Rrëfimi i bariut


Unë e di, o Bajazit vëllai, se nuk do të di ta shkruaj këtë histori, sepse nuk jam asi kalemxhiu me shkollë. Po meqenëse ti je larg e m’u lute që të ta kallzoja me të shkruar, po e provoj një herë. Të dalë ku të dalë! Veç, të lutem, o Bajazit, nëse nuk ia dal dot mbanë ta kërrell ashtu si duhet, mos më tall, mos më qesh e mos ia jep askujt ta lexojë. Po e bëj meqë ti tani je larg e të ka pik malli për atë kohë vigjilence, për kooperativën, katundin, stallat, bokat, zabelet, bërrakat e rrafshet ku kullosnim bashkë tufat me berrat e kooperativës. Pra, meqë ta ka qejfi të ta rrëfej me të shkruar, unë po e shkruaj, po siç të thashë, pash Zotin, në besën tande, vetëm unë e ti, dhe asnji tjetër!
A të kujtohet Përroi i Xhetës, ku verës e ndalnim ujin me gurë e plisa dhe lanim vapës në hurdhë berrat e kooperativës, që na e binin në majë të hundës duke u hequr rrodhet e rriçnat? Mu aty, o Bajazit e takova atë burrin jabanxhi.
Kisha mbërthyer atë cjapin larosh për brirësh dhe po i hiqja një nga një rriçnat e rrodhet e ngjitura në lesh, kur pashë që bagëtia ia mbathi menjëherë e trembur nga frika.
Aso kohe, ti e di që neve barinjve, pushteti na sugjeronte të tregoheshim vigjilentë. Mund të shkelej kufiri, të hynin diversantë nga jashtë, të na përmbysnin pushtetin tonë popullor e ku di unë çfarë tjetër.
Kur e pashë, o Bajazit vëllai atë burrin të veshur spic, me çantë ushtarake në shpinë, mendja më vajti tek ndonjë i huaj, që kish ardhë prej larg për të çarë ferrën.
Më salutoi njerëzisht e pastaj më pyeti nëse kishte dyqan katundi ynë. Unë i thashë se kishim dyqan ku mund të blije kripë, vaj, sheqer e ç’të të dojë e bardha zemër; dhe ai u duk se u gëzua. Pastaj tha se donte të blinte vetëm një paketë cigare dhe ndoshta, edhe ndonjë gurabie. Bëmë një copë herë muhabet bashkë; më pyeti sa berra kisha gjithësej (a thua se qenë të mijtë), pastaj ec e ec, dhe duke më vështruar si dhelpër dinake e nxorri fjalën tek posta e kufirit. Donte të dinte sa ushtarë kishte posta dhe sa larg gjendej ajo prej aty! E nxorri kokën qafiri! – thashë me vete. Të them të drejtën, o Bajazit vëllai, më rrahu zemra në krahanor si trokëllimë mullini. Menjëherë më vajti mendja se më kish zënë kaderri, se më kish rënë në dorë një armik i pushtetit tonë popullor dhe nuk dija ç’të bëja me të. Mendova: po të arrij ta mbërthej këtë edëpsëz, pushteti do më merrte në sy të mirë, do më jepte dekorat të lartë, dhe pse jo, ndoshta edhe mund të më dërgonin të shikoja falas muzeun kombëtar. Por ajo që nuk m’u shqit nga trutë qe, se mund të më bënin skuadërkomandant të brigadës së arave. Merre me mend sa qejf i madh do të ishte, sikur unë, o Bajazit vëllai, nga bari dhishë, tu jepja urdhër grave të Bibollit! Ti bija çangës së katundit në pikë të mëngjesit, t’i vija gratë në rresht si pulat e t’i urdhëroja. Eh, more Bajazit vëllai! Feja vetë do të ishte! Vetëm njëherë të kisha mbërritur të jepja urdhëra në jetë dhe le të vdisja. Pastaj të hakmerresha me atë bullicën e Bexhetit, që sa herë më shikon, për t’u tallur me mua, qesh e më pyet:
“A i kullote berrat, o berr i allahut”?
