Ndjekja nga LID dhe Gazeta “Rruga e Arbërit” e punës së kryer për ndërtimin e Rrugës së Arbërit gjatë viteve 2007-2018 dhe ecuria e punimeve të ndërtimit të kësaj rruge në periudhën 2018–prill 2019


Në foto: Bashkim Lleshi, duke mbajtur referimin

Pas shumë përpjekjesh, në vitet nëntëdhjetë e fillimin e viteve 2000, të shoqatave “Nisma Dibrane” në Peshkopi, “Bashkësia Dibrane” në Tiranë e “Votra Dibrane” në Dibër të Madhe, si dhe shumë studjuesve e intelektalëve dibranë u arrit që më 2003 të futet në planin e shtetit “Studimi i fizibilitetit të Rrugës së Arbërit” i cili u përfundua nga Studioja “Infratransprojekt Ltd” në fund të vitit 2003, ku u miratua dhe në Këshillin teknik të Drejtorisë së Përgjithëshme të Rrugëve. Më qershor të vitit 2004 u miratua dhe në Këshillin Kombëtar të Rrugëve. Kështu i gjithë komuniteti dibran mendoi se u hap drita jeshile që edhe Dibra të bëhej me rrugën që i takonte për t’u lidhur me Tiranën.
Në qershor të vitit 2005 në prag të zgjedhjeve parlamentare, ish kryeministri Nano vendosi një tabelë të madhe, afër Gurëve të Skënderbeut në dalje të Bulqizës, ku shënohej se filluan punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbërit dhe filluan gërmimet me një buldozier të madh, pa u hartuar dhe miratuar projekti teknik për segmentin Dalje e Bulqizës-Ura e Çerenecit, ku sipas studimit të Fizibilitetit rruga duhet të hapej në krahun tjetër të luginës nga Draguni në Fushë Bulqizë. Menjëherë pas zgjedhjeve punimet u ndërprenë dhe me gjithë premtimet edhe të krahut që fitoi zgjedhjet se do të fillohej menjëherë nga projekti i zbatimit e ndërtimi i rrugës, u deshën edhe dy vite të tjera të planifikohej e miratohej projekti teknik i segmentit Bulqizë-Ura e Cerenecit më 2007.
Një shtytje të mëtejshme për njohjen dhe leverdinë e hapjes së kësaj rruge ka dhënë krijimi i Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” dhe organi botues i saj me emrin “Rruga e Arbërit” në maj të vitit 2006. Që në numrin e parë të kësaj gazete u ri botua artikulli i prefektit të Dibrës Xhafer Seiti, “Rruga e Arbërit integron jo vetëm Dibrën”, marrë nga gazeta “Shqip” ku shtrohet si domosdoshmëri ndërtimi i kësaj rruge që me të drejtë zoti Seiti thekson se : “Integron jo vetëm Dibrën”. (Xhafer Seiti maj 2006)
Në këtë numër të Gazetës “Rruga e Arbërit”, Shaqir Skarra, boton artikullin “Rruga e Arbërit, përmasa kombëtare e munguar” (Shaqir Skarra maj 2006) ndërsa Bujar Karoshi boton artikullin “ Një e vërtetë mes shumë të vërtetash” ku thekson se “ Rruga e Arbërit nuk është vetëm një titull gazete… kjo rrugë është kthyer në personifikim të së ardhmes”. (Bujar Karoshi maj 2006)
Për të prishur heshtjen e qeveritarëve që kishin premtuar se me të fituar zgjedhjet do të fillonte rruga, në numrin e dytë të kësaj gazete u botua artikulli: “Pushtetarë dhe opozitarë, edhe sa kohë do të vazhdoni të mos e mbani premtimin e dhënë për ndërtimin e Rrugës së re të Dibrës, Rrugës së Arbërit” ?.(Bashkim Lleshi qershor 2006) Në numrin 3 të kësaj gazete përsëri shkruan prefekti Seiti : “Rruga e Arbërit do ndërtohet por kam dëshirë t’a ndërtojë qeveria që përfaqësoj” . (Xhafer Seiti korrik 2006) Ndërsa në numrat 4 e 6 të saj shkruhen artikujt : “Rruga e Arbërit, rrugë kryesore e vendit krahas rrugës Egnatia që në lashtësi”, (Bashkim Lleshi gusht 2006) dhe “Rruga e Arbrit i shërben edhe zhvillimit të turizmit malor dhe njohjes së mëtejshme të historisë”. (Bashkim Lleshi tetor 2006)
Në shkurt 2007 në gazetën “Rruga e Arbërit” u botua artikulli i diplomatit Abdi Baleta “Sali Hapi dy arteret koronare të Shqipërisë” marrë nga gazeta “Rimëkëmbja” ku përshkruan rëndësinë shumë të madhe që kanë për Shqipërinë ndërtimi i këtyre dy akseve rrugore. (Abdi Baleta shkurt 2007), gjeologu i pasionuar dibran Vesel Hoxha boton artikullin “ Rruga e Arbërit, rruga e zhvillimit të Shqipërisë lindore” ku përshkruan me hollësi për lexuesit e gazetës Rruga e Arbërit, pasuritë e njohura nëntokësore e mbitokësore të kësaj treve që do të vihen në lëvizje me ndërtimin e kësaj rruge. (Vesel Hoxha shkurt 2007), ndërsa gjeologu i vjetër matjan Agim Shenjatari në mars 2007 informon lexuesit për “ Pasuritë minerale të rrethit të Matit dhe zhvillimin që do të marrin ato me ndërtimin e Rrugës së Arbërit.” (Agim Shenjatari mars 2007)
