Shpopullimi i Dibrës është i dhimbshëm


Bahçja e fermerit Shefki Prifti në Sinë të Dibrës, një parajsë e vërtetë! Në këtë vend të begatë, perlë e natyrës, vetëm dy kilometra sipër luginës pjellore të Drinit të Zi, që ka përballë Korabin dhe sipër Runjën hijerëndë e kreshnike, për herë të parë në këto tridhjet vjet vjen Presidenti i Republikës. Dhe Shefki Prifti, një ndër kuadrot e njohur në gjithë Dibrën e pret atë sipas traditës dibrane. Në oborrin mahnitës të shtëpisë së tij janë mbledhur dhjetra fermerë të kësaj zone. Kuvendojnë ata shtruar me kreun e shtetit për “braktisjen qeveritare” të kësaj zone me histori të lavdishme. Ndër të tjera, më i moshuari, Besnik Kaloshi, përçues i denjë i mençurisë dhe filozofisë popullore dibrane do të shprehej se “Skënderbeu e ka lënë të hapur që prej gjashtë shekujsh rrugën e tij nga Sina për në gjithë Shqipërinë, por kjo copë udhë (vetëm dy kilometra nga ura e Arrasit) ka nevojë të asfaltohet e mirëmbahet që këtu të mund të vijnë vizitorë nga e gjithë bota”.
Dhe ndërsa ka provuar shijen e rakisë, rrushit, dardhës, kumbullës e të mjaltit të sdapo dalë nga hojet e bletëve të Shefki Priftit, gjatë kuvendimit me vendasit, Presidenti Meta tha se “shpopullimi i Dibrës është i dhimbshëm, pasi sipas tij braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burim i identitetit tonë kombëtar e kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin”.
Dhe vërtetë ndjen dhimbje kur sheh të braktisura këto vise me bukuri të rrallë natyrore, të cilat me pak investime mund të kthehen në një destinacion turistik tërheqës për vizitorë të shumë vendas e të huaj. / H.R.