Jonuz Ndreu, aktivist i njohur i mërgatës politike shqiptare 
Nga BEQIR SINA – Phoenix Arizona


88 vjet nga Dibra, me tirqit, xhubletën dhe ksulën e bardhë e dibranit,  deri te uniforma e ushtrisë amerikane dhe trashëgimia e tij patriotike e atdhetare. 

Jonuz Ndreu ishte një nga ikonat e diasporës ndër vite, mbasi ai është edhe djali i Cen Elezit, nipi i Elez Isufit (Arushës së Malit). Nuz Ndreu, siç i thërrisnin, është biri i denjë i njërës prej familjeve më të mëdha shqiptare e njohur si – Familja e Derës së Madhe së Ndreut të Sllovës. Deri në çastet e fundit ai ishte me mendje të kthjelltë dhe me një kujtesë të rrallë, gjithmonë i qeshur dhe bujar, mikpritës, i interesuar dhe konsekuent me çështjen kombëtare.

Në Shtetet e Bashkuara – New York ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare një nga veprimtarët e njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan, Jonuz Ndreu, ka njoftuar “Zëri i Amerikës”.
“Zëri i Amerikës”, e cila ishte e para që dha lajmin mbi vdekjen e tij, tha se zoti Ndreu vjen nga një familje e njohur patriotike dhe e persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri. Ai është djali i Cen Elezit dhe nip i Elez Isuf Ndreut.
Që në moshë të re, në vitin 1946, kur ishte vetëm 14 vjeç, familja e tij u internua fillimisht në Berat, prej andej në kampin famëkeq të Telepenës dhe më tej u dërgua në fshatrat e Gramshit me punë të detyruar.
Pas tre vitesh internimi, në fund të vitit 1949, ai arrin të arratiset nga Shqipëria, fillimisht shkon në Jugosllavi, prej andej në Itali dhe në vonë në Gjermaninë Perëndimore, ku shërben për 5 vjet me forcat ushtarake amerikane dhe në fund të shërbimit ushtarak emigron në Shtetet e Bashkuara.
Në Amerikë zoti Ndreu ka qenë veprimtar i shquar dhe anëtar i kryesisë së organizatës së njohur “Vatra” të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Ceremonia e varrimit u zhvillua ne kushtet e masave te koronavirusit Covid-19, të martën më 7 prill, në shtetin e Nju Xhersit. Në këto kohë të pazakonta për shkak të pandemisë së koronavirusit, në ceremoni, për shkak të ndalimit të grumbullimit të njerëzve, morë pjesë vetëm familjarë,tha “Zëri i Amerikës”.
Lajmi i dhimbshëm preku përveç familjes dhe miqve, të gjithë vatranët, veprimtarët, patriotët e atdhetarët e vërtetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Familja Ndreu, të afërmit e tij, miqtë e dashamirët humbën njeriun e tyre më të dashur.
Ndërsa shokët, bashkëluftëtarët e pakompromis të luftës disavjeçare në mërgim, së bashku me Nuzin, si i thërrisnin ata, ata që u rroptuan dhe rrezikuan në atë kohë, në luftën e tyre kundrejt mortajës së kuqe – sllavo-komunizmit e veglave të tyre në diasporë, humbën bashkëluftëtarin.
Humbën një anti-komunist të përbetuar, humbën aktivistin e përkushtuar, anëtarin e këshillit të “Vatrës” për dekada, i cili me aktivitetin dhe bujarinë e vet iu gjet diasporës dhe vendlindjes së tij, pa u kursyer, me donacione dhe ndihma derisa dha shpirt nga shpirti i tij.

