MA DALLGËZOVE SHPIRTIN VELO CFARKU


NJË LETËR NGA VELO CFARKU


I dashur Abdurahim !
Jam mirë, dëshiroj që të jeni shëndosh e mirë familjarisht.
Abdurahim !
Ka disa vite që nuk jemi parë, por po të them sinqerisht ushqej një respekt të jashtëzakonshëm për gjithë atë punë që po bën, me pasion e përkushtim. Nëpërmjet shkrimeve që po lexoj në gazetën “Rruga e Arbrit“ më duket sikur jemi shumë afër. Ju them shpirtërisht kam një mall e ndjenjë respekti për karakterin tuaj konsekuent.
Abdurahim !
Po të dërgoj si dhuratë simbolike librin tim të parë “ Golloborda në optikën e kohës “. Ju jeni gazetar dhe sigurisht do të keni edhe vlerësimet tuaja. Unë tash së shpejti do të botoj edhe një libër të dytë. “Përplasjet në Dibër” me burim ndeshjet që kemi pasur gjatë viteve në gazetë.
Mu bë qejfi kur lexova se ju së shpejti do të hidhni në qarkullim librin tuaj “Njerëz që i dua“.
Kam shumë për të shkruar, por të them sinqerisht, dora po më ngec. Kam përpara një Abdurahim fytyrëqeshur, një Abdurahim organizator, një Abdurahim asnjëherë qejfprishur, një Abdurahim organizator e alegrist në dasmat e fëmijëve të mi në Peshkopi.
Ju uroj shëndet familjarisht. Ju, Natashës dhe fëmijëve tuaj.
Me nderime e respekt.
Velo Cfarku
Tiranë më 28 janar 2008.

Ai iku, iku në të tetëdhjetë e pestat e jetës së tij…
Iku duke lënë pas djem e vajza, nipër e mbesa, shokë e miq…
Iku duke lënë emrin e vet, emër me germa të mëdha…
Kryeredaktor i gazetës dibrane “Ushtima e maleve”…
Unë kam punuar me të një kohë të gjatë…
Kam bredhur malet, veçanërisht ato të Gollobordës, dashurinë e jetës së tij…
Velo Cfarku iku…
Në këtë ikje, në pamundësi për të derdhë mbi dheun e varrit pika loti, për tu dhënë gjakut të tij kurajo por përcjell një letër të Velos, letër plot dashuri e respekt…
Po përcjell edhe një shkrim që bëra për librin e tij duke udhëtuar me të atyre vendeve që ai i donte dhe nuk mungoi tu japë bojë nga pena e tij e gazetarit…

Më mirë mos ma kishe dërguar atë libër Velo Cfarku, mos ma merrje shpirtin e ta dallgëzoje atyre maleve, atyre vendeve që hyjnë e mbeten përjetë si një ëndërr, asaj treve ku ti linde e unë mora e mbusha shpirtin me një tufë kujtimesh që syrgjyni (dhe vetëm ai) i ve në qendër të jetës. Se ty, i dashur Velo, nuk të ra shorti i jetës të syrgjynosesh, të udhëtosh në legjendën “Nëntë male kaptuar“, të përballesh me gjuhë tjetër e dhunën për t’iu përshtatur vendit të huaj. Ti Velo ishe e Velo mbete. E vetmja rrugë e jetës tënde ishte nga malet e Gollobordës; nga Gjinoveci, Klenja e Trebishti në Peshkopi. Më pas shkove në Lezhë e siç më tha Kozmai tani ke ngreh një pallat në Tiranë.
