Kampioni i sfidave të jetës…


Pas sfidave të vështira në malet e Dibrës, Shqipërisë dhe Ballkanit, “Mjeshtri i sportit” ia del të sfidojë edhe sëmundjen e rëndë dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

kica.jpg dhe te gjitha fotot Alpinizem

E pabesueshme, por e vërtetë. Besnik Kica, është dibrani që ia doli në Itali të mposhtë sëmundjen e globit dhe më të rrezikshëm, Covid -19. Vetëm një muaj më parë, marr një mesazh nga dyert e spitalit nga Besniku që me zërin që i dridhej më tregoi që kish dalë nga situata e vështirë e intubimit dhe tashmë ndodhej në pavijon me mjekimet e radhës. Testi i fundit i bërë rezultoi negativ dhe Besniku ishte njëri nga ata heronjtë e heshtur dhe shpëtimtarë të sëmundjes së tmerrshme dhe vdekjeprurëse.
Postimi asokohe bëri bumin e radhës dhe qindra e mijëra mbështetës i jepnin kurajo kampionit të maleve të mposhtte edhe këtë sëmundje të rëndë. Vetëm pak ditë më parë, Besniku sërish më telefonoi, por tashmë në një situatë krejt tjetër jashtë dyerve të spitalit, ku nipërit dhe mbesat i këndonin edhe këngë dhe vallëzonin me të. Vërtet një lajm i bukur në kohën e zymtë dhe të vështirë që po kalojmë ku dëgjojmë çdo ditë për humbje jete dhe të tjerë që hyjnë e dalin në dyert e spitalit. Por cili është Besnik Kica për ata që nuk e njohin?
Ishin vitet 1963, kur ai ishte nxënës në shkollën “Demir Gashi”. Ishte jo më shumë se 10 vjeç dhe mësues kishte legjendën e sportit dibran Taxhedin Shehu. Profesori, si një nuhatës i mirë, kupton dëshirën e Besnikut për t’u angazhuar me sport. Kësisoj, alpinisti më i vogël që do t’i bashkohej grupimit të madh të Korabit në këtë sport ishte Besniku dhe kësisoj nisin edhe ngjitjet e para.
Fillimisht Besniku iu bashkua ngjitjes në malet e Lurës dhe liqenet e saj. Në vitin 1964 Besniku kujton se jo pak, por 15 ditë me radhë ata shijuan një kamping të bukur në atë perle të natyrës shqiptare me shumë liqene por edhe me male të larta, majat e të cilëve dukej se puthnin edhe qiellin. Natyra piktoreske dhe vende të tilla mahnitëse e bënë për vete djaloshin Kica që do të vijonte tashme stërvitjen tek kepi i llixhave dhe ai shkëmb që njihej prej të gjithëve. Do të kalonin 9 vjet dhe në vitin 1973 pas një pune intensive ai do t’i bashkohej ekipit të “Korabit” drejt malit e Korabit në ngjitjet e vështira dhe kuptimplotë të malit më të lartë në Shqipëri.
Por tashmë grafiku vijonte me ngjitje të tjera dhe alpet e Shqipërisë ishin fusha e mejdanit për çdonjërin që merrej me alpinizëm.
Majat e hekurave, Jezerca dhe mjaft maja të tjera, kishin rrezikun brenda. Kështu vitet ecnin dhe bashkë me të edhe Besniku afirmohej krahas mjeshtrave të tjerë dibranë që nën drejtimin e profesor Taxhit kishin krijuar emrin e bukur në gjithë vendin. Qemal Hakorja ishte njëri prej mjeshtrave dhe sportistëve të guximshëm të ekipit Korabi, por po kaq të mirë ishin edhe Rushit Reçi, Adil Manga, Zabit Tusha, Abdulla Mërdini, etj. Në vitin 1978, Besnik Kica do të shpallej edhe sportisti më i mirë në anketën e zhvilluar në klubin “Korabi” me dhjetë sportistët më të mirë të vitit dhe fotografia e tij qëndroi në mes të qytetit për një kohë të gjatë. Së bashku me Taxhin, Rushit Reçin, Adil Mangën dhe Zabit Tushën, krijuan një grup të fuqishëm që pushtuan edhe malet e Bullgarisë në një aktivitet ndërkombëtar që mbeti në kujtesën e secilit dhe u konsiderua sukses për kohën.
Besniku kujton edhe majën e Arapit dhe vështirësitë e problemet që pati në alpe, ku u aksidentuan edhe disa alpiniste, ndërsa tregon të respektojë. Krahas shumë emrave të mëdhenj të alpinizmit, ai kërkon të respektojë në këtë shkrim, Minella Kapon, njëherësh edhe drejtues i kësaj federate, Aleksandër Bojaxhi të ish “17 Nëntorit”, Vangjel Ristanin e “Tomorrit” të Beratit dhe mikun e tij të vyer, Nuredin Secin e “Valbonës” së Tropojës me të cilin ruan edhe këto vite miqësi familjare.
Në vitin 1995, ai fiton edhe titullin Mjeshtër Sporti, për të gjitha këto merita dhe cilësi të fituara përmes një karriere më shumë se 25 vjeçare në sportin e bukur të alpinizmit. Ky shkrim është një detyrim moral për sportin dhe sfidat e viteve të tij, por edhe mbi të gjitha për luftën e fituar së fundmi me Covid 19. Besniku tashmë jeton në Itali në Trento dhe i gëzohet shëndetit, ndoshta edhe falë atij vullneti dhe atij karakteri që fitoi në sportin e bukur mes malesh e luginash të pafund, pra sportin e alpinizmit.