Hazis Ndreu, mjeshtri i alegorisë


Kur bëhet fjalë për përdorimin e alegorisë në praktikën jetësore, Haziz Ndreu ishte Njëshi. Me të nuk ka të krahasuar asnjë në Dibër, por as jashtë saj. Po Hazizi ishte Njëshi edhe si  mbledhës i alegorisë. Ai ishte Njëshi edhe si vlerësues i saj. Ai ishte si ai gjeologu i mirë që vetëm nga disa vija ose nga disa pika dallon një lloj minerali nga minerali tjetër.

Shtylla e katërt që i shton “godinës së vet krijuese” Haziz Ndreut është alegoria. Kështu kulla bëhet me katër qoshe, siç janë të gjitha kullat. Hazizi qe mbledhës i alegorisë, bartës dhe përdorues i mirë i saj. Bëri disa përpjekje për të qenë edhe studiues, por pa sukses për shkak të mungesës së shkollës. Por edhe nëse nuk ia arriti asaj që dëshironte më shumë, Hazizi bëri mjaft edhe në këtë kahje. Alegoria e ka çarë rrugën me vështirësi. Trualli ku është bërë debati ka qenë Dibra, ku ajo ndodhet me shumicë dhe ku ka veçori të dallueshme nga alegoria në vendet e tjera. Hazizi ka kontribuar për njohjen e saj vetëm me përpjekjet që ka bërë, jo me rezultatet që ka arritur. Rezultate nuk pati. Por kështu e ka suksesi. Nuk vjen menjëherë. Nuk duhen harruar pionierët që e nisin një punë, por e vazhdojnë të tjerët. Haziz Ndreu ka qenë pionieri i alegorisë. Unë jam dishepulli i tij.
Alegoria nuk ishte thjesht çështje letrare, çështje arti apo shkence. Ishte edhe çështje shtetërore. Të paktën, kështu është trajtuar në fillim. Është trajtuar si e tillë në nivel lokal, por udhëzimet kanë ardhur nga qendra. Diktatura donte ta mbante larg këtë lloj arti. Nuk donte të flitej për të dhe për shumë vjet ajo u rrethua me heshtje. Hazizi qe i pari që e nxori alegorinë nga strofka ku rrinte e ndrydhur dhe e vuri në një sofër me artet e tjera dhe me kulturën tjetër të popullit.  Alegoria nuk u pranua në këtë sofër. Kjo ka ndodhur në vitet shtatëdhjetë, kur në Peshkopi u mbajt një sesion shkencor për problemet e historisë dhe të kulturës së popullit. Trajtesën e shkurtër për alegorinë e mbajti Haziz Ndreu. Ishte një trajtim i thjeshtë i kësaj “mënyre të foluri”, siç e prezantoi ai alegorinë. Trajtesa ishte pa nivel. Por ajo nuk u hodh poshtë për këtë arsye. Alegoria u kundërshtua si e tillë, u konsiderua si muhabet odash me spica dhe kunja, krejt i papërshtashëm dhe i panevojshëm për kulturën socialiste që është e hapur dhe e sinqertë dhe në funksion të idealeve komuniste. I pari kundër saj foli sekretari i parë, pastaj dhe ato që e pasuan. Hazizi vetë dhe ata që e kishin futur temën për alegorinë në programin e konferencës, nuk e mbrojtën atë. Hazizi kishte thënë aq sa kishte ditur, të tjerët nuk patën guxim, por ata edhe nuk kishin ç’të thonin më shumë. Partiaku i lartë dukej i revoltuar jo vetëm si partiak, por edhe si jodibran. Ishte i vetmi sekretar i parë që nuk e donte Hazizin. Motivet nuk i di, por siç u kuptua atë ditë kur ai e nxori mllefin, kjo kishte të bëjë edhe me faktin që ai Hazizin e quante njeri të kunjave dhe të spicave. Kumtesa e Hazizit në të vërtetë duhej kritikuar, por për tjetër gjë: ajo nuk kishte thellësi mendimi; u krijua përshtypja sikur alegoria ishte një dialekt, brenda dialektit, shkurt, nuk u tha asgjë specifike e këtij lloj arti. Më poshtë ne do ta shikojmë se sa e ndërlikuar është alegoria, sa shumë dituri dhe angazhim kërkon zbërthimi i saj. Aq sa kishte shkruar Hazizi në tre-katër faqe ishte e pamjaftueshme. Sekretari i parë e kritikoi alegorinë si të ishte e Hazizit, por ajo në të vërtetë ishte e popullit. Në atë kohë dhe gjatë gjithë viteve që zgjati diktatura, në qytetin e Peshkopisë kishte shumë të huaj, me kuptimin jodibranë. Dibranët kanë një të metë shumë  të madhe: e respektojnë shumë të huajin dhe e shtyjnë shumë të vetin. Të huajt përgjithësisht ishin nga Jugu dhe ishin me detyra të rëndësishme, kryesisht në sigurim, në ushtri, por edhe drejtues të institucioneve dhe ndërmarrjeve, madje edhe sekretarë të parë. Pothuaj të gjithë sekretarët e parë në Dibër kanë qenë jodibranë.  Jodibranët kanë ardhur në Dibër me një gjel rraqe dhe janë larguar prej saj me makina me rimorkio. Kanë shirë në Dibër si kali në lëmë, por pa u lodhur si kali. Por këto nuk janë objekt i këtij libri. Kam shumë për të shfryrë, por nuk dua ta bëj nëpërmjet Hazizit. Për Hazizin nuk duhet të shkruhet një libër mistrec. Ishte burrë dhe duhet shkruar si për një burrë. Le të shkojmë te problemi: jodibranët nuk e kishin qejf “muhabetin me shifra”, siç e quante populli alegorinë, se kishin frikë se viheshin në lojë nga populli i zgjuar i Dibrës. Kjo u pa në reagimin e sekretarit të parë që edhe ai nuk qe dibran. Por këtu nuk ndikoi vetëm të qenurit e sekretarit të parë jodibran. Do të ishim të cekët po të mendonim se kjo qe arsyeja. Ishte një ndër arsyet, por jo kryesorja. Punët ishin më të thella. Njerëzit kryesorë të asaj partie edhe kur nuk ishin mendimtarë (të tillë kishte fare pak), kishin intuitë klasore. Ata nuk e donin alegorinë se me intuitë e shikonin që nuk ishte një art që vihej në shërbim të tyre, të elitës, përkundrazi, ishte arti i popullit që mund të vihej vetëm në shërbim të popullit. Nuk ishte pakënaqësia e sekretarit të parë me Hazizin strumbullari i atij reagimi aq të ashpër. Në mes ishte alegoria si art popullor dhe si mbrojtës i vetëm i popullit.
