Geri Shatku – një portë dhe shumë zemra bosh…


  • Geri shikohet nga shumë ekipe dhe realizon prova me skuadrat si Parma Calcio dhe Torino Calcio. Kjo e fundit, pas provës së dytë është e vendosur në vitin 2008 që të marrë Gerin në organikën e skuadrës së shpresave.
  • Geri Shatku, është vlerësuar e dekoruar nga Bashkia e Rajonit të Torinos, Itali dhe çdo vit, më 3 qershor, në kujtim të tij, zhvillohet kampionati futbollistik i të rinjve sportist evropian, me titullin “Trofeu futbollistik Geri Shatku”, e më pas ekipit fitues i akordohet kupa me simbolin e Gerit.
  • Në qendër të qytetit të Torinos, në shkollën ku ka studiuar Geri, “Quintino Sella” është mbjellë “pema e gjallnisë Geri Shatku”, e cila personifikon ekzistencën e Gerit dhe sot.

Jetëshkrim  dhe arsimimi

Geri Shatku ishte një futbollist dhe një student i talentuari, i lindur në Tiranë më 3 qershor 1990, nga prindërit Rukie dhe Burhan Shatku, djali i dytë i kësaj familje me prejardhje nga Dibra e Madhe, e i lidhur ngushtë me gjyshen e tij Myzjen Shatku. Vullneti dhe talenti i tij e ndihmuan të arrijë pika shumë të larta në futbollin Italian. Geri ishte i mirënjohur për sjelljen e tij të përkryer, për modestinë dhe pasionin e jashtëzakonshëm për futbollin.

Filloj shkollën fillore te “Shkolla e Kuqe” dhe e vazhdoi në Itali në qytetin e Recanati, pranë tezes Dallëndyshe Daci. Kthehet nga Italia në vitin 1998 dhe frekuenton shkollën “E Kuqe” ndodhur në rr. “Qemal Stafa”, Tirane deri në vitin 2000, kur shpërngulet përfundimisht me familjen e tij në Itali, përsëri në qytetin Recanati. Në Recanti mbaron shkollën tetëvjeçare të “M.L Patrizi” në vitin 2004.

Fillon arsimin e Mesëm në Loreto te Shkolla “Albert Einstein”, ku përfundon vitin e parë dhe pjesën e parë të vitit të dytë me rezultate të shkëlqyera dhe zhvillon një raport dashamirës me shoqërinë e tij.

Në vitin 2006 shpërngulet me familjen në Torino për të pasur më shumë mundësi karriere në fushën e futbollit. Në Torino vazhdon shkollën e Mesme “Quintino Sella” me rezultate shumë pozitive. Në të njëjtën periudhë aktiviteti futbollistik bëhet shumë i ngjeshur dhe është në sy të skuadrave të mirënjohura në Itali si Atalanta, Milan, Torino, Inter dhe Parma.  Komunikonte rrjedhshëm gjuhën italiane dhe kishte njohuri shumë të mira të anglishtes dhe frëngjishtes.

Veprimtaria e Futbollit

Geri filloi të luaj futboll pas klasës së katërt dhe e ndjente që kishte një talent për të mbrojtur portën. Aktivizohet me skuadrën e U.S.D Recanatese, Itali dhe pasioni i tij për futbollin rritej çdo vit. Bëhet titullar i palëvizshëm i skudrës Recanatese dhe ambiciet e tij rriten sa më tepër.

Merr pjesë në Trofeun San Vito (me pesë lojtarë) gjatë verës 2003 dhe shpallet Portieri i Turneut dhe skuadra e tij fiton vendin e parë.

Në vitin 2006 shkëputet me familjen në Torino për të realizuar ëndrrën e tij të madhe: të luaj për skuadrën e tij të zemrës F.C Juventus. Fillon të luaj me A.S.D Atletico Torino ku dallohet për profesionalizmin dhe përkushtimin për futbollin. Fiton vendin e titullarit dhe bëhet një protégé` i Trajnerit Ugo Notaio.

Në verën e vitit 2006 kalon në skuadrën “Berretti” te U.S Ivrea Calcio, ku fiton vendin e portierit titullar. Emri i tij rritet dhe fillon të shikohet nga menaxherët e talenteve të skuadrave të ndryshme si A.C Milan, Torino Calcio, Juventus dhe Parma Calcio.

Në verën e vitit 2007, gjatë fazës përgatitore me skuadrën e parë afër Aostes takohet me menaxherin dhe agjentin e FIFA, Tommaso Guelpa. Ky i fundit habitet me talentin e Gerit dhe flet me Presidentin e Ivreas, i cili në fillim mendon se menaxheri po fliste për portierin e parë të skuadrës. Guelpa e kishte fjalën për Gerin dhe nuk i besohet që një djalosh që sapo kishte mbushur moshën 17 vjeçare të kishte një talent të tillë. Guelpa takohet me Gerin pas stërvitjes dhe i propozon që të bëhet menaxheri i tij. Geri vendos të flasë me ish trajnerin e tij, Ugo Notaio, dhe krijohet një takim midis palëve, duke përfshirë edhe familjen e Gerit. Mbas këtij takimi Tommaso Guelpa bëhet menaxheri zyrtar i Gerit dhe e vendos në kontakte me skuadrat e fuqishme të Serisë A.

Një emocion i madh i ndërprerë në mes…

Performancat e Gerit me U.S Ivrea janë të habitshme dhe përmirësimet në teknikë janë tejet të dukshme. Pasioni i tij për futbollin rritet sa më shumë dhe stërvitjet bëhen edhe me të shpeshta, sepse thirret edhe në ato të skuadrës së parë, e cila bën pjesë në Kampionatin Profesionist të Serisë C2. Katër herë në javë Geri udhëton me tren çdo herë për 100 kilometra për të shkuar në stërvitje.

