KONSPIRANCION DHE DIVERSION NDAJ RRUGËS SË DIBRËS


Punimet e rrugës së Arbrit në Qafën e Tujanit. Foto: B.Karoshi, 2013

Rizgjim pas pesë vjetësh…

RRUGA E ARBËRIT- rruga që duhej ndërtuar e para në Shqipëri…
E ndërtonte valuta e madhe e kromit, rrjedha çurg e djersës dhe të gjakut të minatorëve heroikë të kromit të Bulqizës, Batrës së Martaneshit, Tërnovës…
Nuk u ndërtua…
Konspiracioni dhe diversioni ndaj saj e kanë mbajtur dhe e mbajnë Dibrën në skaj të vëmendjes historike të shtetit shqiptar…
Tash, në kohë ngujimi nga pandemia botërore KOV-19, në skenë kanë dalë përsëri llapaqenet, politikë e mediatike të cilët kërkojnë që RRUGA E ARBRIT të harrohet, ti ndalin fondet e të ndërpriten punimet, të dhunohet…
Dhe kur ndodh kjo?
Kur janë lidhur të dy brigjet e Matit dhe “Ura e Vashës”, e historisë dhe legjendës është gati të përcjellë në të dy krahët mauna kromi e udhëtarë…
Kur janë çarë malet dhe tunelet aq të përfolur po marrin formë përfundimtare…
Kur dibranët jenë më pranë të të vërtetës që mund të nisen nga Tirana në mëngjes herët, të bëjnë llixha në Peshkopi dhe të kthehen për të filluar punën…
E dua edhe unë kënaqësinë të udhëtoj asaj ëndrre të madhe…

* * *

Tirana, kryeqytet i Shqipërisë degëzohet gjeografikisht në katër drejtime e udhëton në katër rrugë historike, lëvizjesh e dyndjesh nga Lindja e Perëndimi: Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Elbasanit dhe Rruga e Dibrës. Tre të parat lidhen me rrugë automobilistike e hekurudhore, rrugë që zgjerohen e shkurtohen, rrugë që kanë qenë dhe janë në vëmendje ndër shekuj.
Tre të parat lidhen me autostrada katërkalimshe, dy që shkojnë e dy që vijnë…
E vetmja rrugë që fillon në qendër të Tiranës dhe mbaron në periferinë e vjetër të saj, është Rruga e Dibrës.