Të shqetësuar nga vonesa për fillimin e punës për ndërtimin e rrugës, Shoqata “LID” e mbështetur edhe nga shoqatat e tjera dibrane, më 7 maj 2007 organizoi Kuvendin Tekniko Shkencor për Rrugën e Arbërit. Në këtë kuvend referuan me nivel të lartë shkencor studjues dibranë e jo dibranë si : “Rruga e Arbërit, rruga kryesore e vendit, krahas Rrugës Egnatia që në lashtësi” (Valter Shtylla), “Studim për mundësinë e ndërtimit të Rrugës së Arbërit” (Përmbledhje e studimit të fizibilitetit) nga studjoja “Infratransprojekt Ltd ” (Faruk Kaba, etj.) “Rruga e Arbërit në teritorin e Maqedonisë Dibër-Gostivar-Tetovë-Shkup” (Shefki Aliti), “Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim me ndërtimin e Rrugës së Arbërit” (Vesel Hoxha, etj.) “Pasuritë minerale të rrethit të Matit që do të vihen në lëvizje për ekonominë e tregut me ndërtimin e Rrugës së Arbërit” (Agim Shenjatari) dhe “Rruga e Arbërit-Premisë për zhvillimin e turizmit” (Bashhkim Lleshi, Avni Dibra), të cilat u botuan në gazetën “Rruga e Arbërit”.
Konkluzionet e kësaj konference me propozimin që të fillonte sa më shpejt ndërtimi i kësaj rruge, kryesia e LID nëpërmjet kryetarit të saj Prof. Nuri Abdiu, ia dërgoi Qeverisë, Ministrisë së Ndërtimit dhe Drejtorisë së Përgjithëshme të Rrugëve.
Për shoqatën “Lidhja e Intelektualëve dibranë dhe gazetën e saj “Rruga e Arbërit” vitet 2006 e 2007 u kthyen në vite sensibilizimi për rrugën e Arbërit jo më për komunitetin dibran por më shumë për qeveritarët e pushtetarët e këtij vendi, për ato që premtonin se do të fillojmë menjëherë punën për ndërtimin e kësaj rruge, para zgjedhjeve, por që menjëherë pas zgjedhjeve harronin se çfarë kishin premtuar. Pas gjithë këtyre përpjekjeve u arrit që në vitin 2007 të fillojnë projektet e zbatimit të kësaj rruge dhe në tetor 2007 u zhvillua tenderi për ndërtimin e segmentit Bulqizë-Ura e Çerenecit.
Gazeta “Rruga e Arbërit” në numrin e saj të parë të vitit 2008 jep sihariqin për fillimin e punës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit nëpërmjet redaktorit të saj Bujar Karoshi, këtij djali të ri të papërtueshëm e të talentuar dibran, një nga nismëtarët e parë të kësaj rruge. Por çudia e madhe është se punimet për rrugën filluan aty ku Fatos Nano preu shiritin në vitin 2005, në dalje të Bulqizës, në rrugën ekzistuese, në një kohë që aksi i rrugës sipas Studimit të Fizibilitetit duhet të kalonte në krahun tjetër të luginës, në një kohë që projektin e zbatimit e ka hartuar po ajo studio që ka kryer Studimin e Fizibilitetit dhe në vend që ti përmbahet aksit të miratuar ose të bëjë përmirësime të mëtejshme në projektin e zbatimit, harton një projekt teknik që është rikonstruksion i rrugës ekzistuese, me shumë pak përmirësime, me gërmimë të mëdha, etj. që nuk i përgjigjet standarteve të kohës për rrugët. Të shqetësuar nga këto veprime në maj të vitit 2008 u botua në gazetën “Rruga e Arbërit” artikulli: “Pse lejohet të bëhen ndryshime të aksit të rrugës së miratuar në studimin e fizibilitetit në dëm të cilësisë së saj”. (Bashkim Lleshi maj 2008) Artikullin e mësipërm e botuan edhe dy organe të tjera shtypi, “Zëri i Popullit” dhe “Ekonomia” dhe më korrik 2008 në gazetën “Ekonomia” u paraqitën edhe propozimet për të mos bërë ndryshime për pjesën e rrugës në luginën e Vajkalit, hyrjen e Tunelit të Qaf Buallit nga Bulqiza dhe Urën e Vashës, duke j’u përmbajtur asaj që ishte shkruar e miratuar në Studimin e Fizibilitetit. (Bashkim Lleshi 29 korrik 2008).
