Luan Shatku, modeli i basketbollistit shqiptar


BIOGRAFIA E BASKETBOLLISTIT LUAN SHATKU DHE PENGESAT SPORTIVE GJATË SISTEMIT MONIST

Luan Shatku, lindur në Tiranë më 21.09.1937, nga prindër me prejardhje nga Dibra e Madhe. Basketbollist dhe intelektual i shquar, pedagog dhe arsimtar i dalluar. Që në fëmijëri, u shqua për shtatin e tij të lartë që i ngjante gjyshit të tij, Izet Shatkut (Dibra) jo vetëm nga bukuria por dhe zgjuarsia që e karakterizonte. Ky shtat dhe përgatitja e tij tekniko-fizike do ta kurorëzonte atë në majat e elitës së basketbollit shqiptar ndër vite. Pas vitit 1947, ai dhe familja e tij do të dëboheshin në qytetin e Shkodrës si shkak se gjyshi i tij, Izet Shatku (Dibra), e dy xhaxhallarët e tij, Faik Shatku dhe Komandanti Shefki Shatku do të quheshin si “Ministra në qeveritë e Mbretërisë Shqiptare”. Ndërsa babai i tij Qemali, do të etiketohej si eksponent i Ballit Kombëtar. Për këtë qëllim këto pasoja do ti vuante e gjithë familja Shatku, ndër vitet e komunizimit, si dhe vetë sportisti i ri Luan Shatku, i cili nuk do të lejohej të luante pas disa viteve ne takimet sportive jashtë shtetit, përveçse në një kompeticion sportiv ndërkombëtar të 1961 në Bullgari. Do të preferonte të mbante në fanellën e tij numrin 6. Në Shkodër ai përfundoj gjimnazin me rezultate të shkëlqyera.

Pavarësisht nga prapavija politike, shkodranët e donin dhe e vlerësonin talentin e Luanit si dhe përgatitjen e tij në ngritje. Në vitin 1953 u shfaq për herë të parë si lojtar basketbolli me ekipin e “Vllaznisë”, u dallua për fizikun e tij të përshtatshëm nga trajneri i skuadrës së parë për meshkuj Esat Harxhi. Ishte ky trajner që e tërhoqi Luanin në ekipin e të rriturve të Shkodrës. Kështu u hap perspektiva që Luani të ishte ndër lojtarët më të dalluar të “Vllaznisë”. Trofeu i parë për kupën e Republikës u fitua në vitin 1957 dhe më pas në vitin 1959 në finalen e Spartakiadës së Parë Kombëtare, kur Luani së bashku me lojtarët, Skënder Osmani, Esat Harxhi, Zyhdi Coba, Niazi Lleshi, Renato Radoja, Ali Quku, Filip Guraziu, Adem Fishta etj. ishin pjesë kompakte e ekipit të Vllaznisë.

RAPORTET E TIJ ME SPORTIN, FUSHËN E BASKETBOLLIT DHE KOLEGËT

Në vitin 1961 për herë të parë merr pjesë në Ballkaniadën e parë të Basketbollit për meshkuj në Sofje të Bullgarisë, ku do të spikaste për lojën organizative të tij dhe sinergjitë ndaj lojtarëve të përfaqësueses shqiptare. Së bashku me themeluesit të basketbollit shqiptar si trajnerët: Naim Pilku, Feti Borova, Astrit Greva, u bënë përpjekje të vazhdueshme që Luani të vinte në mesin e viteve 60’ dhe të luante në ekipet kryeqytetase si lojtar qendër, çka i mungonte atëherë ekipeve me emër. Duke qenë se në vitin 1963 ai u thirr për të kryer shërbimin ushtarak në kryeqytet u përfshi në skuadrën e përfaqësuesve të ekipit të “Partizanit”, i cili drejtohej nga trajneri i mirënjohur, Astrit Greva. Në ekipin e Partizanit, të cilit do ti rikthehej titulli kampion në basketboll në vitin 1964, ku Luan Shatku, do të dallohej në veçanti si qendra kryesore e lojës, ishte kapësi më i mirë i topave në tabelë duke lënë gjurme tek kjo skuadër. Në vitin 1965 përfaqëson ekipin kombëtar në Ballkaniadën e Basketbollit në Tiranë, ndërsa po në këtë vit do të luante me ekipin e “Partizanit” në krah të mikut dhe kolegut të tij të basketbollit, tepër i ri atëherë, të mirënjohurit Agim Fagu.

