Shuhet ish mësuesi, specialisti dhe drejtuesi i devotshëm dibran


Një zile telefoni në një orë të papërshtatshme më bëri të ndihem ndryshe dhe të përjetoj dhimbjen që secili nga ne merr në raste të tilla. Njëri nga djemtë më të mirë të fisit dhe fshatit Sohodoll, Lulzim Methasani, kish ndërruar jetë. Një atak kardiak, ndaloi së rrahuri jo vetëm zemrën e tij, por edhe frenoi përfundimisht në moshën 66 vjeçare, një jetë të mbushur me shumë punë e përkushtim, duke  lënë gjurmë kudo ku shkeli.
Jeta e tij kaloi përmes vuajtjesh, sepse babai Rizai e la jetim shumë të vogël dhe nënës së tij Razie, bijë e familjes Cibaku, iu desh të bëjë nënën dhe babain, për ta rritur dhe shkolluar ashtu si duhej djalin e saj. Lulzim Methasani që pas mbarimit të shkollës së lartë në Korçë në vitin 1978, nisi punën, madje jashtë fshatit të tij, pikërisht si agronom në zonën e Sllovës. Edhe pse i ri, falë pjekurisë, përkushtimit dhe punës së ndershme, bëri emrin e mirë dhe katër vitet e punës atje, stampuan një histori suksese duke u respektuar në çdo fshat e shtëpi.
Vlera të tilla e afirmojnë shpejt dhe Luli emërohet mësues specialist në shkollën e mesme “Nazmi Rushiti” në Peshkopi, ku për më shumë se një dekadë tregoi se vlente si një edukator dinjitoz që rrënjosi tek nxënësit dashurinë për lëndën që jepte.
Vlerat e tij profesionale dhe njerëzore e shtuan shumë popullaritetin e emrit që bëri, duke u bërë mësuesi prind, që vendosi marrëdhënie brilante me koleget dhe nxënësit, marrëdhënie që ruheshin edhe pas mbarimit të shkollës.
Pas viteve ’90-të, Luli punoi në shumë sektorë të ndryshëm të bujqësisë, pyjeve dhe çështjeve sociale në qytetin e Peshkopisë, madje edhe si drejtues e titullar. Në çdo kohë ai u tregua njerëzor dhe korrekt, duke fituar qytetarinë e duhur dhe respektin e njerëzve.
Lulzimi është babai i tre djemve që kanë vlerat e tyre në shoqërinë e sotme, madje njëri prej tyre Dr. Rizai, është mjek në spitalin e Peshkopisë, por edhe gjysh i tre nipërve. Me ikjen e tij të pamerituar, jo vetëm bashkëshortja Zadia dhe djemtë humbën dhe u pikëlluan për njeriun më të shtrenjtë, por edhe fisi Methasani për djalin e tij, Sohodolli për njeriun intelektual dhe Dibra për njërën prej figurave më të shquara dhe të devotshme të punës dhe jetës, për një vlerë qytetarie që gëzonte respektin e gjithë trevës.
Ka mjaftuar një postim që bëra në rrjetin social facebook,post ndarjes së tij nga jeta  dhe menjëherë reagimi qytetar ka qenë tejet i madh, ashtu si dhimbja në adresë të tij.
Afro 700 komente, fjalë zemre dhe ndjenja të fuqishme në adresë të tij, veçmas ata që kishin punuar me këtë koleg e shok të mirë. Kjo tregon se njerëz të tillë si Luli vërtet ndahen nga jeta, por kurrsesi nga kujtesa dhe vlerësimi tek të tjerët, njerëzit që e njohën dhe kurrë s’e harrojnë njeriun e duhur, mikun e dashur, shokun e sinqerte dhe hokatar dhe intelektualin e burrin me vlera.
Lamtumirë kushëri Lulëzim, kurrë s’do të doja të shkruaja këto radhë për mungesën tënde, por e tillë erdhi jeta, duke na pikëlluar, por duke na bërë edhe krenarë për emrin e mirë që gdhende në më shumë se katër dekada.
Defrim Methasani