Për t’u dalë përpara këtyre shqetësimeve më nëntor 2008 u botua libri “Gjeologjia e Rrugës së Arbërit” ku paraqitet në mënyrë të përmbledhur, historikisht, kontributi i gjithë intelektualëve e studjuesve dibranë e jo dibranë për Rrugën e Arbërit dhe jepet Studimi i plotë i pjesës gjeologo-teknike të paraqitur në Studimin e Fizibilitetit të kësaj rruge. (Bashkim Lleshi nëntor 2008) Ky libër ju dërgua të gjithë personave përgjegjës në organet drejtuese shtetërore për të patur parasysh se ç’farë është miratuar sidomos për aksin ku kalon kjo rrugë, për tunelet dhe Urën e Vashës dhe për të mos lejuar ndryshime sidomos të aksit të rrugës dhe veprave inxhinierike të rëndësishme (tunele e ura) në dëm të cilësisë së saj.
Nga viti 2008 e në vazhdim janë të njohura përpjekjet e Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” ku nëpërmjet gazetës “Rruga e Arbërit” ka ngritur vazhdimisht shqetësimet se rruga po vazhdon të ndërtohet jashtë standarteve të kohës.
Në korrik të vitit 2009 filloi puna për ndërtimin e segmentit Bulqizë-Ura e Vashës. Në intervistën që ka marrë gazetari Bujar Karoshi në shkurt të vitit 2009 në studion “Infratransprojekt Ltd” thuhet : “… Me një tunel në Qafën e Buallit 847m. ajo del në luginën e Planit të Bardhë duke vazhduar deri tek Ura e Vashës…” (Bujar Karoshi shkurt 2009) Në vazhdim jo vetëm se nuk u zbatua asnjë afat për ndërtimin e këtij segmenti por për tunelin e Qaf Buallit filluan diskutimet në se duhet hapur apo jo dhe më në fund ai nga 850m në studimin e fizibilitetit e 847m në projektin teknik të zbatimit u reduktua në 460m. Edhe vazhdimi i rrugës nga Bulqiza në tunelin e Qafë Buallit pësoi ndryshime duke e diskutuar se mund të bëhet me ose pa tunel, se tuneli është në formacione të shkatërruara, etj. duke mos ju përmbajtur aksit të vendosur në Studimin e Fizibilitetit dhe duke bërë jo vetëm ndryshim të aksit duke e ngritur atë mbi varrezat e Bulqizës e duke bërë një usek të pa nevojshëm., si dhe u zgjat traseja e rrugës poshtë Urës së vjetër të Vashës, me justifikimin për të lidhur edhe Klosin sikur kjo rrugë po bëhët për të lidhur Dibrën me Klosin e jo me Tiranën e Durrësin.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2013 kryefjala e premtimeve para elektoratit dibran, të dy krahëve të politikës, ishte premtimi se do të përfundojnë Rrugën e Arbërit. Krahu i majtë që fitoi zgjedhjet premtoi se në vjeshtë do të fillojnë punimet, por iku edhe vjeshta e fundi i vitit 2013 ikën edhe vitet 2015 e 2016 dhe në rrugën e premtuar nuk u hodh asnjë kazëm. Bile Qeveria e sotme për t’i dhënë gjoja rëndësi të veçantë kësaj rruge shpiku edhe një miratim Ligji të veçantë në paralament, kur nuk ishte nevojë ligjore, i cili nuk u zbatua.
Më 9 nëntor 2012 një grup i TV Dibra i përbërë nga drejtori Afrim Lela, bashkëpunëtori i tij Naim Lleshi dhe gazetarë e operatorë kryen një eskursion në aksin e Rrugës së Arbërit nga Dibra, Bulqiza, Ura e Vashës, Qaf Murriza deri në Zall Dajt e Tiranë. Në zonën ë Zall Dajtit u takuan edhe me përfaqësuesit e LID dhe ND, Bashkim Lleshi e Bujar Karoshi. Ata përgatitën një emision televiziv qe e dhanë disa herë në TV Dibra.