Unë, megjithëse “Nëntë male kaptuar“, më ndodh, kur takoj apo flas me ndonjë dibran, të iki (si ai qengji i Naimit) me mend atyre vendeve e të bujë në ato kulla apo kasolle mbi male. Unë, vazhdoj të jem dibran jo vetëm shpirtërisht por edhe ligjërisht. Ende nuk e kam hequr (dhe nuk do ta heq) qenien qytetar i Peshkopisë, megjithëse bashkë me fëmijët, e kam një shtëpi në Tiranë dhe nja pesëqind metro katrore tokë në Kamzë. E shumta që mund të bëj është që ta spostoj gjendjen civile në Zdojan, në fshatin ku linda dhe ku kam varret e prindërve. Por këtë do ta bëj kur atje, në majë të asaj kodrës që sheh tërë luginën e Drinit të Zi e Nëntë Malet e Dibrës, të bëj një kasolle dhe të dremis vitet e fundit të jetës…
Kur Kozma Traja më dha letrën tënde të ngrohtë (Ti nuk mund ta kuptosh se sa të ngrohta janë letrat e vendit tënd, veçanërisht kur vijnë dhe mes kujtimesh të marrin me vete) dhe librin tënd të parë, “Golloborda në optikën e kohës” dallgët e shpirtit i kaluan tetë ballët. Diçka kam shkruar si meditim të atij takimi, diçka që ndonjë ditë do ta lexosh.
Ç’është e vërteta unë gjatë këtyre viteve jo vetëm një herë kam qenë në Gollobordë.
Jo fizikisht, por me shpirt e me zemër, në udhëtime fantastike. Kam qenë në Ostrenin e Madh me vëllezërit Rama. Kam qenë edhe në Ostrenin e Vogël me Eduard Sulën, dibranin që i shpëtoj dhunës detare të anijes Sibila të marsit të egër 1997 duke lënë mes dallgëve të zeza djalin, gruan dhe vëllanë. Kam qenë edhe në Tuçep e Lladamericë, në ato kopshtet e bukura ku rriten pemë gjithfarë llojesh, ku ka një burim, një kanal ujitës që kalon kufirin, një hidrocentral. Kam qenë edhe në Pasinkë e Tërbaç. Madje Tërbaçin e kam lakuar në sa e sa shkrime falë një miku që kam nga Tërbaçi i Vlorës. E din ti i dashur Velo se Tërbaçi i Vlorës e ka konakun dhe gjakun e të parëve të vet nga Tërbaçi i Dibrës ? Unë e kam parë të shkruar me germa të mëdha (shprehje krenarie labe) në muzeun e fshatit, muzeun “Hysni Kapo“ siç e quanin atëherë. E trazuar është Shqipëria, i dashur Velo, e trazuar. Jemi një edhe pse historia (dhe histeria e fuqiplotëve) na kanë dashtë të ndarë e të përçarë. Aq të ndarë sa është i vetmi vend në botë që është prerë siç pritet berri për kurrizi e qendrën gjeografike të vetën (francezët kanë Verdunin) e ka jashtë kufijve, diku midis Dibrës së Madhe dhe Strugës. Ti je mësues i shkencave ekzakte dhe mund të bësh matje, matje të cilat të jesh i sigurt se nuk luajnë “me pash“.
Me thënë të drejtën, i dashur Velo, e kisha dëshirën që ta bëja një rrugë mes përmes Gollobordës. E ëndërrova dhe e planifikova dhjetëra herë vitin e kaluar kur një miku im emigrant më tha se kur do të përurojë lokalin e tij në Librazhd do më marrë me vete. E pata skicuar që pasi të kaloja natën në Librazhd të nesërmen t’i zija pritë ndonjë fugoni që udhëton drejt Gollobordës. Më kishte marrë malli të mbushja grushtet me ujë në ato çezmat në shkallën e Lunikut, të hidhja një sy mbi ato kullat e gurta të Llangës, kulla ku mjeshtëria e të ndërtuarit ka bërë monument, të ndalesha për pak minuta në fushën e Studnës, atje ku një herë e një kohë patatet formonin kalldrëm mbi tokë e kamionët autokolonë transporti. Doja, kur të ngjitesha lartësive të Steblevës, bjeshkëve të mrekullueshme të Kallkanit të mblidhja një dorë lule mali e me një vështrim t’i përcillja larg në malet e Okshtunit e Prodanit, atje ku Haki Stërmilli i madh i letrave dibrane pat shkruar ditarin e tij të Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqiptarëve.
E kam me vete Haki Stërmillin. E kam jo me veprën e botuar por me të pa botuarën, me “Dibra në prag të historisë“. Diçka shkruan Hakiu edhe për Gollobordën e fillim shekullit të kaluar. Diçka kam edhe unë në një bllok me shënime të nxjerra nga gazeta “Përlindja e Shqipërisë“, botim i Qeverisë së Vlorës në vitet 1913 – 1914. Po e lë në qetësi pak kompjuterin në kërkim të tyre…
…Të dytën harroje. Në bllok kam vetëm këtë shënim: “Përlindja e Shqipërisë, vjeti II nr, 4, 11/24, kallnduer 1914, e shtunë.