Po kështu, si alegoria, i dënuar me heshtje ishte edhe Kanuni. I vetmi Kanun në atë kohë i njohur në Shqipëri dhe jashtë saj ishte Kanuni i Lekë Dukagjinit. Edhe ai luftohej dhe futej te “mbeturinat e së kaluarës”.
Por diskutimi për alegorinë vazhdoi edhe jashtë mureve të sallës, ku u mbajt konferenca. U përpush mendimi dhe kishte plot prej atyre që e aprovonin. E aprovonin dhe e donin ta afirmonin vetëm pse ashtu u dukej më e drejtë, por nuk sillnin argumente shkencore në mbrojtje të saj. Sidoqoftë, disa muaj më vonë, siç mbaj mend, gazetari i gazetës lokale “Ushtima e maleve”, Sami Milloshi, bëri një artikull pozitiv në këtë gazetë për alegorinë. Ishte një përpjekje pak më ndryshe nga ajo e Hazizit, megjithatë edhe ky mbetej në sipërfaqe të problemit. Flitej për rëndësinë e alegorisë, pa zbuluar se ku qëndronte rëndësia e saj në të vërtetë.  Dikush mund të pyesë: Po ti ku ishe: Në Peshkopi isha, por i mënjanuar dhe i i përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë. 1)
Por nuk ishte kjo arsyeja përse heshta dhe nuk u mora me alegorinë në atë kohë. Ajo duhej studiuar dhe unë iu futa studimit të saj. Zotit Milloshi nuk iu vërsul askush për artikullin që shkroi për alegorinë. Edhe ai ishte i huaj, matjan, ndonëse nga një krahinë fqinje. Më vonë ai do të bëhej korrespondent i “Zërit të Popullit”, për Dibrën dhe Matin dhe, mbas disa vitesh, zëvendëskryeredaktor i kësaj gazete. Por perspektivën e kishte qysh atëherë kur ishte në gazetën lokale. Partiakët dhe pushtetarët e asaj kohe nuk u suleshin atyre që kishin perspektivë për t’u ngjitur. Kishin nuhatje të madhe në këtë drejtim dhe ishin parashikues të aftë. Unë fillova të merrem seriozisht me studimin e alegorisë. Më dha një kënaqësi të veçantë se, sa më shumë avancoja në njohjen e saj, aq më shumë dilnin probleme të reja. Përpjekja për ta afirmuar alegorinë vazhdonte dhe këtë e bëri prapë Haziz Ndreu. Në almanakun  “Dibra dhe dibranët”, Peshkopi 1981,  u botua një shkrim i shkurtër i Haziz Ndreu për vlerat e alegorisë me titull: “Rreth të folurit alegorik në Dibër”. Ky shkrim nuk ishte më me nivel sesa ai që ngjalli diskutime para dhjetë vjetësh. “Drejtimi i këtij të foluri, – shkruante autori, – dhe në alegorinë dibrane ka një objekt të caktuar dhe qëllimin për t’i shërbyer interesave të klasave të caktuara”. (“Dibra dhe dibranët”, Peshkopi 1981, f. 81). Autori kujtonte se alegoria ishte në shërbim të klasave të caktuara dhe jo në shërbim të popullit, në shërbim të më të vegjëlve, në shërbim të të munduarve dhe të lodhurve, në shërbim të atyre që heqin e vuajnë dhe u kundërvihet pikërisht atyre që i shkaktojnë popullit këto vuajtje. Unë dua të jem i drejtë me Hazizin, ndryshe nuk do t’i përmendja faktet që dëshmojnë se Hazizi e faktorizoi alegorinë. Por duhet thënë se sukses  nuk qe ana shkencore e trajtimit të alegorisë, por fakti që kjo trajtesë, pavarësisht nga niveli i saj, u botua në një libër, që kishte një redaksi, ngritur nga komiteti i partisë që ishte marrë me aprovimin e materialeve. Kjo do të thoshte që për alegorinë tani ishte hapur drita jeshile. Këndej e tutje mund të shkruhej edhe për të.
Më vonë Hazizi e kuptoi edhe vetë se përpjekja e tij për ta studiuar alegorinë ishte një dështim. Nuk kishte hyrë kërkund në filozofinë e saj, kishte mbetur në sipërfaqe. Kur ia thashë këtë pa dorashka, ma ktheu: “Ndihmomë të hyjë në thellësi”.
– Or Haziz, – i thashë me një qortim dashamirës, – kjo punë nuk është me të thanme, por me të dhanme. Ty Zoti të ka dhënë shumë talente, këtë nuk ta ka dhënë. Ti ke bërë mjaft për alegorinë. Më kryesorja është se e ke mbledhur. Do të dalin të tjerë për ta studiuar. Punët janë të ndara: disa e mbjellin grurin, ka prej atyre që e korrin, e çojnë në mulli dhe e bluajnë, por të tjerë janë ata që e bëjnë bukë, petulla, byrekë, revani dhe lloj-lloj ëmbëlsirash.
Hazizi e kapte menjëherë figuracionin:
– Demek unë jam nëpunës grumbullimi, unë jam si: – dhe Hazizi dëftonte me emra disa grumbullues që i njihte mirë. – Unë mbledh e ruaj, ti vjen e mbush thesin e shkon…
– Pak a shumë kështu, janë të ndara punët. Studimi  i alegorisë është një punë tejet e vështirë… Desha t’i them se studimi i alegorisë i kapërcente mundësitë kulturore dhe arsimore të Hazizit, por përmbahesha se Hazizit i ngelte hatri shpejt.
Hazizi nuk e kuptonte siç duhet ndarjen e punëve, me pak fjalë nuk hynte thellë te specialitetet. Për të, të merresh me folklorin në radhë të parë kishte kuptimin ta mbledhësh. Studimi i folklorit për të ishte një fushë e lehtë që nuk donte një përgatitje të veçantë. Në jetën e  Hazizit pati një periudhë të vështirë kur e pezulluan  nga puna, siç e  kemi bërë të qartë më lart.  Po ai kishte plot shokë e miq, që e ndihmonin dhe nuk do ta linin pezull gjatë. Ndonjëri prej tyre, siç duket, i kishte thënë t’ia vinte syrin ndonjë pune që ishte në përshtatje me aftësitë dhe dëshirat e tij. Një ditë më tha:
