Serveti i Cerjanit, një hero i heshtur


Nuk di, nëse atë ditë fundmaji shkova të shoh fshatin e Cerjanit, Servetin, fermerin e talentuar të këtij fshati, apo të dyja njëherësh. Normalisht, që ata janë të pandashëm, një binom me dy gjymtyrë. Nuk isha vetëm në këtë udhëtim të mrekullueshëm. Ishte një ide e hershme, bashkë me profesorin e nderuar, po nga ky fshat, Hajredin Paci. Ai ka vite që banon në qytetin e Peshkopisë, por shpirtin, mendjen, zemrën, por pse jo dhe fizikisht është çdo ditë atje. Qershitë, dardhat, mollët, luleshtrydhet, mjedrat, patatet dhe shumë të tjera  e presin çdo mëngjez dhe e përcjellin pasdite njeriun që udha jetë e shpirt, që i vadit e i plehëron. Por tjetër herë do të flasim më gjerë për profesorin e nderuar, tashmë në pension. Tojota e Avni Pacit deperton në rrugën, që dhe furgoni e ka të vështirë ta përshkojë. Si për ta bërë akoma më të plotë grupin tonë të vogël, është bashkuar dhe Islami, komshiu dhe miku i profesorit. Ai ka qenë gjithë jetën elektriçist, ndaj dhe tani në moshë 80 vjeçare lëviz si një djalë i ri në rrugët akoma të bukura të fshatit.  Një lëndinë e bukur në hyrje, para se të shfaqen shtëpitë e para. Por makina nuk shkon dot më tej. Një përrua i frikshëm shfaqet përpara e aty kalojnë vetëm kuajt, mushkat e njerëzit. Profesori më tregon se dikur u bë një urë, por nuk jetoi gjatë, vetëm pak javë. E humbi betejën në përballjen e parë me ujin dhe u tret në të, si të mos kishte ekzistuar fare. Ikën 80 milionë lekë, iku shpresa se do të kalonin mjetet mbi të. Sërish do të zvarriteshin si skllevër, duke bërë në këmbë një kilometër rrugë, me trasta, me thasë e ngarkesa të tjera, që kishin blerë në qytet.

Sa pak ka ngelur nga krenaria e dikurshme! Atëherë kur kishte 160 familje e sot ka vetëm dhjetë të tilla, kur kishte katër klasë me 87 nxënës e sot janë vetëm tre nxënës në një dhomë të lëshuar me qira. Dyzet mijë kuintalë patate prodhonte dikur ky fshat e tashmë vetëm 1000 kuintalë. Sa e sa shifra kontrastohen e ndeshen frikshëm me njëra tjetrën, duke fituar bindshëm ato të para nëntëdhjetës. Shumë e shumë intelektualë të shquar dolën nga këto troje të lartsive të mëdha. Qazim Xhelili e Zeqir Prapa janë nga më të hershmit e më pas vjen brezi i profesorëve si Hajredin Paci e Besnik Lami, Halim Lami, ekonomisti Ali Kaza,  njerëz me shumë vlera e kontribute. Më pas një brez i tretë, po kaq i lavdishëm, si pedagogu dhe doktori i shkencave Hakik Paci, Selami Xhelili, Xhelil Paci e shumë të tjerë, që dhe pse larg mendojnë të bëjnë diçka për fshatin e tyre.

Ecim nëpër rrugët e rrugicat e fshatit. Shtëpi të braktisura, por që e ruajnë akoma rininë e dikurshme. Fare pak punë duhet për t’u kthyer në atraksion turistik, ashtu si vëllai i tij, Rabdishti. Tuba të zeza uji gjithandej, në tokë, në ajër e kudo. Nisen nga përrenjtë sipër fshatit e përfundojnë në parcelat e mbjella me patate. Mund të vihej një tubacion i madh e i vetëm në vend të tyre, duke kursyer më shumë e duke e bërë vaditjen më efikase.

