Kryeministri: Ndërtojmë Skavicën me 100% financim shtetëror


Rama: “Është e padyshimtë që kjo vepër do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për atë zonë, me Rrugën e Arbrit dhe me Skavicën, verilindja e vendit hyn në një fazë tërësisht të re në aspektin ekonomik dhe social”.

.

Beci: “Ne jemi të ndërgjegjshëm se alternativa më e madhe përmbyt një sipërfaqe të madhe, por një proces konsultimi, shpronësimi dhe bashkëpunimi mund ti japë një opurtinitet më të madh zonës”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prezantoi të mërkurën, 3 qershor 2020, studimin e fizibilitetit të kryer nga një kompani franceze në lidhje më ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës.
Ministrja Belinda Balluku pranoi në fjalën e saj se projekti ishte financuar nga WBIF dhe është financuar nga Samiti i Triestes. Ky detaj, megjithëse është bërë publik, nuk ka pasur informacione shtesë se ku konsiston (më shumë për këtë shih në kronikën e përgatitur).

Balluku: Skavica e kthen vendin në “Fuqi eksportuese të energjisë së rinovueshme”.

“Ky është hapin i parë për nisjen e procedurave për ndërtimin e HEC Skavicës, si një ëndërr shumëvjeçare e hedhur si ide që në vitet ’60-të, e risjellë në vëmendje herë pas here, por pa arritur asnjëherë finalizimin e projektit të saj”, tha Balluku. “Qeveria Shqiptare ka në duar një studim konkret të këtij projekti, i cili ofron disa skenarë për ndërtimin e kësaj vepre”.
Ajo u ndal në avantazhet e ndërtimit të Skavicës, duke optimizuar rritjen e prodhimit të energjisë në kaskadën e Drinit si dhe i jep një zgjidhje përmbytjeve të shumta për zonën e Fushë Shkodrës dhe Fushë-Lezhës. Sipas saj, nga ky projekt fitojnë 10 mijë banesa në këtë rajon. “70 mijë familje do të përfitojnë nga energjia e prodhuar nga Skavica dhe optimizimi i kaskadës”, tha Balluku.
Avantazhe të tjera, sipas ministres do të jetë ulja e importeve të energjisë, si dhe rritjen e potencialeve energjitike të vendit, që ajo e quajti si “Fuqi eksportuese të energjisë së rinovueshme”.
“Është e rëndësishme të theksohet, që sot nis ky proces me synimin, që brenda këtij viti ne të realizojmë një garë të hapur, transparente dhe ndërkombëtare, ashtu siç qeveria shqiptare bën, brenda muajit tetor, për të arritur në një instrument të rëndësishëm të kësaj gare, përmes dizenjimit të projektit të detajuar dhe të ndërtimit të veprës. Kjo është një vepër, e cila do të ndërtohet me fonde të Qeverisë Shqiptare, duke u mbështetur tek partnerët tanë financiarë, po përmend BERZH-in, i cili është ofruar për t’a financuar këtë projekt, duke qenë se dhe bashkëpunimi me WBIF, financuese e studimit të fizibilitetit, është një paketë, që ata zakonisht operojnë së bashku”, theksoi ministrja Balluku.
Megjithatë, sipas ministres, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të jetë vetëm një lajm i mirë për sistemin energjetik shqiptar, por do të jetë një lajm i mrekullueshëm për të gjithë ekonominë shqiptare.

Drejtori i KESH: Dy variantet për Skavicën, avantazhet dhe disavantazhet

Pas Ministres Balluku, drejtori i KESH Benet Beci foli për të dhëna teknike rreth varianteve të propozuara, për të cilat do ti mbetet qeverisë shqiptare të vendosë.
Balluku dhe Beci, në fjalën e tyre përpiqen të mos e theksojnë përmbytjet që hidrocentrali do të bëjë në Dibër. Madje, si qëllimisht, ata flasin për një hidrocentral që do të ndërtohet në Kukës, duke iu referuar vendit ku do të ngrihet diga. Beci gjatë fjalës së tij e vendosi hidrocentralin “diku mes Peshkopisë dhe Dibrës”, por më pas sqaroi se diga do të ndërtohet “21 km në jug të Kukësit dhe 26 km në veri të Peshkopisë”.
Beci tha se studimi është kryer nga kompania franceze Tractebel në bashkëpunim me specialistët që ka në dispozicion KESH aktualisht si dhe me përvojën e inxhinierëve më të vjetër. Nga studimet e deritanishme me specialistë, KESH ka arritur në përfundimin se dy janë alternativat më të përshtatshme:

Varianti A: Digë më e ulët, liqen më i vogël.

Kuota e hidrocentralit është 388 metra mbi nivelin e detit, 92 metra lartësia e digës, 17.6 km2 sipërfaqja e rezervuarit, 326 milion metër kub ujë, me fuqi instalimi 120 MW dhe prodhim vjetor 479 GHh. Kosto e ndërtimit 308 milionë Euro, nga të cilat 250 milionë për ndërtimin dhe 58 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë.