Më 31 gusht të vitit 2013 një grup pune i shoqatave “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” dhe “Nisma Dibrane” i përbërë nga Bashkim Lleshi, Musa Riçku, Demir Osmani, Bujar Karoshi, Hysen Uka, Afrim Karoshi e Kujtim Buci, kryen vrojtime nga Ura e Vashës deri në Tiranë dhe konstatuan se: “Gjatë gjithë aksit që përshkon Rruga e Arbërit, pothuajse vetëm traseja e hapur nga Tuneli i shkurtër në afërsi të Zall Dajtit deri tek ish Uzina e Artilerisë në afërsi të Urës së vjetër të Brarit dhe një pjesë e trasesë në luginën e Planit të Bardhë e mbi Urën e Vashës, mund të quhen trase të Rrugës së Arbërit, ndërsa në pjesët e tjera kemi ose rikonstruksion të rrugës ekzistuese ose shmangje nga aksi i Rrugës së Arbërit.” (Bujar Karoshi, Gazeta “Rruga e Arbërit” gusht 2013) Shmangja më e madhe është ajo ku po hapet Tuneli i Qaf Buallit e cila është trajtuar që në vitin 2008 e në vazhdim. (Bashkim Lleshi 2008, 2013)
Gjeologu i vjetër dibran, prof. as. dr.Vesel Hoxha, pasi lexon artikullin e gazetarit Bujar Karoshi të muajit gusht 2013 “Shpëtoni rrugën e Arbërit”, në Gazetën“Rruga e Arbërit” shkruan, “…Standarti i Rrugës së Arbërit është në rrezik…” Ky është sinjal alarmi…”( Vesel Hoxha shtator 2013)
Në intervistën që i ka dhënë inxhinieri shqiptar Shefki Aliti, korespondentit të gazetës “Rruga e Arbërit” Bujar Karoshi, në shtator të vitit 2013, tërheq vemendjen se, Rruga e Arbërit po ndërtohet larg standarteve europiane. Ai thekson se : “… Kjo nuk është një autostradë që lidh dy shtete e më tej por një rrugë lokale” (Shefki Aliti, shtator 2013)
Meqënëse hapja e tunelit të Qaf Buallit dhe fillimi i punimeve në objektet e tjera u ndërprenë për një kohë të gjatë, drejtuesit e dy shoqatave të “Lidhjes së Intelektualëve Dibranë” dhe “Nismës Dibrane”, në mars të vitit 2014, i dërgojnë një relacion Ministrit të Transportit e Infrastrukturës dhe 6 deputetëve të Dibrës, ku propozojnë : “ …që për objektet e rëndësishme të kësaj rruge si, tunelet e Qaf Buallit e Qaf Murrizës dhe Urën e Vashës, të rishikohen e përmirësohen projektet e zbatimit, duke bërë edhe krahasimet me projektet e hartuara…” (Nuri Abdiu, Bujar Karoshi, 2014)
Për çudi, në fillim të tetorit të vitit 2014, menjëherë pas vizitës së Kryeministrit Rama në Kinë më 11 shtator, kur u dha sihariqi se Rruga e Arbërit do jepej me konçension dhe për objektet që nuk ishin filluar u sugjerua se duhet të kryhen përmirësime që në fazën e projektimit, filloi me shpejtësi hapja e tunelit të Qaf Buallit në vendin ku nuk duhet të vazhdonte hapja e tij duke shënuar edhe një njollë tjetër të zezë që ka prishur cilësinë e kësaj rruge.
Në dhjetor të vitit 2014 në gazetën “Rruga e Arbërit” u botua artikulli : “Urojmë që fatin e Tunelit të Qafë Buallit të mos e pësojë Tuneli i Qafë Murrizës”(Bashkim Lleshi dhjetor 2014)
Ku shkruhet se : “ …Nuk ka arësye gjeoteknike e hidrogjeologjike për të ngritur lartësinë e tunelit të Murrizës nga 800-850m. në 950m. mbi nivelin e detit, rrjedhimisht shkurtimin e gjatësisë së tij nga 3000 deri 3500ml. të parashikuar, në 2400ml. duke prishur cilësinë e rrugës.”
Më 16 dhjetor 2014 në Tiranë u nënshkrua në parim Memorandumi i Bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe asaj Kineze, ku Banka Kineze “Eksim Bank” do të financojë disa projekte në vendin tonë, e në rradhë të parë projektin për përfundimin e Rrugës së Arbërit. Më së fundi filloi të ngjallet shpresa, që edhe rruga e shumë përfolur e Dibrës, Rruga e Arbërit të vihet në rrugën e zgjidhjes. Por nuk vonoi shumë dhe kjo shpresë u venit në vitin 2015. Për të ringjallur shpresat e dibranëve, gjoja për t’i kushtuar një rëndësi të veçantë ndërtimit të kësaj rruge u hoq dorë nga rruga e njohur ligjore e tenderimit, duke miratuar një Ligj të veçantë në Parlament më 16 prill 2015, për dhënjen e kësaj rruge me konçension. Në shtator 2015 në artikullin e Bujar Karoshit “Vihet në dyshim financimi kinez për Rrugën e Arbrit” thuhet : “Të deleguar të firmave kineze në Shqipëri deklarojnë tërheqjen e “Exim Bank” por “China State Construction” vazhdon negocimin. Deputetët Përparim Spahiu dhe Ulsi Manja : Gjithçka po ecën sipas parashikimeve. Punimet nisin në janar” (Bujar Karoshi shtator 2015)
Më dhjetor 2015 kryeministri Rama takon në Pekin Kryeministrin kinez Li Keqiang dhe përsëri deklarohet se do ta ndërtojmë Rrugën e Arbërit, ndërsa më janar 2016 Rama theksoi se : “Po e vonojmë firmën për Rrugën e Arbërit në interes të publikut”,… “por mandati i qeverisjes po të mbaron zoti Rama, po rrugën kujt po ia len, publikut?!” (Bujar Karoshi dhjetor 2015, janar2016)
