Hajdar Poliçi punoi plot pasion e përkushtim gjatë gjithë karrierës së tij.
Pesë anëtarë të familjes Poliçi, pesë intelektualë të përkushtuar
Nga OSMAN XHILI


Hajdar Poliçi  lindi në Katundin e Ri, me  15 dhjetor 1947, në një familje të thjeshtë punëtore.
Babai i Hajdarit, Rama, deri nga vitet 1960 është marrë me bujqësi e blegtori. Rama ishte njeri shumë punëtor, inteligjent e njeri besimtar.  Në punët e tij të përditshme e ndihmonin shumë edhe fiziku i tij i veçantë, zgjuarsia dhe pasioni. Ai bënte gjithçka, siç thotë populli: “Çfarë i shihte syri, i bënte dora”. Ai kryente rolin e infermierit në familje, në fisin e tij e më gjerë, rolin e kuzhinierit në fshat e zonë, për raste vakish, rolin e rrobaqepësit (për rroba e leshta), murator, karpentier e kudo tjetër ta kërkoje. Ne pemëtoren modeste të tij do të gjeje edhe bajame apo mana te zinj të Sharakanit (zonë e lartë në thellësi të Muhurrit). Në fëmijërinë e tij  Rama kish ndjekur shkollën (5 klasë) dhe kishte qenë nxënës i shkëlqyer, me të gjithë notat njësha, nota me e lartë e atyre viteve.
Në vitin 1960 nis një punë dhe eksperiencë e re për të, si magazinier në ndërmarrjen “Guri i Kuq “Muhurr. Me korrektësinë e tij dhe saktësinë ne veprime, Rama  qëndroi në atë pozicion pune derisa doli në pension. Ishte njeri që herë pas here lexonte ndonjë libër, kryesisht fetar, të fesë islame. Shumë vite më pas, profesor Hajdari, gjen një nga librat e babait të tij, Dhiata e Re, aty në një valixhe druri, të punuar po nga duart e tij.
Midja, ishte e  ëma e Hajdarit. Në një shtëpi të madhe, me shumë hyrje e dalje, me  gjashtë fëmijë, ishte e vështirë mbijetesa.  Por  zemra e saj e bardhë, shpirti i saj altruist, do të dinte të përballonte mikpritjen, shërbimet në familje dhe punën ne kooperativën bujqësore. Për çdo ditë do të përcillte fëmijët për në shkollë, të ushqyer mirë e në veçanti të pastër. Ajo do të kujdesej për veten e saj, vetëm kur të tjerët ishin në gjumë.
Meqë Rama shkollën e kishte pasion, nxiti dhe dërgoi fëmijët për shkollim. Edhe pse në zonë nuk kishte shkollë të mesme (deri pas viteve 1970), të gjashtë fëmijët e tij mbaruan shkollën e mesme, ndërsa dy prej tyre,  Hajdari dhe Isufi mbaruan shkollat e larta (Hajdari për mësuesi, Isufi  për inxhinieri elektrike).

PROFESOR HAJDARI, 
MË I MADHI I FËMIJËVE. 