JONUZ NDREU NË RRJEDHË TË VITEVE…

Gjenerata e këtyre shqiptarëve në mërgim kujtohet sot e kësaj dite, ka shumë arsye të jetë një gjeneratë e veçantë dhe shumë e nderuar, e respektuar në të gjitha këndshikimet e saj. Mbasi, ajo ka lënë gjurmë jashtëzakonisht të pashlyera, për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve në diasporë, në sajë të këtyre burrave, të cilët një pjesë e tyre ikën nga mosha, ndërsa, ata që kanë mbetur dhe janë shumë pak janë duke kaluar vitet e pleqërisë, pranë familjes së tyre dhe larg komunitetit.
Ndërkohë, që për shumicën e mërgimtarëve, është paksa e vështirë të mendohet se mund të rikthehet në diasporën tonë një brez burrash të tillë: kaq atdhetarë, patriotë, demokratë e me aq përkushtim për kombin tonë, pasi edhe vetë kohërat ndryshuan, ishin të tjerë burra, ishin të tjera situata që ndoshta i bën ata edhe më burra. Mirëpo, padyshim, që ata janë shumtë dhe sa herë na vjen një rast jo vetëm i kujtojmë, por tani dhe përulemi përpara veprës së tyre dhe përpiqemi edhe ne të ecim sadopak në gjurmët e tyre.

Jonuz Ndreu, biri i Cen Elezit, nipi i Elez Isuf Ndreut, do të mbahet mend përgjithmonë si një atdhetar i shquar, që e deshi Shqipërinë, Kosovën dhe vendlindjen e tij, Dibrën. Dhe për këtë nuk pushoi asnjë çast në mërgim.

Jonuz Ndreu ishte një nga ikonat e diasporës ndër vite, mbasi ai është edhe djali i Cen Elezit, nipi i Elez Isufit (Arushës së Malit). Nuz Ndreu, siç i thërrisnin, është biri i denjë i njërës prej familjeve më të mëdha shqiptare e njohur si – Familja e Derës së Madhe së Ndreut të Sllovës. Deri në çastet e fundit ai ishte me mendje të kthjelltë dhe me një kujtesë të rrallë, gjithmonë i qeshur dhe bujar, mikpritës, i interesuar dhe konsekuent me çështjen kombëtare.
Në shtëpinë e tij, e cila është një vilë me dhjetëra hektarë tokë, brenda saj ai mbante të gjitha simbolet kombëtare, prej flamurit kuq e zi, distiktiva me shenja kombëtare, libra, kaseta e videokaseta, revista të gjitha shqip, deri dhe një veshje popullore burrash të Dibrës, tirq, xhubletë dhe ksulë të bardhë.
Ndërsa në tokën përreth shtëpisë e ka një bahçe dibrane, me kumbulla, rrush, arra dhe mollë, rrënjët e të cilave i ka marrë në Dibër.
Jonuz Ndreu njihej nga të gjithë në diasporë si një shembull i pakrahasueshëm gjatë gjithë jetës aktive. Një shqiptar shembullor, patriot, atdhetar, demokrat, familjar, mik e shok i mirë, me gjithë gruan zonjën e nderuar Balen, vajzat që janë bërë me një tufë nipër e mbesa. Jonuz Ndreu ishte një nga simbolet e diasporës shqiptare në Amerikë.

ARRATISJA NGA SHQIPËRIA

U arratis nga skëterra komuniste në vitin 1949 nga kampi i internimit në Rrogozhinë, ku punonte në punë të detyrueshme, në hapjen e rrugës Elbasan – Korçë. Ai i “preu shiritin” e inaugurimit disa kampeve të internimit si në Berat, Kuçovë në vitin 1948, dhe në një kamp afër Tiranës, ku punoi edhe atje në ndërtimin e rrugës Tiranë – Durrës.
“Këtu punuam deri në nëntor të këtij viti, – kujton Nuzi, – pasi më pas na futën në kampin e Valiasit afër Tiranës. Aty si skllevër kemi hedhur themelet e para të fermës atje, pasi ne të internuarit punonin në kanalizimin dhe sistemimin e tokave”. Në vijim të kujtimeve të tij, ai thotë se: ”Në vitin 1949, më 6 maj, kur u arratisëm nga Rrogozhina, ishim nëntë vetë. Gjatë tentimit për kalimin e kufirit rrugës ramë në përpjekje me forcat e ndjekjes. Kemi qenë 9  vetë dhe disa prej tyre sot nuk janë më, si i ndjeri Esat Dineja e Abdulla Kaloshi. Së bashku me ne ishin Muhamet Kadria, Muhamet Begu, Xhelal Dine, Esat Dine, Nikoll Gjon Marku, Tafil Ndreu, Selim Haxhia nga Puka dhe një emigrant kosovar, siç u thërrisnin atëherë shqiptarëve të Kosovës, në Shqipëri.

