Orteku i punëve të mira


Allajbegia është një nga 22 fshatrat e Maqëllarës, por nga vlerat dhe historiku i kalon përmasat e një fshati të zakonshëm. Nëse do ti referoheshim historisë, të paktën do të dallojmë tre kulme, që i japin pikërisht ato vlera dhe atë të veçantë.

Allajbegia është një vendbanim gjashtë mijë vjeçar, ndër më të vjetrit jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan. Kjo nuk është një shprehje e hedhur në ajër, por e bazuar në kërkime të mirëfillta shkencore nga dy ekspedita arkeologjike. Herën e dytë, në vitin 2017, në krye të punimeve, në vendin e quajtur “Livadh i Madh”, ishte profesori i shquar i Dibrës, Adem Bunguri. Dhe sot e kësaj dite, saherë që fermerët punojnë tokën me zetorët e tyre në këtë vend, del diçka, send, objekt, që i takon kësaj periudhe dhe e konfirmon atë që thamë.

Një tjetër kulm i këtij trekëndëshi vlerash është dhe xhamia, që të paktën është 500 vjeçare. Gurët kuadratikë në muret e saj, të bukur e vezullues, të gdhendur me kujdes, janë dëshmi e qartë e kësaj teze. Ndërtuesi i saj ka qenë sheh Murat begu, një feudal i fuqishëm  i asaj kohe,normalisht dhe njeri besimtar. Për fat ajo nuk u prish as në kohën e komunizmit, duke u shpalluar monument kulture i kategorisë së parë, që mbrohej nga shteti. Dhjetra breza besimtarësh, janë falur në atë xhami e ky ritual vazhdon deri në ditët tona, duke hequr mungesën prej një çerek shekulli gjatë viteve të sundimit komunist.

Një tjetër kulm i këti trekëndëshi është hapja e shkollës së parë shqipe në fshatin tonë, 102 vite më parë. Parvjet organizuam një ceremoni të bukur në nder të këtij eventi të rëndësishëm. Erdhën miq nga Tirana, nga Peshkopia e Bulqiza në festën tonë. Kryetari i bashkisë, përfaqsues nga drejtoria arsimore, ish mësues e nxënës dhe plot miq e shokë të tjerë. Media dhe televizione i bënë jehonë kësaj ngjarje të bukur.

Ishin këto tre kulmet, tre vlerat e pakontestueshme të këtij venbanimi të lashtë,  me njerëz të ditur e fisnikë, që përpiqen ti ruajnë këta vlera, ti shtojnë e ti përcjellin më tej në brezat e tjerë.

                       

AKSIONI I RADHËS

Ajo nisi thjeshtë, si një lojë, si një puhizë e lehtë, që kthehet në erë të fortë, si një pupël bore, që përbën bërthamën e ortekut të mëvonshëm. Një grup i madh të rinjsh, të ulur në lëndinë, aty pranë dyqanit të fshatit, luanin me letra e diskutonin për problemet e tyre. Mund të kishte plot mënyra të tjera më të dobishme për të kaluar kohën. Ishin ulur përtokë, kur mund të viheshin stola e karrige, qëndronin në diell, kur mund të mbilleshin pemë e të pushonin nën hijet e tyre. Dëshiroja që fuqia e tyre të konvertohej në punë e vepra të bukura, ndaj u afrova për tu zgjuar dëshirat. Dikush tha se mund të mbillnim ca bredha e një tjetër propozoi një lulishte të vogël. Dani, një nga të rinjtë e fshatit, u ngrit në këmbë. – Na vendos një letër o xhaxhi Osman, aty te dyqani dhe të gjithë të japin sipas dëshirës. Unë, – vazhdoi ai, – po të jap këto 500 euro. Tek ti kemi besim të plotë. Të tjerët le të mendohen.

Urimi, një tjetër, nga grupi i të rinjve, u ngrit në këmbë. Shkoi në shtëpi dhe solli 500 euro, që mi la në dorë, si shoku para tij. Plot njëmijë euro në pak minuta. Ata mjaftonin për të blerë mbi 100  bredha, që do ti vendosnim anës rrugës.