I madhi i basketbollit Shqiptar, Agim Fagu, do të citonte në një kumtesë për mikun e tij Luan Shatku se: “Ndodh shpesh që disa të vërteta t’i dëgjosh nga të tjerë. Për mua është fat që këtë të vërtetë ta kem njohur vetë, kështu që kam të drejtë t’jua tregoj të tjerëve. Kundërshtarët i druheshin Luanit, ndërsa shokët e ekipit i gëzoheshin fatit që ai ishte i tyre; unë hamendesha se sa i ashpër dhe i rëndë duhet të ishte ai në jetë. Pas 2-3 vjetësh fati na bashkoi me mirëdashje. “

Pas një periudhe të suksesshme me ekipin e “Partizanit”, ai kthehet në qytetin e Shkodrës, e shërben si lojtar qendre me po aq rendiment si tek ekipi i “Partizanit”. Merr pjesë në kompeticionet ndërkombëtare në vitet 1965-1966-1968. Fatkeqësisht, pas vitit 1969 Luani nuk pati vazhdimësi në ekipin kombëtar, jo se nuk e meritonte, as për arsye se ishte i paaftë, por për arsye të klimës politike, e cila sa vinte dhe ashpërsohej më tej. Krahas basketbollit Luani ka qenë dhe një student shumë i mirë. Pas përfundimit të Institutit të Lartë në Shkodër ai emërohet pedagog matematike në këtë Institut (sot Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”).

Luan Shatku, nr. 6, i treti nga e majta

Luan Shatku dinte të koordinonte marrëdhëniet shoqërore mes kolegëve, miqve, kundërshtarëve të lojës, gjyqtarëve dhe sportdashësve, e për këtë arsye ai gëzonte një respekt të veçantë nga ana e komunitetit të basketbollit. Në rrethanat e kohës por dhe të zhgënjimeve, duke qenë se iu mohua e drejta që të përfaqësonte ekipin kombëtar në aktivitetet ndërkombëtare, Luan Shatku u shkëput nga sporti i basketbollit, por duke lënë si pasardhës të tij një tjetër sportist të talentuar të birin, Altin Shatku, i cili luajti basketboll me ekipin e Vllaznisë dhe më pas me Tiranën, si dhe pas viteve 1990 jashtë Shqipërisë, në Greqi, në Suedi, Gjermani dhe Australi. Në fund të vitit 1999, nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve në prani të Kreut të Shtetit me një ceremoni soleme u nderuan dhe u lauruan një grup i madh sportistësh, trajnerësh, specialistësh-nga më të shquarit e sportit-me medalionin “Nder i Sportit Shqiptar”.

Midis tyre janë mjaft sportistë dibranë dhe bij dibranësh, madje emra sugjestionues, të nderuar e të respektuar në mbarë vendin dhe më gjere si: Irfan Tershana, Belul Hatibi, Ismet Bellova, si dhe mjeshtrat e mëdhenj: Naim Pilku, Feti Borova, Astrit Greva dhe Luan Shatku. Luan Shatku u nda nga jeta në moshë të re, duke lënë pas një emër shume të njohur dhe të vlerësuar në historinë e komunitetit të basketbollit shqiptar, si dhe në të gjithë rininë e Institutit të Lartë ku ai shërbeu si pedagog.      

Luan Shatku do të largohej nga jete në moshën 50 vjeçare, me 15 korrik të vitit 1987. Ai është konsideruar nga kolegët, miqtë dhe specialistët e sportit si TITAN i basketbollit shqiptar.

Përgatiti:

DËFRIM METHASAN