Mall dhe krenari për mësuesin tim


Të shkruash për mësuesin është e vështirë, se ai është psikolog, ku njeh mirë karakteret e din të sillet me secilin prej tyre, duke të imponuar respektin e dashurinë. Kështu ishte mësues Xhelali. Sigurisht edhe metodist e gjithmonë i përgatitur për të shpjeguar leksionet e radhës. Ndaj, kur thuhet se nxënësi është pasqyrë e mësuesit, kështu vërtet ishin qindra breza që përgatiti  mësues Xhelali nga Grykë Noka, në Fushë Muhur, Sinë, Arras e së fundi në gjimnazin e qytetit të Peshkopisë.

Pikërisht aty ku mbaronte toka e fillonte ura u ndal autobusi i vogël. Mëngjesi ishte shfaqur me rrezet e diellit mbi kodrën e Gjarecës. Ato i jepnin reflekse edhe ujit gjarpërues të lumit Drin e Murrës.  Ndërsa kodra e Shëne Diellit veshur me shkurre e lule të verdha na përshëndeste të gjithëve. Një emërtim që përfaqëson një shejtëri pellazge.
Në vendin e parë, njoha sakaq mësuesin tim të historisë. Pasi e përshëndeta me përmallim u ula afër sediljes të fundit. Mësuesi më pyeti përsëri për shëndetin, familjen, punën etj. Kuptohet ju përgjigja dhe bëra edhe unë të njëjtin respekt. Ndërsa autobusi i vogël ecte mbi asfaltin, ku nuk i mungonin gropëzat, kanalet e për rrjedhojë, tronditjet. Mua më vinin si shkumëza të bardha kujtimet ledhatuese shkollore. Vërtet kisha së paku mbi tridhjetë e pesë vjet pa u takuar, pyetur, çmallur e shpurpurisur kujtimet. Nuk e di pse ai m’u duk i afërt, gojëamël, i qetë, e sikur më thirri emrin për në dërrasë të zezë. Sakaq unë fillova t’i flas për Mesopotamin e lashtë, për Zhan Dark, për kryengritjen çartiste angleze, revolucionin rus, Jul Çezarin, Garibaldin, Spartakun e Romës dhe Aleksandrin  e madh të ashtuquajtur, Maqedonas. Kaq shumë kisha humbur në kujtime  saqë nuk pashë se kur zbritën bashkë fshatarët e mi.  Pasi pagova, dola jashtë dhe ftova mësuesin tim Xhelalin bashkë me Kapllan Pirën për kafe. U ulëm në një nga kafenetë e qytetit të Peshkopisë. Fatmirësisht ato në demokracinë tridhjetë vjeçare nuk mungojnë. Në çdo pjesëz të ditës do ti shikosh plot e përplot.
Ndër të tjera mësuesi im tanimë me kapele me strehë, i veshur hijshëm, pastër, plot nur. Vetëm  fytyra e tij gjatoshe e dy sy që lëviznin qetësisht nuk i mungonin ende. Ndërsa qëndrimin serioz e si mësues autoritar nuk po e dalloja. Ruante atë kulturë e edukatë prej mësuesi qëkur e njoha unë, në vitin 1971.  Kur filloi të flasë, m’u kujtua zëri i tij, kur shpjegonte në dërrasë të zezë (veçse atëherë ai ishte më i hollë e me plot muzikalitet),  me titullin e mësimit e disa çështje kryesore të tij që i shkruante në dërrasë të zezë me shkumësin e bardhë. Hera herës merrte shkopin e hollë me majë  dhe një lidhëse në pjesën e trashë, e na tregonte në hartën fizike, zhvillimin e betejave të ndryshme.  Mësues Xhelali e filloi kështu bisedën:
-Edhe pse kemi shumë që nuk jemi takuar, unë ndjek shkrimet tuaja te gazeta “Rruga e Arbërit”, të cilën e blej çdo fund muaji. Më pëlqen shumë ajo.  Gëzohem, që një ish nxansi im shkruan. Kam të drejtë të mendoj se në formimin tuaj është plazmuar edhe puna ime mësimore dhe edukative.
– Sigurisht,- ju përgjigja, – edhe unë krenohem me mësuesit e mi, sot u çmalla me juve, edhe pse duhet të ndahemi për arsye pune. Por dëshiroja të vija në provë, se sa i mban mend mësuesit tuaj, karakterin e sjelljen e tyre.