“AVENTURA” NË BOTËN E LIRË – NJË ËNDËRR E HIDHUR

“Udhëtuam për tre ditë e tre net. Humbëm edhe rrugën, duke rënë në përpjekje në malet e thata e të egra të Skraparit. Gjatë përpjekjeve me forcat e sigurimit të shtetit na mbeti i vrarë një shok yni i ngushtë, Esat Dineja. U plagos edhe ai djali nga Kosova, që fatkeqësisht nga koha e gjatë nuk ia mbaj mend emrin. Selim Haxhija, që ishte udhëheqësi i grupit tonë, u dorëzua, pasi siç mësuam më vonë, ai kishte qenë kontigjent i sigurimit të shtetit.
Ndërkaq, ne që shpëtuam, pra, vetëm gjashtë vetë, ndërruam drejtim për t’u arratisur, duke ndryshuar rrugën për nga Llixhat e Elbasanit. Aty mbërritëm nga mesnata, duke u ndarë në dy grupe. Grupi i parë isha unë, i ndjeri Abdulla Kaloshi dhe Tafil Ndreu. Grupi i dytë, me Muhamet Kadriun, Xhelal Dinen dhe Nikoll Gjon Marku (i biri i kapedanit të Mirditës Gjon Mark Gjonit)”, – rrëfen Jonuz Ndreu. Në kujtimet e arratisjes, ai tregon: “Kur mbërritëm në Dibër, studiuam mirë terrenin dhe kaluam natën kufirin ndërshtetëror, duke dalë në tokën e Maqedonisë – katundet e Dibrës së Madhe.
Aty pa pasur kontakte me asnjë njeri, ramë në duart e forcave ushtarake të ish “Jugosllavisë”. Të tre na futën në burg. Në burg si komandat i tij ishte një shqiptar i quajtur Staf Lleshi. Me urdhër të tij qëndruam 21 ditë në izolim dhe po me urdhër të tij, pasi Staf Lleshi bashkëpunonte edhe me Tiranën, na dorëzuan në pikën kufitare Bllatë, te autoritetet shqiptare”.
“Në Shqipëri, – vazhdon duke treguar ai, – qëndruam rreth gjashtë muaj, derisa u arratisëm përsëri, të tre, pa ditur dhe kurrë nji gjë, rreth tre shokëve të mbetur që lamë pas në Shqipëri, në tentativën e parë. Ka qenë vjeshtë e vitit 1949, tetor ose fillim nëntori, me sa mbaj mend unë tani, kur ka ardhur djali i Sheh Haxhisë nga Peshkopia, Selami Shehu, duke kërkuar të takohej me ne. Ne ia pranuam takimin që të na tregonte se ku ndodheshin shokët tanë. Ai kishte dijeni dhe na i tregoi të gjitha, pasi ata ndodheshin të fshehur në shtëpinë e tij në një fshat afër Peshkopisë.
Qëndruam aty edhe ne të fshehur nëpër fshatrat e Peshkopisë, derisa ramë në kontakte dhe arritëm një marrëveshje me Fik Maliqin, nëpërmjet njerëzve të tij që ishin në Maqedoni, që të arratiseshim përsëri e të dilnim pa u dorëzuar atje. Sapo dolëm në anën tjetër të kufirit ata na kapën dhe na dërguan për shtatë muaj në një kamp afër një fshati i quajtur Trashevë. Prej këtu na transferuan në Sarajevë, duke na punësuar atje në ndërtimin e Sarajevës, e shkatërruar nga lufta. Qëndruam atje rreth një vit, deri në fund të vitit 1950, duke punuar derisa na kthyen përsëri në Maqedoni në Gostivar dhe prej aty na dërguan në Panqevo-Serbi.
Mbas dy a tre muajve na erdhi një oficer policie serb i quajtur Ziko Sharkiq dhe e njihte shqipen shumë mirë, së bashku me dy xhaxhallarët e mi të liruar nga burgu serb. Ata erdhën për të na njoftuar se Cen Elezi, Dan Kaloshi kishin “vdekur”, por ne e mësuam më vonë se i kishin pushkatuar forcat komuniste serbo – sllavë në bashkëpunim me agjentët e tyre shqiptar, që punonin për OZNA dhe UDB.
Pasi qëndruam rreth gjashtë vjet nëpër ish”Jugosllavi”, në vitin 1955 fituam një farë lirie të shkojmë ku të duam.
Ky lloj vendimi i jugosllavëve na erdhi si i papritur. Duke mos pasur shumë besim tek serbo-sllavët, u regjistruam menjëherë për të dalë në perëndim. Aty, pas një procedure 18 mujore, në vitin 1955 kaluam në kampin e refugjatëve në Kapo të Italisë, nën administrimin e anglo-amerikanëve”.