Në gazetën Ruga e Arbërit të dhjetorit 2015, gazetari Bujar Karoshi citon dekleratat e kryeministrit Rama, kryeparlamentarit Meta, të mininistrave Haxhinasto, Cani e Ahmetaj dhe deputetëve Spahiu e Manaj nga janari e deri në dhjetor 2015 duke deklaruar nga muaji në muaj se : “… jemi në negociata, se do të fillojmë në qershor, në shtator apo në fund të vitit e janar, erdhi dhe fundi i vitit dhe deputetët dibranë përgjigjen se nuk kemi informacion, kur të informohemi do t’ju njoftojmë, por edhe viti të dashur deputetë mbaroi, filloi dhe 2016-ta dhe fillimi i punimeve për rrugën nuk po duket.” (Bujar Karoshi dhjetor 2015)
Në gazetën Rruga e Arbërit më janar 2016 shkruhet se Peticioni i nisur online që në mars të vitit 2013 po përhapet edhe në mediat e tjera sociale. Gëzim Alpion pedagog në Universitetin e Birmingamit, nismëtari i peticionit thekson për gazetën : “Përveç 2000 nënshkrimeve me formularë, nisma jonë tani ka edhe mbi 8000 përkrahës online”. Grupi lobues i këtij peticioni në tryezën e rrumbullakët të organizuar në Tiranë në maj 2014 arriti të bashkojë një gjysëm dyzine parlamentarësh të cilët nuk janë bërë asnjëherë bashkë për të ngritur zërin në Kuvend për Rrugën e Arbërit. (Bujar Karoshi janar 2016)
Mbështetur në Relacionin e vitit 2014, përsëri pas tre vitesh më 20.04.2017 në emër të kryesisë së LID e ND me nënshkrimin e kryetarëve Edlira Haxhiymeri e Bujar Karoshi u dërgohet përsëri Relacion Ministrisë dhe Autoritetit të Rrugëve duke theksuar se ne vazhdojmë t’i qëndrojmë propozimit për rishikimin e projekteve të zbatimit të rrugës nga Ura e Vashës deri në Zall Dajt, dhe propozojnë që :
1. Të ribëhet projekti i Urës së Vashës që të kalojë në luginën më të ngushtë të lumit të Matit, mbi Urën e vjetër të Vashës.
2. Të mos ngrihet niveli i Tunelit të Murrizës mbi 850 m nga ana e Tiranës, rrrjedhimisht gjatësia të jetë mbi 3000 m. dhe të ndërtohet me dy gryka tunelesh për të përmirësuar standartin e rrugës. Në vartësi të këtyre dy veprave kryesore të bëhen projektet e zbatimit të trasesë nga Ura e Vashës në Zall Dajt.
3. Të rishikohet traseja e rrugës nga Bulqiza deri tek Ura e Cerenecit në drejtim të përmirësimit të standarteve të saj, aty ku ka shmangje nga aksi i miratuar në Studimin e Fizibilitetit. ( Edlira Haxhiymeri e Bujar Karoshi, prill 2014)
Në gazetën Rruga e Arbërit janar 2017 gazetari Bujar Karoshi boton artikullin “Para zgjedhjeve nisin punimet ” (Bujar Karoshi, janar 2017), por u desh që ky lajm të bëhet realitet vetëm nga fillimi i vitit 2018.
Në gazetën Rruga e Arbërit gusht 2017 njoftimi se Qeveria shpall tenderin për dhënjen me koncension të Rrugës së Arbërit. (Bujar Karoshi, gusht 2017)
Më 10 nëntor 2017 prezantohet nga Qeveria projekti i pjesës së mbetur të Rrugës së Arbërit dhe u botua në gazetën Rruga e Arbërit, fjala e kryeministrit Rama, “Rruga e Arbërit nga premtim në realitet” dhe artikulli i gazetarit Bujar Karoshi, “Me Rrugën e Arbërit Dibra kthehet në kopshtin e Tiranës” (Edi Rama, Bujar Karoshi, nëntor 2017)
Në gazetën e muajit mars 2018 u dha njoftimi se “Qeveria firmos kontratën, “Gjoka Konstruksion” gati të nisë punimet”, si dhe nga dibrani Mehmet Dume u botua artikulli “Rruga e Arbërit i bashkon shqiptarët”. (Mehmet Dume, mars 2018)
Në gazetën Rruga e Arbërit nëntor 2018 botohet artikulli i deputetes Almira Xhembulla “Ja ku po punohet në Rrugën e Arbërit” ku jepen detaje të vazhdimit të punimeve në tunelet afër Urës së Vashes dhe tunelin e Murrizit dhe të punës që po kryhen në urat e Vashës, të Shupenzës e Gjoricës, për të cilat raportoi edhe në Kuvendin Popullor. (Almira Xhembulla nëntor 2018)
Po në këtë gazetë gjeologu dibran Vesel Hoxha boton artikullin “Ndërtimi i Rrugës Arras-Lurë domsdoshmëri për zhvillimin e turizmit dhe kërkimin e mineraleve” ku shtrohet si domsdoshmëri për zhvillimin e zonës, ndërtimin e rrugës. (Vesel Hoxha, nëntor 2018)
Në gazetën Rruga e Arbërit shkurt 2019 njoftohet se në Rrugën e Arbërit janë kryer deri tani 30 % e volumit të punimeve, ku punohet në dy shpatet e lumit Mat poshtë Urës së Vashës për hapjen e tuneleve 4 e 6, betonimin e tunelit 5 dhe ndërtimi i këmbëve të Urës së Vashës. Në Zonën e Shupenzës dhe Gjoricës janë në përfundim Urat e Shupenzës dhe Gjoricës dhe vazhdon traseja në mes të dy urave mbi pritën e Zallit të Gjoricës.
