Për librin: ”Zenel Hoxha i Gjurasit” të autorit Beqir Mata


Figurat e ndritura të kombit vijnë përmes dritës së qëndresës dhe përmes provave atdhedashëse, sepse ata kaluan rrebeshe të historisë duke lënë testament për brezat vetëmohimin për atdhe e për flamur.
Ky mendim m`u përftua ndërsa mbarova së lexuari librin për Zenel Hoxhën të autorit luznak Beqir Mata,një libër që shtjellon qëndresën,mençurinë,guximin dhe bujarinë e një figure të paepur ndër beteja,i cili ishte i lidhur si mishi me kockën me popullin;dhe, me këtë libër ,autori,por edhe redaktori Xhafer Martini,sjellin nderimin dhe mirënjohjen që duhet të kemi për figura të tilla.
Autori sjell një lëndë të pasur me shënime argumentuese të sakta,ai ka gjurmuar me pasion e përkushtim, veprimtarinë atdhetare të Zenel Hoxhës,duke nxjerrë në pah këtë figurë historike të mbuluar nga pluhuri i harresës,për t`i shërbyer jo vetëm njohjes së tij,por edhe edukimit të brezave të rinj me frymën atdhetare,sepse Zenel Hoxha ishte një lapidar qëndrese.
Autori e ndan librin në disa kapituj të rëndësishëm:”Gryka e Vogël”,”Gjurasi”,”Gurra e Mazhicës”,”Familja Hoxha”,”Koha”,”Jeta”,”Në LIdhjen e Prizrenit”,”Takimi me Abdyl Frashërin”,”Thirrja e Zenel Hoxhës”,”Në ngjarjet e vitit 1910”etj., etj. Është një libër me 99 faqe,por fort i çmuar përsa u përket mesazheve të atdhetarisë,sepse pasqyron luftën dhe përpjekjet e kryengritjes së armatosur kundër të huajit,tubime dhe kuvende popullore të asaj kohe me Zenel Hoxhën në krye,i cili ishte komandant trim ,por edhe ushtar njëherit,që luftonte në ballë të çetave vullnetare kundër armikut..
Zenel Hoxha ka qenë gjithashtu edhe plak Kanuni,duke pajtuar gjaqe dhe konflikte,i cili u udhëhoq nga ideja se vetëm një popull i pajtuar mund t`i bënte ballë armikut,që ishte, në atë kohë, pushtuesi turk,dhe më vonë ai serb, duke u nisur nga kjo,ai u përpoq të shuante çdo ngatërresë dhe hasmëri në vizionin e një atdhetari të spikatur.
Ai karakterizohej nga mendja e mprehtë,nga një qëndrim fjalëpaktë,por fjala e tij ishte e qëlluar,por edhe nga karakteri i fortë e ndershmëria,për të mos ia ndryshuar rrugën së drejtës,sado kosto të kishte ajo. Ishte si shumica e malësorëve të këtij vendi,kryelartë dhe me dinjitet të pacënuar.
Nuk preferonte të ishte i pari,por populli e thërriste Zenel-a,duke e ngritur në rangun që e meritonte.
Zeneli kishte pak shkollë dhe ishte mendjehollë,burrë i odës dibrane. Kujtimet për të janë një gjerdan i ndritur kujtese,dhe këtë e kam provuar edhe vetë ,kur para katër vitesh ndenja në kullën e tij te nipi Bedri Cani me gati 15 burra të tjerë dhe aty mësova shumë gjëra mbi të ,të cilat i gjej të pasqyruar edhe në librin e Beqir Matës.
Nga libri në fjalë, mund të shkëpusim dhe citojmë:”Populli nga gjiri i tij nxjerr ata që duhen. Burrat e atëhershëm,të ndershëm dhe të thjeshtë,i kanë qëndruar besnik popullit se nuk kanë dashur të majmen dhe të pasurohen në kurriz të tij. Një nga ta ishte Zenel Hoxha. Në këto ngjarje të stuhishme ai u formua si atdhetar.”(fq.20). Ndarjet:”Në lidhjen e Prizrenit”,Thirrja e Zenel Hoxhës(Zenel Hoxha ka çue fjalë/me i dalë turkut përballë)”Një ngjarje e vitit 1910”,”Malësorët rebelohen””Këngë për Ali Limanin”, ”Kundër copëtimit të Shqipërisë”, Zenel Hoxha dhe flamuri” etj.,pasqyrojnë këtë qëndresë heroike të këtyre malësorëve trima ,të cilët me pushkë në dorë lufton për të mbrojtur trojet amëtare.