EMIGRIMI NË SHBA DHE USHTAR ME SHËRBIM NË USHTRINË AMERIKANE

Junuz Ndreu rrëfen në këtë bisedë se emigrimi i tij qe një dhimbje e madhe dhe ishte i hidhur për të gjithë të arratisurit e asaj kohe. Por, që ishte e vetmja mënyre për të shpëtuar gjallë, pasi fati i tyre do të ishte si në Jugosllavi dhe në Shqipëri, ashtu si i mijëra të vrarëve, të persekutuarve, të internuarve e të burgosurve. “Megjithëse me një sakrificë sublime, unë zgjodha lirinë, për të hapur rrugën time. Fillimisht, në jetën e emigrantit në Itali, mbasi mbusha dokumentet për në SHBA, u regjistrova në një formular për të shërbyer në ushtrinë amerikane”. Dhe, sapo u aprovua kërkesa për pranim në Amerikë, atë e dërguan si ushtar menjëherë nën uniformë. Duke shërbyer kështu si ushtar i ushtrisë së SHBA, për pesë vjet. Dhe, sot, ai mban statusin e veteranit të ushtrisë amerikane.
Duke sjell kujtimet e tij në 11 Nëntorin, Dita e Veteranëve të Luftës, Jonuz Ndreu kujton shërbimin ushtarak në ushtrinë amerikane.
“E kreva në forcat e këmbësorisë, fillimisht në një bazë ushtarake në Karolinën e Jugut . Pas 8 muajve të parë nën rrobën ushtarake, kalova me shërbim në Fort Devis të Kolorados. Dhe, mbas përgatitjes së ushtruar në këtë bazë, transferohem më shërbim të gjatë në një bazë ushtarake amerikane në Berlinin perëndimor në Gjermani”. Dhe vazhdon, se gjatë shërbimit në Gjermani gjendja e tij shëndetësore u keqësua, duke ju nënshtruar regjimit spitalor dhe një urdhri për t’u kthyer me shërbim në Islandë, në veri të Anglisë.
Mbas një viti me shërbim atje, vjen rikthimi në SHBA, në bazën ushtarake Fort Er në Maseçustes në Divizionin e Dytë të Këmbësorisë, derisa e transferuan sërish në Berlin të Gjermanisë Perëndimore. Aty kryen edhe 18 muajt e fundit që i kishin mbetur në ushtrinë amerikane. “Në ushtrinë amerikane kam shërbyer me zell të madh, – shprehet Nuzi. Ushtria amerikane më ka vlerësuar lart shërbimin dhe më ka bërë shumë krenar si shqiptar që shërbeva për flamurin e Amerikës.
Unë isha në atë kohë ndër të paktët ushtarë, që pa qytetarinë amerikane, të shërbeja në këtë armatë, dhe ndoshta nga të parët që u gradova”. Ai kujton sot në Ditën e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara, e cila këtë vit përkonte edhe me 90 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, gradimin me gradën Kapter i Parë, një dekorim për merita në këmbësori një dekoratë me shumë vlerë i ushtrisë amerikane. Veterani i ushtrisë amerikane ka disa certifikata zyrtare ushtarake, e dhurata të ndryshme nga personalitetet më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes Amerikane (DoD), me motivacionin e quajtur “God Condact”. Rastësia-ushtria e solli atë që me uniformën e trupave amerikane të ishte shok ushtrie në bazën ushtarake amerikane në Frankfurt me Elvis Presley, i cili ishte një aktor dhe këngëtar amerikan me famë botërore, një ndër figurat kulturore më të shquara të shekullit të 20-të dhe njihet edhe si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Jonuz Ndreu ishte nga ata shqiptarë, të cilët sot janë veteranët e ushtrisë amerikane të cilët patën respekt dhe nderim të lart nga të gjithë ushtarët dhe komandantët ku ata shërbyen në uniformën dhe flamurin e SHBA.