Kontributin më të madh për për informimin e qytetarëve se ç’po bëhet me Rrugën e Arbërit e ka dhënë gazeta “Rruga e Arbërit”. Në maj të këtij viti mbushen 13 vite të botimit të saj. Që në numrin e parë të saj në maj 2006 e deri më sot, kjo gazetë ka paraqitur me objektivitet punën e kryer për Rrugën e Arbërit, nëpërmjet bashkëpunëtorëve të saj dhe botuesit të palodhur të kësaj gazete Bujar Karoshi. Gazeta “Rruga e Arbërit” në 13 vitet e botimit, nëpërmjet shkrimeve të bashkëpunëtorëve të saj ka propoganduar vlerat e mëdha turistike që ka rajoni i Dibrës nga Bulqiza e Zerqani, në Dibër të Madhe, Maqellarë e Peshkopi, Grykë të Vogël e Katër Grykët me liqejt e Bukur të Kacnisë dhe Allamanit, në Luzni e Muhurr, Kastriot, Çidhën, Sllovë, Radomirë e Korab, Reç e Dardhë dhe deri në Lurën e bukur malore me liqejt e saj mahnitës.
Bashkëpunëtorë të tjerë të gazetës “Rruga e Arbërit si : Gazmend Kërkuti, Shuip Markja e Tafë Ameti, Abdurahim Ashiku, Shaqir Skara, Hysen Likdisha, Hysen Uka, Agron Totraku, Selman Mziu, Vesel Hoxha, Rruzhdi Bitri, Metush Skeja, Grehans Uka, etj, etj. në shkrimet e inervistat e tyre kanë folur edhe për bukuritë e natyrës së Dibrës, për liqejtë e bukur e mahnitës malorë të Lurës, Balgjajt, Allamanit, Bulqizës e Gramës, për burimet e freskëta të Bulqizës, Okshtunit, Zerqanit, Tuçepit, Kovashicës, Delgjurrës, Selishtës, Luznisë e Muhurrit, Ilnicës, Rabdishtit, Cerjanit, Gramës e Radomirës, për gjurrat e Mazhicës, Lishanit e Muhurrit, për burimet e Reçit e Dardhës, Sllovës, Gramës e Radomirës, për Veleshicën, Setën e Mollën e Lurës, etj.
Në korrik të vitit 2016 gazeta Rruga e Arbërit pjesën më të madhe të shkrimeve të saj ia kushton propogandimit të bukurive natyrore të trevës së Dibrës për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor në këtë krahinë me bukuri të rralla natyrore por të harruar nga pushteti.
Agim Totraku përshkruan bukuritë e rralla të liqejve akullnajore të Balgjajt, të 5 liqeneve të Shtrugës, liqenet e Bataçeve të Kacnisë etj. si dhe florën dhe faunën shumë të pasur të kësaj zone, etj.
Shuip Marku (Markja) përshkruan, bukuritë e masivit malor të Deshatit, 5 liqejt akullnajorë të Deshatit, luginën e bukur të lumit Radika, shpellat e Sharkut e kristaltë të Selenitit në Mavrovë e Kosovrast, fshatrat turistikë të Gajres, Galiçnikut e Kiçinicës, objektet historike të qytetit të Dibrës e rrethinave, Kishat e Shën Mërisë e Shën Jovan Preteça, Manastiret Bigorski e Shën Gjergji fitimtari, Ura e Kaprollit, etj.
Grehans Uka në intervistën dhënë gazetarit Bujar Karoshi tregon disa nga destinacionet e turizmit malor në zonën e Peshkopisë që mund të vizitohen nga turistë vendas e të huaj, duke përshkruar edhe disa nga guidat malore në drejtim të Gramës e Radomirës, organizimin e raftingjeve në lumin e Drinit të zi, etj.
Rruzhdi Bitri në reportazhin “Prapë na çeli Grama” përshkruan bukuritë e bjeshkës së Gramës e të Zonjave ku kanë jetuar zonjat ilire, romake e kastriotët, dhe gjeomonumentet e kësaj zone të studjuara nga gjeologu i apasionuar dibran profesor Vesel Hoxha.
Tafë Ameti, në intervistën dhënë gazetarit Bujar Karoshi tregon për bukuritë e Rekës së Epërme dhe për prezantimin e veshjeve tradicionale, të traditave, zakoneve, lojrave popullore, folklorit e ushqimeve tradicionale të Rekës.