Lajmi u përhap me shpejtësi.Të nesërmen nxorrëm një komision të vogël dhe e dërguam në të gjitha shtëpitë e fshatit. Le të jepnin, kush më shumë e kush më pak, sipas mundësisë e dëshirës. Të gjithë u përgjigjën. Kishte ndonjë familje që dha pesëmijë lekë të vjetra. Aq ishte mundësia e rrethanat. Ndoshta tek Zoti i Gjithësisë, ato pak para kishin shumë vlerë,se Zoti nuk obligon njeri më shumë se ai ka mundësi. Fjala shkoi deri në Itali, Gjermani, apo shtete të tjerë, kudo ku ishin djemtë e këtij fshati historik. Ata nuk nguruan të sjellin nga 100 euro, më pak apo më shumë, për të kontribuar sadopak në zbukurimin e fshatit. Në pak kohë u pastruan varrezat e fshatit, u hoq rrethimi i vjetër dhe u bë një tjetër, shumë më i bukur, me rrjeta të shtrenjta. U mbollën mbi 130 bredha në të gjithë gjatësinë e rrugës prej 400 metrash. Teksa po bëhej rrethimi, i them Hakiut, një specialist duarartë i fshatit. – E bëjmë, që e bëjmë gjithë gjithë këtë punë, përse nuk i fusim ca tela e llampa ndriçimi, ta prezantojmë veten si qytetarë europianë. Ai ishte pro kësaj ideje dhe po kështu të tjerët. I blemë 35 abazhurë të bukur, që Hakiu i përshtati dhe i modifikoi shumë bukur. Dy netë para Bajramit, kishte përfunduar çdo gjë. Sapo muzgu fillonte të pushtojë hapësirën, rrjeti i ndriçimit krijonte automatikisht një pamje të mrekullueshme, vezulluese, deri në agim.

Ndërkaq, dy sipërfaqe të lira, aty në qendër të fshatit, u konceptuan në formë lulishtesh. U rrethuan me bredha dhe u vunë në mes blina, për tu pasuar më tej me stola, lule dhe elemente të tjerëdekorativë. Nuk do të uleshim më përtokë e në diell, por në stola dhe në hije.

NDERSHMËRI DHE TRANSPARENCË

Që kur filloi grumbullimi i parave nga banorët e fshatit, u vu një listë në xhamin e dyqanit, në qendër të fshatit. Ishte hera e parë në tridhjetë vite demokracie, që bëhej një transparencë e tillë. Çdokush mund ti shihte listat, të gjente emrin e tij dhe shumën që kishte dhënë. Listat qëndrojnë akoma aty dhe askush nuk ka vërejtje për pasqyrimin e të dhënave. Ka dhe persona që nuk janë banorë të fshatit dhe kanë dhënë kontributet e tyre. Musa Riçku është nga Limjani dhe nuk ka asnjë lidhje me fshatin, por dha bujarisht 100 euro. Kjo është vetëm një pikëz nga ato kontribute të shumta, që ai dhe familja e tij dhurojnë çdo ditë, javë e vit, pa u trembur se i pakësohet pasuria. Vetëm në festat e Bajrameve, ai përgatit qindra pako me ushqime për njerëzit në nevojë, me dëshirën që tu kthejë buzëqeshjen dhe shpresat për jetën.

  Një tjetër Musa, jo pak i njohur për Dibrën u bashkua me nismën tonë. Ai është ndërtuesi Musa Selami, që bashkë me Mirush Sulën, nipin e këtij fshati, dhuruan bujarisht një paletë me 20 kunjtalë çimento të cilësisë së lartë. Fatos Dani nga Potgorca sjell një zetor me zhavor, kurse Vini, vëllai ynë besimtar, na solli peshqesh pesëdhjetë llampa ndriçimi për abazhurët. Një tjetër emër i bashkohet nismës sonë. Ai është Petrit Besatari që banon në Elbasan. Rrënjët e hershme të tij lidhen me fshatin tonë, ndaj ai afron bujarisht një shumë simbolike ndihme, si dhe një komplet të bukur karrigesh, bashkë me tavolinën.Listës së personave që ndihmuan bujarisht u shtohen dhe disa vajza të këtij fshati, si Shqipe Xhili, Ferizate Sala, Kujtime Xhili apoDiana  Sala, duke kujtuar se u lindën dhe u rritën në këtë fshat të bukur e me shumë histori. Krahas listës së kontributeve në dritaren e dyqanit, u vendos dhe një tjetër listë. Ajo kishte të shkruar të gjitha shpenzimet që ishin bërë deri tani, me detajet më të vogla. Sa bredha ishin mbjellë, sa hekur, çimento e zhavor ishte blerë? Sa abazhura ishin përdorur, sa metra tel e tuba, të gjitha këto të shoqëruara me faturat përkatëse. Një njeri me shkallë arsimimi minimale, mund të verifikonte, listën e parë, të dytën, të bëntë krahasimin e të qetësohej në shpirt, se asnjë lekë i ardhur nuk ishte prishur pa kriter. Listat ishin bërë në tre kopje, që të shiheshin nga të gjithë.