JETA DHE AKTIVITETI POLITIK NË MËRGIM

“Këtu, – thotë Jonuzi, – më duhet të kujtoj edhe kontaktet e para me personalitetet shqiptare në mërgim. Në kampin e Kapos, – Itali, pas Isa Ndreut, erdhën disa përfaqësues të Komitetit Shqipëria e Lirë, me qendër në Romë – Itali, të kryesuar nga Sahit Kryeziu. Më pas në kamp vumë kontaktet e para me përfaqësues të partive të para politike shqiptare, në mërgim, përfaqësuesit e Bllokut Kombëtar të kryesuar nga Ernest Koliqi me Kol Bibë Mirakën, Partia e Ballit Kombëtar, Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, Partia Katundare dhe përfaqësues të tjerë.
Ndërsa, kur erdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi shkela për herë të parë me 11 shtator të 1957-tës dhe më 11 shtator të 1962, për herë të dytë, kur u lirova nga ushtria pasi shërbeva për 5 vjet, kam qenë i angazhuar në Partinë Katundare, e cila udhëhiqej atëherë nga Isa Ndreu. Më vonë u angazhova në shumë aktivitete në organizatën e quajtur “Tripalëshi”, ku bënin pjesë Partia Katundare – Bashkimi dhe Rezistenca antikomuniste.
Në 1962, Mbreti Leka I, i cili donte të bashkonte të gjithë shqiptarët dhe i thirri të gjitha forcat nacionaliste në diasporë, në Madrid – Spanjë, thirri edhe “Tripalëshin”, ku bënin pjesë Partia Katundare – Bashkimi dhe Rezistenca antikomuniste. Meqenëse organizimi i quajtur “Tripalëshi” mori pjesë aktive në takimin e Madridit, të përfaqësuar në Isa Ndreu e Lec Shllaku, ju kërkua që ajo të shkrihej në partitë e tjera, duke formuar një parti të vetme. Mbas mbledhjes së mërgatës shqiptare në Madrid (Spanjë), u vendos që ajo të zhvillonte një takim tjetër në Nju Jork (SHBA).
Në Nju Jork, takimi i forcave politike antikomuniste në mërgim udhëhiqeshin atëherë nga Xhaferr Deva, në të cilat, pothuajse mora pjesë në çdonjërën prej tyre. Mbasi Xhaferr Deva u tërhoq në një takim, kryetar i takimit të Nju Jorkut u zgjodh një ish oficer i gardës mbretërore, Masar Pustina, duke rifilluar edhe një herë bisedat për riorganizimin e mërgatës në SHBA. Blloku Indipendent u tha se nuk mundi të marrë pjesë, pasi aty ishte edhe Partia e Rezistencës, e cila, konsiderohej si degë e shkëputur nga Blloku Indipendent.
Kështu që, për të futur edhe bllokun në këtë grup, menduam që të tre partitë të shkrihen në një të vetme. Mirëpo Partia e Rezistencës e udhëhequr nga Ndue Pjetër Gjon Marku, e kundërshtoi dhe kështu që gati dështoi takimi. Kryetari i Partisë Bashkimi Kombëtar Loro Stajko, u bëri thirrje pjesëmarrësve, duke thënë se, nëse pengesë e kësaj mosmarrëveshje për njëjtësimin e partisë jam unë, atëherë mund të jap edhe dorëheqjen, dhe kaloi në Partinë Katundare. Diskutimi i Stajkos u prit me duartrokitje nga të deleguarit”, rrëfen Jonuz Ndreu.
“Ky ka qenë momenti kur, mbasi u bënë të gjitha tratativat, u mbërrit në një mirëkuptim ideal – te të gjitha partitë e grupuara në “Tripalësh”, që të mbanin një kongres të përbashkët, ku të zgjidhej një kryetar”. Jonuz Ndreu tregon gjithashtu se: “Mbas disa përpjekjeve disavjeçare që bëri vëllai im, Isa Ndreu, me mikun e tij, publicistin e njohur të mërgatës antikomuniste shqiptare, Lec Shllaku, ata arritën që t‘i merrnin mikut të tyre Zhak Shirak, që asokohe ishte në funksionin e kryetarit të Bashkisë së Parisit, miratimin për t‘i dhënë një sheshi në qendër të kryeqytetit francez, emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Shllaku me Isain e kishin mik të ngushtë politikanin e famshëm francez Zhak Shirak dhe ata e kishin ndihmuar atë në fushatat e ndryshme elektorale, kur ai kandidonte për postin e Kryeministrit apo të Kryebashkiakut të Parisit. Pas shumë bisedimeve që Isai me Lec Shllakun zhvilluan me mikun e tyre të ngushtë Zhak Shirak, ai mblodhi Këshillin Bashkiak të Parisit, i cili më datën 10 korrik të vitit 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, mori vendimin zyrtar dhe i akordoi emrin e Skënderbeut, njërit prej shesheve në qendër të Parisit, i cili më parë quhej ‘Villa Lumier‘. Pas marrjes së atij vendimi, ceremonia zyrtare për dhënien e emrit ‘Skënderbej‘ atij sheshi, u zhvillua më datën 6 dhe 7 maj të vitit 1980, ku morën pjesë me dhjetëra e dhjetëra personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare nga shumë vende të botës. Në atë ceremoni madhështore mungoi vetëm ambasadori i Shqipërisë, i cili nuk mund të vinte dot aty për shkaqe që tashmë dihen. Pas kësaj në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, Lec Shllaku me Isa Ndreun, i akorduan një medalje ari zotit Shirak, e cila iu dhurua me një ceremoni madhështore në Paris, ku morën pjesë personalitete nga e gjithë mërgata antikomuniste shqiptare”.