SERVETI, NJË HERO I HESHTUR

Kalojmë shtëpitë e para, të tjera akoma e ja tek po kalojmë në skajin tjetër. Atje ndodhet Serveti, me stallën e tij, me tufën e tij të dhenve e dhive. I vetmi fermer, që të kujton se këtu ka pasur disa tufë, që i jepnin hijeshi e bukuri fshatit, me këmborë e blegërima. Ka tre vite që e ka ndërtuar stallën e re, gati 180 metër katrorë dhe që i ka kushtuar 18 milionë lekë. Sa mund e sakrifica ! Të gjitha materialet me krahë e me kalë, në dykilometër distancë, që atje ku duhej të ishte ura. Asnjë ndihmë nga shteti. Ai është me të vërtetë një hero, një hero që e ka zgjedhur këtë profesion që fëmijë, gati 30 vite më parë. Para dy vitesh dëbora kishte mbuluar çdo gjë si me një jorgan të trashë. Tek përroi ajo kishte krijuar një shtresë akoma më të trashë nga erërat, gati tre metra të lartë. Nuk mund të futej me këmbë, se do të fundosej. Ai lëshohet me not mbi dëborë dhe ashtu si një luan e kalon pjesën e vështirë për të shkuar te tufa që e priste me padurim.

STANI I FERMERIT

Dhe aty mbi fshat, ku i ka delet sot, mund ta quash stan e bjeshkë, por vetëm pas pak ditësh, Serveti do ti ngjisë delet akoma më lart. Ai vend quhet “Livadh i Madh”. Të gjitha punët ai bënvetë. Vetë imjel, vet i kullot dhentë, e po vetë e merr qumështin me kalë apo me motor dhe e dërgon poshtë për ta kthyer në djathë. Mezi pres për ta parë atë vend, që Serveti ma përshkruan si të bukur, të rrafshët, me gurgullima uji e lule shumëngjyrëshe. Atij i hanë duart për punë. E ka pastruar bjeshkën nga ferrat, ka bërë një lug llamarine, ku pijnë ujë delet. Ka ndërtuar një stallë tjetër atje te stani dhe e ka rrethuar vendin për ta mbrojtur nga egërsirat, Ka bërë dhe një dhomë të vogël, për vetë, por dhe për ndonjë mik, që mund të ngjitet atyre anëve.

Kur e pyet për të ardhmen, ai nuk vonon gjatë në përgjigje. Serveti nuk mendon alternativë tjetër, përveç blektorisë.Nuk mund ti bënte vetë të gjitha punët, po të mos ishte Nertila, bashkëshortja e tij e palodhur. Ata kanë shtëpi pritëse në Llixha dhe ajo menaxhon klientat jo të paktë në numër. Bën pazarin në qytet, apo nget makinën për të sjellë lart ndonjë furnzim e për të ulur poshtë qumështin, apo të marrë ndonjë qingj të therrur, që e gatuan poshtë, në qytet.

Këtë vit Serveti do të ngjisë lart rreth 400 kokë, kurse dy vite më parë kishte 700 krerë. Ai sërish do të ndërtojë një stallë të re. Është shumë e nevojshme për të, pasi në ditë të ftohta tufa  mund të qëndrojë brenda për disa orë. Vetëm para një jave ra kaq shumë breshër, sa nuk u shkri deri të nesërmen.

Duke vizituar Servetin nuk na kishte shkuar mundi kot. Kisha njohur një njeri, që aq shumë e donte tufën e dhenve, aq shumë e dontë punën, aq shumë e donte fshatin. Shpresojmë që bashkë me shokë të tjerë do ta kthejnë fshatin në një atraksion turistik, me kalldrëme e shtëpi të gurta, me urën të ndërtuar bukur, me buzëqeshje e respekte për njerëzit që do vijnë të vizitojnë fshatin e tyre.