Geri shikohet nga shumë ekipe dhe realizon prova me skuadrat si Parma Calcio dhe Torino Calcio. Kjo e fundit, pas provës së dytë është e vendosur në vitin 2008 që të marrë Gerin në organikën e skuadrës së shpresave.

Ai ndjehet shumë krenar për arritjet e tij, por nuk i shprehte ndonjëherë një gjë të tillë, sepse ishte një djalë modest. Një herë i tha vëllait që ndodhej në New York, Sidit, që prova me Torino calcio kishte dalë shumë mirë dhe kishte bindje se ato do ta merrnin në skuadrën e tyre.

Fatkeqësisht e papritura ndodhi. Ëndërrat e tij të bukura dhe pafund u ndërprenë në pjesën më të bukur të jetës. Zoti vendosi që vendi i tij do ishte midis engjëjve në qiellin e pafund.

Gazetat do të shkruanin se: “Një ngjarje e rëndë tronditi këtë pasdite futbollin e Ivrea-s, e cila luan në ligën e dytë italiane të futbollit. Ka qenë një atak meningjiti i rrufeshëm shkaku i vdekjes së Geri Shatkut, portier me origjinë shqiptare në formacionin e të rinjve “Berretti”. Ende nuk është i sigurt shkaku i vdekjes, por ai po hetohet. Shatku, i datëlindjes 1990, ka luajtur rregullisht, të shtunën e kaluar madje edhe në stërvitjen e djeshme. Dje ai ishte paraqitur në kampin stërvitor. Por, në mbrëmje, ai kishte pasur temperaturë, e cila e detyroi të shtrohej në spital. Sot në mëngjes ai i mungoi stërvitjeve. Shatku ishte banor i Torinos, edhe pse luante për Ivrean. Mjekët ndërkohë, kanë nisur vizitat me të gjithë kolegët e tij të skuadrës, në rast parandalimi të mundshëm të ndonjë epidemie ngjitëse.”

Geri la mbresa të mëdha te shoqëria e tij dhe një boshllëk të paparë në zemrat e familjes dhe të afërmve të tij. Skuadra e futbollit e U.S Recanatese, A.S.D Atletico Torino dhe e U.S Ivrea e kanë kujtuar figurën dhe personalitetin e Gerit në shumë veprimtari. Në Prill 2010 A.S.D Atletico Torino organizon një Turne për Skuadrat e Shpresave (Coppa Primavera) dhe Trofeu për Fair Play është titulluar në emër të Geri Shatkut. Ky Trofe u fitua nga skuadra e FC Kabenhavn.

Vlerësimet dhe respektet për Gerin

Shkolla Quintino Sella në Torino organizoi për një vjetorin e Gerit një ceremoni ku u vendos një pemë “Magnolia” në oborrin e shkollës në emër të Geri Shatku. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarët e tij, shumë miq të Gerit dhe studentë, përfaqësues nga Provinca e Torinos, nga Komuna e Torinos dhe organet më të larta të shkollës.

Shoqëria i ka dedikuar shume poezi dhe shkrime Gerit dhe fotografia e tij ndodhet në korridorin e shkollës Quintino Sella dhe në Klubin A.S.D Atletico Torino;

Geri Shatku, është vlerësuar e dekoruar nga Bashkia e Rajonit të Torinos, Itali dhe çdo vit, më 3 qershor, në kujtim të tij, zhvillohet kampionati futbollistik i të rinjve sportist evropian, me titullin “Trofeu futbollistik Geri Shatku”, e më pas ekipit fitues i akordohet kupa me simbolin e Gerit.

Në qendër të qytetit të Torinos, në shkollën ku ka studiuar Geri, “Quintino Sella” është mbjellë “pema e gjallnisë Geri Shatku”, e cila personifikon ekzistencën e Gerit dhe sot.

Radio Televizioni Shqiptar RTSH, çdo vit më 2 prill transmeton dokumentarin biografik përgatitur nga gazetari i njohur Dëfrim Methasani i cili titullohet: “Një portë, dhe shumë zemra bosh…!”

Ekipi i futbollit të të rriturve, Ivrea Real, trajneri i tij G. Uggo, stafi dhe shokët e tij e kujtojnë Geri Shatkun si një sportist me mjaft energji në portën e futbollit, por dhe si një djalë me mjaft talent, energji, teknike e taktikë, i cili falë fatit të tij të hidhur, sot do të mbronte portën e kombëtares së të rinjve dhe të rriturve në Shqipëri.

Në shkollën “E Kuqe” në Tiranë, në një pjesë të muzeut historik të kësaj shkolle, është ekspozuar portreti dhe fanella e tij, si dhe trofetë e Geri Shatkut, si një kujtim shpirtëror për të.

Njësia Bashkiake ka propozuar vendosjen e një rruge në njësinë nr.8 Tiranë emrin e Geri Shatkut, me iniciativën e komunitetit dibran në Tiranë dhe banorëve të lagjes.

Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit, Shqipëri-Itali e ka vlerësuar Geri Shatkun me titullin: “Nderi i Shoqatës” më 3 qershor 2020.

Edhe Presidenti i Republikës, me rastin e jubileut të 30 vjetorit të Geri Shatkut do ta nderoj kujtimin dhe kontributin e tij si sportist dhe njeri me vlera shoqërore, me një dekoratë mirënjohje, me rastin e organizimit të këtij përvjetori kushtuar Geri Shatkut.

Përgatiti:

DEfrim Methasani