Pasi mbaroi shkollën fillore në Katund të Ri,  djaloshi, i etur për dije e kulturë, vazhdoi shkollën 7-vjeçare dhe atë të mesme  pedagogjike në Peshkopi. Përveçse ishte një nxënës shumë i mire në mësime, ai shkëlqeu në muzikë, si instrumentist në mandolinatën e shkollës pedagogjike. Qëkur ishte pesë vjeç, ai kishte mësuar notin në mënyrë të shkëlqyer. Kishte parë e dëgjuar valët e Drinit, vetëm pak metra  poshtë shtëpisë së tij, herë të përplaseshin egër e herë të tjera të rrëshqisnin butësisht. Ato lëviznin brenda shtratit të lumit, si në një pentagram gjigant. Kishte dhe lumi notat e tij, muzikën e tij, gjuhën e tij e të gjitha këto do të linin gjurmë të pashlyera në mendjen e karakterin e fëmijës që po rritej pak nga pak.
Si instrumentist pranë Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi, ka të inçizuara,  në Radio Tirana mjaft pjesë instrumentale dhe instrumentalo-vokale. Në vitin e katërt të shkollës pedagogjike ai njihej nga afër me muzikantin Tonin Rota. Këshillohet prej tij që të shkojë për studime në Shkollën e Lartë të Muzikës, që në ato vite quhej Konservator, ndërsa  sot, Akademia e Arteve. Për arsye mentaliteti të prindërve, kjo ofertë nuk u realizua.
Shkollën e lartë e kreu në Tiranë, te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, me rezultate shumë të larta. Në përfundim të saj, në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave, e cila organizohej çdo fundviti, Hajdari bënte pjesë në grupin e studentëve  të cilësuar,  më të mirët e fakultetit, në atë vit akademik. Për këto arsye, Fakulteti i Shkencave të Natyrës e pati kërkuar profesor Hajdarin, disa vite rresht, për të punuar si pedagog pranë kësaj katedre. Për arsye të ndryshme, për kulisa e prapaskena, që nuk kanë munguar në asnjë kohë,  kjo ide e mundësi asnjëherë nuk gjeti zbatim në praktikë.
Pas mbarimit të shkollës së lartë, fillon punë si mësues në shkollën e mesme Maqëllarë (5 janar 1973). Pas dy vite pune, Hajdari emërohet drejtor i shkollës së mesme Maqëllarë, detyrë të cilën e kreu për 15 vite radhazi (shtator 1975 –  qershor 1990).

