Ramadan Çaushi (Halili) i Grezhdanit në Rrethimin e Shkodrës (1912-1913)


Një ditë të bukur tetori (datë 22) të 2017-ës, nga Peshkopia u nisa për Grezhdan për të parë motrën, Rrufijen. Kishte qenë sëmurë. Mora dhe Nuzin që banon në Peshkopi, nipin tim. Kur mbërritëm, shpejt erdhi edhe Njaziu, nipi tjetër. Pas pyetjeve të zakonshme filloi një muhabet i këndshëm. Kishte do kohë që s’ishim parë dhe shpejt malli dhe hallet bënë punën e vet. Halle të jetës, çoroditjet e kohës, politike e shoqërore, probleme të fesë, ndonjë anekdotë dhe bejte gazmore nga të vendit.
U hodhëm edhe tek historia, ku shqiptarët notojnë jermas në konfuzion e në xhahilizëm. Duke menduar se tek unë do të zinte vend ajo që do të thoshin, si i zanatit dhe si “prej Shkodre”, më thanë me një farë krenarie se në Luftën e Shkodrës nga Grezhdani ka marrë pjesë Ramadan Çaushi, një stërgjysh i tyre, për të cilin nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Unë ngrita atenat dhe shënova emrin, gjë që u ngjiti fjala dhe atyre. Shqiptarët janë harraq të mëdhenj, mendova atë që është thënë e stërthënë si ndër të metat e mëdha të shqiptarëve. Pse? U kanë hedhur mbi kurriz njëmijë halle dhe s’kanë kohë ta çojnë mendjen e të kujtojnë edhe tek të kallurit nën dhe.
Ramadani ka qenë vëllau i Zyberit, babës së vjehrrit tim, të cilin ti Bajram duhet ta kujtosh ndopak kur pate ardhur të rrije për pushime, u gjallërua motra që rrinte në shtrat. Ishe fëmij, por i vogli mban mend shumë. Në Luftën e Shkodrës, nga Grezhdani ka qenë edhe një tjetër, Nazif Aga, por ai u kthye shpejt prej andej, shtoi nipi. Por punën e luftës së Ramadanit me Karadakun në Shkodër, ma mirë e din Faizi, sqaroi Nuzi. Më thanë edhe diçka më tepër por, duhej kërkuar.
Fjala është për Rrethimin shtatë mujor të Shkodrës (tetor 1912 – 25 prill 1913) nga ushtria malazezo – serbe, e njohur në Shkodër edhe si “Muhaserja” (rrethimi) në Luftën I Ballkanike 1912 – 1913 ku roli luftarak i dibranëve ka qenë në kufijtë e legjendës, siç ka qenë e tillë vetë ajo MBROJTJE, ndoshta e pa shembullt në historinë e luftërave në rrethim.

* * *
Një digresion me ekskurse historike

Por le të ndjekim fillin e “lidhjeve” sipas parimit didaktik: nga e njohura, tek e panjohura duke hapur një parantezë.
Nga portreti i gjyshit të madh, Zyber Qorri, vëllait të Ramadanit, se me këtë llagap njiheshin në fillimet e të pesëdhjetave kur shtëpitë tona u lidhën me miqësi, në kujtesë më kishin mbetur vetullat e trasha që spikasnin fort në fytyrën gjatoshe tharë nga pleqëria e thellë, shekullore, vetullat kaleshe, që mua më kujtonte një varg të një kënge sevdaje që këndohej atëherë në fshat. Nëpër mjegull kujtoj kur mixha Zyber rrinte në krye të vendit në odën e madhe, rreth e rreth me burra ulur kamëkryq, (kamëturqisht i thonë në Shkodër). Duhet të ketë qenë viti 1951 a 1952. Edhe pse fare i vogël, në atë valle burrash rrija si i gozhduar në vendin tim dinjitoz, në respekt të protokollit. Nuk qendroja tek dera, i lirë me ‘hyn e dil’, siç bëja në shtëpinë time kur vinin miq. Isha pjesë e “delegacionit” të krushqve, një karvan bukur i gjatë, që shkonte në përviçe (gostë) tek Zyber Qorri (Halili) në Grezhdan, burrë me emër në gjithë “Fushë-n” e më përtej. Vajza e mixhës, Rrufija, u martua me nipin e tij, Esatin, djalin e madh të Halilit.