Metush Skeja në reportazhin “Pesë kuriozitete rreth Kalasë së Dodës” shkruan se Korabi është për turizëm duke filluar nga pylli me mështekna në Ploshtan e Rafshi i Sorokolit deri tek shpella e Ago Ymerit e Kepi i Stogit. (Agim Totraku, Shuip Marku (Markja),Grehans Uka, Rruzhdi Bitri,Tafë Ahmeti, Metush Skeja, gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016)
Destinacione të tilla të turizmit malor që mund të vizitohen nga turistë vendas e të huaj mund të organizohen edhe në zona të tjera të Dibrës si : Në zonën e Bulqizës, Zerqanit e Martaneshit deri në Bakgjaj e Kaptinë, liqejve të Balgjajt dhe Komavecit, në zonën e Grykës së Vogël, Katër Grykëve, Luznisë e Muhurrit, në zonën e Arrasit, Dardhës e Reçit për t’u ngjitur në drejtim të Gur Lurës e liqejve të Lurës nga lugina e bukur e madhështore e Setës, apo nga Lan Lura, ose Zall Reçi nëpërmjet luginës së bukur të lumit Molla e Lurës deri tek liqejt, etj. Në këto guida vizitorët do të njihen me bukuritë e natyrës së Dibrës, njohjes me gjeomonumentet, hidromonumentet e biomonumentet (Perikli Qirjazi, Skendër Sala 2006)
Përveç këtyre bukurive, qarku i Dibrës nga Qafa e Murrizës deri në Kala të Dodës në kufi me Kukësin është pëllëmbë e histori, në çdo vend do të ndeshësh një ngjarje të hershme ose të vonshme historike. Rruga e Arbërit do të bëjë që të njihet historia e herëshme dhe e re e këtyre trojeve duke u bërë të vizitueshme jo vetëm për dibranët por edhe për vizitorët tjerë të vendit dhe të huaj.
Me këtë histori lexuesit janë njohur nëpërmjet shkrimeve në gazetën “Rruga e Arbërit” dhe librave të shumë studjuesve e historianëve dibranë, etj. si : Adem Bunguri, Ali Hoxha, Iljaz Kaca, Munir Shehu, Moisi Murra, Qeram Lleshi, Hysen Repa, Selman Mziu, Aziz Keta, Destan Rama, Kristo Zharkalli, etj. (Adem Bunguri 2010, Ali Hoxha 2014, Iljaz Kaca 2003, Munir Shehu 2010, Moisi Murra 2003, Qeram Lleshi 2003, Hysen Repa 2014, Selman Mziu 2011, Aziz Keta 2018, Destan Rama 2014, Kristo Zharkalli 2011)

 

Referimet

Abdi Baleta “Sali Hapi dy arteret koronare të Shqipërisë” Gazeta “Rruga e Arbërit” shkurt 2007
Abdurahim Ashiku “Natyra dibrane, “guaska” që mban perlën e bukurisë shqiptare” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.3(131) mars 2017
Adem Bunguri “Prehistoria e Dibrës” Tiranë 2010
Adi Darsi “Për në Petralbë, një rrugë drejt historisë” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.3(131) mars 2017
Agim Shenjatari ”Pasuritë minerale të rrethit të Matit që vihen në lëvizje për ekonominë e tregut me ndërtimin e Rrugës së Arbërit”
Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007
Agim Totraku “Liqenet e Balgjajt , bukuria e heshtur”, gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016).
Ali Hoxha “Kjo përmendore na kujton se të parët tanë këtë truall e kanë mbrojtur me gjakun dhe jetën e tyre.” Gazeta Rruga e Arbërit nr. 11 (103) Tiranë nëntor 2014
Azis Keta “Rruga e Arbërit, Dëshmitë historike nga Tirana në Bulqizë” G.“Rruga e Arbërit” nr.11 (151) 2018
Iljaz Kaca “Rrugët e vjetra të Dibrës” Tiranë 2003
Bashkim Lleshi “Rruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit më të shpejtë të turizmit malor dhe njohjes së mëtejshme të historisë” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.6 tetor 2006
Bashkim Lleshi “Rruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit më të shpejtë të turizmit malor dhe njohjes së mëtejshme të historisë” Gazeta Rruga e Arbërit nr.6 tetor 2006
Bashkim Lleshi, Avni Dibra “Rruga e Arbërit premisë për zhvillimin e turizmit“
Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007
Bashkim Lleshi “Gjeologjia e Rrugës së Arbërit“ libër Tiranë 2008
Bashkim Lleshi “Pse lejohet të bëhen ndryshime të aksit të rrugës së miratuar në studimin e fizibilitetit në dëm të cilësisë së saj”. Gazeta Rruga e Arbërit maj 2008, Gazeta Ekonomia korrik 2008
Bashkim Lleshi “Pushtetarë dhe opozitarë, edhe sa kohë do të vazhdoni të mos e mbani premtimin e dhënë për ndërtimin e Rrugës së re të Dibrës, Rrugës së Arbërit”? Gazeta “Rruga e Arbërit” qershor 2006
Bashkim Lleshi “Macukulli fshati i historisë së vjetër dhe investimeve të reja” G.“Rruga e Arbërit” prill 2011
