Drini i Zi


Sa këngë janë kënduar për Drinin, sa legjenda janë treguar për të! Sa ndodhi dhe ngjarje! Sa urime, por dhe mallkime ka marrë Drini i Zi! Thonë se në kohë të hershme Drini ka qenë thjesht një lumë. Ndoshta nuk ka pasur as emrin që ka sot.
Edhe i zi nuk i thoshin atëherë, se uji i tij nuk është as i zi e as i kuq edhe kur vjen i rrëmbyeshëm. Tek ne ka ardhur në formë legjende dhe ajo tregon se Drinit i mbeti nofka i Zi nga mallkimi i një motre për motrën, që ia rrëmbyen dallgët para syve. Çdo gjë është e lidhur me dashurinë e dy të rinjve, që ishte pikërisht Drini ai që ua përmbysi ëndrrat e gjithçka. Përmbysi dashurinë e saponisur mes dy të rinjve.

*  *  *
Maria, vajza më e madhe e Nik Perës në fshatin Gjurras ishte rritur dhe zbukuruar mjaft. Ishte bërë për martesë, por hë sot, hë nesër, fati nuk i kishte trokitur në derë.
Burrat thoshin fjalë të mira e plakat luteshin që të kishin në shtëpi një nuse si Maria. E bukur si zanë mali. Me atë trup të gjatë e të drejtë, me ato sytë e shkruar dhe gërshetat hedhur supit, nuk kishte vajzë që t’ia kalonte për bukuri në të gjithë zonën.
Djemtë e fshatit e kishin lakmi dhe e dëshironin që ta kishin fat e të martoheshin me Marien, por, atëherë, në këtë fshat ishte vendosur që nuk mund të bëhej miqësi brenda fshatit. Erdhi një ditë që edhe këto ëndrra të bukura rinore të përmbyseshin.
Nika e fejoi Marien në fshatin Murrizë pa dijeninë e saj. E vajza e bukur e Nikës, kjo zanë mali që e lakmonin të gjithë djemtë e fshatit, ia kishte falur zemrën Lekës, një djalë ky moshatar me Marien në fshatin matanë Drinit, megjithëse as ishte parë e dëgjuar ndonjëherë që vajzat të fejoheshin vetë pa pëlqimin e prindërve. Hë sot, hë nesër, Maria nuk kishte pasur mundësi që t’i thoshte të paktën nënës, t’i hapte zemrën pa droje. Dashurinë mes dy të rinjve e dinte vetëm motra më e vogël Marta, por dhe ai çelës, si i thonë fjalës, nuk i kishte treguar njeriu për bé. Ajo e kishte parë shpesh Marien tek merrte tufën e deleve para dhe i fuste në shelgjishtet buzë Drinit.
Aty takohej me Lekën dhe qëndronin bashkë deri vonë, kur dielli humbiste matanë. Maria atë mëngjes u ngrit nga gjumi si e trullosur. Në darkë nëna i kishte treguar se e kishin fejuar në fshatin Murrizë, një fshat ky fare pranë Gjurasit. Kjo fjalë për Marien erdhi si diçka e papritur.
As e kishte menduar se do të futej dikush i panjohur mes saj dhe Lekës. Por ja që paska ndodhur! Tufa e deleve e kishte kaluar “Rrasën e Bollës” e po kullosnin qetë – qetë në shelgjishte e Maria akoma nuk kishte zbritur “Kodrën e Murrize”. Fjalët e nënës e kishin dërrmuar keq. Akoma nuk e besonte se tashmë ajo ishte cucë e fejuar dhe si e tillë duhej të kishte kujdes. Dashurinë e saj me Lekën nuk ia kishte treguar askujt. Bile dhe motra e saj Marta e kishte pikasur se tufën e deleve gjithmonë e çonte në shelgjishte në breg të Drinit.
Një ditë e kishte parë bashkë me Lekën tek bisedonin të shkujdesur pa u ruajtur nga syri i hallkut, por motra nuk i tregoi askujt. Por ama Maries i kishte thënë:
– Mos ia mba fshehur motrës tënde dashurinë që ke me Lekën se ndoshta të duhem ndonjë ditë! E sot këto po mendonte Maria tek zbriste poshtë Kodrën e Murrize. Motra e ndiqte nga pas se e kishte dëgjuar bisedën që kishte bërë me nënën në mëngjes.
– Do t’ia them të gjitha Lekës, sapo të bije në breg të Drinit. Do të dal në va e do të shkoj tek ai, atje ku kullot delet. Me këto mendime në kokë ra poshtë kodrës. Drini atë ditë ishte i turbullt dhe vinte gjithë zhurmë e potere, duke marrë para gurë dhe drurë të mëdhenj. Aq i inatosur ishte Drini, saqë nuk pyeste as për vaun ku dilte Leka më këmbë e takohej me Marien.
Ishte fry aq shumë, saqë vau nuk dukej më. Maria, kur e pa se tufa e deleve nuk e kishin ndërmend të dilnin nga shelgjishtja, u afrua afër vaut, pikërisht aty ku Leka dilte përherë në këmbë dhe filloi të thërrasë me sa zë kishte:
-Lekë! O Leeekë!
Zhurma e Drinit nuk e linte zërin e saj të kalonte matanë. Maria nuk e ndjente fare se ujët e turbullt të Drinit i kishin mbuluar kërcinjtë e këmbëve dhe ekuilibri i saj nuk po qëndronte dot më. Sakaq, një dallgë tjetër e fuqishme e rrëmbeu dhe e mori me vete. Motra e pa gjithë këtë skenë tragjike që i ndodhi Maries, por ishte e pafuqishme që ta ndihmonte. Kur vajti në breg të Drinit, çdo gjë kishte marrë fund.
Vetëm delet kullosnin qetë-qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Atëherë mallkoi Drinin: “Dri, o Dri, u bafsh i zi!” Mallkimin e motrës për motrën e dëgjuan të gjithë e, që në ato kohë, i mbeti Drini i  Zi.

