Skavica dhe Katundi i Ri, dy hidrocentralet e reja në Dibër?!


Qeveria prezanton dy verisone të hidrocentralit të Skavicës, por nëse ajo do të vendosë për “Variantin A”, atëherë mbetet në fuqi edhe ndërtimi i hidrocentralit tjetër mbi Drin, në Katund të Ri me fuqi 50 MW

Propozimi i WBIF: Hidrocentrali i Skavicës parashikohet të kushtojë 247 milionë e 500 mijë euro. Nga të cilat 40 milionë euro do të jetë financimi i qeverisë shqiptare dhe 206 milionë euro do të sigurohen përmes një kredie të BERZH. Ndërsa 1.5 milionë është grant nga WBIF – Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, e cila po përdoret për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Social-Mjedisor

Premtimet për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës rikthehen sërish si premtime qeveritare dhe debati politik e shoqëror.
“Ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtetin”, deklaroi Kryeministri Edi Rama më 27 maj 2020, gjatë ceremonisë së prezantimit të Parkut Fotovoltaik të Karavastasë.
Kjo deklaratë e Kryeministrit ka ngjallur reagime të dyanshme në rrjetet sociale, një pjesë e të cilave, e kundërshtojnë ashpër ndërtimin e saj. Premtimet për ndërtimin e Skavicës nga qeveria shqiptare dalin në publik periodikisht në fundet e mandatit qeverisës, pa u detajuar me informacione të sakta për publikun. Transparenca për këto premtime ose ka qenë e pakët ose ka munguar fare.
Por, gjatë fjalës së tij në Divjakë, Kryeministri Edi Rama nuk lëshoi vetëm një deklaratë, por i kushtoi Skavicës një pjesë të rëndësishme në fjalën e tij.
Duke e quajtur të suksesshëm procesin e tenderimit dhe realizimit të Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, ai tha se “shpejt do të dalim në një proces tjetër që është një proces i menduar dhe i vonuar me më shumë dekada sesa vetë kjo periudhë e 30 viteve, projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës”.
“Skavica ka qenë një objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjikisht absolutisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye gjithmonë qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund, ne jemi përpjekur në këto vite të gjejmë aktorët e duhur që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që, siç thoshin njëherë e një kohë, ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtetin. Do të jetë një vepër e vështirë, por do jetë patjetër një vepër që do transformojë rrënjësisht sistemin, duke garantuar optimizimin e gjithë kaskadës, sepse dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit dhe do jetë edhe fundi i derdhjes së ujit kur ka me tepri dhe i përmbytjeve që pastaj pasojnë si rezultat i derdhjes, pra i derdhjes së parave në formë uji në atë moment, duke shkaktuar dëme dhe duke i kushtuar pastaj buxhetit të shtetit gjithmonë shtrenjtë për të rikompensuar dhe për të ndihmuar njerëzit që të ringrihen.”
Që nga marrja e drejtimit të qeverisë në vitin 2013, Kryeministri Edi Rama është hera e parë që flet për ndërtimin e Skavicës. Ndërsa qeveria e tij flet për herë të tretë.
Në mes të vitit 2014 u bë shkak një takim përfaqësuesve të konsorciumit Power China Corporation me ministrin e energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, që Skavica të rikthehej për herë të parë në vëmendje. Por ndërkohë që pritej zhvillimi i negociatave me kompaninë kineze, qeveria shqiptare nisi procedurat për dhënien me koncension të HEC i Katundit të Ri, i cili dështoi.
Më 12 korrik 2017 qeveria shqiptare e paraqiti projektin e Skavicës në Samitin e Triestes, nga ku u premtua financimi nga Bashkimi Europian i këtij projekti. Në atë kohë, Majlinda Dhuka, Drejtore e Departamentit të Zhvillimit dhe Ndihmës së Huaj në Kryeministri, gjatë një konference shtypi mbajtur me 14 korrik, tha se morëm “mbështetje për zhvillimin e hidrocentralit të Skavicës, një nga veprat më të mëdha energjetike të vendit dhe të Ballkanit Perëndimor”.
Në atë konferencë shtypi mori pjesë edhe Kryeministrin Edi Rama, i cili si për të ulur diskutimet mbi çështjen e Skavicës, aq të debatuar në publik, nuk e përmendi fare Skavicën, por iu referua investimit mbi Rrugën e Arbrit, “si fillimi i realizimit të Programit “1 Miliardë për Rindërtim” të qeverisë shqiptare”.

HEC mbi Drin: Një, dy apo tri diga?!

