FJALË E FRAZEOLOGJIZMA TË RRALLA


FJALË TË RRALLA

M
► majsk / majsk / mȃjsk: Sapun me erë të mirë, sapun majsk. Nga pers. mysk, lloj bime në formë myshku me erë të mirë. Ne besojmë se dhe myshk vjen nga i njëjti burim.
► m’tëj / m’təj / m’tȅj; m’tova: Është e njëjtë me fjalën zbuloj. E m’tova ku e kishte hallin. Duhet të ketë lidhje burimore me (ku)mtoj, prej këndej (ku)ptoj, mtoj.
► mar’so / maɾ’sɔ / márso: Mbarësoj bëj gati, përgatis(299). Në të folmen e vendit fjala marësoj përdoret edhe me kuptimin përgatisë dikë për udhë: ia marsova punët dhe e përcolla; Nusja jonë ȃ hazrue / Të gjithë petkat i ka marsue (pop.).
► me / mɛ / mȇ-ni: Mangut: Sadri aga nji kacadre / Shtie tepër e i del mê (pop.). Kjo fjalë përdoret edhe si folje, në formën mê-mêni që janë të njëvlershme me pushoi, ndaloi: meni shiu, meni kroi. Ka dhe kuptimin praj, prani, pushoi: e meni të qamen.
► mitajë / mitajə / mitáj’: I urtë, i padjallëzuar. Ndoshta nga i mitur, i padjallëzuar si një i mitur, mitajë.
► mullarth / muɫaɾɵ / mullárth-i: Quhet kështu një bosht cilindrik druri tek mulliri, mbi të cilin vendosen fletët. Mullarthi shërben për të rrotulluar gurin e mullirit.
► mun’çer / mun’ʧɛɾ / munçér-i: Mundçar. Përveç sa shënon Çabej për fjalën mund(300), në të folmen e vendit munçer quhet ai njeri që është gjithnjë i gatshëm të japë mundin e vet për të tjerët (djersën, punën). Munçer i madh, thuhet për dikë që punon shumë.
► m’shel’ / m’ʃɛl / m’shȇl’-at, të: Mëshel, mbyll. Çabej e bashkon me ngujoj(301). M’shela derën dhe menjëherë u nisa për tek spitali; Ndejtëm gjithë ditën m’shelë; erdhi shumë herët, çil e m’shil mëngjesi; ngujimi – të m’shelat ka qenë mënyrë e vështirë për të jetuar. Shumë fëmijë janë rrit me t’m’shela. Kemi jetue me t’m’shela. E një burimi me çel, antonim me të: çel, mçel, mshel. Me shumë interes kjo parashtesë funksionale për antonimi.
► mufo / mufɔ / mufó-j,-va: Mbufat, fus enën e drurit në ujë që të bashkohen mirë pjesët e saj të drunjta dhe të mos rrjedhë më. E mufuemja bëhet duke e shti enën e drurit tre katër-ditë në ujë. Në këtë mënyrë ena e drurit mufohet dhe nuk rrjedh lëngjet. Përpara se ena të mufohet në ujë, grihen bllaga dhe i futen me gjigjë kudo ku bashkohen pjesët e drurit.
► m’xhê / m’ʤɛ / m’xhȇ: Shumësi i këtij emri mxhȇjt’. Quhen kështu trungjet e mëdhenj të drurëve të prerë. Çabej na jep formën vgjê(302). Erdhën nja dy m’xhê të mëdhenj për Drini.
► mërcajn’ / məɾʦajn’ / mërcȃjn’-a: Ngordhësirë, shkurtim i kësaj fjale në thjeshtligjërim: ngrodhësinë, ngordhsajnë, ngërsajnë mërcajnë. Ndoshta e njëjtë me bercane(303) te Çabej. Quhet një gjallesë që është shumë e dobët fizikisht. Hanë bukë e shllajnë/ Bahen si mërcajnë (pop.).
► mrume (e) / ɛ mɾumɛ / mrúme, e: E mbrujtun: kështu quhet buka e misrit e cila zȋhet me farë (me tharm). Brumi i bukës, pasi i futet tharmi (fara), pritet deri sa të vijë, të tharmohet, ndaj quhet edhe bukë e ardhme ose e mrume (e mbrujtme).
► miskon (më) / mə miskɔn / mískon, (më). Pickim i lehtë i trupit. Më miskon trupi. E njëjtë me pickon.
N-Nj
► n’rrolle / n’rɔɫɛ / n’rrólle, n’rróllet: Fjalë e rrallë në vargjet që shoqërojnë lojën me kaçokë: Taaa bëj nji nërrolle / Kam veç nji t’i bëj dy / Kam veç dy / T’i bëj tri… Kështu veprohet deri te numri pesë.
► nabere/ nabɛɾɛ / nabére: Dobarem, barem, të paktën. Në FGJSSH: dobare, të paktën. Çabej sjell formën bare(304). Nga pers. دوباره, dobare, me kuptim të drejtpërdrejtë përsëri dhe me kuptim të bartur të paktën. Nabere hajde heret në punë. Edhe në këngët popullore dhe tek bejtexhinjtë: Barem në tre-katër muaj.
► nare / naɾɛ / nȃre: E hodhi tutje, e flaku larg. I dha nȃre.
► norë (e) / ɛ nɔɾə / nór’, e: E ndorme, e ngjeshur me dorë, e norë. Njësoj me e ndorme te Çabej(305), me ndryshimin që të folmet e vendit bukë e norë quhet buka që përgatitet me ngjeshje dhe jo me tharm (farë). Hyn në korrelacion me bukë e mrume, e mbrume (Koliqi: Shija e bukës së mbrume, të mbrujtun).
► nugj / nuɟ / nȗgj: Nugjet, myket: mos e ven kashtën mullar se është e njomë e do të nugjet; e kishe nugjë kashtën. Shenjë dalluese se një objekt po nugjet është ndezja, nxemja e tij.
► nefer / nɛfɛɾ / nefér-i: Nga turq. nefer, ushtar. Përdoret me kuptimin i parëndësishëm: Ai, nefer krajpe është.
► nesrit / nɛsɾit / nés’rit: Njësoj me të nesërmen(306): Atë ditë bana të gjitha gjanat gati e nesërit u nisa. Një formë e çuditshme rrjedhorje, në një ndajfolje të nominativizuar: nesër (ndf.), nesërmja (em.) dhe nesëret, neserit më në fund.
► nask’ / nask’ / nȃsk’-a: Grua e sertë, inatçore e hileqare. Zakonisht në njëjës. Hë ç’është nji naskë ajo, veç unë e njoh; Nana e nuses ni turajnaskë / Qaka ba si dele llaçkë (pop.).

Marrë nga libri “Toponimia e Çidhnës” i autorëve Haki Përnezha dhe Rruzhdi Bitri, Botimet M&B, Tiranë, 2016.