Ura e re e Vashës e sapo përfunduar, prill 2020. Foto: Hasan Pasha

E vetmja rrugë që “lëviz në këmbë” tash e tërë jetën e saj mijëravjeçare është Rruga e Dibrës, historikisht RRUGA E ARBËRIT.
Dibranëve në këtë shekull Pavarësi u është dashur të udhëtojnë drejt Tiranës e Durrësit “tre ditë në këmbë” me ndalesa karvanësh në hane emri i të cilëve ende lakohet e tregohet me gisht, (ndonjëri edhe i restauruar dhe mbrojtur si pasuri kombëtare), Hanit i Nuzit në Dovolan, Hani i Duriçit në Bulqizë, Hani i Klos-Katundit në Mat, Hani i Kurtiqit, Hani i Zall Dajtit…
Dibranëve u është dashur të udhëtojnë “mbi katër rrota të lëvizshme” rrugë pa rrugë.
Nga Dibra në drejtim të Tiranës nëpërmjet Strugës, Elbasanit…
Nga Peshkopia nëpërmjet Gollobordës në drejtim të Elbasanit…
Nga Peshkopia nëpërmjet Bulqizës e Shëngjergjit në drejtim të Tiranës…
Nga Peshkopia nëpërmjet Burrelit e Qafë Shtamës në drejtim të Krujës…
Nga Peshkopia nëpërmjet Rrëshenit e Rubikut në drejtim të Tiranës…
Nga Peshkopia nëpërmjet Burrelit, Ulzës në drejtim të Milotit…
Nga Peshkopia nëpërmjet Muhurrit, Qafë Murrës, Lisit të Matit në drejtim të Tiranës…
Nga Peshkopia, në rrugë verore nëpërmjet Çidhnës, Lurës, Kurbneshit në drejtim të Tiranës…
Nga Peshkopia në drejtim të Kukësit nëpërmjet “Rrugës së Rinisë”, rrugë e hapur me punë vullnetare në vitin 1946…
Nga Peshkopia nëpërmjet Kalasë së Dodës, në Kukës e prej andej nëpërmjet “Rrugës së Kombit” në drejtim të Tiranës…
Nuk ka banorë të Shqipërisë që t’i ketë rënë kaq gjatë e kaq dhimshëm rrugëve për të shkuar në kryeqytetin e vendit, në Tiranë…
Zbulimi i minierës së kromit në Bulqizë nga pushtuesit italianë shtroi rrugën e kalldrëmtë nëpërmjet Qafës së Buallit, Klosit, Rrëshenit…në drejtim të Durrësit.
Hapja e minierës së Kromit të Bulqizës (me emrin “Fitore” e më vonë “Todo Manço” në shkurt të vitit 1948, nxjerrja atë vit për herë të parë në shërbim të ekonomisë shqiptare e 10.432 tonëve krom, sasi e cila në vitin 1954 do të shkonte në 100.321 tonë për tu dyfishuar në vitin 1960 në 219.956 tonë…, zbulimet e tjera të masiveve krom mbajtëse në hapësirën e Batrës, Krastës, Theknës, Tërnovës, Selishtës, Cërrujës etj. e çuan në një milionë tonë nxjerrjen e mineralit të kromit e natyrshëm shtruan nevojën e asfaltimit të rrugës nga Bulqiza në drejtim të Laçit…
Shtrimi u bë i ngushtë, aq i ngushtë sa kamionët me rimorkio ishin të detyruar të përjetonin “ndërrimin e trenave”.
Kishte kaluar afro një çerek shekulli nga “asfaltimi i rrugëve të kromit” kur për herë të parë në vitin 1972 u akorduan fondet dhe nisi zgjerimi dy kalimësh i rrugës nga Bulqiza në Peshkopi dhe asfaltimi i saj.
Do të zgjerohej (aq sa është sot në segmentin e Rrugës së Arbërit nga Bulqiza në Peladhi) në atë gjatësi deri kur armiku më i egër i Dibrës dhe i dibranëve Mehmet Shehu (i njohur për masakrën e Fushë-Çidhnës dhe të tjera) do t’i thoshte me egërsi “Ndal” asfaltimit dhe zgjerimit të rrugës nga Bulqiza në Peshkopi.
Nga Peladhia në Peshkopi rruga mbeti njëkalimshe me stacione ndërrimi si në linjat hekurudhore…
Nisi hapja e dy traverbankëve të Klosit në drejtim të nivelit të pestë të minierës së kromit të Bulqizës, u ndërtua një kompleks i madh për pasurimin e kromit, mori formë traseja e hekurudhës Klos-Milot, u shtruan një pjesë e shinave…
Dibra, me një pasuri të jashtëzakonshme, me vend të tretë në botë për nxjerrjen e mineralit të kromit dhe të parë për frymë të popullsisë, mbeti vendi më i largët në Shqipëri…
Në vitin 1995, në kohë të reja, një grup modest dibranësh që e donin Dibrën në Shqipëri, Dibrën në Evropë (midis tyre edhe unë) ngritën zërin dhe kërkuan publikisht, në radio (Hysen Uka) dhe në shtypin e shkruar (unë e të tjerë) çarjen e maleve dhe lidhjen e Dibrës në rrugën e saj natyrale, rrugën e lashtë sa jeta e saj, Rrugën e Arbërit.
Një zë nga larg, zë i intelektualit dibran Gëzim Alpion i mblodhi dibranët në një listë të gjatë, listën më të gjatë që është nënshkruar masivisht ndonjëherë, Peticionin për Hapjen e Rrugës së Arbërit.
