Ikja nga kjo jetë, që ndërpreu përvjetorin e 65 të martesës


Nëna juaj dhe motra jonë e familjes, Naxhija, do të jetojë gjatë në shpirtin tonë. Ajo nuk do të harrohet për bujarinë dhe dashurinë e saj, për urtësinë dhe qetësinë e saj, për fjalën e mirë, mundin dhe punën e palodhur, për gjithë shërbimin në kullën e madhe që ka kryer për gjithë njerëzit e shtëpisë me dekada, për edukatën dhe pastërtinë e saj.

Sivjet, më 23 gusht të vitit 2020 djemtë dhe vajzat e çiftit Rustem e Naxhije Deva kishin vendosur t’ju festonin prindërve 65 vjetorin e martesës së tyre, 65 vjet jetë bashkëshortore, por fati u doli krejt ndryshe. Ajo dëshirë e madhe që kishin, u ndërpre në mes.
Më 6 gusht të vitit 2020, Naxhije Deva u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare, duke ua lënë dëshirat dhe planet e parapërgatitura, thjesht një ëndërr të bukur e të parealizuar.
Vdekja e Naxhijes këtë natë gushti ishte për Rustemin si një ortek i madh dëbore që përmbysi gjithçka. Kishte kohë që e kishin kaluar gjysmën e shekullit bashkë, prisnin të festonin 65 vjetorin e jetës bashkëshortore.
Naxhija kishte kaluar një pjesë të jetës në familjen e prindërve, ku kishte mësuar shumë për traditat e bukura të mikpritjes, por kishte përfituar shumë e më shumë kur erdhi nuse në kullën e Llan Devës. Këtu ajo gjeti një familje të shëndoshë patriarkale, por edhe një disiplinë e rregull të përkryer në punët e përditshme.
Si nënë ishte e përkushtuar shumë dhe ishte modeli i grave të tjera, por edhe si bashkëshorte i krijonte më shumë mundësi Rustemit që të angazhohej me detyrat e ngarkuara. Kjo vërtet ishte një sakrificë që e kërkonte koha, por jo çdo grua e bënte me dëshirë dhe vullnet.
Unë jam njohur herët me Rustem Devën, por sot, tek po mundohem të hedh disa skica e të bëj portretin e Naxhijes, kudo më shfaqet Rustemi. E shikoja çdo ditë në mëngjes në kafe me miq e shokë, në mbrëmje krah për krah me Naxhijen dilnin në ish Fushën e Aviacionit.
Jo unë që i njihja, por të gjithë habiteshin me këtë çift në moshë të tretë që xhirot në mbrëmje të kapur të dy bashkë dorë për dore ecnin të shkujdesur dhe kafen në darkë do ta pinin gjithmonë bashkë. Dhe nuk e prishën kurrë këtë rregull, edhe kur ishin mirë, edhe kur ndjeheshin sëmurë e të lodhur. Mbrëmja do t’i gjente bashkë, deri në mbrëmjen e 6 gushtit e vitit 2020, e cila fizikisht i ndau, por jo shpirtërisht.
Rustemi punonte larg familjes dhe Naxhija u bë edhe nënë, edhe babë për fëmijët. Lindën, rritën dhe edukuan tre vajza e tre djem: Hasija, Selvija, Rabija, Ajeti, Fatosi, Altini.
Kur jetonin në Muhurr, Naxhija punonte në ish kooperativën bujqësore, merrej me rritjen dhe edukimin e fëmijëve, kujdesej edhe për punët në shtëpinë e madhe të Llan Devës, ku priste e përcillte miq të njohur e të panjohur pothuaj çdo natë. Nuk e pa askush Naxhijen të ankohej, por zgjohej në mëngjes e para dhe binte e fundit, derisa sigurohej se nuk kishte mbetur asgjë pa realizuar. Dhe jo pak, por plot 28 vjet qëndroi në Muhurr. Kur u transferuan me banim në qytetin e Peshkopisë, punonte në ndërmarrjen ushqimore, në fruta-perime. Asnjëherë pa punë, asnjëherë nuk ankohej për punën që bënte. E urtë, e sjellshme, me virtyte të larta njerëzore, shembull për të gjithë. Punë në ndërmarrje, punë në shtëpi. Krahas fëmijëve që duheshin rritur, edukuar e shkolluar në Peshkopi kujdesej edhe për prindërit e Rustemit, të cilët jetonin në një shtëpi.
Një jetë e mbushur plot me dashuri, me halle e brenga, me dhimbje edhe gëzime. Një jetë e mbushur plot. Lot dhimbje dhe dashurie në sytë e tyre dhe sa bukur ia fshinë njëri-tjetrit lotët nga sytë. Gjatë gjithë jetës së tyre të gjatë bashkëshortore ecën bashkë, ecën të dy në udhën e gjatë të bukur, por edhe të vështirë.