Ishin derë e madhe. Familje dykurorëshe, vëllezërit Aqif dhe Halil Halili (Qorri) jetonin bashkërisht. Ishin të kamur. Kishin mbi 70 dynym tokë. Për Dibrën kjo ishte shifër e lartë. Shtëpia dykatëshe ishte një konak i vërtetë. Muret prej guri me qoshe me gur të gdhendur. Katër dhoma të mëdha gjithë dritë; dy lartë e dy poshtë, secila me banjë dhe hamam për larje; lartë me çardak dhe hajatin e gjërë poshtë në katin e parë. E gjitha e mbuluar me çati me tjegulla marseljeze, importi, jo me rrasa guri si në Malësi, as me tjegulla vendi, njëmijë mbarë e njëmijë mbrapë (gjë a gjëzë), por me xheremide (tjegulla) frengu. I pashë vetë se si qendronin në çati kur një ditë gjatë “vakancave” të mia dyjavore ndërmora edhe një ekspeditë hulumtimi në tavanet e shtëpisë për zgjerim horizonti. Dyshemeja, dyert, dritaret dhe shkallët ishin të gjitha “dagramë”, bërë me dërrasë “deti” të zdrukthtuar mirë e që shndritshin nga pastërtia dhe lëmutësia. Oda e shtruar allaturka me mutaf Prizreni, sipër tyre qilima e velenxa me ornamente plot ngjyra dhe shilte e jastëkë me këllëfë të qëndisur mbështetur për muri. Çdo gjë ishte si në Sheher.
Përjashta, lart në murin e fasadës ishte murosur një gur i latuar në të cilin ishte gdhendur viti i ndërtimit, “1943”. Oborri para shtëpisë, shtruar me kalldrëm, ishte i rrethuar me avlli dhe portën e madhe në mes. Gjithçka në simetri. Në anë të avllisë (kjo e prishte pak simetrinë) ishte mutfaku (kuzhina) ku bëheshin gatimet, rrinin grania dhe vërdalliseshin fëmijët. Dukej sikur endé jetonin me të “vjetrën”, me traditën, kohë kur vetëm tufa e dhenvë më 1942 numëronte 1000 kokë dele, të cilat i veronin tek bjeshkët e Korabit, përmbi Radomirë. Kurse tani kishte filluar një epokë e “re”, që shkonte “de kreshendo”, në ulje, por drejt “progresit”. Emri kishte mbetur, por ndryshimi kishte filluar e në rrugën e duhur. Tufa e dhenve ishte tkurrur në 150 krerë që tashmë e veronin më afër, në bjeshkët e Hinoskës, përmbi Shkrep të Erebarës dhe ruhej nga barinjtë (hyzmeqarët), ndërsa në mjeljen dhe përpunimin e bulmetit merrnin pjesë edhe burrat e shtëpisë.
Ne të Përtejdrinit zonës së Maqellarës i thoshim “Fusha” dhe ky ishte emri toponimik i zonës. Ajo vërtet ishte një fushë e madhe që shkonte nga Sheheri i Dibrës me rrethinë, deri poshtë Peshkopisë. Gjithë krahu i djathtë i bregut lindor të Drinit të Zi, dikur e njohur si Topalltia, përbën një tarracë natyrore që nga lindja shkon rrëzë vargut malor Korab – Deshat – Mali i Kërçinit e nga perëndimi bie butë mbi rrjedhën e Drinit, butësi që thyhet nga ndonjë kanion si i Gradecit që zgjatet nga Ura e Topojanit në Katund të Ri.