“Me Zenelin në krye,-thotë autori-grupi i luftëtarëve çau me pushkë rrugën për të hyrë në thellësi të vendit ku ishte zhvilluar beteja. Mbas tri orëve marshim,Ibrahim Gjokën e gjetën gjallë me flamur në dorë. U kthyen bashkë me të. Një nga ushtarët serbë, kur pa aktin e Zenel Hoxhës ,thuri një këngë për të. Mbahen mend vetëm dy vargje ,që ,në gjuhën shqipe ,kanë këtë përmbajtje:”Hajde hajde o Zenel Hoxha i Gurit/sa besnik I qëndrove flamurit”(fq 56).
Ky model qëndrese do të përcillej në kujtesën popullore dhe do të gdhendej aty përjetësisht.
Në këtë moment nuk mund të rrihet pa përcjellë fakti se Arif Hyqymeti,nënprefekt i Peshkopisë,si mik i serbëve,ishte i predispozuar t`ia mblidhte armët popullit liridashës. Por kjo nuk mund të arrihej,sepse Zenel Hoxha,kryetar komune,prijës dhe luftëtar i zoti e kishte mobilizuar popullin dhe tashmë qëllimi ishte i qartë;Luftë pa kompromis e deri në sakrificë sublime kundër armikut që kërkonte të gllabëronte trojet shqiptare.
Si burrë i besës,i lidhjes së saj me afsh dhe ndjenjë patriotike ai arriti të çojë përpara këtë besë dhe ta forcojë në popull.
Në ndarjet e librit:”Loja e Arif Hyqymeti”,’Në kërkim të armëve”,”Kryetar komune”,”Mikpritja e Zenel Hoxhës”,”Zenel Hoxha fliste në heshtje”,”Përgjigje lakonike”,”Zenel Hoxha shpëton Gjurasin”,”Plak Kaniuni””Te Murrët”,”Përballë Hoxhollit”,”Në ndihmë të Hazis Xhekës”, etj,pasqyrohet më së miri simbolika e atdhetarisë dhe qëndresës në ato mote të vështira kur fati i Shqipërisë vihej në rrezik dhe në kërcënim serioz nga lakmitë shoviniste fqinje dhe,për këtë vetëdija kombëtare ishte e zgjuar e ndezur.
Po kështu,në kapitujt: ”Burrë kuvendesh”, Ndërmjetësia e Zenel Hoxhës”, ”Për dekorimin e Zenel Hoxhës”, pasqyrohet jeta e një kreshniku i cli u bë prijës i lëvizjes popullore duke i shumëfishuar në këto çaste vlerat e njohura të trashëguara nga të parët si: qëndresa, urtësia, strategjia e luftimit, bashkimi e përcjellja me zë të lartë e mesazheve të lirisë.
Zenel Hoxha i Gjurasitv është model më vete dhe i ndritshëm i këtyre vlerave kombëtare..
“Zenel Hoxha, – shkruan Xhafer Martini, – sipas kujtimeve që kanë lënë njerëzit për të, del si një personalitet i veçantë,që kishte mbi vete një hir hyjnor. Njerëzit që e kanë njohur nga afër kanë vlerësuar disa cilësi që rrallë burra i kanë pasur si:guximin, trimërinë, besën, sinqeritetin, drejtësinë dhe dëshirën e madhe për të ndihmuar të tjerët me çfarë kishin mundësi. Nuk ishte fodull e mendjemadh, por i thjeshtë sa s`ka më, pa rruza dhe pa tufa, me tirq të arnuar, por që ndrinte nga pastërtia e jashtme dhe nga pastërtia e shpirtit”.
Edhe muza popullore, përmes epikës, nuk ka ngurruar të derdhet me vargje plot nderim:
Zenel Hoxha një plak me shkop,
I shkoi pashës deri në top,
Deri në top e në xhephane,
A s`i ke njoft pashë këto Natë Male
Hajde hajde o Ishbesh Krosi
Tu ne Luznia e desh e sosi…
Provat e urtësisë dhe mençurisë së tij jepen në kuvendet e ndërmjetësimit, po kështu fotot e Gurrës së Mazhicës,Gropat e Ujkut, Kulla e Zenel Hoxhës, e shtojnë dhe e rrisin pasqyrimin për këtë figurë; gjithashtu thëniet filozofike dhe alegorike.
Libri i Beqir Matës është shkruar me realizëm,pa harruar frymën e nderimit për figura të tilla,frymë që përcillet natyrshëm,si një monografi model;të vërtetat historike jepen qartësisht dhe të argumentuara në rrjedhën e tyre kohore.
Shkurtësia dhe lakonizmi i thënies nuk mund të përcillen veçse në qëllimin e qartë dhe të kuptueshëm për të pasqyruar me vërtetësi një periudhë historike mjaft tronditëse, ku nuk munguan burrat e shquar,dhe një ndër ta ishte edhe luftëtari e burri mentar Zenel Hoxha…