Botim i ri: Hazis Ndreu – Personaliteti, krijimtaria – nga Xhafer Martini


Haziz Ndreu ka pasur një fëmijëri të vështirë, më të vështirë se bashkëmoshatarët e vet, se të paktën ata, edhe nëse hiqnin e vuanin, ishin në shtëpitë e tyre. Si thonë vargjet e asaj këngës:
“Dhe në vuaj le të vuaj,
Veç të mos jem në dhé të huaj”
Hazizi në dhe të huaj nuk ishte, por ishte në derë të huaj, në një moshë fare të re, kur fëmijët qajnë për hiçgjë, janë kërkestarë e shamatorë dhe ua thajnë lotët nënat. E ëma ia kapi dorën e vogël djalit shtatëvjeçar dhe, ndërsa ecte për ta çuar te shtëpia ku ishte pajtuar, zemra i qante, por i mbante lotët prej vogëlushit. Kur atë e la në dorë të të tjerëve, kur kishte kthyer shpinën dhe ishte larguar disi nga vendi ku u nda me të birin, qau me lot të nxehtë, me “ah” e me”oh”, sikur i biri t’i kishte vdekur. Hazizi, aty ku jetonte, i thonin “hizmeqar”. Vetë emri të vriste edhe nëse dera ku punonte dhe jetonte mund ta trajtonte si djalin e saj. Ky largim nga shtëpia në atë moshë e bëri Hazizin të vuajë e të dëshpërohet, por edhe të vendosur për të bërë çdo përpjekje, por të mos qëndruar nën këmbët e të tjerëve. Hazizi qysh në atë moshë kishte kuptuar atë që Niçe e ka thënë kur ishte filozof i njohur: “Kërkohet liri derisa nuk kemi forcë. Sapo ajo arrihet, kërkohet sundim; nëse nuk arrihet – kur jemi akoma të dobët për këtë – atëherë kërkohet drejtësi, domethënë fuqi e barabartë. Nuk ke ç`të zgjedhësh: ose lart, ose poshtë si vemje i tallur, i shkelur, i asgjësuar.” Hazizi e kishte zemrën të mbushur me urrejtje ndaj të keqes. Nuk e dinte ku është ajo dhe kush e prodhon, nuk ishte në atë moshë për të kuptuar pse disa njerëz i ndjek e keqja, kurse, disa të tjerë, përkundrazi, rehatia dhe kënaqësia. Nuk donte të ishte në anën e të keqes, në asnjë mënyrë. Por ai e kuptonte se në atë anë ishte. Fëmijët e tjerë të asaj moshe shkonin në shkollë, kurse ai rendte mbas bagëtisë në mal. Ishte një padrejtësi e madhe që i bëhej një djali të vogël. Hazizi kurrë nuk bëri shkollë të rregullt dhe ne nuk dimë nëse ai do të ishte nxënës i shkëlqyer, mesatar apo si shumë prej tyre. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Madje, fare mirë që disa të dhëna biografike për Hazizin nuk i fillojmë si për shumë të tjerë, kur i bëjmë nxënës të shkëlqyer dhe pa qenë të tillë, kur i bëjmë të urtë dhe të dashur, të respektuar me mësuesit, shokët, me të moshuarit e të tilla pa fund. Hazizi ka mësuar të shkruajë dhe të lexojë si autodidakt, megjithëse, më vonë, ka marrë edhe dëftesën e Liceut Artistik. Kishte një shkrim të rregullt dhe të lexueshëm. Nuk neglizhonte në të shkruar: përherë njësoj. Ishte respekti për shkollën që ai nuk pati mundësi ta ndiqte si moshatarët. Te Hazizi vepronte si tek rrallë njerëz, teoria e kompensimit: Zoti i kishte mohuar ato që ua kishte dhënë të gjithëve, por nuk e kishte nxjerrë nga sytë: për të do të kujdesej si për të rrallët, do ta pajiste me talent dhe dhunti për shumë fusha. Një fjalë e urtë thotë: ”Kur të do Zoti, nuk ke nevojë për të tjerët”. Megjithatë, Hazizin e kanë dashur edhe të tjerët. Kjo është meritë e tij. Secili shtron pyetjet: Kur Hazizi pa shkollë ose me pak shkollë, edhe atë me “të vjedhur”, shfaqi aq prirje dhe aq talente, si do të bëhej ai po të jetonte dhe të mësonte në kushte shumë të mira? Atë që nuk ka ndodhur, ne nuk e dimë, por, për mendimin tim, si këngëtar, valltar i “Kërcimit dyshe”, historian i lashtësisë dhe mbledhës e përhapës i alegorisë nuk kishte si të bëhej më i mirë. Këto janë katër shtyllat e personalitetit të tij dituror, që mbajnë dhe i japin përpjetë edhe personalitetit njerëzor.