I theksuam të gjithë këto detaje për të dhënë një mesazh të madh, që na ka munguar shumë në këto vite demokracie, transparenca ndaj publikut. Është ky një mesazh që i bëhet klasës politike shqiptare, të majtë e të djathtë, që ka shpërdoruar pa kriter fondet publike. Është ky një mesazh se nuk mund të vazhdohet më tej me tendera e prokurime fantazmë që gëlltisin miliona euro, duke lënë në varfëri ekstreme mijra familje shqiptare. Duhet punuar me duar të pastra, siç bëmë ne në aksionin tonë, që të ndalet eksodi tragjik i shqiptarëve nëpër botë. Ka ardhur koha që ti kthejmë vetes dinjitetin dhe krenarinë e të qenit shqiptar.

TË RINJTË, KRENARIA E FSHATIT.

  

As mund të mendohej ky aksion i madh për zbukurimin e fshatit, pa ndihmesën dhe kontributin e tyre.

Nëse u shpenzuan mbi shtatë milionë lekë për materiale, po kaq është vlera e punës vullnetare që kanë bërë të rinjtë. Firma ndërtuese Hamja, nga fshati ynë, i bëri pa asnjë lekë të gjitha punimet teknike të rrethimit, që përkthehen të paktën në dy mijë euro. Ata janë tre breza ndërtuesish të talentuar, që nga gjyshi Kadri, babai i tyre Jonuzi dhe tani, ata dy vëllezërit, Flori dhe Miri.

Një tjetër hero i kësaj veprimtarie është dhe Haki Sala,mjeshtri i ndriçimit, bashkë me djalin e tij, Lumin. Që të dy, punuan pa u kursyer aspak, deri në ditën e fundit të punës. Po tavlerësoshnë lekë punën e tyre shkon sëpaku mbi 500 euro. Rifat Xhili e Lirim Piku punuan bashkë me të rinjtë nga momenti i parë, tek i fundit, duke u bërë shembull dhe frymëzim për ta. Lavdiu, Blerimi, Nesti, Klodi,Urimi, Redoni, Arseni, Joni, Eri, Tini, Vini, Armandi, Konti, Xeni, Genci e plot të tjerë, ishin pjesë e atij grupi të hekurt, që duan ta lartësojnë emrin e fshatit të tyre.

E di që ka dhe shumë për ti përmendur, por ata nuk e bënë këtë për të shkruar emrin diku, por për një qëllim akoma më të lartë, ndaj vetëm Zoti mund t’ua japë shpërblimin. Dy tre ditë ditë para festës, organizuam një iftar si shpërblim moral i asaj pune titanike që ata bënë.

Mbi dyzet të rinj u bënë sërish bashkë në iftarin e organizuar në oborrin e shkollës. Sasia dhe cilësia e ushqimit, por dhe të qenurit sërish bashkë , u krijoi bindjen se duke qenë të bashkuar mund të bëjnë punë të mëdha. Nëse në fillim folëm për tre kulme lavdie, këta të rinj i shtuan dhe një kulm krenarie e dinjiteti këtij fshati,duke kapur kuota të reja.

Thuhet që oreksi vjen duke ngrënë, ndaj ne nuk ndalemi në rrugëtimin tonë për të zbukuruar fshatin. Para se të ndryshojmëambjentin, duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë, që shpesh le për të dëshiruar. Sistemimi i rrugëve, mbjellja e pemëve të tjera në sezonin e vjeshtës, krijimi i parqeve të reja për fëmijë e për të rritur, janë vetëm disa prej prioriteteve tona.

Në mendje na vjen krijimi i një fondacioni me emrin e fshatit, “Allajbegia”.

Le të jetë ai një dritë shprese, bujarie, për njerëz në nevojë, një burim i pashtershëm për zhvillime pozitive.