PARTIA BASHKIMI KOMBËTAR

Bashkimi Demokrat Shqiptarë, u përgatit të mbaj kongresin e saj të parë në Firence -Itali, ku ajo u kurorëzua me emrin që ajo mban sot, pra “Bashkimi Kombëtar Shqiptar- BKSH”. Kryetar z.Isa Ndreu dhe sekretar z. Lec Shllaku dhe dy n/kryetar Adem Hodo e Loro Stajko. Vijoi të dalë rregullisht revista “Koha Jonë”, një organ i BKSH, e cila vazhdoj punën e saj për 40 vjet.

Jonuz Ndreu përjetoi edhe dy momentet më të veçanta të jetës së tij: atë kur Shqipëria  u çlirua nga zgjedha komuniste dhe demokracia lindi edhe në Shqipëri; dhe atë  kur Kosova u çlirua mbas një shekulli, duke u bërë e shqiptarëve.

“Unë vazhdimisht, – thoshte me krenari Jonuz Ndreu, – kam qenë anëtar i kryesisë së Bashkimi Kombëtar Shqiptar dhe mendoj se kam luajtur një rol të madh në këtë parti, sidomos, këtu në SHBA. Kam qenë hambari i Partisë Bashkimi Kombëtar Shqiptar. Kam punuar pa u lodhur dhe duke sakrifikuar që të çoj në vend të gjitha obligimet e mia që dilnin nga partia. Punova me të gjitha organizatat, shoqatat dhe entet fetare komunitare, duke pasë marrëdhënie të mira, si me Bllokun, Legalitetin, Ballin Kombëtar dhe Vatrën, si me Kishën dhe Xhaminë. Kam përfaqësuar në çdo aktivitet me karakter kombëtar dhe politik partinë time, të cilën e udhëhoqa për disa vjet në Amerikë. Duke marrë pjesë si i deleguar nderi në të gjitha kongreset e Legalitetit, takimet e Ballit Kombëtar dhe të Komitetit Shqipëria e Lirë, dhe të shoqërisë “Vatra” qysh nga viti 1960. Kam marrë pjesë si përfaqësues i partisë BKSH në të gjitha festat e flamurit, demonstratat e protestat kundër regjimit komunist në Tiranë dhe ato për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e të gjitha trojet etnike.”

