Ndahet nga jeta veterani Elez Murra
homazh


Me 18 janar 2020 u nda nga jeta një figure e nderuar dhe mjaft e respektuar e Grykës se Vogël, veterani Elez Murra. Mjaft qytetarë u mblodhën si rrallë herë për t’i bërë nderimet e fundit e përcjelljen në banesën e fundit, këtij qytetari fisnik, mik i të gjitha moshave, burrë i zakonit e i parimit, human e me zemër të madhe, bamirës e përkrahës i atyre në nevoje, dashamirës i progresit e i përparimit shoqëror, mbartës i vlerave të larta njerëzore , një simbol i krahinës së vet e i Dibrës mbarë që do të kujtohet e nderohet me respekt nga brezat që do të vijnë.
Atë e përcollën me dhimbje të madhe jo vetëm familjarët e tij, por në një pjesëmarrje jo të zakonshme mjaft miq e dashamirë nga fshati e zona, nga Bulqiza e Dibra, por dhe mjaft të tjerë të ardhur nga Tirana e rrethe të tjera te vendit. Po kush ishte kjo figurë popullore që meriton nderime kaq të mëdha e të veçanta.
Elez Murra lindi në një familje të varfër fshatare në Shupenzë 89 vjet më parë. Aty kryqëzohen rrugët për në Dibër, Gollobordë, Dibër e Madhe, Selishte, Bulqizë, Mat etj. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis të shëndoshë e patriotik me vlerat e një dibrani e shqiptari të mirë. Konaku i Ramiz Murrës, xhaxhait të tij, priti e përcolli miq e dashamirë dhe patriotë e luftëtarë si mjaft familje të tjera të Shupenzës e të Grykës së Vogël. Babai i tij Rushit Murra ishte një njeri i urtë e punëtor që u muar me bujqësi e blegtori, por dhe një shqiptar e prind i mirë që ndikoi fuqimisht në formimin e dhe edukimin e tij.
Në moshë të re, Elezi në shtëpinë e tij dhe në odat e Dibrës u njoh me heroizmat e Isuf Murrës, Selman Kurtit, Mersim Demës, Rrahman Lekës, Ramiz Dacit, Jakup Canit, Dan Camit e shumë të tjerë, u njoh me ngjarjet si Kuvendet e Dibrës te varret e Shupenzës, Gropën e Ukut, Fushë të thatë Gjoricë, Gjurën e Mazhicës e plot histori të patriotizmit të krahinës e të mbarë Dibrës. Edhe pse i ri në moshë, ai përcolli si pjesëmarrës e dëshmitar aktiv shumë ngjarje të luftës nacionalçlirimtare. Ai i jetoi ato vite në mënyrë aktive e fuqimisht duke shërbyer si udhërrëfyes apo korrier për çetat partizane si atë të Grykës së Vogël, të Grykës së madhe apo të Gollobordës për të dalë në mal të Homeshit, në pyjet e Tërnovës, në drejtim të katër grykëve apo të Okshtunit.
Pas çlirimit ai do të ishte një aktivist i mirë i reformave të kohës dhe një punonjës shembullor kudo që i takoi të punonte. Gjatë viteve 1952-1954 kreu shërbimin ushtarak, më pas punoi në postë telegraf. Në vitet 1959-1972 ishte punonjës i ndërmarjes së grumbullimit dhe iu krijua mundësia të njihej me gjendjen ekonomike të fshatrave nga Maqellara deri në Steblevë, i rifreskoi miqësitë e vjetra të familjes dhe krijoi të tilla të reja për efekt të detyrës që kryente.
Pas vitit 1972 punoi në Kooperativën bujqësore Shupenzë, fillimisht si brigadier dhe më pas si drejtues i niveleve më të larta. Në këto detyra ai njohu më nga afër hallet dhe problemet e fshatit, njohu njerëzit, punëtorët, hileqarët, dembelët, por mbi të gjitha shqetësimet e familjeve fshatare për furnizimin, ushqyerjen, mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve, mënyrën e jetës dhe plot shqetësime të tjera. Si dëshmitar të kohës e kemi parë se rrallë kush si ai jetoi me hallet e popullit dhe mori pjesë në zgjidhjen e tyre.
