Kujtim Hoxha, ikja e parakohshme e mësuesit


Nuk e kishim menduar kurrë se një ditë, do të na duhej të shkruanim këto radhë të hidhura për Kujtimin, nipin, vëllain, shokun dhe mikun tonë të shtrenjtë e shumë të vyer, një nga njerëzit më të dashur që patëm në jetë, që iku papritur dhe shumë parakohe në amshim…

Kujtim Hoxha ka lindur në fshatin Grevë të Peshkopisë me 28. 01. 1959. Ishte djali i dytë i Gjuran dhe Fatmira Hoxha (Bunguri).

Shkollën fillore dhe atë 8 vjeçare i mbaroi në fshatin e lindjes, me rezultate shumë të mira, në vitet 1966-1974. Në vitet 1974-1978 kryen shkollën e Mesme “8 Nëntori” në Gjimnazin e Peshkopisë, gjithashtu me rezultate mjaft të mira. Në vitet 1978-1979 kreu stazhin në minierën e kromit “T. Manço” Bulqizë. Megjithë rezultatet e mira të gjimnazit, nuk iu dha e drejta e studimit menjëherë, me pretekstin absurd të kohës se vëllai para tij ishte në shkollë të lartë.

Në moshën e adoleshencës dhe të rinisë së hershme, Kujtimi ishte një ushtrues i përditshëm i veglave gjimnastikore të shkollës, i vrapit dhe atletikës; në çdo pasdite, në të njëjtën orë, atë do ta gjeje tek paralelet e shkollës së fshatit, ku, nën shoqërinë e vërsnikëve, bënte ushtrime gjithfarëshe. Gjatë dimrit larja me borë dhe ujë të ftohtë tek çezma para shtëpisë në Grevë, ishin kthyer në shprehi normale të përditshmërisë së tij. Ushtrimet e përditshme dhe të programuara mundësuan formimin e një fiziku prej atleti, të lakmueshëm nga të gjithë vërsnikët dhe më të rriturit. Pasioni i tij për ushtrimet fizike shpejt u diktua nga profesori i edukimit fizik në gjimnaz, ku Kujtimi shquhej mbi të tjerët për kryerjen e ushtrimeve me shkallë të lartë vështirësie. Megjithatë, ai pëlqente shkencat ekzakte, ishte shumë i mirë veçanërisht në matematikë, fizikë dhe kimi, dhe ëndërronte të bëhej mjek ose inxhinier i kimisë.

Pas mbarimit të stazhit në minierën e Bulqizës, megjithë rezultatet shumë të mira të gjimnazit, edhe pse nuk ju dha e drejta e studimit për në shkollë të lartë, ai nuk u dekurajua. I qetë dhe me karakter të fortë spartan, ai shquhej për vullnet të hekurt. Studimet e larta 4 vjeçare i kreu në Universitetin “L. Gurakuqi” në Shkodër, fakulteti Biologji-Kimi (pa shkëputje nga puna), të cilat i përfundoi me rezultate të mira dhe në kohë rekord në vitet 1982-1984.

Në vitet 1984-1990 punon si mësues i Biologjisë dhe Kimisë në shkollën 8 vjeçare të Zogjajt, në vitet 1990-1992, në shkollën 8 vjeçare “H. Palikuqi” Maqellarë dhe në vitet 1992-1993 në shkollën 8 vjeçare “H. Shehu” Grevë.