Lidhjet martesore me Fushën Malësia (krahu i majtë i Drinit) nuk ishin dhe aq të shumta. Edhe këta, më tepër ishin kur Malësia jepte vajza dhe më pak qëllonte të merrte. Ishin mikrokrahina me nivele të ndryshme në shumë drejtime, nga mënyra e jetesës, e folura, veshjet, zakonet etj. Pozita shoqërore dhe familjare e gruas në Fushë ndryshonte shumë nga ajo që kishte në Malësi. Punët e saj atje ishin të përqendruara në derë të shtëpisë e brenda. Gruaja atje nuk dilte të punojë në arë, të prashisë, aq më tepër në të shkojë në mal, të bëjë e të mbajë kran(d)e e krece të thata, punë të cilat ishin krejt të natyrshme për gruan në Malësi. Këtu ajo merrej me larje, pastrime, punët me gjilpërë, shtiza dhe grep, mirëmbante rregullin e shtëpisë, rritjen e fëmijëve, kujdesi për burrin etj. Gruaja në Fushë ishte zonjë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Fytyra u rrinte bardh si bora dhe dielli nuk i shihte shumë. Cucat e Fushës ishin të dlira sa edhe uji u shihej teksa u kalonte nëpër gurmaz të fytit. Këtë metaforë e kam dëgjuar për herë të parë në fshat aty nga 1963 nga një 40 vjeçar. U habita me metaforën, aq më tepër kur po e thoshte një person si ai, ndërsa po fliste për një mundësi fejese. Vërtet ishte pak si sevdalli por kur mendoja se ishte analfabet, thashë me vete se poezia flen aty ku s’ta merr mendja. Për herë të dytë këtë figurë letrare e kam parë në një poezi vetëm kohët e fundit.
Për mënyrën e jetesës dhe trajtimin e gruas Fusha kishte marrë shumëçka nga zakonet e Shéherit, qyteti i Dibrës së Madhe. Pozitës së gruas në Shehër të Dibrës nuk i qasej as ajo e grave të aristokracisë së vendeve me nobilitet historik. Në Malësi thoshin: lum kush e marton cucën në Fushë se e ka të vendueme. Motra jonë qe me fat. Siç duket Zoti e “shpërbleu” kur Ai i mori nënën dhe e la jetime kur ajo ishte ende fëmijë. Por, punët e Tij shkofshin!
Kooperativa bujqësore endé nuk kishte ardhur për të bërë “shartimet” dhe skartimet “socialiste” të tradicionalizmit. Gruan e Fushës të “mbyllur” brenda katër mureve të shtëpisë, kooperativa do ta “çlironte” e do ta nxirrte jashtë tyre në “lirinë” dhe emancipimin shoqëror. Ajo do t’ia piqte lëkurën e fytyrës dhe do t’ia regjte shpirtin me punët e bujqësisë, në mbjellje e në korrje, në prashitje e në ujitje, në shirje e në mjelje, në duhan e në stallë. Punët e shtëpisë do t’i mbeteshin për turnin e natës. Atëherë do ta shihnin mirë zojllëkun e, ndonjëherë edhe tanderllëkun gratë e Fushës, por kjo do të vinte nga fundi i të ’50 – ve.
Përveçse punëtorë të mirë e njerëz të rregullt në komunitet e kudo, fusharakët e fusharaket, burra e gra, ishin model edhe si besimtarë të mirë, myslimanë që shkonin në xhami, falnin pesë vaktet dhe mbanin ramazan (agjëronin). Rakia konsiderohej gjynah i madh. Edhe të krishterët ortodoksë, (kaurrit), një minoritet i vogël, kishin kishën dhe ruanin besimin e tyre të pacenuar. “Kudo rrâni turr Shqiptari, / Mirë ai lidhë me besë e fe”, thotë Fishta. Edhe në këtë drejtim, fusharakët ishin të centruar bukur mirë, shembull qytetarie.