– Më kanë thënë të gjej një punë. Kam ndërmend të kërkoj mësues në gjimnaz. Si mendon ti?
– Por çfarë lënde mund të japësh ti në gjimnaz?!- e pyeta i habitur.
– Folklor. A bën folklor gjimnazi?
Bën, por folklorin nuk mund ta japësh, or Haziz, – i thashë me sinqeritet që të mos e bënte atë gafë të kërkonte punë në një shkollë të mesme, kur vetë nuk kishte të rregullt asnjë lloj shkolle. – Folklori është shkencë, nga më të vështirat. Edhe mua më duhet punë për ta dhënë në shkollë; por për ta studiuar, duhet punë e madhe.
Kur bëhet fjalë për përdorimin e alegorisë në praktikën jetësore, Haziz Ndreu ishte Njëshi. Me të nuk ka të krahasuar asnjë në Dibër, por as jashtë saj. Po Hazizi ishte Njëshi edhe si  mbledhës i alegorisë. Ai ishte Njëshi edhe si vlerësues i saj. Ai ishte si ai gjeologu i mirë që vetëm nga disa vija ose nga disa pika dallon një lloj minerali nga minerali tjetër. Për analogji, nëse ne të tjerët thonim alegori, Hazizi ishte në gjendje të dallonte çfarë alegorie ishte, duke pasur këtu parasysh cilësinë e saj. Cilësia e alegorisë varet nga shkalla e deshifrimit. Alegoria cilësore, alegoria “e vërtetë” është jashtëzakonisht e vështirë për t’u deshifruar. Hazizi ishte i pajisur me talent dhe intuitë.  Në një kuptim, alegoria ishte e odave, një art tamam demokratik dhe popullor, prodhim i një parlamenti elitar. Aty matej forca e fjalës. Dhe forca e fjalës nuk qëndron në të lëshuarit e saj, por në të përmbajturit. Gëte, kur dikush fliste keq për të tjerët në praninë e tij, kushdo qoftë ai, ia kthente: “Këtë baltë mos e hidhni në shtëpinë time, çojeni te shtëpitë tuaja”. Në odat dhe kuvendet e Dibrës nuk mund të vrisje dikë me fjalë. Oda nuk ishte si Hani i Bar Kallametit, ku hyn e del kushdo e flet si i do qejfi. Oda që priste e përcillte, ajo që kryente funksionin shoqëror, kishte tre zotër shtëpie: i pari, ishte zoti i shtëpisë që e kishte atë odë të vetën, pronë private, pjesë e shtëpisë së tij, pra, pjesë e nderit familjar, e nderit fisnor e më gjerë; së dyti, çdo odë – dhe këtu kam parasysh në radhë të parë odat e parisë, që rrinin përherë të hapura për miq e dashamirë, – kishte një zot shtëpie të dytë, që nuk ishte zoti i shtëpisë, por një prej burrave të fisit, që kujdesej për kafe e duhan, për dreka e për darka, për mënyrën e shërbimit, për gatimin, për gjithçka, për shtrimin dhe mbulimin e  miqve kur ato bujtnin aty. Ky ishte i përhershëm, zgjedhur nga zoti i shtëpisë.  Murat Kaloshi, si shembull, nuk e çante kokën për asgjë, se kishte kush kujdesej për të gjitha këto. Si lodhej ca, tërhiqej dhe shkonte në odën e tij të veçantë. Halil Alia, në atë “mbretërimin” e  tij fare të shkurtër kishte si zot shtëpie në konakun e burrave  Maliq Përnezhën, i cili merrej me të gjitha;  së treti, çdo mexhelis kishte një kryetar mexhelisi, që ishte një prej burrave më të shquar që merrej me menaxhimin e fjalës, me përmbajtjen e saj jo deri në censurë, por që ajo të bëhej e matur, e kujdesshme duke mos cënuar nga pikëpamja morale asnjë prej të pranishmëve. Ky burrë nuk zgjidhej, por “emërohej” sipas përbërjes së mexhelist.
Pra, një odë burrash nuk ishte një merà ku mund të kullotësh si të duash e sa të duash, por një institucion fort mirë i rregulluar në të gjitha aspektet. Hazizi jo vetëm nuk stononte në asnjë odë, por ishte drita kryesore e saj.
Janë me dhjetëra alegoritë që kanë si promotor kryesor Haziz Ndreun. Po japim disa nga më brilantet  që i gjykojmë jo thjesht nga mesazhi që përcjellin, por edhe pse ky mesazh ishte “kundra rrymës”, me çka duhet të kuptojmë se ishte kunj thane për sistemin. Kjo alegori hynte tek alegoria elitare. Të dyja këto alegori i ka përdorur Mane Kacani, një tjetër mjeshtër i alegorisë,  por alegoria është si vallja dyshe, që njeri kërcen dhe tjetri e mban. Mbajtësi ka rëndësinë e  vet, madje shumë të madhe. Por për të kemi folur më lart. T’i shikojmë konkretisht këto alegori, duke dhënë me vërtetësi mënyrën, kohën dhe rrethanat që i prodhuan:
Ishte festa e 23 gushtit – çlirimi i Peshkopisë, sipas punistëve socialistë, dhe pushtimit të saj, sipas demokratëve e ballisto-zogistëve. Por ky gjykim është i sotëm. Atëherë festa merrte një rëndësi të veçantë. Njerëzit niseshin që me natë edhe nga lokalitetet më të largëta, më këmbë, duke ngrënë edhe pluhurin me të cilin i “pudroste” ndonjë makinë fare e rrallë, me të cilat në përgjithësi udhëtonin kryetarët e kooperativave. Aty nga ora dhjetë Peshkopia gëlonte nga njerëzit që vërdalliseshin si mizat në lis. Peshkopia nuk kishte hapësirë për aq shumë njerëz. Një shesh i vogël para shkollës së mesme bujqësore ishte zënë nga kooperativat që e merrnin drekën me vete për ta shtruar nën hijen e drurëve. Bënin një rrethim mugjullor, vinin kazanat e tepsiat dhe hanin mishin që e kishin pjekur me kohë dhe pinin arkat me birra. Rrugët e qytetit mbusheshin plot me njerëz dhe pluhuri  nën rrezet e diellit dukej si re rozë që kishte qëndruar në majë të plepave. Tregtia i kishte hapur ato pikat e veta me barraka, njerëzit grumbulloheshin kapicë para tyre, por mbeteshin pa gjë. Ishte vështirë të merrje një copë mish të ftohtë të pjekur ose ndonjë copë djathë.

