
Ata i kanë krijuar vetes një reputacion të jashtëzakonshëm për mikpritjen, saqë thonë se kur je n ë konakun e tyre, të gjitha gjërat e tua janë të sigurta dhe do të të plotësohen të gjitha dëshirat. Majori Ridëll mund të përmendë shumë raste vjedhjesh të gjërave të tij në një shtëpi dibrane, por, nëse do ta bënte këtë, nuk do t’i mjaftonin faqet e raportit. Nëse ekziston mikpritja, është vetëm për interes të ndonjërit prej krerëve që është me ju dhe kujdeset për ju me shpresën se kjo do t’i shërbejë qëllimeve të tij. Kur keni nevojë për strehim dhe jeni në arrati, po të mos keni ndikimin e një kreu për t’iu ndihmuar, një fshatar do t’ua mbyllte derën dhe nëse do ishte e nevojshme do t’u shtinte për t’iu bërë që të largoheni…
SOE kishte shpresuar për një kohë të gjatë që të arrinte diçka me anë të Muharrem Bajraktarit. I mërguar në vitin 1930, për pjesëmarrje në intriga kundër Zogut, ai ishte kthyer pas pushtimit italian, kishte ngritur një çetë dhe përpara se të arrinte Mëklini, ishte një nga pak guerilasit, emri i të cilit kishte arritur deri tek britanikët. Megjithatë, që me ardhjen e gjermanëve, ai kishte bërë shumë pak dhe kur misioni po bashkëpunonte me të, në mënyrë që ai të ishte aktiv, ai kërkoi subvencione të çuditshme në ar përpara se të vepronte, dhe të mjaftueshme për të garantuar që çdo forcë e krijuar prej tij, t’i rezistonte reprezaljeve të gjermanëve. “Muharremi nuk është budalla… Ai e dinte se kur gjermanët ta thyenin rezistencën dhe të shkatërronin ndonjë zonë të veriut në shenjë reprezalje, njerëzit e zhgënjyer do t’i braktisnin krerët e tyre.” Në të vërtetë, ai mund të bënte rezistencë si “shembulli më i shkëlqyer dhe më i plotë i krerëve shqiptarë të veriut.” Ai ishte, gjithashtu, “shëmbëlltyra më e afërt me një xhentëllmen, që ky mision kishte gjetur në Shqipëri.” Ai ndihmoi çdo mision aleat që kalonte nëpërmjet Lumës edhe gjatë dimrit, duke bërë të pamundurën, dhe kurrë nuk e konsideroi misionin sikur të kishte ndonjë detyrim ndaj tij.” Por, ai nuk luftoi kurrë dhe, meqenëse furnizimet mund t’i jepeshin vetëm shqiptarëve që angazhoheshin në luftime, e gjitha ajo që britanikët i dhanë atij ishin “50 stërlina të arta, një armë e lehtë automatike Bren dhe një Marlin SMG”.
…Në një raport që Iden (ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe) i dërgonte Çërçillit (kryeministër) atë verë jepet një shembull tipik i pikëpamjeve të Foreign Office-t. Çërçilli kishte marrë një telegram nga Brod, që nënvizonte “kërcënimin e vërtetë nga ana e gjermanëve” me të cilin po përballeshin partizanët në Dibër dhe se situata “e luftës civile nuk përbënte tashmë një problem serioz”. Çërçilli i dërgoi një promemorie Idënit si më poshtë: “Më dërgoni një shënim lidhur me këtë, ku të tregohet se me cilën anë jemi.” Në përgjigjen e Idenit, që ishte përgatitur tre javë pas kalimit të partizanëve në veri dhe sulmit kundër Kupit, evidentohej qartë se FNÇL ishte një lëvizje “e majtë,” “me një element të fortë komunist” dhe “e vetmja organizatë në Shqipëri që po luftonte në mënyrë aktive kundër gjermanëve.” Aty shtohej, megjithëse nuk ishte aq e saktë, se ndikimi i FNÇL “kufizohej vetëm në jug” dhe ekzistonte mundësia e pajtimit me Abas Kupin. Dhe kur Brod raportonte nga fillimi i gushtit se situata mund ta kërkonte tërheqjen e Mëklinit, Foreign Office mbajti të njëjtin qëndrim si në të kaluarën: “Në këtë fazë të luftës nuk duam të angazhohemi tepër me njërën anë ose me tjetrën dhe unë jam kundër tërheqjes së oficerëve të ndërlidhjes nga Kupi,” shënonte në protokollin e mbledhjes Armine Dew. “Zëvendës nënsekretari, Sër Orm Sargjënt, ishte dakord.” Më në fund, vetëm në shtator, Ideni pranoi se Foreign Office nuk kishte asnjë përfitim nga misioni që ishte pranë Kupit. “Është e sigurt se të lësh oficerët tanë pranë tij, do të thotë të kërkosh telashe. Është më mirë që t’i largojmë ata.”

(Marrë nga libri
“Lufta e fshehtë në Shqipëri”, i Roderick Bailey, botimet “Naimi”,Tiranë 2019)