Presidenti i Republikës Ilir Meta vizitoi Muzeun e Kastriotëve në Sinë


 

Tridhjetepesë vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës, një vizitë impresionuese këtu në vendorigjinën e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e kreut të shtetit shqiptar Ilir Meta, do të shërbente për ripërtëritjen e traditës së kësaj zone. Një ditë historike kjo, pasi referuar pikërisht veprës madhore të prof.Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”, që qëndron hijerëndë përkrah busteve të Gjon, Pal e Gjergj Kastriotit në hyrje të Muzeut, presidenti Meta, ashtu si edhe elita historike e kombit që vizituan këtë muze para dy vitesh, do të “legjitimonte” këtë fshat si vendorigjinë e kastriotëve.
Historiani i njohur dibran Haki Përnezha, në rolin e ciceronit, ndër të tjera do t’i bënte të njohur vizitorit më të rëndësishëm të këtij muzeu atë që ka lënë si testament Gjon Muzaka që në shekullin e 16-të: “Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe quhet Pal Kastrioti dhe nuk pati më shumë se dy fshatra të quajtura Sinë dhe Gardh i Poshtëm…” (Gardhi i Poshtëm ndodhet në Muhurr).
Besnik Këbej, ish-drejtor i shkollës 8-vjeçare Sinë, autor i librit “Origjina dibrane e Skënderbeut”, që kishte ardhur pas tridhjet vitesh në vendin ku shërbeu dekada të tëra dhe që dha kontribut të çmuar në ngritjen e këtij muzeu, do të sillte në kujtesë kohën kur këtu erdhën për të parën herë profesorët e nderuar të historisë Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri.
“Pasi i kisha njoftuar me telegram për gjetjen nga nxënësit e shkollës të një medalioni bronxi me diametër 9 cm, me emblemën e Skënderbeut, profesorët Pollo e Frashëri udhëtuan më këmbë 6 orë, që nga Lura për në Sinë, për të bërë ekspertizën e këtij medalioni. Më pas, nën ndikimin e tyre, do të ishte kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Dibrës Skënder Dema që do të urdhëronte ngritjen e këtij muzeu”,-thotë ndër të tjera Besnik Këbej.
Ndërsa Presidenti Meta shprehet se njohja e trashëgimisë dhe rrënjëve kombëtare është thelbësore për të ardhmen eropiane të vendit. “Sot (18 shtator 2020) në Sinë, në truallin e Kastriotëve, vendin e origjinës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kënaqësi të vizitoja Muzeun Historik dhe të njihesha nga afër me të dhëna interesante për betejat heroike të zhvilluara për mbrojtjen e kombësisë, territorit dhe identitetit tonë europian. Të bëhet zemra mal kur sheh djemtë dhe vajzat e Dibrës të lartësojnë traditat dhe vlerat tona duke na bërë të ndihemi krenarë! Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare, për të mbrojtur më mirë të ardhmen europiane të Shqipërisë”,- deklaron Presidenti Meta.