 

Hazizi ishte nga ata që drekohej në shkollën bujqësore bashkë me personalitetet e tjera politike e shoqërore të asaj kohe. Mbasi kishte ngrënë drekë, vjen javash – javash, siç e do puna kur ke ngrënë mirë dhe do të tretësh ushqimin. Manen e shikon në shëtitoren kryesore në drejtim me shtëpinë e kulturës. I flet më zë të lartë:

– Gëzuar festën, or Mane.

Manja ia kthen:

– Po, o Haziza, po, o Haziza. Ishte ditë Bajrami dhe kthehet burri nga xhamaja ku kishte shkue me falë Bajramin. Xhen gruen ke kroj në rrugjë ene kjo grueja i thotë: “O burrë, të  merremi grajkë  se asht ditë Bajrami”. Po burri i thotë:

– Hiqna mrena, Hane, oj grue!

se nuk bahet bjaramllajk në krue”.

Hazizi, natyrisht, që e kapi domethënien e kësaj alegorie që për lexuesin e thjeshtë duhet zbërthyer kështu: Ti Haziz, dhe shokët e tu e bëtë festën siç duhet e jo unë që jam këtu në rrugë dhe nuk kam as një pikë ujë me pi.

Alegoria ishte  e Manes, por merita ishte  e Hazizit që ia pruri në shteg mundësinë e përdorimit të saj. Alegoria funksionon mirë kur në odë të burrave ose kudo tjetër janë dy bartës të talentuar që nxisin njëri–tjetrin,  pikërisht në atë moment kur ndërhyrja me alegori është bërë e nevojshme, mbasi krijohen rrethanat. Alegoria është shumë nazelie dhe tekanjoze, atë duhet ta lutësh shumë, ta ndjellësh dhe ta përkëdhelësh që të të vijë. Nuk ka pikë kuptimi të thuash në një mexhelis: tani po tregojmë alegori. Hazizi, si askush tjetër, dinte t’ia hapte udhën alegorisë. Roli i tij ishte nxitës, kur donte të “vriste dikë me pushkën e Imer Agës”, siç ndodhi më sipër.  Ai vetë nuk mund ta kritikonte mënyrën se si festohej dita e çlirimit, Manja po.

Një rast tjetër nga praktika jetësore.

Në Peshkopi në kohë të dimrit të madh të vitit 1985 kishte ardhur një partiak i lartë për të ndihmuar rrethin në përballimin situatës së jashtëzakonshme. Binte shumë borë dhe rrugët ishin të zëna. Vetëm në shëtitoren kryesore të qytetit  traktorët a buldozerët hapën një si punë xhadeje dhe borën e hidhnin në të dyja anët e kësaj traseje. Bora ngrinte natën dhe dukej sikur ajo ishte mur prej betoni. I deleguari i qendrës bashkë me sekretarin e parë dhe dy-tre pushtetarë të lartë vendorë, me të cilët ishte edhe Hazizi, po shëtisnin në trasenë e hapur. 

Si do hiqet kjo borë, or Haziz ?- e pyeti i ardhuri nga qendra.

Kishte qenë një burrë shumë i shkurtë, or shoku X. Ky  kishte pas një grue të gjatë dhe të shëndetshme. Dikush i kishte thanë: “Mor pash Zotin, mos ma merr për keq, se të pyes pa hile, si ja ban ti me e rrzue gjithë këtë mal të madh?”

Burri i ishte përgjigjur:

“Këtë veç kur e rrëzon e vetja, se për mue ngelet në kambë. Kur i vjen dekiku, bie si pula kur i pret kryet”.

Qeshën me ha ha ha, se kishte edhe prej atyre që nuk e kapnin alegorinë, por banin sikur e kuptonin. Hazizi me këto alegori i tha pushtetarit se kjo dëborë vetëm kur të shkrihej vetë, nga pranvera.

Një tjetër rast. Kishte disa nga pushtetarët e rrethit që e donin në mënyrë të veçantë Hazizin dhe merrnin me vete kur shkonin me shërbim në ndonjë zonë. Njëri prej tyre ishte Gjon Deda, prej Lure, por që në komitetin ekzekutiv të rrethit Dibër bënte detyrën e shefit të organizimit.

Në një mëngjes të pranverës së hershme e merr Hazizin në veturë dhe të dy nisen për në Fushë Alie. Kur shkojnë tek ai sheshi i bleruar, sa një fushë futbolli, Hazizi shikon se nga ana e jugut, pështetur për murit të dyqanit të tregtisë, ngrohej në diell Mane Kacani. Ai i tha Gjonit që ta çonte veturën rrotull e rrotull dhe t’ia ndalte  Manes mu te këmbët dhe ta ngacmonte. Gjoni, si luras, ishte gati për kso punësh dhe bëri si i tha Hazizi.  Hapi derën e makinës dhe, pa dalë  prej saj, iu drejtua Manes dhe i tha:

O Mane, a unë a ti?