Unë e di që ajo më tall pse zoti më la gjithmonë me berra, pse nuk pata fat të martohem, të marr ndonjë nuse si gjithë të tjerët; a ndoshta më tall edhe pse sa herë e kam hasur, ia kam shti sytë gjigjë dhe e kam shpuar tejpërtej. Të kam thanë o Bajazit, veç po nuk e shtiva në dorë, t’ia hyp në ato vithe krekcare, pa do ta mjel për cicash si një lopë Sukthi…
Që ta pata llafin, o Bajazit vëllai, ky jabanxhiu, erdhi me mua gjer në katund. Gjatë gjithë udhës nuk çeli gojë. Vetëm njëherë më kërkoi një cigare, por ti e di që unë e pi duhan gërgjall të keq, madje me të dredhur; dhe ngase nuk dinte ta dridhte vetë edëpsëzi, ia drodha unë një të shtrembër. Pastaj edhe ia ndeza; dhe kur e thithi, pështyu belaziu e tha: – Ky duhan mbytka edhe gomarin! Athuase unë, që e pija gjithmonë të tillë nga halli e mërzia, isha më keq se një gomar. Nuk i fola. Thashë me vete: e kërkove? Pije tani, ta zëntë gurmazin, ta zëntë!
Për mua nuk kishte pikë dyshimi, madje më qe mbushur mendja top se kisha të bëja me një diversant, por kisha frikë, o Bajazit vëllai, se për aq kohë sa do të më duhej mua të lija berrat në rrugë e të hyja në shtëpi për të marrë pushkën, ai do të kish hyrë në dyqan; e aty, do ta kish bërë zap dyqanxhiu e do ma kish marrë.
Sa lashë berrat në rrugë pranë stallës, ia dhashë vrapit me teftik e drejt në shtëpi.
Nëna ime, që ishte prej dy javësh zaif në shtrat, kur më pa që nxitoja, u tremb e gati i ra të fikët.
– Ç’ka ndodhur, bir?!- pyeti ajo që nga shtrati.
– E gjeta,- thashë unë,- po më duket se do ma marrë ai hundëderri i dyqanit, Baloshi.
– Shyqyr more bir, që më në fund e gjete edhe ti kismetin tënd! – ia bëri ajo sepse kujtoi, që kisha gjetur nuse. Pastaj bëri me gisht si të deshte të më qortonte e shtoi: – A e shef, që ta zgidhi fatin ajo nuska, që ta shkrova te hoxhë Kupa?!
Nga qejfi i madh, i ranë rrotaqeles trutë në qafë!
U ngrit e me lot në sy deshi të më përqafonte, po nuk e mbajtën këmbët, iu morën mendtë e vajti e u gremis me bythë drejt e në vatër të zjarrit. Fat i madh, o Bajazit, që zjarri nuk qe ndezur se do ish djegur krejt e shkreta. E ngrita shpejt e i thashë:
– Jo nuse moj belazezë! Gjeta diversant, po lermë rehat tani se do ma marrë ai hundëderri! Dhe sa hap e mbyll sytë rrëmbeva gjermanen që e mbaja të varur në një kunj të ngulur në mur, i rrasa fishekun në gojë dhe kur dola jashtë, për bela, sikur ta dija, pashë që diversantin na e kish vënë para me pushkën e vet dyqanxhiu Balosh Losha!
Të them të drejtën, o Bajazit vëllai, më hypën rrebet. Mu terrën sytë dhe nuk dija të dalloja, cili prej tyre qe diversanti, e cili dyqanxhiu.
Vendosa pushkën për syri e brita aq fort sa rrezik e dëgjuan edhe ata shokët e partisë atje lart në komitet:
– Ndaaaaal!
Ngrinë në vend të dy, dhe unë, duke i parë përmes një reje amzash e kacabujsh të vegjël, i bërtita sërish dyqanxhiut e i thashë që të ikte, të shihte punët e dyqanit me kapistrat e vezët e prishura që shiste hundëderri, sepse ende nuk kishin lindur në Biboll aso bij nanash, që mund të përvetësonin diversantin tim.