Varianti B: Digë më e madhe, përmbytet lugina e Drinit të Zi deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Becit, në variantin B, kuota e hidrocentralit është 443 metra mbi nivelin e detit, 147 metra lartësia e digës, 54 km2 sipërfaqja e rezervuarit, 2319 milion metër kub ujë, me fuqi instalimi 210 MW dhe prodhim vjetor 915 GHh. Kosto e ndërtimit 510 milionë Euro, nga të cilat 350 milionë për ndërtimin dhe 160 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë.
Beci tha se “kriterët mbi të cilat është realizuar studimi kanë qenë: prodhimi, eficena në kaskadë, ndikimi në përmbytjet e Shkodrës – si një nga kushtet kryesore të studimit të projektit – dhe ndikimi social ekonomik në zonën e Dibrës dhe të Kukësi.
Sipas tij, “alternativa A nuk pritet të ketë ndikim të dukshëm në prodhimin e kaskadës, ndërsa alternativa B do të kishte ndikim pozitiv dhe vetëm nga eficensa e kaskadës do të ketë në prodhim shtesë prej 80 GWh në vit, me një fitim prej 4.5 milionë Euro në vit”.
Ashtu si edhe ministrja Balluku, Drejtori i KESH, Benet Beci, kur flet për ndikimin mjedisor e social, fillon me efektet që do të kenë në punësim. Ai flet për një rritje të punësimit gjatë dhe pas ndërtimit, si dhe rritjen e punësimit përmes aktiviteteve të tjera ekonomike si peshkimi, turizmi etj. Por, sado që përpiqet që të mos e vendosë theksin të problematikat sociale, ai detyrohet t’i kujtojë qeverisë se duhet të bëjë një punë kolosale për të bindur publikun.
“Ky proces është i vështirë, ndaj kërkon një angazhim të madh të qevrisë për të bërë të mundur adresimin e problematikave që del por edhe adresimin e mundësive që shfaqen”, tha Beci.
“Liqeni i krijuar nga Skavica e vogël shkon deri në Peshkopi, ndërsa liqeni i krijuar nga Skavica e madhe shkon deri në kufirin me Maqedoninë dhe efekti është jashtëzakonisht i madh në të gjitha anët”, tha drejtori i KESH.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se alternativa më e madhe në fakt përmbyt një sipërfaqe të madhe, por sigurisht është një proces konsultimi, shpronësimi dhe bashkëpunimi mund ti japë një opurtinitet më të madh zonës”, e mbylli prezantimin e tij Benet Beci, drejtor i KESH.

Kryeministri: Ndërtojmë Skavicën me 100% financim shtetëror

Kryeministri Edi Rama e nis me historinë fjalën e tij. “Bëhet fjalë për një ëndërr në sirtar të shumë qeverive të Shqipërisë, qysh në fundvitet ‘60, pasi e dimë të gjithë që projekti është ende i pafinalizuar, si rezultat pikërisht i mungesës së këtij komponenti të katërt, komponentit të Skavicës, që del në pah qysh në shkrimet e Dhimitër Frangut, Mesjetë, si pronë e Skënderbeut dhe një bastion i rëndësishëm i qëndresës, ku Gryka e Drinit rrethuar nga male shumë të lartë u shndërrua në një kështjellë natyrore të Arbërve”.
Pasi bëri një historik të dështimeve të Skavicës, Rama tha se “ne e kthyem Skavicën në tavolinë dhe në vitin 2017 në Samitin e Triestes HEC-i i Skavicës u miratua si një ndër projektet prioritare të Procesit të Berlinit, ku, qysh në strukturimin e Procesit, në 2014-ën, ne u pozicionuam për të ndjekur me përparësi këtë rrugë, duke garantuar në radhë të parë, jo thjesht financimin e një studimi, por cilësinë e tij. Faktikisht, në 2017-ën projekti u pranua dhe sot ne kemi një pamje të detajuar nga një kompani me një biografi të njohur botërisht, kompania franceze, ku na jepet qartësisht pamja, por dhe rruga për tu ndjekur”.
Kryeministri në fjalën e tij nuk iu adresua problematikave që do të dalin me përmbytjet, lëvizjet e popullatës, shpronësimet dhe problemet sociale që do të sjellë ndërtimi i Skavicës. Por ai foli për avantazhet që do të sjellë.
“Është e padyshimtë që kjo vepër do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për atë zonë, me Rrugën e Arbrit dhe me Skavicën, verilindja e vendit hyn në një fazë tërësisht të re në aspektin ekonomik dhe social”…
“Të kombinuara bashkë avantazhet që sjell në ekonomi për të gjithë verilindjen Rruga e Arbrit me Skavicën japin përfundimin e thjeshtë, që, rilindja e vendit hyn në një epokë të re, ku, dua ta risjell këtu edhe aeroportin e Kukësit, si një komponent plus, pasi ajo që vjen me krijimin e gjithë zonës së re liqenore dhe me funksionimin e gjithë kaskadës edhe si një rrugë, apo si një “shteg” turistik, bën që të thuhet me plot gojën që edhe turizmi do të impaktohet në mënyrë të rëndësishme”.
Më pas Kryeministri foli edhe për zhvillimin e agroturizmit e infrastrukturës por nuk ceku problematikat dhe rrugët që do të ndiqen më tej, që janë proceset e konsultimeve me publikun, shpronësimeve apo problematikave të tjera.
Gjithashtu, në fjalën e tij Kryeministri Rama nuk foli as për kundërshtarët e këtij projekti, të cilët e konsiderojnë përmbytjen e luginës së Drinit të Zi si një ndarje më dysh për së dyti, pas ndarjes së kufijve më 1912-tën.