Sot Naxhija nuk jeton më, fizikisht është ndarë nga jeta. Na mungon të gjithëve. I mungon Rustemit, i mungon Hasijes, i mungon Selvijes, Rabijes, Ajetit, Fatosit, Altinit, u mungon nipërve e mbesave të shumtë.
Hasija e ka përjetuar shumë keq humbjen e nënës. Me lotët në sy që e tradhtojnë vazhdimisht do të falënderojë të gjithë ato që i qëndruan pranë, ato që e ngushëlluan me telefon apo mesazhe. E një mesazh ngushëllimi i është ngulitur në memorie, i cili i vjen nga Ramiz Çiku: “Ngushëllimet e mia Altin, si dhe ngushëllime përcjell edhe për motrat e vëllezërit tuaj. Nëna juaj dhe motra jonë e familjes Naxhija do të jetojë gjatë në shpirtin tonë. Ajo nuk do të harrohet për bujarinë dhe dashurinë e saj, për urtësinë dhe qetësinë e saj, për fjalën e mirë, mundin dhe punën e palodhur, për gjithë shërbimin në kullën e madhe që ka kryer për gjithë njerëzit e shtëpisë me dekada, për edukatën dhe pastërtinë e saj. Po sa shumë të mira ka pasur ky njeri, saqë ky mesazh është i vogël për ta përshkruar. Kush e ka njohur Naxhijen sadopak, jam shumë i sigurt që bashkohet me mua. Por kryevepër e Naxhijes jeni ju, fëmijët e mrekullueshëm të saj: Hasija, Selvija, Rabija, Ajeti, Fatosi, dhe Altini, të cilët sot kanë humbur njeriun e pazëvendësueshëm, të cilët ju drejtohem sot që të mbledhin forcat për ta përballuar këtë dhimbje dhe Zoti ju dhëntë jetë të gjatë për ta kujtuar me dashuri e respekt nënën tuaj.
Babai juaj Rustemi sot ka humbur bashkëshorten dhe bashkudhëtaren e tij të dashur. E ngushëlloj dhe i uroj të ketë jetë të gjatë dhe fëmijët shëndoshë për ta kujtuar me mall e me shpirt Naxhijen, si shoqen më të shtrenjtë të jetës.
Nënë asaj i kanë thirrur edhe fëmijët e të ndjerit Shefkiut, të cilët edhe ata i ngushëlloi njëlloj si dhe ju.
Naxhija, që kur ka ardhur në kullat e Llan Devës, një derë të hapur ka pasur edhe në shtëpinë tonë, pasi babën tonë Xhilin e kishte kumbar, e kishte vëllanë e madh. Ajo ishte simboli i një marrëdhënie shumëdimensionale, njerëzore dhe vëllazërore për familjet tona.
Kjo nënë, kjo motër, kjo gjyshe, kjo shoqe, kjo bashkëshorte, kjo komshije, kjo mbesë, meritonte gjithë respektin e gjakut dhe njerëzve që e kanë njohur sadopak”.
Hasijes ende nuk i janë tharë lotët e me zemër të copëtuar shprehet: “Më mungon e do të më mungojë shumë, gjithë jetën time, e shtrenjta, e mira, e veçanta, e urta, nëna ime!
Do të më mungojë puthja e përqafimi i saj sa herë që shkoja ta takoja, do më mungojë thirrja e saj nëpërmjet telefonit të Rustemit, që më kërkonte shpesh, sa herë që mërzitej! Nuk do të kem mundësi më të shijoj gatimet e thjeshta, por të pastra që gatuante! Nuk do të qeshim më bashkë si dikur, nuk do të shikoj më nëpër shtëpi, ti ishe dhe mbete drita e syve të mi. Ti që më dhe mua jetën, që më rrite me shumë sakrifica, ti që më plotësove çdo tekë timen fëminore, ti që nuk dije të mbaje kurrë inat për asgjë, ti që më doje vetëm të mirën, ti që mendove për mua deri në momentin e fundit të jetës!
Unë ndjehem krenare për ty heroina ime, që vuajtjeve të tua u vure sipër heshtjen tënde, buzëqeshjen. Edhe momentet e fundit aty isha pranë teje, të pashë dhe më pe mirë. Sytë e ty të vegjël sikur më thoshin mua: “Mos qaj, bija ime, se unë gjithmonë do të jem me ty, gjithmonë do të jetoj në kujtesën tënde “.
Ajo ka një mesazh për të gjithë: “Rrini sa më shumë me prindërit tuaj, mos i mërzisni ata, mos u ankoni për gjëra pa vlerë, mos iu bërtisni, ata kanë gjithmonë të drejtë. Puthini prindërit tuaj çdo ditë, tregojuni sa i doni, se ndoshta një ditë do i kërkoni si të marrë dhe e vetmja gjë që do të keni është një kujtim!”