Ne të Malësisë (të Përtej Drinit) ishim, ku e ku me ata të Fushës. Në shumë drejtime. Edhe ne ishim familje e “madhe”, dykurorëshe; jetonim bashkë 12-13 vetë, zakon që respektohej, me tokë që i kapte a s’i kapte 15-20 dynymë, shumica në të thatë. Ara të ndara në rriska e parcela, me meja e me mure, me gardhe e sinure, tamam “ara në mal” siç shkruan Petro Marko; me bagëti të imta deri në 30-40 krerë, dhen e dhi përzjerë, dy lopë mali me rendiment të ulët dhe një mushkë si hajvan barre. Bilanci vjetor i prodhimit shkonte deri tek sigurimi vjetor i bukës (së misrit). Mbase 3-5 kv misër si tepricë që shkonte për treg, ndonjë kuintal gjizë dhe ½ kv. tlynë që i zoti i shtëpisë edhe ato do t’i shiste në Tiranë për të mbuluar ndonjë harxh e për të parë ndonje hall. Megjithatë, në katundin tonë ishim birinxhi, mbasi shumica nuk arrinin të siguronin bukën as për gjysmën e vitit. Kush siguronte bukën dhe groshën e vitit, quhej “agá”. Malësia kishte bërë më “përpara” në përdorimin e rakisë. Në shtëpinë tonë nxirrej raki (para buke) kur vinte ndonjë mysafir i veçantë, ndonjë i deleguar, sidomos nga Jugu. Ne kishim edhe kazan rakie për prodhimin e saj.
Për burime ujrash fshati ynë ishte më i pasuri. Në Kovashicë i Madhi Zot ka dhënë tre gurra që gulfojnë e gurgullojnë nga uji i bollshëm dhe i ftohtë që të plas kapakun e ballit, por niveli i ujit për ujitje kapte më pak se gjysmën e tokave të fshatit. Disnivelet i mbulonim me delegacionin e përviçes. Atë e kishim dinjitoz. Të tillë më shumë e bënte njëri, mixha Gani, Gani Meta. Atë e kishin vënë në krye edhe si moshë, edhe si “shoq” mëhallalí edhe si kushëri i nuses. Atëbotë ai ishte tek të 50-tat; burrë i ditur dhe fort i luajtur. Kishte një jetë të ngjeshur me përvojë të madhe dhe të larmishme. Tallazet e jetës e kishin rrahur mirë, si në dërstilë. I kishte provuar të dy ekstremet, nga pozita e ngrohtë me 7 napolona flori në muaj dhe pastaj si mik i agait me influencë në qeveri, tek dënimi me 20 vjet burgim, që u përfundoi, bafti i Zotit, me lirimin e befasishëm. Në rininë e tij kishte ndejt shumë kohë si ‘djalë mbas vedit’ në familjen e Dervish e Zenepe Hima (Çoku). I kish qëlluar të rrijë me burra të rëndësishëm, politikanë e veprimtarë kombëtare me emër nga të cilët kishte ditur të mësojë e të përfitojë shumë. Më pas kish punuar në armën e xhandarmërisë mbretërore. Ç’dinte, dhe dinte jo pak, i transmetonte nëpër mexhlise plot hijeshi. Kishte një narracion të këndshëm. Ishte vrojtues i hollë dhe mendje absorbuese.
Në atë kokën e tij fodulle me qylafen mënjanë hedhur mbi sy, ishte zbrazur dhe ngjeshur gjithë dramaciteti dhe epika e Shqipërisë sonë të gjysmës së parë te shekullit të 20-të, të cilën ai e tregonte me art nëpër në vallet e burrave në dasma e vakijate. Kjo i kthente odat në kuvende e shkolla të mendimit. Bisedohej e komentohej për luftëra e për fate kombesh e shtetesh, për ngjarje e historira plot dhimbje të Shqipërisë sonë, për heroizma dhe emra burrash të shquar. Edhe tradhtish që i janë bërë kombit tonë. Me atë zërin e trashë e kumbues, bisedave u jepte karakterin e polemikave duke i shoqëruar me riprodhime dialogjesh. Shkurt, krijonte atmosferë për kuvend burrash. Në këtë drejtim Ganiu ishte një thesar, që kur fliste ndiqej me vëmendje e kërshëri. Dinte t’i jepte peshë fjalës. Por le të kthehemi atje ku e nisëm, tek Ramadan Çaushi në Luftën e Shkodrës.