Unë, or Xhon, unë, – tha Manja që e njihte Gjonin.

Po pse ti, o Mane?! Ja, unë vij me veturë, kurse ti ke dalë e mezi ke gjetur një rreze dielli për t’u ngrohur.

Të kanë pru, or Xhon apo ke ardhë me tanden?- e pyeti  Manja.

Jo, më kanë pru, – tha Gjoni. – Jam me shërbim.

Kurse unë, or Xhon, kam ardhë vetë. Rri sa të due e shkoj kur të due. Jam si ai zogu që këndon majë plepit.

Meselja, siç shikohet, trajtoi temën e lirisë. Në atë sistem nuk kishte njeri të lirë.

Këto mesele e bënin Hazizin të këndshëm dhe të preferuar. Hazizi rrallë lexonte libra letrarë. Por librat për kulturën popullore dhe për historinë  i studionte. Hazizi punonte pa ngutje, me durim dhe vullnet të madh.  Kuptonte hollë dhe thellë. Për çdo libër të tijin që kam punuar me të, ishte plotësisht dakord me heqjet, me krasitjet që i bëja, nganjëherë shumë të mëdha.

*

*     *

Me Hazizin kam një përvojë shumë të mirë kur unë dhe ai punuam për përgatitjen e librit  “Tregime alegorike dibrane” (Tiranë, 1983), botuar nga Akademia e Shkencave (Instituti i Kulturës Popullore), në kohën kur ky institut drejtohej nga Prof. Alfred Uçi. Libri pati shumë sukses dhe e rriti edhe më tej emrin e  Hazizit, në një farë mase edhe timin, por kjo nuk kishte shumë rëndësi. Suksesi më i madh i Hazizit, i imi, i mbarë kulturës dibrane dhe shqiptare në përgjithësi, qëndronte në faktin se ja, më në fund, alegoria po pranohej dhe se ajo po botohej nga vetë Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ky botim, ashtu si ndodhi në të vërtetë, do të hapte rrugë të reja për botime të tjera shumë më të rëndësishme për alegorinë. Por, për të mbërritur deri këtu është bërë një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë. Vetëm ata që kanë udhëtuar në zhegun e vapës ose në dëborë dhe furtunë, janë lodhur aq shumë sa nuk e kanë dashur më veten, mund ta përfytyrojnë rrugën e mundimshme drejt alegorisë. Kemi bërë të gjithë, kemi ecur të gjithë, por në krye të karvanit ishte ai, Haziz Ndreu, “me shami të grisur lidhur në kokë”, siç thotë D. Agolli për Pelegrinin e tij. Unë tregova me sinqeritet se si e hapi rrugën alegoria pikërisht në truallin ku ajo ndodhet me shumicë, në Dibër, dhe se promotori që e vuri në lëvizje gjithë këtë punë, ishte Haziz Ndreu. Por nuk ishte puna vetëm te Dibra. Në përgjithësi ekzistonte një klimë mospranimi për alegorinë. Ajo shikohej gati si Kanuni dhe, në të vërtetë ka shumë lidhje me të, dhe të dyja bashkë, Kanuni dhe Alegoria- shikoheshin si mbeturina të së kaluarës, pra mjaft të rrezikshme për kulturën socialiste. Jo vetëm në atë kohë kur u botua libri i Hazizit, por edhe shumë vite më vonë, te studiuesit, madje tek akademikët, ekzistonte ky mentalitet. Kanuni i Lekë Dukagjinit- kjo vepër madhështore e kulturës sonë – është botuar me shumë vonesë, në kuadrin e botimit të korpusit të Trashëgimisë sonë Kulturore. Kjo ndodhi në vitin 1989, një vit para se të binte diktatura. Se çfarë koncepti kishte ajo klasë sunduese për Kanunin dhe për Alegorinë, kuptohet nga  parathënia për botimin e “E drejta zakonore” ku ka fraza si kjo: “Përmbysja e madhe  në sistemin e marrëdhënieve shoqërore që u arrit pas çlirimit të vendit, krijoi një raport të ri midis realitetit dhe mbeturinave të së drejtës zakonore, të cilat vihen përballë këtij realiteti si faktor thellësisht negativ, që duhej asgjësuar për të spastruar rrugën e përparimit”(E drejta Zakonore Shqiptare, vëll 1, Tiranë 1989, f. 10)