Ti nuk do ta besosh o Bajazit, si u ba beterr Baloshi! Deshi të thoshte njëherë, se e kish kapur vetë diversantin, por i iku goja e u ba memec si gur shtufi. Pastaj, bishtin ndër shalë, u përvodh si skile prapa qoshit të murit, theu qafën dhe iku.
Atëherë i fola diversantit; i dhashë urdhër të nxirrte e të hidhte menjëherë në tokë të gjitha armët: bombat, fishekët, pistoletat, thikat, helmet kimike, kutitë me bakterje vdekjeprurëse, të gjitha çfarë mendoja unë se kishte ai në atë çantën e tij ushtarake. Eh, more Bajazit vëllai! Më vrafshin shtatë teqe e më rafshin në kokë rrufetë e qiellit në të gënjej një gjysëm fjale! I kishte ngritur diversanti duart lart dhe më vështronte njëlloj si ai braci fakirfukara kur e kapin duke këputur ndonjë kokërr mollë në kopësht të huaj.
Me urdhërin tim të rreptë, ai nxorri e nisi të hidhte një nga një në tokë të gjitha sendet që kish në çantë. Por, ç’të të them, o Bajazit vëllai?! Nuk kish pasur me vete asnjë lloj arme a municioni qafiri, përveç një broshure me direktivat e pleniumit të tetë të partisë, një faqorje me raki kumbulle, një shami të pisët hundësh si dhe një copë byreku të mbështjellë me gazetë, të cilën, kur kjo histori pat sosur, më duket se e hëngri ajo bullica e Bexhetit. Atëherë mendova se do të kish fshehur ndonjë send në trup dhe i dhashë urdhër të zhvishej, por ja që mbërriti aty kryetari Brahim bashkë me Balosh Loshën dhe unë e harrova atë punën e zhveshjes.
Skilja! Kish vajtur me vrap dhe kish lajmëruar kryetarin Brahim! I kish thënë se kishte kapur vetë një diversant dhe se ia kisha përvetësuar unë pa të drejtë!
– Për pak u vramë, mor shoku Brahim, – thoshte ai i çuditur e i pezmatuar njëherësh, – Dhe për çfarë?! Për një palo-diversant, që në të vërtetë e kapa unë!
Thashë me vete: u bë ky hundëderr te marrë hazërllup diversantin tim?! Unë e solla në Biboll, që nga përroi i Xhetës, kurse ai na e donte hazërllup! Mendoje vetë këtë punë o Bajazit vëllai! Pastaj edhe të na dekorohej nga pushteti popullor, ta çonin të shikonte falas edhe Muzeun Kombëtarë e ku di unë çfarë tjetër…! Kulmi!
Më hypën rrebet në tepe të kresë, mu çue delli, ia futa dyqanxhiut me një grusht hundëve, që Zoti më faltë dhe e plandosa me turinj në nji hurdhë uji.
Kur u ngrit, kishte humbur kujtesën zavalli. Nuk dinte as ku gjendej, as çfarë i kish ndodhur. Në vend që të futej në shtëpi të vet, vajti belaziu e u fut në stallën ku mbante deshtë Mud Mahmuti.
U dha berihaja e u mor vesh në mbarë Bibollin se kisha kapur rob një diversant! U dyndën tek sheshi para dyqanit shumë njerëz, mes të cilëve, siç thashë, ndodhej edhe bullica e Bexhetit. Ajo pallavozja u shkri duke qeshur me cicat që i hovnin përpjetë. Qeshte, zgjaste kokën si brace nga unë dhe tinës të tjerëve, duke bërë shenjë me dy gishtat e bashkuar majë më majë, me të tallur thoshte:
– Bravo, o berri i allahut! Na e kape një plesht!
Përse e bënte ajo këtë vetëm një zot e di. Mbase do ta marr vesh kur ta shti në dorë e ta mjel për cicash… Sepse e shikoj, që ia ka qejfi, ndryshe nuk do të kruhej me mua në atë farë feje. Ta dish, o Bajazit vëllai: ja kam ba betë! Veç mos ia gjetsha rastin, pa do ta shikojë ajo bullicë kur ta pupëzoj, ta mrruci e ta bëj sa nji kakruk…!