Ndërtesa e shkollës fillore  në Kalivaç u ndërtua gjatë viteve 1945 – 1946. Unë  (Lindur 02.05.1945) e fillova klasën e parë me mësues Bajram Ndreun nga Zall Dadha, gjatë viteve 1950 – 1951,  zani i tij ishte kumbues dhe kur i shqiptonte shkronjat, i ndante fjalët në rrokje, ato të hynin vetëvetiu në tru. Më pas vazhdova me Sadik Toçin nga Luznia, Beqir Loshën nga Kishaveci dhe e mbylla vitin e katërt (1953- 1954) me mësuesin Ramadan Lika, bashkëfshatarin tim nga Shehri i Vajmdheve. Ato visheshin mjaft thjesht, edhe me opinga e veshje kombëtare, por në mësim ato silleshin si mësonjtor të zellshëm e edukues të mirë.
Klasën e pestë e fillova në Fushë – Muhur, gjatë viteve 1956 – 1957 me drejtor shkolle Muhamet Xhembulla. Ndërsa djalin e tij Nebiun e kam patur koleg, pas viteve ’90 i cili jepte landën e letërsisë. I ngjante shume babait, prandaj unë kisha respekt  të madh.  Më dukesh se kisha pranë ose koleg ish drejtorin tim.
Më kujtohen edhe mësuesit e tjerë, në shkollën shtatë vjeçare, por, do të veçoi mësuesin e matematikës Lutfi Pira nga Kishaveci, mësuesin e Gjuhë – Letërsi Hysni Bruçi, i cili ishte nga Lukani e më vonë u ba i muhurak, ndërsa Histori – Gjeografinë, na jepte  Rexhep Bardulla nga Peshkopia dhe së fundi Muzikën ma mësonte Bedri Shehu nga Dibra e madhe me banim në Peshkopi. Ku secili prej tyre kishte veçorit e veta në shpjegim e sjellje. Mësues Lutfiu ishte i rreptë, të gjithë e kishim frikë, por, shpjegonte mirë. Kurse Hysniu përpiqesh të shpjegonte qart, rregullat gramatikore dhe nuk të falte gabimet në hartime. Ndërsa Bedri Shehu i binte violinës.
Rezultatet shumë të mira në shtatë vjeçare dhe provimet përfundimtare, më hapën udhën e studimeve në shkollën pedagogjike Peshkopi, ku gjeta nxanës të ardhur nga Mati, Librazhdi, Mirdita, Kukësi, Hasi e Dibra. Fillova shkollën për mësuesi, gjatë viteve 1961- 1965 me Drejtor Zenel Sula.
Ndërsa nuk mund të mos përmend mësuesit e disiplinave, ma të randësishme, që mësonim në shkollë, si Pedagogji me mësues Kolë Tahiri, ku mësova elementët e reja të një shkence që do të më shërbente në profesionin e mësuesisë. Matematikën na e jepte Ismail Erebara dhe më vone Kadri Zhulali, në vazhdim landën e fizikës  me Nikoll Radën, gjuhë letërsinë ma mësonte Lutfi Hankun, i cili tani është autor i disa librave me tregime dhe romane. Së fundi muzikën e mësonim me  Osman Turja. Nga të gjithë këto shkenca, nga shpjegimi me plotë art e mjeshtri, nga mësuesit e mësipërm, të mrekullueshëm, unë mësova artin e të dhanurit mësim, u edukova dhe u pajisa me njohuri të reja, i aftë t’i transmetoja tek nxanësit e mi të ardhshëm.
Por, akoma nuk kam mbaruar, se nga 105 nxanës, e mbaruam shkollën pedagogjike 104, sepse nxansi Dedë Doda mbeti për vjeshtë. Dhe më tej, vetëm shtatë prej tyre, shkuam në universitet si Kujtim Leka nga Zogjejt e Dibrës, Kapllan Harizaj, Fadil Marku,e ndonjë tjetër dhe unë, Xhelal Meta nga krahina e Muhurit.
Nuk munda t’iu përballoj mësuesi  im. Paskeni kujtesën shumë të fuqishme,- e ndërpreva unë,- të lutem ma jepni të shkruar veprimtarinë tuaj si mësues.
Dhe kështu vepruam. Pasi mbaroi fakultetin Histori – Gjeografi mësuesi i sapo diplomuar  Xhelal Meta u caktua të punoi për dy vjet në Grykë – Nok të krahinës së Çidhnës. Ku filloi t’iu jap jetë studimeve të  marruna në shkolla. Pedagogjinë e psikologjinë, artin e mesimdhanjes, dhe landën e historisë që nga prehistori, ajo antike, e lashtë, e kohës së mesme dhe deri në ditët tona.