Në mungesën e informacioneve të hapura për publikun, nuk dihet se si do të shkojë më tej procesi dhe nuk janë të qartë synimet e qeverisë në këtë drejtim. Nëse bëhet fjalë për ndërtimin e një, dy apo tre hidrocentraleve në rrjedhën e sipërme të Drinit të Zi.
WBIF, një institucion i ngritur nga Komisioni Europian në bashkëpunim me disa institucione financiare ndërkombëtare, që ka në fokus Investimet në Ballkanin Perëndimor, ka bërë publike të dhëna mbi Hidrocentralin e Skavicës.
Në përshkrimin e projektit WBIF rekomandon ndërtimin e dy HEC-eve mbi Dri, Skavica dhe Katundi i ri.
“Për të rritur sigurinë e energjisë dhe për të zvogëluar rrezikun e përmbytjeve në rrjedhën e sipërme të kaskadës ekzistuese të hidrocentraleve në lumin Drin i Zi, janë rekomanduar dy HEC-e të rinj: HEC-e me 50 MW në Katundi i Ri dhe 120 MW HEC në Skavicë”, shkruhet në dokumentin e publikuar nga WBIF.
“Në vitin 2017, WBIF ka aprovuar një grant prej 1.5 milion Euro për zhvillimin e studimit të fizibilitetit dhe vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social për ndërtimin e HEC Skavica, një digë shtesë, dhe një hidrocentral prej 132 MW, në rrjedhën e sipërme nga HEC-i ekzistues Fierza. Aktivitetet e ndërtimit planifikohen të fillojnë në vitin 2020”, shkruhet në dokumentin e publikuar.
Televizioni SCAN can, në një kronikë të transmetuar para disa ditësh citonte burime nga Koorporata Energjitike Shqiptare, të cilat theksonin se studimi për Skavicën po kryhet nga “grupi i konsulentëve të Konsorciumit IPF6 (Infrastructure Project Facility)”.
Sipas TV SCAN, “hartimi i studimit të fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Social-Mjedisor nisi në janar të vitit 2019”.
Sipas WBIF, ky investim do të sigurojë 132 MW energji të rinovueshme, do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji elektrike me G 450 GWh / vit dhe do të zvogëlojë rrezikun e përmbytjeve në 10,000 ha. Projekti pritet të krijojë 300 vende të reja pune gjatë ndërtimit dhe 45 vende të tjera pune në fazën e funksionimit.
WBIF parashikon një financim prej 247 milionë e 500 mijë euro për ndërtimin e Skavicës. Nga të cilat 40 milionë euro do të jetë financimi i qeverisë shqiptare dhe 206 milionë euro do të sigurohen përmes një kredie të BERZH. Ndërsa 1.5 milionë është grant nga vetë WBIF.
Sipas dokumentit të publikuar nga WBIF, nga ndërtimi i Skavicës do të sigurohet 119 MW të kapacitetit shtesë nga burimet e rinovueshme të energjisë, 470 GWh / vit prodhim shtesë energjie nga Skavica dhe Fierza, do të përfitojnë 70,000 familje nga prodhimi i energjisë elektrike. Rreth 1 milionë banorë do të përfitojnë nga masat e mbrojtjes nga përmbytja, 10,000 ha tokë rurale e bujqësore do të shpëtojnë nga përmbytjet e parashikuar në projektet fillestare. Numri i përgjithshëm i përfituesve llogaritet në 2.1 milionë banorë.

Cila është WBIF?


WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor) është një strukturë financimi që ka nisur në dhjetor 2009 nga Komisioni Evropian, së bashku me Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim (CEB), Banka Evropiane për Rindërtimi dhe Zhvillimi (EBRD), Banka Evropiane e Investimeve (EIB), Donatorë dypalësh dhe përfitues të Ballkanit Perëndimor me qëllim ofrimin e financimeve për projektet strategjike të investimeve.
WBIF bashkon grante, kredi dhe kontribute përfituese për infrastrukturën zhvillimi në sektorin e energjisë, mjedisit, social, transportit zhvillimin e sektorit privat.
WBIF deri më tani ka mbështetur 33 projekte në Shqipëri me një vlerë të vlerësuar prej 2.3 miliardë Euro
Përmes ndihmës së WBIF Shqipëria ka përfituar 46 grante për asistencë teknike dhe investime me një vlerë të përgjithshme prej 143.8 milion euro, nga të cilat 128.8 milion euro nga BE dhe 15.0 milion euro nga donatorët e tjerë.
Roli i këtij institucioni, përsa i përket hidrocentraleve mbi Drin, duket se do të jetë i rëndësishëm në gjetjen e financimeve.