MBRESA E KUJTIME  NE KËTO VITE

Ishin vite të vështirë. Të vështirë për mësues, por dhe për nxënës. Ndërtesa në të cilën zhvillonte mësim shkolla e mesme ishte një shtëpi private, e konfiskuar nga regjimi i asaj kohe. Objekti ishte dykatësh, por i papërshtatshëm për shkollë. Sallone të ngushtë, dhomat ku zhvillohej mësimi ishin të vogla, shkallë prej dërrase që bënin shumë zhurmë në ngjitje e zbritje. Kjo, edhe për arsye konsumimi nga vitet e ndërtimit e, megjithëkëtë, nga kujdesi që tregohej si nga nxënësit, ashtu dhe nga mësuesit, shkolla mbahej mirë.
Thuhet që dibranët janë arsimdashës. Këtë cilësi profesor Hajdari e gjeti të mëshiruar në kulturën e kësaj zone. Shkolla kishte pak vite që ishte hapur. Në vitin  1968, si shkollë pa shkëputje nga puna, profili agronomi  e më pas, në vitin 1969 gjimnazi me shkëputje nga puna, ndaj dhe numri i nxënësve ishte i vogël. Por nga dëshira për arsimim, shumë shpejt,  shkolla u mbush jashtë kapaciteteve të saj, pra, me shumë nxënës. Çdo vit shkolla rritej si nga ana sasiore, ashtu edhe nga ajo  cilësore. Këto tregues detyrojnë organet e pushtetit në rreth që të ndërtohej një objekt i  ri shkollor (sot shkolla 9-vjeçare Maqellarë).
Mësuesit e shkollës filluan të shpërfaqin pasionin e tyre, por dhe aftësitë profesionale, pse jo dhe talentin e tyre si më mirë. Shefki Shehu, Sabri Vraniçi, Hamza Spahiu, Lutfi Manjani, Gëzim Hoxha, Rexhep Shahini, Sulejman Kata kishin vite dhe eksperiencë mbi supe. Esat Bunguri, Xhevdet Stafa, Demir Osmani, Xhevahir Hoxha, Bexhet Aga e shumë të tjerë, ca më të rinj se të parët, kishin forcën e dinamizmin, përkushtimin e dëshirën për t’u shkuar deri në fund gjërave të mira. Pasi mbaronin mësimin, ata luanin futboll, basketboll, volejboll, shah e ping pong, bashkë me nxënësit e tyre, si një ansambël, që funksionon më së miri.
Ashtu, bashkë, në mendim e veprim, ata nxorën një plejadë nxënësish të shkëlqyer, që u bënë kuadro me vlera në degë të ndryshme të ekonomisë. Kam pasur fatin e privilegjin, që një prej tyre të jem dhe unë, shkruesi i këtyre rreshtave për profesorin dhe drejtorin tim të asaj kohe, Hajdar Poliçin.
Shkolla, shumë shpejt u mbush me kabinete mësimore, si ai i letërsisë me bibliotekën me të gjithë treguesit e kohës, i  historisë, i kimisë, i fizikës. Për lëndët e fizikës dhe kimisë ishin ngritur dhe ambiente me laboratorë. Kishte dhe  kabinete për lëndët profesionale, si ai i bimëve të arave, mekanikës, mbrojtjes së bimëve, zooteknisë, salla sportive etj. Shkolla e mesme Maqellarë tashme jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje e nivel njohurish, konkurronte me shkollat më të mira të rrethit e pse jo dhe të Republikës.  Si model dhe pikë referimi ishte shkolla “Nazmi Rushiti” Peshkopi, e cila ishte cilësuar një nga tri shkollat më të suksesshme të Republikës.
Në një vit mësimor, në provimin e Shtetit  (quheshin atëherë provimet e klasës përmbyllëse të shkollës së mesme) për lëndën “Bimë arash”, rastësisht vjen  nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të atyre viteve, Fatmir Çomo. Ai nuk dëgjon vetëm një nxënës të përgjigjej, por disa  prej tyre, radhazi. Fatmiri kishte mbaruar degën Agronomi. Ngelet i habitur nga përgjigjet dhe e merr si shembull për mirë shkollën tonë në Komitetin  Ekzekutiv të asaj kohe.
Gjatë shumë viteve, në shkollën që drejtonte profesor Hajdari, ka pasur nxënës të shkëlqyer. Vehap Aga, në olimpiadën e matematikës zuri vendin e tretë në shkallë Republike. Po kështu, nxënësja Dhurata Elezi në olimpiadën e letërsisë, zuri vendin e parë në shkallë rrethi dhe vendin e tretë në shkallë republike. Pas semestrit të parë të provimeve në shkollat e larta, pranë kësaj shkolle  do të vinin çdo vit fletë falenderimi për cilësinë e nxënësve që ne dërgonim në ato universitete, sidomos në Korçë.
Në vitin 1991, pas plot 15 vite pune si drejtor i shkollës së mesme, profesor Hajdari, transferohet si inspektor ne Seksionin e Arsimit. Një vit më pas u organizuan drejtoritë arsimore. Në  këtë institucion punoi me ndërprerje, rreth 11 vjet. Në periudhën e parë si përgjegjës i Sektorit të Kontroll – Kualifikimit e në periudhën e dytë si përgjegjës i Sektorit të Kurrikulës e Cilësisë, pozicion në të cilin del në pension. Në Peshkopi punoi dhe në disa pozicione të tjera,  si drejtor i Gjimnazit “Seid Najdeni, si përgjegjës zyre pranë institucionit të Prefektit Dibër, por edhe si mësues në shkollën pedagogjike Peshkopi. Në këto vite të shumta të punës së tij, siç ka pasur telashe e zhgënjime, nuk kanë munguar dhe vlerësimet e shumta. Dy herë ka marrë titullin si “Mësues i dalluar”, kurse  me Urdhrin “Naim Frashëri”, është dekoruar kur ishte drejtor i shkollës së mesme Maqëllarë. Është vlerësuar nga këshilli bashkiak si “Nderi i Arsimit” për qytetin e Peshkopisë. Profesor Hajdari drejton prej vitesh shoqatën “Blini”, në aktivitete të ndryshme pastrimi, higjenizimi e ndërgjegjësimi të popullatës. Këto janë shumë pak të dhëna, janë vetëm maja e ajsbergut, të punës së tij plot pasion e përkushtim.
Ndoshta ky rrugëtim i gjatë i profesor Hajdarit nuk do të kishte qenë aq i suksesshëm pa ndihmën e një personi tjetër, që e takoi në Maqëllarë dhe u bë pjesë integrale e jetës së tij. Ajo ishte Flora Kosiqi, bashkëshortja e tij. Një nxënëse e shkëlqyer në të gjitha nivelet e shkollimit. Kur ajo ishte nxënëse në shkollën e mesme Maqëllarë, ekipi i volejbollit të Maqëllarës përfaqësonte rrethin Dibër në takime të ndryshme kombëtare të volejbollit. Flora ishte pjesë e skuadrës së parë të këtij ekipi. Pasi mbaron shkollën e lartë me rezultate shumë të mira, duke qenë pjesë e listës “Krenaria e Universitetit”, emërohet mësuese e bio-kimisë pranë shkollës së mesme Maqellarë. Flora kështu hap siparin e punësimit të nxënësve, që do të mbaronin shkollën e mesme Maqellare e, pasi mbaronin shkëlqyeshëm shkollën e lartë, do të vinin te punonin si mësues në këtë shkollë. Me lëvizjen e Hajdarit në Peshkopi, Flora transferohet si mësuese kimie në shkollën “Demir Gashi” Peshkopi.
Shumë shpejt, në Peshkopi, Flora do të dallohej si mësuese pasionante dhe me nivel të lartë përgjegjshmërie. Për punën e saj shumë të mirë, Këshilli Bashkiak i qytetit e nderon me titullin “Nderi i Qytetit”. Në vitet 2010 e më pas, Flora drejtoi shkollën 9 vjeçare “Selim Alliu” si zv.drejtoreshë dhe atë “Demir Gashi” si drejtoreshë, nga ku doli dhe në pension. Krahas punës së shtetit, Flora ka pasur  një përkujdesje shumë të madhe për familjen e fëmijët e saj.