Që ta kisha llafin, Latif Kishaveci,(nëse të kujtohet, e patën kapur njëhere duke vjedhur pula në nje kotec andej nga mëhalla e Bazallarëve) e lidhi diversantin me litar kacatrup dhe pastaj, të dy bashkë, e ngritëm hopa dhe e futëm në magazinën e plehut kimik. Aty e plandosëm si një thes me pleh mbi një grumbull thasësh bosh.
Kryetari Brahim nisi menjëherë për tek posta e kufirit Latif Kishavecin, që të vinin e ta merrnin. Besomë mua, o Bajazit: ta rrahësh me shkop gjithë Bibollin, nuk gjendet njeri më këmbëshpejtë se ai!
Nuk vonoi shumë dhe ia behu kapterr Meleqi, ai qefliu, që zbriste nganjëherë këtej nga Bibolli për të kullotur sytë mbi vajzat si pela herxhele te pashaluara e që binte erë livanto dhjetë litarë kali larg. Rëndë-rëndë, si një pasha, athua se ish veç ai dhe nuk kish më kapterrë të tjerë në faqe të dheut! Kishte marrë me vete edhe nja katër ushtarë kopili. Atëherë puna mori krejt ndryshe. Kapterr Meleqi sa e pa diversantin, uli pakëz kokën dhe më vështroi vëngër, athua se unë, dija sekretin që gruaja e tij, kishte një nishan në prapanicë.
I tha kryetarit Brahim:
– Ma hiq sysh këtë budall të shkatërruar.
Përse isha unë budalla i shkatërruar, këtë nuk e mora vesh! Madje edhe kryetari Brahim m’u duk se nuk e mori vesh, sepse nuk bëzani. Kapterr Meleqi, si ta kishte kurdisur vetë dreqi, më shau zavalli me rroc e koc e ma futi me shkelm bythëve; e unë për pak u rrëzova për të thyer qafën para gjithë atij mileti. Pastaj, u afrua pranë diversantit, e nderoi me grushtin lart dhe nisi ta zgidhte!
Por çfarë thashë unë, o Bajazit vëllai?!
Diversantin, thashe?! Jo, jo! Ai zgidhi komandantin e ri të postës së kufirit, i cili me ta marrë veten, rreshtoi ushtarët bashkë me katundarët; e tha se këtë lojë, na e paska pas kurdisur rrengëçorri, sepse kish dashur të vinte, medemek, në provë, gadishmërinë e banorëve të Bibollit!
E marrtë dreqi me gjithë gadishmëri, jarabi!
Mua, sa nuk më luajti tepeleku i kresë! Kurse ajo bullica e Bexhetit u shkri gazit!
Mileti e pat rrethuar komandantin e ri të postës dhe dëgjonte prej tij me shumë vëmendje, do komente, që ai i bënte kësaj loje me fjalë e me duar, duke vënë në dukje disa dobësi dhe të meta të mëdha, që gjasme, na paskësh parë tek unë gjatë gjithë kësaj kohe. Për këtë as nuk më falenderuan, e jo më të më jepnin dekoratë, të më shpinin të shikoja falas Muzeun Kombëtar, apo të më bënin skuadërkomandant të brigadës së arave.
Për Zotin, o Bajazit vëllai, kurrnigja nuk më dhanë, në asnjë vend nuk më çuan dhe asnigja nuk më banë!
Ngela si një qen, me shpinën e mbështetur pas murit të magazinës së plehut kimik, me sytë gjithnjë nga bullica e Bexhetit, që bënte me gisht nga unë dhe shkrihej gazit.
Rruspia!
U afrova pranë saj e gjithë inat i thashë:
– Po të shtiva në dorë, moj bullicë, do të t’i shkep të dyja tulet që më ke mes shalëve.
Atëherë, ajo qeshi prapë e tha:
– Ik e kullot berrat, o berr i allahut, se për atë punë je ti!
Edhe sot e asaj dite, mallkoj veten dhe me vjen inat se si ndodhi që më ra mua për hise kjo histori. Veç te lutem, po të porosis edhe njeherë, o Bajazit vëllai: mos ia jep asnjëriu t’i lexojë këto qe shkrova, e pash Zotin, mos ma ban të madhe.