Një rrugë me by-pass për Dibër nuk ka për të qenë Rruga e Arbrit


Kryeministri Edi Rama dhe Rrok Gjoka, presidenti i Kompanisë “Gjoka Konstruksion”, gjatë inspektimit te ura e re e Vashës. Prill, 2010. Foto: MIE

Qeveria dhe kompania duhet periodikisht të bëjnë publike ecurinë e punimeve. Sepse deri më sot të gjitha lajmet për devijime, vonesa, shembje, problematika e gjithçka tjetër i kemi marrë vesh në fillim si thashetheme dhe pastaj kanë dalë të vërteta.

Me shumë vëmendje dhe interes ndoqa disa herë kronikën e vizitës së kryeministrit dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë te Ura e re e Vashës, me dëshirën e mirë për të mësuar ndonjë të re për ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbrit. Dhe në këtë kronikë ka shumë të reja. Nuk dua t’i përmend të gjitha, por do të mjaftohem me disa çështje, për të cilat mendoj se duhet më shumë informacion.
Sipas meje, të rejat e kronikës janë:
1. Rruga do të ketë një by-pass panoramik. Kjo do ta zgjasë rrugën 5 km.
2. Ura e Vashës është sot ura më e lartë në Ballkan, 152 metra. Kur të mbarojë ura e fshatit Fshat, do të jetë ajo më e larta në Ballkan, me 157 metra, 5 metra më shumë. Pra, Rruga e Arbërit do të ketë dy urat më të larta në Ballkan!
3. Janë hapur deri më tani 5 nga 6 tunelet e rrugës. Por problemet kanë dalë te tuneli i 6-shtë, që për koencidencë është edhe kryesori. Problemet kanë të bëjnë me formacionet gjeologjike.
Tri të rejat e kronikës, në fakt, nuk janë të reja. Janë tre shqetësime të cilat i kanë ngritur me kohë ata që janë marrë me propogandimin e kësaj rruge që prej 25 vitesh, por së paku nga viti 2008 kur nisën punimet në Fushë-Bulqizë. Dhe shqetësimet janë ngritur për t’u paraprirë problematikave gjatë punimeve.
Së pari, problematikat kanë të bëjnë me tunelin e Murrizit, të cilat kanë shumë hije dyshimi pas. Ju kujtohet ajo koha që thuhej se “nuk bëhet tuneli se ka ujë?” Pastaj u tha që nuk ka problem gjeologjike, as hidrogjeologjike, por është thjesht çështje dëshire. Filluan punimet në tunel dhe, ndërsa propogandohej se gjithçka shkon mirë, tuneli u shemb. Nuk u fol për arsyet e shembjes, por dolën në pah problematikat e vështirësive të paparashikuara, projektime të reja, ristudime, rinisje punimesh etj., ku shtesa e fondeve për këtë edhe sot e kësaj dite nuk janë bërë publike. Kjo mungesë transparencë të bën të besosh se shembja nuk ndodhi për asnjë lloj problematike gjeologjike, por për faktin e mungesës së specialistëve që drejtojnë punimet. Pse jo, edhe për teori konspirative për ca shtesa fondesh gjatë rrugës.
Së dyti, propozimi për një by-pass është një propozim i vjetër i ing. Faruk Kabës. Arsyet që ai e propozoi, duke qenë edhe partizan i ndërtimit fillimisht të by-pass-it, lidheshin me argumentin e kursimit të fondeve. Meqë tuneli i Murrizit merr një përqindje të madhe nga fondet e rrugës, propozimi i tij ishte që të kalohej rruga me by-pass dhe në një moment tjetër, kur qeveria të kishte fonde të mjaftueshme, të investonte në ndërtimin e tunelit. Kjo rrugë, sipas tij, përfundonte për 18 muaj. Ky propozim është kundërshtuar nga shoqëria civile që e ka propaganduar këtë rrugë prej 25 vitesh. Duke parë mungesën e dëshirës së qeveritarëve për të çuar përpara procesin e ndërtimit të rrugës, kemi qenë të bindur dhe vazhdojmë të jemi se një rrugë me by-pass është e mirë vetëm për dibranët. Tuneli nuk do të ndërtohej më, së paku edhe në 50 vitet e ardhshme. Ndaj e kemi kundërshtuar fort dhe mes kundërshtarëve kam qenë edhe unë. Dhe jam edhe sot kundër. By-passi mund të zbukurohet me lloj-lloj fjalësh, si “panoramike”, “e bukur”, “turistike” etj., por në qoftë së ndërpritet puna në hapjen e tunelit të Murrizit, atëherë ai është vetëm një justifikim për të kaluar radhën.

