“O mirë se na erdhe!”


Të udhëtosh nga Tirana drejt Dibrës, vendlindjes, çdo herë ndjehesh mirë, aq më shumë që ky udhëtim është për festë, festën e Ansamblit Artistik “Kuvendi i Zall Dardhës”, ku do këndojnë e hedhin valle artistët më të mirë të Dardhës, aty në vendlindjen e artistëve.
Këshilli Bashkiak i Dibrës ka vendosur datën 1 gusht si Festa e Kuvendit të Zall-Dardhës, por për shkak të pandemisë, këtë vit festa u shty për në shtator.
Makina gulçon sapo le pas “Rrugën e Kombit,” aty në Skuraj, një rrugë e vështirë, një rrugë me pak investime për të mos thënë e lënë pas dore nga gjitha qeveritë.
Nuk ka kohë për kafe. Nxitojmë që të shkurtojmë kilometrat. Por telefoni nuk pushon. “A u nise? Ku je? Ku do ndalojmë për kafe?”
Te “Tre Çezmat e Zerqanit”, kur e shohim se jemi mirë me kohën, ndalojmë për kafen dhe bashkohemi me grupin tjetër të udhëtarëve në vendlindje.
Në Peshkopi, në bulevardin “Elez Isufi” që në orët e para të mëngjezit kishte shumë dernjanë. Dikush kishte udhëtuar natën e të tjerë herët në mëngjes, të cilët së bashku me familjet e tyre nga Tirana e Durrësi, Lezha e Shijaku, mezi po e presin festën në Zall Dardhë. Nuk ka pasur ftesa emër për emër, por ftesës publike të bërë në facebook nga “Ansambli Kuvendi i Dardhës” i janë përgjigjur të gjithë. Si dikur, në “Kuvendin e Dheut”, 99 vite më parë…

“O mirë se na erdhe!”

Sheshi në qendër të Zall Dardhës ishte gati për festë. Ishte rregulluar një skenë provizore ku do të këndohej e do hidhej valle. Megjithëse dernjanënt, kur vjen puna për këngë e valle, nuk kanë nevojë për skenën…
“O mirë se na erdhe” është shkruar në ballë të skenografisë, si për te evokuar një kohë të shkuar, ku mikpritja, kënga, vallja, alegoria ishin gjithçka për jetën buzë Drinit e mes maleve.
Ka 25 vite që ky shesh nuk ka patur kaq shumë njerëz, dernjan e të ardhur dhe nga fshatrat përreth. Madje edhe nga jashtë shtetit. Instrumentisti dhe këngëtari Muharrem Elezi vjen nga Kreta vetëm për këtë festë. Valltari virtuoz i ansamblit Lazam Sula ka ardhur posaçërisht nga Durrësi bashkë me familjen, me vëllain Isufin, një intelektual i njohur; Agim Cani, intelektuali dhe biri i Dardhës, që ka bërë shumë për vendlindje bashkë me familjen, inxhinieri Ismail Hysa, avokati Hasan Bara, poeti Ramadan Topuzi, burri i Dardhës Muharrem Gjoka, e shumë e shumë të tjerë.
Dernjanët janë sederli dhe merakosen deri në detaj për mbarëvajtjen e aktivitetit, por ardhja e Presidentit Shqipërisë, z. Ilir Meta , i jep një rëndësi më të veçantë.

Besnik trashëgimisë, kodit krahinor dhe idealit kombëtar

Presidenti Meta i shoqëruar nga autoritetet vendore, përfaqësues të forcave politike dhe qytetarë, vizitoi fshatin e Zall Dardhës, ku vendosi një tufë me lule tek Obeslisku “Kuvendi i Dardhës 1921”, si dhe mori pjesë në koncertin festiv të organizuar nga shoqata atdhetare “Kuvendi i Zall Dardhës”, ku edhe vlerësoi disa nga personalitetet më të shquara të kësaj treve.
“Të lidhur fort me doket, zakonet dhe pasurinë shpirtërore të parëve ju i keni qëndruar besnik trashëgimisë, kodit krahinor dhe idealit kombëtar”, tha në fjalën e tij Presidenti Ilir Meta. “Jo pa kuptim ata kuvendin e tyre të burrave e quajtën “ Dheu ”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti”.
“Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është një ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore. Ajo konsiderohet si trashëgimia më e mirë e vlerave atdhetare të zonës”, tha ai.
Presidenti, mes të tjerash, tha se “në këto kuvende u rritën e u formuan disa nga figurat më të rëndësishme të Dibrës, por edhe të mbarë kombit shqiptar si: Elez Isuf Ndreu, Isuf Xhelili e Dali Ndreu, si dhe plot figura të tjera të njohura e të respektuara si: Baftjar Doda, Cen Elezi, Hasan Marku, Hysen Vladi, Sul Marku, Sheh Halimi, Mahmut Laçi, Ramadan Cani, Merë Troci, Mehdi Kaca, Rrahman Mziu, Sheh Ymeri, Rrahman Rasha, Hysni Kaca, Selim Lila, Selman Ahmeti, e shumë të tjerë”.
Më pas, Presidenti vlerësoi Ansamblin e Zall Dardhës, si “simbolikë të madhe për ruajtjen dhe përsosjen e folklorit shqiptar”. “Artistët popullorë të këtij ansambli janë një shembull i madh i pasionit, përkushtimit dhe mbartës të vlerave folklorike të një treve me tradita ndër më të shquarat atdhetare”.
Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Qerim Sulën (pas vdekjes) dhe Liri Jushi (Rasha), ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Sherif Dervishin, Xhelal Çerpjen (pas vdekjes), Shaban Mziun, Sajhe Poleshin, Xhelil Ymerajn, Lutfi Ndreun dhe Halil Ramën.
Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës dekoroi Neshat Ndreun dhe Agim Canin.

Kastrioti…

Një makinë me targa angleze, sa po kalon portën e shkolles së vjetër, ra në sy për shpejtësinë saj.
“Është Kastrioti – thanë, – Kastrioti i Medi Dervishit. Ai gjatë gjithë kohës filmonte me telefonin e tij. Arriti te ura, aty ku ka kaluar fëmijërinë. Kastioti u lind në Xhoxhe, u shkollua në Sllovë, dhe pas vitit 1990 u shpërngul me familje në Tiranë, pastaj në Greqi si emigrant e për 15 vite jeton me familjen në Angli. Gjatë gjithë koncertit, ishte gjithë kohës në këmbë, duke kërcyer. Duartroktiste me shumë zemër për të gjithë artistët, por më shumë për Lirie Rashën, vajzën e dajës së babait. E takon shpesh në sebepe e gëzime familjare, e ndjek nga ekrani i vogël i televizorit apo YouTube, por këtu sot është ndryshe. Bashkë me emocionet e duartrokitjet ndjen dhe rrahjet e zemrës. “Me Lirien vërtet na lidh gjaku, – thotë Kastrioti, – por sot më shumë se kurrë na lidh arti”.

Kutia e duhanit është e mikut

Kur po interpretohet “Vallja e Kuvendit”, vallja që i ka dhënë edhe emrin Ansamblit, kutia e duhanit kaloi nga njëri valltar të tjetri, ashtu të ulur këmbëkryq. Por valltari i fundit zbret nga skena, dhe i shoqëruar nga presidenti i Ansamblit Kuvendi, Neshat Ndreu, ia dhanë kutinë Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta. Ishte një gjetje e bukur, por surpriza ishte se valltari i valles së Kuvendit ishte një djalë i talentuar nga Skrapari… Sepse ansambli nuk është veç i Dardhës e dernjanëve, por ështe i gjithë shqiptarëve.