Ramadan Çaushi në
“Shkodra e rrethueme” (1912 – 1913)

Kur mora vesh se heroi “im” i historisë, Ramadani kishte qenë vëllau i madh i mixhës Zyber, pata ndjesinë se edhe unë jam i kohës së “Rilindjes”. Vdekur më 1956 – ën mbi 100 vjeç, më shumë se gjysmën e viteve të jetës Zyberi i kishte kaluar në periudhën e Rilindjes. Ndërsa unë 6 apo 7 vjeçar, kisha ndenjur në konak burrash “me të”. Tashmë unë vërtet po i qasem treçerek shekullit, por jo aq sa për ta menduar veten “rilindas”. Mos më ngatërroni me “rilindjen” e Edi Ramës që po na rivdes, por për ata që bënë “zgjimin kombëtar” dhe Luftën epike të Shkodrës, Luftë të cilën këtyre të fundit dhe gjithë historiografisë shqiptare nuk duan t’ua zësh me gojë, se ajo “zgjon urrejtje nacionale” dhe “nxit katastrofën!”. Gjithësesi, sëpaku ndjeva se jam një “nyje lidhëse” e një “shahit” (dëshmues) në vazhdimësinë e epokave.
Kanë qenë tre vllazën, tregon Faiz Aqif Halili, farmacisti i Peshkopisë, miku dhe versniku im. Si fëmijë, atëherë nuk po kuptoja pse paskan dy mbiemra a llagape, “Qorri” dhe “Halili”. Tani na del edhe një i tretë, “Çaushi”. Në thelb mbiemri i tyre ishte dhe mbetet “Halili”. Pasurimin e familjes me shumë patronime e kishte bërë “historia” e Ramadanit. Ai kishte bërë emër të mirë në organet e xhandarmërisë si çaush ndaj u mbiquajt Ramadan Çaushi. Gjatë kryerjes së detyrës ishte plagosur rëndë duke humbur njërin sy, nga dhe erdhi nofka tjetër, Ramadan Qorri, me të cilën u thirrën edhe dy vëllezërit e tjerë që vinin pas tij, Zyberi dhe Qazimi. Dy llagapet e fundit ishin futur si nofka. Për mua kishte edhe një tjetër nonsens: djali i dytë i Zyberit e kishte emrin Halil. Edhe emri edhe mbiemri njëlloj, Halil Halili.
Në fillim të shek. XX Evropa i ishte vënë në shpinë Perandorisë Osmane. I “sëmuri i Bosforit” ishte në shthurje e dekadencë. Shthurja përfshiu sidomos forcat e armatosura dhe ato të rendit. Revolucioni i Turqve të Rinj (xhonturqve) më 1908-ë, që solli “Hyrrjetin” (Liria) u prit si shpëtimtar i Perandorisë që do të çlironte energjitë e ndrydhura. Por ky vetëm sa përshpejtoi katastrofën. Në këtë mjegull “revolucionare” vërtiteshin edhe viset shqiptare. Për të zezën e tyre, shqiptarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në atë revolucion, siç qenë të tilla të zeza për ata të gjitha luftërat, kryengritjrevet dhe revolucionet e tjera që i zunë poshtë më pas. Dikur shtylla e Perandorisë në pjesën perëndimore të saj, shqiptarët u kthyen në elementë të rrezikshëm dhe destabilizues të Devletit Osman. Dezeritmet e shqiptarëve nga radhët e ushtrisë e të xhandarmërisë ishin të shumta. Njëri nga ata që dezertoi nga radhët e xhandarmërisë ishte edhe Nazif Aga. Vendin e tij si çaush1 e zuri bashkëfshatari i tij, Ramadan Halili.
* * *
1912
Gjatë vitit 1912, me urgjencë e sforcë të madhe Rusia bashkoi të pabashkueshmit në Aleancën e krishterë Ballkanike të boshtit ortodoks: Serbi – Greqi – Bullgari – Mali i Zi. Qëllimi i tyre ishte fshirja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve nga harta e Ballkanit si popull e si komb dhe e myslimanizmit si fe. Sapo kishte kaluar mesi i gushtit dhe Shqipërisë iu njoh njëlloj autonomie nga Porta e Lartë. Kur panë se Shqipëria po “bëhej”, shtetet e Ballkanit dhanë alarmin – plasën luftën kundër Perandorisë Osmane.