Nuk vonoi shumë dhe në vitin 1971 kthehet në shkollën tetëvjeçare ‘’Nexhat Agolli,, Fushë – Muhur  ku jep  landën e historisë deri në vitin 1977. Djaloshi i ri gjashte ditët e javës  bante rrugën Sheher – Fushë Muhur, në kam, shkuarje dhe kthim. Pas dite përgatiste ditarin, korrigjonet provimet kur ato ishin dhe ndiqte me korrektësi orarin, por, kjo nuk ishte e gjitha. Ai punoi plotë zell, përkushtim e pasion në pregatitjen e stendave të historisë  për muzeun e krahinës së Muhurit që ishte brenda shtëpisë të kulturës. dhe në përgatitjen e grupeve artistike etj.
Pastaj për  trembëdhjetë vjet ai ban me kam Sheher në mes dy Sinave ku ishte shkolla tetë vjeçare. Atje, jo vetëm jepte mësimin e landës së historisë por edhe fizkulturë dhe muzikë. Dhe jo vetëm, por, u  aktivizua në ngritjen e Muzeut të Kastrotëve në Sinë të Poshtme.  Vlerat e tij shprehen me plotë energji, në cilësitë e artistit e organizatorit në përgatitjen e grupeve artistike. Sigurisht konkurronin  me të gjitha shkollat e rrethi të dibrës e më tej.
Mësuesin Meta, tanimë, me një përvoje pune të gjatë në mësuesi, me rezultatet e mira në kalueshmëri, me një mësimdhënie korrekte e lartësi pedagogjike, dërgohet në shkolla të ndryshme. Ne vitin 1990- 1992 rikthehet në shkollën tetë vjeçare në Fushë – Muhur, më pas përsëri në Sine.  Vetëm një vit atje dhe ne vitin shkollor 1993-1994 emërohet drejtor shkolle në fshatin ku kishte kryer shtatëvjeçaren.
Por detyra e mësuesit, edukatorit të brezit të ri, nevoja për atë e detyron seksionin e arsimit Peshkopi ta dërgojë mësues historie etj., si dhe zv/drejtor në shkollën tetë vjeçare në Arras nga viti 1994 – 2000. Duke kryer me sukses detyrën dhe përballuar situata e vështira të tranzicionit ekonomik e politik që ishin manifestuar edhe te rina shkollore ne sjelljet e tyre.
Përsëri rikthehet, tani ma me detyrën e drejtorit në shkollën tetë vjeçare Fushë – Muhur, për katër vjet. Dhe së fundi e mbyll punën e zellshme e plotë pasion të mësuesit, edukatorit në gjimnazin e Peshkopisë nga viti 2004 – 2007. Duke përballuar lodhjen fizike dhe përgatitjen e përditshme, për të dhanun mësim, tanimë në gjimnaz e Peshkopisë ku kërkohej përgatitja më e thellë  dhe sistematike në disiplinën e historisë dhe gjeografisë.
Por portreti i tij është më i gjerë. Ai është i mbushur me mjeshtri nga ma të ndryshmet. Kuptohet ia kërkonte jeta e fshatit, familja që duhesh krijuar e çuar përpara. Kur muratorët i ndërtuan shtëpinë e re, mësuesi Meta u kthye në një suvatues i shkëlqyer. Jo vetëm që përdorte e dinte të bënte fashat por edhe t’i suvatonte e në tavane bëri lule të ndryshme ndërsa në ballin e oxhakut ai skaliti shqiponjën.
Ndërsa nuk mund të lemë pa përmendur që ai është një bletërritës shumë i kujdesshëm e pemëtar që din të shartoi, krasis e kryej të gjitha shërbimet kulturore. Mësues Xhelali është i dhimbshëm e njerëzor. Ai kërkon të argëtohet nëpërmjet gjuetisë ku akoma ka çiften të mbajtur pastër e me kujdes dhe xherdanin me kapsollat e saja.
Te shkruash për mësuesin është e vështire se ai është psikolog ku njeh mirë karakteret, e din të sillet me secilin prej tyre duke të imponuar respektin e dashurinë, kështu ishte mësues Xhelali. Sigurisht edhe metodist e gjithmonë i përgatitur për të shpjeguar leksionet e radhës. Ndaj kur thuhet se nxënësi është pasqyrë e mësuesit, kështu vërtet ishin qindra breza që përgatiti  mësues Xhelali nga Grykë Noka, në Fushë Muhur, Sinë, Arras e së fundi në gjimnazin e qytetit të Peshkopisë. Ai mbeti shembulli vyer  për kolegët me të rinj, ndihmësi dhe kolegu përherë i respektuar.