Në atë kohë unë isha mësues në Peshkopi. Alfred Uçi më kishte pasur student, ma dinte adresën se unë isha bashkëpunëtor i revistës “Kultura Popullore”, ndër më elitaret e asaj kohe.    thirri në Tiranë dhe më tha: “Haziz Ndreu ka sjellë një vëllim me alegori, jo vetëm këtu te ne, por edhe në institucione të tjera, si në Institutin e Historisë, në Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë, etj.,  por askush nuk e merr përsipër botimin e tij, të paktën në këtë formë që paraqitet. Ti si mendon? A mund të bëhet i botueshëm? Dhe, nëse po, në çfarë forme?” Hazizi me anë të njohjeve deri lart bënte presion për botimin e librit të tij. Këta botues nuk kishin të bënin me një autor dosido, qoftë edhe me një talent të spikatur, por me një person që kishte miq në qeveri e kudo. Mbase pa këtë presion nuk do të ishte kujtuar as Alfred Uçi për dorëshkrimin e Hazizit. Ndoshta ai, si estet, pavarësisht se estet marksist, kishte koncepte më të moderuara sesa të tjerët. Sidoqoftë, ai më thirri për këtë qëllim dhe u soll me shumë dashamirësi me mua. Unë kisha njohuri për librin e  Hazizit, se e kisha lexuar dorëshkrimin. Hazizi, siç e thamë edhe më lart, nuk kishte bazë për të ndërmarrë studime tërësore. Edhe në këtë dorëshkrim, e kishte paraqitur alegorinë rrëmujshëm, sikur dy pleq kalonin nga oda në odë dhe tregonin alegori njëra mbas tjetrës. Tregimin e  alegorisë e kishte kthyer si qëllim në vetvete, edhe pse burrat kurrë nuk janë mbledhur për të treguar alegori. Ajo ka hyrë në mënyrë të vetvetishme në bisedë, në pikën e vlimit të saj, kur krijohen rrethanat për t’u shprehur me alegori. Biseda mund të zhvillohej katër -pesë orë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pjesa alegorike mund të ishte shumë e vogël, por ishte kripa, lezeti, zgjuarsia, inteligjenca. Unë kisha përvojë në studimin e alegorisë. Kisha shumë vite që merresha me të dhe pothuaj ia kisha zbuluar të gjitha të fshehtat. Në revistën “Kultura Popullore”, botova shkrimin e gjatë “Vështrim estetik rreth alegorisë dibrane”. Shkrimi u prit shumë mirë. Ishte i pari studim për alegorinë që krijoi një opinion krejt ndryshe për këtë lloj arti. Profesori prandaj ma ngarkoi atë detyrë. Dhe unë I thashë: “Sonte po përgatisë pesë-gjashtë faqe libri si e mendoj unë alegorinë, jua jell nesër dhe ju gjykoni vetë pastaj”. Dhe ashtu u bë. Faqet që përgatita u pëlqyen dhe mora miratimin për të përgatitur librin bashkë me Hazizin. Jemi mbyllur dy muaj në një zyrë të vogël të Shtëpisë së Kulturës Peshkopi për përgatitjen e librit. Punonin bashkë, diskutonim çdo fjalë. Unë dija të shtypja në makinë të shkrimit dhe kjo punë, natyrisht, më takonte mua. Ndarja e punëve, ishte, pra, mekanike. Si u bë libri, unë hartova edhe një parathënie për të. Unë e Hazizi nuk vepruam as me nxitim, as me sy të mbyllur. Vendosëm kriteret. Duhej që një alegori të botohej veçan në një faqe libri. Dhe për secilën prej tyre, lart, para se të fillonte alegoria, të jepeshin shumë shkurt disa shënime për rrethanat dhe kushtet që e mundësuan atë. Kështu, me shënime të shkurtra janë paraqitur edhe këngët legjendare dhe historike. Në këto këngë këto shënime quhen “argument”. Është një traditë shkencore që nuk u zbatua për herë të parë nga unë dhe Hazizi. Mjafton të shikoni botimin shkencor “Eposi i Kreshnikëve dhe Legjendat”, Plejad, 2005, Haki Stërmilli: “Fyelli i Dibrës”, Tiranë 1944. Por, në kundërshtim me bindjen time dhe të Hazizit, ishim të detyruar të mbronim mendimin se një pjesë e mirë e alegorisë godiste “regjimin reaksionar të Zogut kur populli vuante nga uria dhe shtypej nga klasat sunduese, nga bejlerët dhe agallarët, dhe përgjithësisht nga paria e vendit”. Alegoria e kishte të fortë tehun goditës. Nëse tehun e  saj nuk do ta drejtonim në të kaluarën “e hidhur të popullit tonë”, kundër kujt do ta drejtonim? Mbetej opsioni i diktaturës. Po a mund të bëhej kjo? Prandaj, me ndonjë shënim edhe do të godisnim Murat Kaloshin, Dine Hoxhën e ndonjë tjetër nga paria. Sot është kollaj t’u dalësh zot krerëve të parisë së Dibrës, por atëherë kjo nuk mund të bëhej. Megjithatë, Hazizi e unë i dhamë lexuesit një libër të mirë, me të cilin besoj do të jetë krenuar edhe inteligjenca shqiptare. Nëse e kemi fyer, i kërkojmë falje. Tani që gjithçka është përmbysur dhe është kthyer kokëposhtë, nuk është vështirë që këto shënime të bëhen deri në një fare mase “akuzuese” për Hazizin dhe për mua. Dikush mund të shqetësohet për modë se ia morëm në qafë parinë e Dibrës dhe se ajo paskësh qenë flori e shkuar floririt dhe se ne e shamë dhe e katranosëm, dikush mund të ketë bindjen se nuk duhet të ketë fare ashtu shënimesh. E vërteta është që paria e Dibrës edhe duhej kritikuar. Edhe më i larti dhe më zemërndrituri nga ajka e parisë së Dibrës, nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Vehbi Dibra, del e pret në kufi, ndonëse me zemër të vrerosur, pushtuesit jugosllav. Kishte të tjerë nga paria që i prinin ushtrisë jugosllave. “Batalionet serbe, të nesërmen e asaj dite…dua me thanë ditën e parë të qershorit 1915, po marshojshin drejt Peshkopisë t’udhëhequn prej Rahman Likës prej Luznie, Dine Hoxhës nga Muhuri, zv. Prefektit Hysein Bej Golja dhe komandantit të përgjithshëm Mustafa Bej Serdari, tepër të kënaqun e të gëzuem kishin dalë në Qenok me pritë ushtrinë mike Myfti Hafuz Raifi, sheh Hasani nga Tomini, Fetah Bjarami nga Peshkopia… për me përshëndet ushtrinë serbe dhe me i paraqitë sigurimet e besnikërisë së patundme. Në mes të kësaj turme të shitun dallohesh fytyra e habitun dhe e trishtueshme e Myftiut të Përgjithshëm z. Vehbiut”. (Ismail Strazimiri: “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, Tiranë 2010, f. 75) Në pasthëninen kushtuar librit të Strazimirit, akademiku Shaban Sinani, veç të tjerave, ka shkruar edhe këto radhë: “E dyta gjë që sjell në kulturën historike shqiptare libri i Ismail Strazimirit është dëshmia se parësia shqiptare, nëse mund të kuptojmë me këtë klasën qeverisëse me pushtet politik të mbështetur mbi tagrin etno-zakonor, që për fat të keq vijon edhe sot, përgjatë kohëve nuk dëshmohet gjithnjë njëlloj, ka anën e vet të errët e të ndritur: në një brez ka arritur të bëjë shumë për vendin dhe në një brez tjetër ka dështuar ose i ka bërë të zezën atdheut”. (Shaban Sinani: “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë“, Tiranë 2010, f. 345) Prandaj të mos kritikohemi shumë, aq më tepër të mos lëndohemi me fjalë të pamatura, për ndonjë “shënim ideologjik” unë dhe Haziz Ndreu. Pastaj unë e Hazizi kemi bërë pendesë të thellë në lidhje me parinë. Unë kam shkruar gjithë ato libra për të lartësuar vlerat e parisë: (“Elez Isufi”, “Gjenerali me shajak”, “Halil Alia”, “Shumë gurë u hodhën përmbi mua”, “Tempulli i Dashurisë”, “Bujar Kaloshi” etj.) që I kalojnë një mijë faqe. Për Hazizin e kemi thënë që “u bë me parinë e  dikurshme”. Në një kohë kur të tjerët që vërtet janë shumë borxhlinj ndaj të kaluarës, nuk kanë shqiptuar asnjë fjalë ndjese, është mëkat të na ngarkosh mua dhe Hazizit  faje ideologjike.   