Hyrja e tunelit të Murrizit. Prill, 2020.

Për ata që mendojnë se ne nuk e kemi pasur shqetësimin e gjetjes së fondeve, së bashku me një grup inxhinierësh nga shoqëria civile kemi pas propozuar një version tjetër për rrugën, i cili ka qenë ndërtimi i një ure shumë të vogël mbi Urën e vjetër të Vashës (madje aty ka qenë propozuar edhe një HEC, por kjo është temë tjetër) si dhe ndërtimin e një tuneli tjetër poshtë fshatit Guri i Bardhë. Ky version do të kishte kosto më të ulët, por ndërtimi i dy urave mori përparësi, pasi ato do të ishin “më të lartat në Ballkan”. Sigurisht, kërkonin më shumë fonde, por kur vjen fjala për “mburrje” fondet nuk janë problem.
Por, ja, që erdhi një kohë që, paraja qenka shumë e rëndësishme. Dy këstet e radhës nuk do t’i marrë këtë vit kompania që po ndërton rrugën. Kjo mund të sjellë vështirësi ose ngadalësim të punimeve në vazhdim.
Kështu, për t’i dalë përpara premtimit, po studiojmë pak by-pass-in. Ndoshta na nxjerr nga situata para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, por edhe ndoshta fitojmë kohë për tunelet. Nuk i mbarojmë pas 22 muajsh, por edhe po mbaroi, i vendosim direkt taksën. Sepse me by-pass-in zgjidhim edhe pakënaqësitë e atyre që nuk duan të paguajnë…
Në fund, mund të pyesë dikush: “Çfarë rëndësie ka, mjafton të hapet rruga që të shkojmë në katund, për të tjerat të bëhet ç’të bëhet.”
Pikërisht këtu e kam shqetësimin edhe unë: një rrugë me by-pass për Dibër nuk ka për të qenë Rruga e Arbrit, nuk ka për të qenë rruga që do të lidhë shqiptarët në rajon. Nuk ka për të qenë rruga që të do të lidhë Tiranën me Dibrën, Tetovën, Gostivarin, Shkupin e Sofjen. Por ka për të qenë një rrugë që do të na ndihmojë ne të shkojmë e vijmë më shpejt në katundet tona, por nuk ka për t’i dhënë frymëmarrjen e duhur ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Dhe nuk do të jetë pastaj e largët dita kur emërtimin “Rruga e Arbërit” nuk do ta shpjegojmë si një rrugë që i binte dikur mespërmes Arbërisë, por një rrugë që e ka marrë emrin prej Arbërit, atij djalit që ka ngritur ato magazinat e grumbullimit të ndihmave te Ura e Brarit.
***
Në fund, do të doja që gjithçka që shkrova me lart ta kem gabim. Dhe që unë ta kem gabim, duhet që qeveria të dalë me një deklaratë zyrtare ku të ritheksojë se nuk ka asnjë tërheqje nga planet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit me standarde europiane. Dhe kompania të dalë periodikisht, së paku një herë në tre muaj, dhe të bëjë publike ecurinë e punimeve. Sepse deri më sot të gjitha lajmet për devijime, vonesa, shembje, problematika e gjithçka tjetër i kemi marrë vesh në fillim si thashetheme dhe pastaj kanë dalë të vërteta.