Mali i Zi, një mikroshtet i krijuar nga Fuqitë e Mëdha evropiane në Kongresin e Berlinit (13 qershor – 13 korrik) 1878 kërkonte t’i bashkonte mbretërisë së vogël prej 3. 500 km katrorë (sot ka afro 14 000 km katror), edhe Shkodrën, Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin dhe ta shtrijë shtetin e Krajl Nikollës deri në Shëngjin, e në rastin më të mirë, deri në derdhjen në det të lumit Mat. Më 8 tetor 1912 ai e shkrepi i pari luftën kundër Perandorisë Osmane. Pas tij Serbia, Bullgaria dhe Greqia, njëherësh. Kështu filloi Lufta Ballkanike (1912-1913) midis Aleancës Ballkanike dhe Perandorisë Osmane.
Shqiptarët e panë veten si shapkat në mjergull në kohë stuhie. Të çorientuar, të përçarë e të çoroditur, krejtësisht të vetmuar e të izoluar. Tani e panë vetën se ç’farë i kishin bërë vetes me atë nxitjen që u bënin fqinjët “për t’i ra turkut” aziatik se vetëm kështu do t’u vinte liria. Të lodhur e të rraskapitur nga kryengritjet e vitit 1910 – 1912 kundër Devletit Osman, aleatit të natyrshëm e të vetëm të tyre, Shqipëria dhe shqiptarët u vunë para rrezikut të zhdukjes. Kapën armët, por ishte vonjo të gjithë. Shënjestra e parë e Malit të Zi ishte Shkodra. Rreth saj sillej historia dhe legjenda, krenaria dhe magjia e shqiptarëve. Me Kështjellën Rozafa si mishërim i simbolizmit historik e kulturor, Shkodra ishte shpirti dhe shpresa e kombit shqiptar.
Valiu i Shkodrës Hasan Riza Pasha, që ishte edhe kryekomandant i Ushtrisë për mbrojtjen e qytetit, ngarkoi Esat Pashë Toptanin, komandant i xhandarmërisë së vilajetit të mblidhte forca rezerviste dhe vullnetare.dhe me to të krijonte një divizion që do t’i shtohej divizionit osman të ushtrisë së rregullt (të nizamëve). Natyrisht, nizamët përbënin fuqinë kryesore të specializuar dhe bazë për mbrojtjen e Shkodrës.
Për të mbledhë forca Esat Pasha çoi fjalë edhe në Dibër e cila ishte një burim i pashtershëm forcash luftarake. Shkodra për Dibrën ishte “zamadhe”; si për gjithë Shqipërinë, “Që prej Tivarit deri në Prevezë” (Pashko Vasa).
Dibranët qenë më të gatshmit dhe më të organizuarit. Hovmëdhenj e të turrshëm, trima e plot plot maturí. Mbi 3 000 forca rezerviste (redifë) dhe vullnetare (sipas autorit italian Gino Berri – 4 000) të Dibrës së Poshtme u nisën për Shkodër. Rrugës duke kaluar nëpër Mat morën lajmin e marshimit të ushtrisë serbe drejt Prizrenit, Lumës e Dibrës. Elez Isufi me 600 forca të Reçit, Dardhës e Uj’ e n’Ujë u kthye nga rruga për t’i dalë përpara ushtrisë serbe në Kolesian të Lumës. Atje do të bashkoheshin me forcat e Lumës e të Hasit të drejtuara nga Ramadan Zaskoci e Islam Spahiu.
Forcat e tjera dibrane, të prirë nga krerë dhe paritë e tyre si Isuf Bej Hysenagolli, Selman Alia, (As)Llan Kaloshi (alias haxhi Llani), Shaban Lusha, Nel Hoxha, Dine Hoxha etj., të Dibrës së Poshtme në rrugën për Shkodër u detyruan të kalonin nga Kruja mbasi Mirdita nuk u dha rrugë kalimi (ndërsa divizionit “Shumadia” të soldateskës serbe Kapidani i Mirditës ia liroi rrugën pa pengesa).