Por le të kthehemi tek ana me të vërtetë shkencore: ta zëmë që shënimet nuk kishin asgjë të kritikueshme. A duheshin vënë? Po, është e domosdoshme. Kjo është përgjigjja ime edhe sot e kësaj dite. Vendosja e tregimeve alegorike nga një për çdo faqe, pa asnjë shënim, nuk do të kishte fare kuptim. Alegoria është kontekstuale, ajo merr jetë dhe kuptim vetëm nga rrethanat. Nuk mund të lihet një alegori e vetmuar, se nuk ka pikë kuptimi. Pse një tregim alegorik nuk mund të qëndrojë më vete? Një tregim alegorik nuk qëndron dot më vete, sepse  natyra e tij, funksioni i tij, nuk është pavarësia. Ai shkruhet me fjalë, por nuk është gjuhë, nuk kryen funksionin e gjuhës, mbasi me anë të fjalëve me të cilat ndërtohet ai, nuk shprehet ajo që mendohet.

Alegoria, në esencë, shpreh pamundësinë e gjuhës. Jorge Luis Borges shkruan: “Me sa u deklarua e pamjaftueshme gjuha, ka vend për të tjerët; alegoria mundet  me qenë një nga ato, si arkitektura a muzika. Ajo formohet prej fjalësh, por nuk është një gjuhë e gjuhës, një shenjë e shenjave të tjera të virtytit dhe të përndritjeve të fshehta që ajo fjalë shenjon”. (Jorge Luis Borges: Inkuizicionet e tjera”, f. 180, botimet Ideart, Tiranë 2005). Nuk ka si thuhet më bukur dhe më qartë. Por është vështirë për t’u kuptuar, prandaj as sot e kësaj dite, nga unë dhe nga askush tjetër, nuk ka ndonjë përkufizim për alegorinë. Ka perifrazime, shpjegime, por me asnjërin prej tyre nuk zbritet tek esenca. Borges e krahason alegorinë me arkitekturën dhe muzikën dhe thotë se nuk është gjuhë, por “një shenjë e shenjave të tjera të virtytit dhe përndritjeve të fshehta…” Pra, nuk është aq e thjeshtë të vendosë për alegorinë ndonjë që nuk është marrë me alegorinë. Nuk mund të vendoset aq lehtë edhe për ato shënimet.

Ta ilustrojmë me një fabul:

Kafshët e samarit një ditë u gdhinë në festë. Lodronin nëpër livadhe dhe hanin bar të butë. Vetëm një gomar plak nuk po merrte pjesë në këtë hare. Shkon një pulisht i vogël dhe i thotë:

Po ti pse nuk po merr pjesë në festë?

Çfarë feste është, se unë nuk di gjë?

Ka vdekur samarxhiu dhe ne do të rrimë pa samar.

Do të vijë një samarxhi tjetër, por me atë që paska vdekur qemë mësuar: ai na e futte një dorë kashtë në samar, kurse ky që do të vijë, do të na e lerë kurrizin për dërrasash. Prandaj mos bëni festë kot”.

Kjo është fabula. Por kjo nuk është alegori kështu e vetmuar. Po ta vësh këtë në një faqe libri të vetme, pa asnjë shënim, kjo lexohet dhe kuptohet si fabul. Fabula pa dyshim që ka vlerat e veta, por nuk është alegori. Alegoria është një vlerë e shtuar në një fabul. Vlera e fabulës, si e tillë zbehet shumë, kur ajo shndërrohet në alegori. Peshon vlera alegorike. Fabula e mësipërme shndërrohet në alegori kur i vë shënimin: “U tregua në një mexhelis, kur po diskutohej për ardhjen në Dibër të Madhe të një mytesarifi të ri, tek i cili shumë syresh kishin varur shpresa se do ta përmirësonte punën dhe do të sillej më mirë me popullin”. Ky tregim alegorik, me këtë shënim, sjell mesazhin: mos kini shpresa te pushtetari i ri, se do të jetë më i keq se ai që iku. Kur një shënim i tillë duhet bërë për një alegori që buron nga një fabul, merre me mend sa është i domosdoshëm për një alegori që buron nga një tregim krejtësisht realist, që ngjan me një bisedë të zakonshme:

“Or Liman, kur po vija te shtëpia jote, pashë se njëri nga mullarët e barit të ishte anue e ishte në të rrëzue. Futja, një shtangë se të shkon gjithë ai bar kot,- tha nji nga katundarët sapo hyni te Limani në odën e burrave.

– Po, po do t’ja ve, por sune të rrijë ashtu, se nuk asht tue e gjetë gja”, – u përgjigj i zoti i shtëpisë”.

Si do ta merrni ju këtë bisedë? Sigurisht, si një informim të thjeshtë që një katundar I bën Limanit për animin e mullarit të barit, pra, do ta merrnin në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalëve.

Por kjo bisedë e zakonshme, po të ketë shënimin: “U tregua në një valle burrash kur njeni nga dy miqtë ishte shtrirë në odë sa gjanë gjatë”, merr vlerë alegorike, se në Dibër, me anë të këtyre meseleve, kritikoheshin edhe qëndrimet e padenja të burrave në oda. Mund të jap shembuj pa fund që argumentojnë se alegoria nuk qëndron dot vetëm, por nuk dua ta mërzis lexuesin. Edhe këto dy shembuj e krijojnë bindjen për sa thamë.