FËMIJËT , LULET E JETËS

Çifti i profesorëve Poliçi kanë tre fëmijë,  një djalë e dy vajza. Djali, Alfredi, fëmija më i madh, pasi mbaroi gjimnazin Peshkopi, shkoi me studime në Universitetin e Peruxhas, Itali, dega Farmaci. Pasi mbaroi shkollën, Alfredi punësohet si farmacist në Peruxha, punë të cilën e vazhdon edhe sot.
Vajza, Prunela, mbaroi gjimnazin Peshkopi dhe më pas edhe ajo shkoi te vëllai në Universitetin e Peruxhas, në degën Stomatologji. Prunela, pasi mbaroi shkollën me rezultate maksimale, vjen në Shqipëri dhe punësohet pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mire” Tiranë. Gjatë kohës që punon pranë këtij Universiteti, Prunela ka bërë specializim të nivelit Master pranë Universitetit Tovergato në Romë, ndërsa në vitin 2019, po pranë Universitetit Tovergato – Romë, mbrojti doktoraturën në specialitetin Odontoiatri.
Vajza e vogël, Ariola, pasi mbaroi gjimnazin në Peshkopi, shkoi për studime në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Për  ca kohë punoi si mjeke e përgjithshme në spitalin Maqellarë.  Aktualisht, vazhdon specializimin  si mjeke në gastro- enterologji  pranë Universitetit Katolik “ Zoja e Këshillit të Mire” Tiranë.
Familja e nderuar Poliçi endet si një anije në detin e jetës. Ajo lëviz mes Peshkopisë, Tiranës e Italisë, e më të rrallë zbret deri në Katundin e Ri të Luznisë, ku i ka dhe rrënjët e vjetra. Pesë anëtarë të familjes, pesë intelektualë të shquar, pesë yje, apo një yll me pesë cepa…