Në vitet 1972- 1981, kreu detyrën e Sekretarit të Byrosë së partisë për zonën e Shupenzës, një detyrë kjo e rëndësishme dhe delikate për kohën. Kush ka punuar me të është i gatshëm të dëshmojë se ai e kreu me devotshmëri detyrën, se u përpoq të bënte më të mirën, se ishte luajal dhe mjaft i arsyeshëm në zgjidhjen e problemeve, se në shpirtin e tij kishte dashuri për njerëzit dhe kjo e bënte të ishte kundërshtar i fortë i çdo qëndrimi sektar, simbol i njeriut të mirë e siç populli i thotë, i njeriut babaxhan. Me këtë frymë ai së bashku me bashkëshorten, Nadiren, rriti dhe edukoi edhe fëmijët e tij. Ai i shkolloi shumë prej tyre me arsim të lartë, gëzoi shumë nipër e mbesa që e deshën dhe i deshi shumë.
U përpoq pa u lodhur asnjëherë të jepte drejtësi, të nxiste të renë e përparimtaren në jetën e komunitetit ku jetoi, të nxiste emancipimin e gruas dhe rolin e saj në jetën e vendit dhe të përmirësonte nivelin dhe kulturën e jetesës në fshat e në shoqëri.
Për efekt të detyrave që kryente, por edhe për prirje personale, ai priti me ngrohtësi dhe krijoi marrëdhënie pune e njerëzore me mjaft kuadro që erdhën e punuan në Shupenzë në ato vite. Ai lidhi miqësi me shumë prej tyre, miqësi që nuk u shkëput asnjëherë edhe kur ata u larguan prej andej. Ai mbeti mik i përjetshëm i Nazmi Koçit, Laze Dautit, Tajar Petanit, Fehmi Agollit, Alfred Sopit e shumë kuadrove të tjerë që punuan e jetuan me vite në Shupenzë. Kuadrot, komunistët dhe populli i Shupenzës e deshën Elez Murren , pikërisht për cilësitë e tij morale e njerëzore.
Në vitin 1982 , pas lodhjeve e peripecive që kishte kaluar, u dërgua të punonte magazinier në spitalin e Shupenzës, detyrë që e kreu më së miri. Ka qenë e veçantë e tij fakti se nuk qe një punonjës i thjeshtë aty, por që shqetësohej për fatin e të sëmurëve aty, për furnizimin me ushqime e ilaçe, për shërimin e shpejtë të njerëzve dhe rehabilitimin e tyre. Me atë natyrë njerëzore që pati, ai ishte bashkëpunëtor i afërt i mjekëve dhe i gjithë personelit mjekësor të spitalit.
Me ndjenjën e lartë të një patrioti dibran, Elez Murra i ndoqi me vëmendje ngjarjet në Kosovë, luftën dhe përpjekjet e vëllezërve atje dhe u lumturua për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Në prill të vitit 1999, ai pati nderin të priste në shtëpinë e tij , komandantin ilegal të UÇK, Ashim Thaçin dhe darkoi e bisedoi gjatë me të. Me nipërit e djemtë tij ai e përcolli atë shëndoshë e mirë përmes Gjoricës duke e kaluar nëpër Drinin e Zi në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Bëri atë që kishte bërë edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe që ai e njihte mirë. Hashim Thaçi e thërriste “Bace” dhe ndoshta për herë të parë e shqiptoi në Shupenzë thënien e tij proverbiale “Bacë u krye”. Dhe Elez Murra ishte shqiptari i parë që e dëgjoi këtë thënie aq të dëshiruar për çdo shqiptar.
Elez Murra mori disa urdhra e medalje, por po veçojmë atë që i dha popolli i Shupenzës, emërtimin e njeriut të mirë që e shoqëroi gjithë jetën dhe që ai e mori me vete. Kryetari e veteranëve të zonës, Xhevat Jella, mbajti një fjalë në ceremoninë e varrimit të tij. Prandaj ne u mblodhëm nga të katër anët e vendit për ta përcjellë në banesën e fundit njeriun e mirë Elez Murra. Qofsh i pa harruar dhe i përjetshëm kujtimi juaj i dashur mik.

Bashkim Lleshi, Nazmi Koçi, Shyqyri Balla, Qazim Zebi, Xhevat Jella, Besnik Xhepa.