Në vitin 1999 Haziz Ndreu botoi librin tjetër “Alegori dibrane”, më i plotë, ku përfshiheshin edhe alegoritë nga “Tregime alegorike dibrane” (1983) që i kishim paraqitur bashkë, edhe alegori të reja. Këtë radhë Hazizi nuk kërkoi ndihmën time. Parathënien prej dy faqesh si dhe  paraqitjen e alegorive ia ngarkoi Naim Plakut. Por, i ndjeri Naim, nuk e kishte përvojën dhe mundësinë për t’u marrë në mënyrë shkencore me alegorinë. Në Dibër nuk kishte studiues të folklorit. Mbledhës kishte, por edhe mbledhja nuk bëhej me ekzigjencë.

Problemi i dytë që Hazizi dhe unë kishim për të përballuar ishte pamja shkrimore që do t’u jepnin  tregimeve alegorike. E nënvizuam se është një term domethënës, i përdorur për herë të parë nga unë. Në atë që kishte shkruar Hazizi dhe në mënyrën se si i kishte shkruar nuk mund të mbështeteshin. Siç e pamë, alegoria sipas Borgesit nuk është gjuhë. Çdo gjuhë në botë shpreh atë që është shkruar me germa nga alfabeti i saj në përdorim. Shpreh, pra, me anë të tekstit. Alegoria nuk shpreh atë që është shkruar. Ajo shpreh diçka tjetër që qëndron mbas tekstit. Megjithatë, alegoria jepet me anë të një teksti të caktuar, ky tekst duhet shkruar në bazë të rregullave të çdo gjuhe. Në rastin konkret, mbi kë binte barra kryesore për pamjen shkrimore? Hazizi e kishte bërë punën e vet, ai i kishte mbledhur alegoritë ashtu si kishte menduar se janë më mirë. Unë  kisha shkollën, isha  shkrimtar, kisha mësuar dialektologjinë në fakultet, por e njihja edhe në jetë:  kisha marrë pjesë  edhe  në disa ekspedita dialektologjike me profesorët Dhimitër Shuteriqi e me profesor Bahri Becin dhe dija shumë mirë si mblidhej në popull fjala e tij.  Mbi mua binte barra kryesore për t’i paraqitur gjuhësisht sa më mirë alegoritë, megjithëse ato i kishte mbledhur Hazizi. Kjo krijimtari popullore do të mbetej përjetë me gjuhën me të cilën do ta paraqitnin dy krijuesit që kanë punuar në harmoni mendimesh e ndjenjash. Për herë të parë alegoria po futej në kulturën e shkrimit. Ne ishim të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kishim. Tregimet që do të veçonim si më të bukurit, do t’i hidhja unë direkt në makinë të shkrimit. Hazizin e kisha pranë,  tekstin origjinal e kishin mbi tavolinë. Përzgjidh dhe hidhi në makinë. Të dy jepnim mendimin qoftë edhe për një fjalë nëse duhej përdorur apo duhej zëvendësuar me një fjalë tjetër. Nëse ato krijime kanë vlera, nuk është vetëm merita ime, por, nëse kanë të meta, nuk është vetëm faji im. Është një punë e përbashkët. Ne diskutonim qoftë edhe për një fjalë. Për shembull, kemi diskutuar edhe për fjalën depërtoj. Ta futnim apo mos ta futnim në tekstin e tregimit se na dukej si sllave.  Gjatë diskutimit arritëm në përfundimin se është fjalë e brumit të shqipes. Por meraku më ka dalë dhjetë vjet më vonë kur kam lexuar pikërisht për këtë fjali: “Depërtoj. Kjo folje është krijuar nga parafjala e vjetër ndëpër (nëpër) dhe nyjës së përparme në numrin njejës ose shumës tek emrat e rasës gjinore “të”, me parashtesën foljore-oj” (Petrit Imami: “Origjina e fjalëve në gjuhën shqipe”- fjalë të krijuara brenda shqipes, f. 187, 2011) 

Megjithëkëtë, ato tregime kurrë nuk i konsiderova të miat edhe pse i shkrova unë. Kur botova librin “Perlat e Dibrës”(1999), unë iu drejtova librit të Hazizit për të pasur sa më shumë alegori për ilustrim. Po kështu kam vepruar edhe kur bëra botimin e dytë, ku përfshihet krejt lënda e vëllimit të parë, plus dy kapituj të rinj. Për këtë mund t’u referoheni librave të mi: “Perlat e  Dibrës”(1999), f. 11, dhe “Perlat e Dibrës” (2008), f. 91, shënimeve përkatëse.

Për atë kohë bëmë si bëmë dhe lexuesit morën në dorë “Tregime alegorike dibrane” (1983). Ndoshta Hazizi, megjithëse mua nuk më ka shprehur asgjë, ka ndonjë shenjë pendese për ndonjë mosarritje, kurse unë kam bindjen që nuk mund të bënim më shumë e më mirë. E meta e librit “Alegoria Dibrane”  që Hazizi ka botuar më vonë, qëndron pikërisht te mosvënia e shënimeve për çdo alegori. Megjithëse kjo mënyrë paraqitje është zgjedhur nga Hazizi dhe ndihmësi i tij në këtë punë, Naim Plaku, ata janë “detyruar” që në një të tretën e alegorive në këtë libër të venë shënime. Shfletojeni këtë libër dhe do të bindeni se kjo është e vërtetë. E metë tjetër e këtij botimi qëndron edhe në faktin se çdo tregimi alegorik i është vënë një titull. Kjo nuk qëndron nga ana shkencore, se alegoria nuk mund të mbërthehet mbas një titulli, mbasi ajo përdoret për rrethana dhe kushte të tjera, për problem të tjera të pafundme, prandaj i bie që të ketë disa tituj një tregim alegorik.

Të gjitha sa thamë, herë në formë kritike, herë në formë vetëkritike, nuk ndryshojnë përfundimin: Haziz Ndreu ishte mjeshtër i madh alegorisë.