Flet për barbaritë serbe në Gollobordë nën titullin “Udhëtim në Gollobordë“ Vazhdon edhe në nr. 5, 15/28 kallnduer 1914…
Më vjen keq që nuk e kam. E kisha vendosur atëherë që ta fotokopjoja të tërë shkrimin që thuhej se ishte bërë sipas tregimit të një diplomati. Nuk u bë sepse atëherë (1978) fotokopjuesi i Bibliotekës Kombëtare ishte tepër i ngarkuar.
Mund ta kopjoni ju i dashur Velo. Jeni në Tiranë dhe kohë keni me bollëk. Unë po të kisha këtë privilegj do të mbillesha e mbija në bibliotekë.
Të parën, atë që e dokumenton Haki Stërmilli në “Dibra në prag të historisë” mund të ta shkruaj pa i bërë ndonjë “redaktim“ në gjuhën drejtshkrimore të sotme…
“…Zoti Kenedy, misionar Amerikan në Korçë, me përpjekjet e mundimshme që hoqi për Kombin Shqiptar, u bë i shtrenjtë për ne. Shkon n’atë kohë edhe në Gollobordë për tu ba disa ndihma atyre ma nevojtarëve. Shoqi i tij shqiptar, mbasi përshkruan bukuritë natyrore të Gollobordës, ban në formë përshkrimi edhe psimet e këtyre katundeve në kohën e okupimit serb:
Në Fushë Studën shofim nji vorr dhe pranë vorrit nji shtëpi. I vrami qe i zoti i shtëpisë së djegun. Përqark kanë pa edhe shumë shtëpi të djegura ndonëse Studna në atë kohë kishte qenë brenda kufinit tonë. Ma përpjetë bje në Zabzun dhe ka ndalë vetëm në dy shtëpi se të tjerat ishin ba gërmadhë e hi. Njena prej kësaj shtëpie kish ba fli dy vëllazën. Ke xhamia tregon nji grue faqe së cilës i vranë të shoqin, Halil Aganë. Prej këtij trishtimi gruaja hikën dhe len foshnjën pranë shtëpisë. Serbët kur dogjën shtëpinë e kapën edhe djalin e vogël dhe e hudhnë në zjarr të gjallë…
…Më tutje shohim nji vorr dhe në gërmadhë të shtëpisë së djegun gjejmë të mbeturat e grues e cila kishte qenë djegun ma parë në zjarr…
…Në Zabzun u vranë 34 vetë dhe u dogjën 175 shtëpi…”
Me dhimbje i dashur Velo, me dhimbje jemi ngjitur në të përpjetën e historisë për të bërë vend midis kombeve të Evropës, të asaj Evrope që nuk na deshi, që na ndau e na përçau, të atyre fqinjëve që copa lakmonin të merrnin duke na konsumuar kafshatë pas kafshate derisa një ditë të dilnin në Durrës, Shëngjin e Vlorë, duke na brejtur tërë kockat.
Fatmirësisht qëndruam. Ndoshta edhe në sajë të zgjuarsisë dhe fjalëve të asaj gruas që përmendet në historinë e Trebishtit, të asaj gruas që foli shqip, kur shqiptarët dhe shqipen (edhe sllavishten) duhej ta kërkonin tutje Tetovës e Gostivarit, në Shkup, Preshevë e Nish, në Ulqin, Tivar e Vermosh…
Më ngope me ajrin e pastër të atyre maleve i dashur Velo në udhëtimin tënd të fundit në Klenjë e Gjinovec me zotin Zibitko. Do të doja të isha edhe unë me ju, veçse, pasi të pija një kafe në qytezën e sharrëtarëve të më jepnit leje të zbrisja pak në Steblevë për tu dalë përpara sipër, tek ai dyqani me artikuj të përzierë anës rrugës. Kisha dëshirë ta shoqëroja në raki atë plakun e vjetër të Avdëve, Ibrahimin, atë që na mori përkrahu nga sharra e na çoi në shtëpinë e tij, që u deh e na vuri në kor të këndojmë (edhe ne çakërrqejf ) refrenin e asaj këngës së tij të çuditshme, këngë me dy vargje “Më ka humbë një dhi, kërkoj një cjap“. Në mos gaboj (pleqëria bën të vetën) kemi qenë bashkë atë natë. Kaq humor e shpirt mikpritjeje nuk kam gjetur gjëkund në udhëtimet e mija maleve të Dibrës.