Bukla

Në Dibër këtë kafshë të egër e të rrallë e thërrasin Bukël, Një emër eufemik shumë i gjetur. Pra, “E bukura”. Kështu është quajtur e kështu quhet edhe sot ajo kafsha e rrallë, banore e mureve dhe trojeve të braktisura, që shikohet shumë rrallë. Tani besoj se kuptohemi që bëhet fjalë për një kafshë të egër, të ngjashme me macen, një gjitar me gëzof të kuqërremtë e bark të bardhë.
Ndoshta pse shihet rrallë, ndoshta pse ka bërë ndonjëherë zullume të egra si kafshë mishngrënëse që është, populli ka thurur për të shumë tregime, duke e veshur me cilësi të veçanta çudibërëse e fatndjellëse.
Më së shumti qëndron nëpër muret e shtëpive, në rrënoja muresh e në pirgje guri, por ndodh që gjendet dhe në kopshte pranë shtëpive. Bukla, zakonisht, nuk është e dëmshme, por rrallëherë ka ndodhur që ka bërë dëm në bagëti dhe në njerëz. Më së shumti han gjinjtë e bagëtive. Që të mos bëjë dëm, shpesh vendosin një furkë me një shtëllungë leshi, por dhe bukë në një dritare ku ka bagëti.
Thonë se bukla, kur vijnë në dritare me u fut tek bagëtitë nuk bën dëm, por merr furkën e tjerr lesh si dhe ha bukën që gjen në dritare. Bukla më së shumti është një gjallesë që i sjell mbarësi shtëpive ku ndodhet. Ajo shtëpi që nuk ka një bukël thonë se nuk ka mbarësi. Kjo e pastron shtëpitë nga minjtë si dhe zvarranikët e tjerë të frikshëm. Ajo është roje e shtëpive ku banojnë njerëz.
Po si ka ardhur tek ne legjenda për këtë gjallesë disi të çuditshme?
Njëherë e një kohë në një fshat matanë Drinit jetonin tre vëllezër dhe që të tre u martuan. Shkonin kaq mirë me njëri-tjetrin edhe pasi u martuan, sa shumë shpejt filluan të futen në gojët e fshatit për mirë. Ishte një familje e madhe, por model në fshat dhe më larg. Pas pak kohësh vëllai i vogël shkoi në kurbet larg familjes.
Në shtëpi u la amanet vëllezërve gruan me djalin e vogël. Nusja e vëllait të vogël ishte më e bukura dhe më e zgjuara ndër kunatat. Këtë e shikonin edhe vetë kunetërit, e shikonte dhe gjithë fshati. Mirëpo kjo bukuri dhe zgjuarsi po i bënte xheloze kunatat. Atyre u verbonte sytë kjo bukuri, ku dhe vetë katundi fjalët më të mira thoshte për të.
Meqenëse burrin nuk e kishte në shtëpi, filluan që t’i nxjerrin dhe fjalë në fshat për çështje nderi, që ajo në fakt ishte krejt e pastër. Opinioni që ishte krijuar për të mirë, nuk prishej lehtë. E panë se e kishin të vështirë me fshatin, atëherë në bashkëpunim me burrat e tyre përdorën një djallëzi tjetër. Burri po vonohej e djali ishte i vogël. Një ditë e morën kunatën dhe e mbyllën në bodrumin e shtëpisë me dry. Në atë errësirë askush nuk e shihte. Këtu do të vdiste dalëngadalë dhe gjurmët do t’i mbulonin më vonë.
Djali ende ishte i vogël dhe nuk kuptonte gjë. Sapo kishte filluar të belbëzonte fjalët nënë e babë. Djalin kunatat e mbanin mirë dhe e trajtonin njëlloj si fëmijët e tyre. Nuk e linin asnjë ditë vetëm. Ai belbëzonte sa belbëzonte duke kërkuar nënën e babën dhe më së fundi e zinte gjumi. Një ditë, ashtu këmbadoras afrohet tek dera e bodrumit, ku qëndronte prej disa ditësh nëna e tij e kyçur. Dryni i ndryshkur u shpërthye vetë e dera e rëndë prej druri u hap kat e m’kat. Djali këmbadoras filloi të futej brenda në bodrum. Në një qosh pa një kafshë disi të çuditshme.
U afrua dhe më shumë dhe, duke e përkëdhelur e lozur me të, filloi të shqiptojë për herë të parë fjalën bukël. Djali nuk e shqiptonte dot fjalën bukur, por thoshte vetëm bukël. E kjo gjallesë e re, e urtë e linte djalin që ta përkëdhelte.
E ku ta dinte djali i vogël se kjo gjallesë që po lozte e vetme në bodrum, ishte vetë nëna e tij, e cila ishte kthyer në një gjallesë disi ndryshe, që nuk ishte parë! Kështu thotë legjenda për buklën e populli i ka krijuar aq tregime e kënduar dhe këngë.
Nusja e bukur dikur, e mbyllur në bodrum u kthye në bukël. E këtë emër ia ngjiti vetë djali i saj, kur belbëzoi fjalën ‘bukël’ në vend të fjalës “Bukër” – “E bukur”.
(Marrë nga vëllimi “Gurrat e Korabit”, 
Botimet “Emal”, Tiranë2012).