Forcat e Dibrës së Epërme, rezervistë e vullnetarë u shpërndanë për mbrojtjen e trojeve të atdheut nga Dibra deri në Manastir e Follorinë. Një pjesë e fuqive dibrane nga qyteti i Dibrës dhe Reka që kishin si prijësa përveç krerëve të Dibrës me Hajredin Pustinën dhe disa oficerë shqiptarë të karrierës, shkoi në Manastir dhe më pas në Follorinë për t’u përballur me ofensivën e ushtrisë greke drejt tokave shqiptare. Më vonë kësaj fuqie i erdhi në ndihmë një tjetër fuqi dibrane prej 1000 vullnetarësh të prira nga Mersim Dema i Grykës së Vogël (nga Homeshi) sëbashku me krerë të tjerë si Zenel Hoxha i Gjurasit, Jakup Cani nga Gryka e Madhe, Dan (Ramadan) Cami i Sepetovës etj. të cilët u prinin çetave të tyre. Atje takojnë grupin e parë të forcave dibrane me Selim Demën, Eqrem Camin, Izet Çaushin që kishin shkuar për të njëjtin qëllim. Ndeshjen me forcat greke prej 40 000 vetësh ky grup e zhvilloi në Banicë ku luftuan heroikisht dhe i prapsën sulmet greke por edhe vetë lanë mjaft të vrarë. Pas tërheqjes së detyruar drejt Manastirit, dy fuqitë dibrane luftojnë në Ovak e Preblicë me forcat serbe të cilat kishin zënë malet Babunë me pozita shumë strategjike për Manastirin, duke u përleshur deri thikë me thikë2.
Mobilizimi i forcave bëhej sipas organizimit shoqëror tradicional me sistemin e parive (bajraktarëve). Nuk dimë se si kanë shkuar në Shkodër Ramadan Çaushi dhe Nazif Aga dhe me cilat forca janë shoqëruar. Mendojmë se ata mund të kenë pasur ndonjë njohje e mëparshme me Esat Toptanin ose me Isuf Hysenagollin, qoftë edhe nga afërsia krahinore. Ky i fundit ishte byrazer me Esat Pashën dhe, si “oxhak” ishte në krye të “Taborrit dibran” që shkoi në Shkodër dhe mori pjesë në Luftën për mbrojtjen e saj. Ndoshta ka ndikuar ndonjë rekomandim i Zogut, i cili kishte shumë miq në Dibër, midis tyre, Hysenagollët e Dohoshishtit që i kishte miq dere. Zogu kishte të martuar motrën e tij (Adile) për Emin Dohoshishtin.
Ndërkaq vetë Zogu 17 vjeçar drejtonte një fuqi prej 2000 vetësh, matjanë e dibranë për t’i shkuar në ndihmë Shkodrës. Sipas kujtimeve të Mbretit Zog të shkruara nga kol. Hysen Selmani, adjutant i Mbretit, fuqia e drejtuar nga Zogu në pritën që i bëri ushtrisë malazeze ishte prej 8 000 vetësh, matjanë e dibranë3. Pas një beteje të ashpër me ushtrinë malazeze (12 nëntor 1912) në Kakarriq të Lezhës, Zogu u detyrua të kthehet në Mat me forcat e veta. Mbërritja nëpërmjet Mirditës e Zadrimës e divizionit “Drina” të ushtrisë serbe rrezikoi të bjerë në rrethim dhe atëherë me një manovër të shpejtë u tërhoq me forcat e tij drejt Matit, i cili rrezikohej të pushtohej nga forcat e tjera serbe që erdhën nga lindja dhe kishin pushtuar Dibrën.
Si mbërritën në Shkodër, forcat dibrane u pritën me gëzim të madh. Nazif Aga nuk qendroi shumë dhe u kthye në Dibër, për arsye të panjohura. Si komandant i divizionit të redifëve dhe vullnetarëve, Esat Pashë Toptani e caktoi Ramadan Çaushin komandant të një njësie luftarake rezervistësh ku qendroi deri në mbarim të Luftës, më 25 prill 1913. Shkodra e rrethuar mbrohej nga katër pikëmbështetje që u bënë katër frontet kryesore: fronti i Taraboshit, që ishte fronti kryesor dhe pozicioni kyç i mbrojtjes, fronti i Bërdicës, fronti i Bardhanjorit dhe ai i Shtojit. Redifët (rezervistët), shkruan korespondenti italian i luftës Xhino Berri në ditarin e tij me 7 janar 1913, janë më tepër se asnjëherë të padurueshëm për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Këtë ua thonë të gjithëve. Patjetër që nisja e tyre do të tregonte fundin e rrethimit. Ata mund të ishin 15 000 veta që do të braktisnin qytetin. Por deri tani kjo nisje është vetëm në mendjen e redifëve. Ata të Dibrës mbi 4 000 veta janë më turbulluesit, ndaj për të thyer kompaktësinë e tyre i kanë shpërndarë nga pak në të gjitha pozicionet4. Nuk dimë se në cilin front ka luftuar Ramadani me dibranët që komandonte.