FAMILJA, PUNA DHE SHOQËRIA

Ndërkohë, duke folur, për familjen dhe shoqërinë, Jonuz Ndreu thotë se për herë të parë punën në Amerikë e kishte filluar në kompaninë Daglas Managment. Një kompani kjo, e cila më pas ndërroi disa emra, por jo bosët. Këtu ai punon nga 1968 – dhe deri sa del në pension në 2005, pra, 37 vite pune. Në vitin 1982 Jonuz Ndreu pëson një aksident të rëndë komunikacioni, dhe kompania Daglas Managment i vë në dispozicion të gjitha shpenzimet spitalore, deri në shërimin e plotë, një shumë e madhe kjo që ai e meritonte për punën e bërë. Ndërkaq, nipi i bosit të madh të kompanisë Daglas Managment, me rastin e daljes në pension (maj 2005) i dhuron atij një çek me vleftën e 25 mijë dollarëve. Nga të gjitha kujtimet e tij, një nga momentet më të bukura dhe të lumtura të jetës së tij është dalja në botën e lirë.

AI E KA PJESË TË PANDARË GJATË GJITHË JETËS SË TIJ, KOMBIN SHQIPTAR

Ka jetuar gjithmonë me hidhërimet e sundimit sllavo-komunist nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, në Shqipërinë komuniste. Përjetoi shumë keq sundimin dhe represionin e egër serbo-sllav ndaj shqiptarëve në Kosovë e trojet shqiptare. Por, gjithashtu, përjetoi edhe dy momentet më të veçanta të jetës së tij: atë kur Shqipëria u çlirua nga zgjedha komuniste. Komunizmi ra dhe demokracia lindi edhe në Shqipëri; dhe atë kur Kosova u çlirua mbas një shekulli, duke u bërë e shqiptarëve.
Këto dy momente historike Jonuz Ndreu, si çdo shqiptar i ka përjetuar sikur të kishte lindur edhe një herë. Prej vitit 1992, kur edhe u hap Shqipëria, ai e ka vizituar vendin e tij rreth 13 herë. Në vitin 1992 shkon për herë të parë pas 50 vjetëve në vendlindjen e tij, në Sllovën e rrethit të Dibrës, një katund malor në kufi me Kukësin. U gëzua, se gjeti gjallë edhe më të moshuarit e fisit të madh të Ndreut: Xheladinin, Rexhepin, Baftjarin, Lazamin, Bexhetin e të tjerë.
“Shqipëria na e ka hëngër gjithë jetën, trupin e kam këtu, por mendja dhe zemra janë në Sllovë, janë në Shqipëri, në Kosovë”, – thoshte Jonuzi. Në festën e daljes në pension, Shoqëria “Vatra”, ku shërbeu për më shumë se gjysmë shekulli, i dhuroi një pikturë me figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me emblemën e “Vatrës”. Jonuz Ndreu ka marrë shumë medalje, dekorata dhe mirënjohje për kontributin e tij për Pavarësinë e Kosovës, Demokracinë e Shqipërisë, Çështjen Çame dhe zgjidhjen e çështjeve shqiptare në të gjitha trojet etnike.

* * * 
Jonuz Ndreu, biri i Cen Elezit, nipi i Elez Isuf Ndreut, do të mbahet mend përgjithmonë si një atdhetar i shquar, që e deshi Shqipërinë, Kosovën dhe vendlindjen e tij, Dibrën. Dhe për këtë nuk pushoi asnjë çast në mërgim.