Ne vitet 1993-2006 emigron në Gjermani, ku për 13 vjet, merret me punë të ndryshme. I pasionuar pas luleve dhe kopshtarisë, për një kohë të gjatë, punoi si bahçevan. Në vitet 2010-2015 punon si supervizor në Drejtorinë e Përgjithshme të Matjeve e Kalibrimeve (Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit), ku u shqua për punë korrekte dhe të ndershme. Në vitin 2015, në fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit Shtetëror të Tiranës, mbron provimin e gjuhës gjermane, të cilën e zotëronte shkëlqyeshëm. Ishte i vetmi supervizor dhe i vetmi punonjës i Agjensisë që përveç fakultetit njihte, tashmë edhe me diplomë universitare një gjuhë të huaj të vështirë, siç është gjermanishtja. Për ironi të fatit, pak kohë pas kësaj mbrojtjeje të suksesshme, drejtuesit e sapo emëruar të Agjensisë, me shkollë gjysmake ose me diploma të blera, e larguan nga puna pa asnjë motivacion.  E donin vendin e punës së Kujtimit për të shpërblyer militantët e pashkollë të partisë! Edhe pse Kujtimi e fitoi gjyqin për largim të paligjshëm nga puna, ata nuk e rikthyen në vendin e punës.

Pas kësaj, në fundin e vitit 2015 shkon përsëri në Gjermani (Gelsenkirschen), ku kishte familjen dhe 3 fëmijët e tij, ku qëndron deri në 22 janar 2020. Pas 5 vitesh, vjen në Tiranë më 23 janar 2020, përkohësisht, për tu kthyer përsëri. Por vendosja e regjimit të ngujimit për shkak të “Covid 19”, ia pamundësoj kthimin  në Gjermani, tek fëmijët e tij. Në fazën e dytë të qëndrimit në Gjermani (2015-2020), ka kryer punë të ndryshme dhe në kohën e lirë ka ndihmuar me qindra emigrantë shqiptarë me përkthimin e dokumenteve të tyre etj, punë që e bënte pa asnjë shpërblim.

Pasionin për ushtrimet fizike dhe vrapimet në natyrë Kujtimi e ruajti deri në ditën e fundit të jetës. Ai çdo ditë ushtrohej me rreth një orë vrap dhe ushtrime fizike, ishte fizikisht mjaft i fortë dhe askujt nuk i shkonte mendja se një ditë do të na ikte papritur…

Ndërroi jetë papritur në shtëpinë e tij në Tiranë, në pasditen e të shtunës së 11 prillit 2020, nga një arrest kardiak i pakthyeshëm. Shkoi në amshim shumë herët, duke hidhëruar të gjithë familjarët e tij, vëllezërit, motrat dhe gjithë të afërmit, shokët e shumtë, e në mënyrë të veçantë, fëmijët, që për shkak të regjimit të karantinës, nuk patën mundësi as t’i jepnin lamtumirën e fundit.

Kujtimi la pas tre fëmijë, Xhesikën (1992) që ka mbaruar Universitetin në SHBA, Anën (1997), që vazhdon universitetin në Gjermani dhe Silvin (2000), në vitin e fundit të gjimnazit (Gjermani).

Ngujimi i detyruar nga “Covid 19” krijoj një situatë absurde, ku dhimbjen për njeriun e dashur duhej ta ndaje vetëm me një grusht njerëzish të rrethit të ngushtë familjar. Megjithatë, në këtë shkrim përkujtimor për Kujtimin, duam të falënderojmë me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë e shumtë të tij, që edhe pse nuk patën mundësi ta përcjellin në banesën e fundit, na janë gjendur pranë dhe kanë shprehur dhimbjen e tyre në forma të tjera të mundshme.

Kujtimi do të kujtohet gjithmonë për dashurinë për njerëzit, thjeshtësinë, zgjuarsinë, ndershmërinë, karakterin e fortë dhe shpirtgjerësinë e tij. I paharruar do të mbetet për të gjithë ne përjetësisht, KUJTIM HOXHA. I lutemi Allahut xh.sh. që inshallah do t’ia shpërblej mirësitë dhe sakrificat e tij në këtë jetë, me xhenet në jetën e pasosur.

Adem Bunguri, Nehat Daci, Premtim Kryemadhi, Gjuran Fida, Ali Deshati, Agron Fida, Arben Fida, Rami Hoxha, Naim Hoxha, Besa Hoxha (Çaushi), Lindita Hoxha (Elmazi).