Bashkim Lleshi “Urojmë që fatin e Tunelit të Qafë Buallit të mos e pësojë Tuneli i Qafë Murrizës”dhjetor 2014
Bashkim Lleshi “Rruga e Arbërit do ti shërbejë njohjes së mëtejshme të historisë” G.“Rruga e Arbërit” mars 2017
Bashkim Lleshi “Ruga e Arbërit i shërben edhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit malor”G.Rr.Arbërit”prill 2017
Bujar Karoshi “Një e vërtetë mes shumë të vërtetash” Gazeta “Rruga e Arbërit” maj 2006
Bujar Karoshi “Shpëtoni Rrugën e Arbërit” Gazeta Rruga e Arbërit gusht 2014
Bujar Karoshi “Vihet në dyshim financimi kinez për Rrugën e Arbrit, Gazeta Rruga e Arbërit shtator 2015
Bujar Karoshi “ 2015: Deklaratat për Rrugën e Arbrit”, Gazeta Rruga e Arbërit dhjetor 2015
Bujar Karoshi “Kryeministri: Po vonojmë firmën për Rrugën e Arbrit në interes të publikut “,Gazeta Rruga e Arbërit janar 2016
Bujar Karoshi “Qeveria shpall tenderin për dhënjen me koncension të Rrugës Arbërit” Gazeta Rruga e Arbërit gusht 2017
Bujar Karoshi “Me Rrugën e Arbërit Dibra kthehet në kopshtin e Tiranës” Gazeta Rruga e Arbërit nëntor 2017
Destan Rama“Peladhia, një emër që vjen nga legjenda” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.7 (99) korrik 2014
Edi Rama “Rruga e Arbërit nga premtim në realitet” Gazeta “Rruga e Arbërit” nëntor 2017
Edlira Haxhiymeri, Bujar Karoshi “Relacion për Rr. e Arbërit” Ministrisë Ndërtimit e DPRrugëve prill 2017
Almira Xhembulla “Ja ku po punohet në Rrugën e Arbërit” Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.11 (151) nëntor 2018
Faruk Kaba, etj. “Studim për mundësinë e ndërtimit të Rrugës së Arbërit (Përmbledhje e studimit të fizibilitetit)
Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007
Grehans Uka, Bujar Karoshi: ”Guida malore, ja vendet që mund t’i vizitoni” gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016
Hysen Repa -“ 470 vjetori i Betejës së Torviollit“Gazeta Rruga e Arbërit nr.6 (98) qershor 2014
Kristo Zharkalli – “Takim me Isa Elez Ndreun”, Gazeta “Rruga e Arbërit” Mars 2011
Metush Skeja -”Pesë kurizitete rret Kalasë së Dodës” gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016)
Moisi Murra-“ Mersim Dema, Mbreti i Maleve”, Tiranë 2003
Munir Shehu – “Dibra I në vitet 1840-1860”, Tiranë 2010
Nuri Abdiu,Bujar Karoshi “Relacion për Rrugën e Arbërit” Ministrisë së Ndërtimit DPRrugëve mars 2014
Perikli Qirjazi, Skënder Sala –“Monumentet e natyrës së Shqipërisë” Tiranë 2006
Qeram Lleshi- “Përshkrime dhe konstatime mbi Sfetigradin nga burime historike dhe gjurmime në terren”
Sesion shkencor “Skënderbeu dhe Dibra “ faqe 195-214, Dibër mars 2003
Rruzhdi Bitri ”Prapë na çeli Grama” gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016)
Selman Mëziu “Të gjallët grishin gërmadhat”, Gazeta “Rruga e Arbërit” Mars 2011
Shaqir Skarra – “Rruga e Arbërit, përmasa kombëtare e munguar” Gazeta “Rruga e Arbërit” maj 2006
Shefki Aliti “Rruga e Arbërit në teritorin e Maqedonisë.Kuvendi Tekniko-Shkencor për Rrugën e Arbërit, f. 43-49, Tiranë maj 2007
Shefki Aliti “Inervistë për Gazetën Rruga e Arbërit”, shtator 2013
Shuip Marku “Uji dhe mali aty ku shërohet trupi dhe shpirti” Gazeta Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016.
Tafë Ameti,Bujar Karoshi- “Ringjallja e Rekës së Epërme” Rruga e Arbërit nr.7 (123) korrik 2016
Valter Shtylla “Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri” faqe 19, Tiranë 1998
Valter Shtylla- “Rruga e Arbërit rruga kryesore e vendit krahas rrugës Egnatia që në lashtësi”
Kuvendi Tekniko-Shkencor për Rrugën e Arbërit, faqe 5-19, Tiranë maj 2007
Vesel Hoxha “ Rruga e Arbërit, rruga e zhvillimit të Shqipërisë lindore” Gazeta “Rruga e Arbërit” shkurt 2007
Vesel Hoxha:”Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit” Kuvendi tekniko-shkencor për Rrugën e Arbërit“ maj 2007
Vesel Hoxha “Ndërtimi i Rrugës Arras-Lurë domsdoshmëri për zhvillimin e turizmit dhe kërkimin e mineraleve” (Vesel Hoxha, Gazeta “Rruga e Arbërit” nr.11 (151) nëntor 2018
Xhafer Seiti “Rruga e Arbërit integron jo vetëm Dibrën”, Gazeta “Rruga e Arbërit” maj 2006
Xhafer Seiti “Rruga e Arbërit do ndërtohet por kam dëshirë t’a ndërtojë qeveria që përfaqësoj” . Gazeta “Rruga e Arbërit” korrik 2006