Ke një farë dallgëzimi në shpirt i dashur Velo kur në Klenjë e Gjinovec kërkon të kaluarën, kërkon Budinin e ujit të pijshëm e të ujëmbledhësit të Golemovës, kërkon “shatërvanët“ e ujitjes së fushës. E pashë që të erdhi keq që nuk u ngjite në Raduç, nuk ece midis barit dhe luleve të atij mali të lartë që është bukuri e bukurive të zonës. Thoshe se u frikësove nga retë në qiell kur duhet të thoshe se frikësoheshe nga “retë mbi kokë“, ato lloj resh që të zbardhin kokën e të ndalin këmbën në të përpjeta. Ma ka ënda të udhëtoj edhe një herë atyre maleve por nuk më len këmba. Ma ka ënda që t’i bije mes për mes Klenjës, të ndalem pak tek spitali e të marr të përpjetën në perëndim, atë të përpjetë që të çon në një majë ku pamja e Sebishtit me lumin mes për mes, me gjelbërimin dhe shtëpitë pranë e pranë të tërheq si me magnet.
Ma zbehe pak dëshirën e një udhëtimi nëpër ato vende të bukura kur shkruan se atje tashmë mungojnë shkollat, spitalet, njerëzit. Golloborda në syrin e kohës qenka tjetërsuar. Bukuria e vendit pa bukurinë e njeriut pranë e pranë, pa punën e tij u zhbëkërka aq shumë sa ti duke kërkuar qoshkat e kujtesës tënde të fëmijërisë e rinisë, humbe midis degësh e ferrash…
Nuk e harrova Trebishtin i dashur Velo, të Tre Bishtat që e formojnë atë ; Bala, Muçinë e Çelebi. Nuk kisha si ta harroja sepse atje kam qenë disa herë dhe në një ndër tubimet e tij me rastin e 70 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, paralele në kohë me atë të Peshkopisë, më 14 prill të vitit 1914 (në mos më ka lënë kujtesa për datën) kam mbajtur edhe një kumtesë. Tema lidhej me disa aspekte të psikologjisë së punës të ndërtuesit gollobordas. E pata punuar me dashuri atë kumtim. Me dashuri dhe ovacione u prit nga njerëzit e ngjeshur si sardelet në kuti në sallën e shtëpisë së kulturës. Me shënimet tuaja, veçanërisht me fotografitë, më ktheve një çerek shekulli pas. I kam ato fotografi, në letër dhe në negativ, se edhe unë, si puna jote, jam paksa manjak në ruajtjen e gjërave. Kam një arkiv të tërë me fotografi e me negativa që nuk di se çfarë ta bëj dhe si ta administroj. Atë kohë, dhe ata njerëz, edhe pse kanë qenë heronj të mëdhenj ndërtimesh, që kanë ngritur qytete, fabrika, hidrocentrale e kanale ujitës i shohin me sy vëngër dhe (kur janë gjallë) u japin një pension sa as për bukë thatë e kafe nuk mjafton.
Asokohe, bashkë, i qemë ngjitur kodrës përpjetë, rrugës për në Gjinovec dhe më tej në Klenjë. I mban mend ato tubat që shtriheshin gjatë gjithë rrugës për t’i dhënë Trebishtit ujë ? Jam larg se do të rrëmoja në fotografi e në filma dhe me siguri do të gjeja ndonjë pamje të Tre Bishtave nga lart dhe të kanaleve e tubave në montim.
Fola me ty sot, i dashur Velo, fola në një ditë të madhe për kombin e vuajtur shqiptar, fola më 17 shkurt 2008, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në Ditën e Ëndrrës së Madhe Shqiptare, u përfshiva mes dallgësh gëzimi dhe krenarie që vetëm shpirti i lexon dhe i shkruan pa gabime…
Athinë, 17 shkurt 2008