U shkrua një libër me argumentime shkencore historike për Rrugën e Arbërit dhe rrugët historike të Dibrës nga historiani dhe arkeologu Iliaz Kaca…
U shkrua një libër për gjeologjinë në Rrugën e Arbërit nga prof. dr. i shkencave gjeologjike Bashkim Lleshi…
U organizua Kuvendi Tekniko-Shkencor Rruga e Arbërit me punime dinjitoze të intelektualëve nga Dibra, Mati, Dibra e Madhe, Gostivari, Tetova etj.
Dibra u zgjua si asnjëherë tjetër…
Dibra firmosi si asnjëherë në kërkesat e saj legjitime…
Dibra, për herë të parë në historinë e vet, e theu kufirin shqiptaro-shqiptar.
Me Dibrën u bashkuan personalitete nga të katër anët e botës…
Njëzet vjet u zhurmua kërkesa për hapjen e Rrugës së Arbërit…
Në vitin 2005, në kohë gënjeshtrash të njohura elektorale një kryeministër në ikje “përuroi” me hedhje lopatash me zhavorr “fillimin e punimeve” për hapjen e Rrugës së Arbërit…
Dhjetë vjet që atëherë u fol (dhe u bë ndonjë segment mbi trasenë e vjetër) për Rrugën e Arbërit në muaj fushatash për zgjedhjet vendore e kuvendare.
Konspiracioni për Rrugën e Arbërit, fshehtësia zyrtare shtetërore është e mbyllur në “kasafortën” e heshtjes.
Diversioni ndaj Rrugës së Arbërit njohu një kulm të ri të enjten e 16 prillit, në debatin e çuditshëm kuvendar për miratimin e koncesionit ndaj një firme të madhe kineze e cila ka marrë përsipër hapjen e tuneleve dhe lidhjen e segmenteve të “përfunduara” për ti dhënë formë Rrugës së Arbërit.
U mbrojt hapja e rrugës, ashtu si edhe u sulmua. Të dy krahëve nuk luajtën nga “istikami” i kundërshtimeve partiake.
Askush nuk foli për cilësinë e saj, për gjerësinë e saj. U quajt “Rruga e Dytë e Kombit” por në zbatimin praktik mbeti një rrugë “Gjysmë e Kombit”, një rrugë një kalimshe në një kohë që të gjitha rrugët e ndërtuara nga Veriu në Jug të vendit janë rrugë dy kalimesh, autostrada me ndarje korsishë.
Askush nuk u ndal të flasë për cilësinë e pjesëve “të mbaruara” të Rrugës së Arbërit, pjesë që në një gjatësi të madhe janë asfaltuar mbi rrugën e vjetër që lidh Bulqizën me Peshkopinë.
Askush nuk foli për “segmentin ende të pa projektuar” për trasenë dhe fillimin e punimeve mbi të.
Rruga e Arbërit është një rrugë që do të lidhë jo vetëm Dibrën brenda kufirit shqiptaro-shqiptar por edhe Dibrën e Madhe, Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Sofjen për të shkuar deri në Varna, do të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi.
Si rrugë që i bie Gadishullit Ballkanik mes përmes ajo do të kërkojë që rrugët në vijim dhe veçanërisht rruga që lidh Dibrën e Madhe me Gostivarin, duhet të hapet, zgjerohet e asfaltohet në cilësinë e rrugëve ballkanike.
Përvoja e ndërtimit të Rrugës së Kombit ku Shqipëria e ndërtoi kurse Kosova e vonoi pjesën e vet do të duhej të ishte diskutuar paraprakisht me palën maqedonase. Në Kuvend nuk u tha asnjë fjalë për këtë.
Rruga e Arbërit, me vendimin e Kuvendit më 16 prill hyri në muhabetin popullor dhe në median elektronike dhe atë të shkruar ligjërisht.
Konspiracioni dhe diversioni ndaj Rrugës së Arbërit druaj se do të njohë kulme të reja.
Rruga e Arbërit duhet ndërtuar si Rruga e Dytë e Kombit, me të njëjtat projekte dhe përmasa.
Mos e leni atë në mëshirën e njerëzve që e shohin atë si “Lopë” për të mjelë qumësht në kusitë e korrupsionit të njohur për ndërtimin e rrugëve…
RRUGA E ARBËRIT- rruga që duhej ndërtuar e para në Shqipëri…
E ndërtonte valuta e madhe e kromit, rrjedha çurg e djersës dhe e gjakut të minatorëve heroikë të kromit të Bulqizës, Batrës së Martaneshit, Tërnovës…
Nuk u ndërtua…
Konspiracioni dhe diversioni ndaj saj e kanë mbajtur dhe e mbajnë Dibrën në skaj të vëmendjes historike të shtetit shqiptar…
Si dibran, si gazetar, larg informacionit të gjallë, jam pesimist për të ardhmen e mbarë të Rrugës Historike dhe Ekonomike të Arbërit, për ndërtimin e saj me të gjithë parametrat bashkëkohorë…

Athinë, 20 prill 2015