Luftoi si burrat Ramadan Çaushi (Halili) me shkjaun, Karadakun e serbin, me taborin dibran në Luftën për mbrojtjen e Shkodrës për tetë muaj rresht pa dalë prej istikamit, natë e ditë me pushkë për faqe, me bukë e pa bukë, me ujë e pa ujë dhe u kthye fitimtar. Fusharakët kujtojnë endé fragmente të nji kange për Luftën e Shkodrës që e paska kënduar Bit Dema (1898-1979), kangë e kënduar në rini të tij. Kjo kangë tregon edhe kushtet në të cilat është zhvilluar lufta e Shkodrës, kur pas muajit dhjetor, vetëm nga uria filluan të vdesin çdo ditë nga 50 vetë. “Nji taborr qi e kam dibranë, / Ata brejnë çelik me dha(b)më. / Kual therni e breshka hani, / Se mu m’thonë Esat Pashë Toptani”.
Pas kthimit nga Shkodra, për jetën e Ramadanit nuk dimë më tej. Nisur nga fakti që njëri nga vëllezërit e tij, Zyberi, paska pasur 70 dynym tokë, po aq duhet të ketë pasur secili prej vëllezërve të tjerë, pra edhe Ramadani. Nga pasardhësit nuk mundëm të marrim asnjë llojë informacioni, as për vitin se kur ka vdekur dhe në çfarë rrethanash. Në lidhje me kujtesën historike dibranët vuajnë tmerrësisht nga amnezia dhe shpërfillja.
Shkodër, 2019
1 Çaush –nënoficer me gradë midis marshallit dhe rreshterit në ushtri, në xhandarmëri, në kalori etj.; kapter. Një këngë e kohës: “ O vjen çaushi me ‘izet zapti…”.; Tahir Dizdari, Fjalor i Orientalizmave në gjuhën
2 Në luftë kundër pushtuesve grekë ranë më shumë se 30 dibranë nga Dibra e Madhe, Malësia dhe Topalltia, ndër to: Fuat bej Kulla, Xheladin Kuka, Hasan Stërmilli, Izet Haziz Dema, etj. Në Manastir gjithashtu pati shumë dibranë të rënë në luftë. Disa prej të rënëve në Follorinë e Manastir janë njohur si dëshmorë të atdheut si Ramë Duka (Shtushaj), Rrahman Xheleshi (Mazhicë), Hasan Hidri (Pocest), Qerim Sula (Allajbegi), Rrahman Çupi (Vojnikë), Rrahman Tollja, Ali Kostenja Sadik Demiri, Xhabir Sejdini (Striçan), Jashar Disha, Hasan Lila, Ismail Qorri, Sadik Balliu, Selim Loka, Ymer Margjoka, Dalip Demiri (Sopot), etj. Në fushën e Orizares në Manastir ranë dhe dy imamët e qytetit të Dibrës së Madhe: Jusuf efendi Skikuli, Osman efendi Langu dhe kapiten Aqif Rusi. Në Preblicë u vra i riu Habedin Dema nga Homeshi. (Marrë nga Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”, Tiranë, 1940, (dorëshkrim) f. 71; Kadri Dema, “Fisi Dema nëpër breza”, Shkup, 2003, f. 90.
3Hysen Selmani, “Nga notomet e Zogut I “Mbretit të Shqiptarëve”, Tiranë, shtator 2008, f. 33.
4 Gino Berri, “Rrethimi i Shkodrës”, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë, 1998, f. 128.