Velo Cfarku, ikja e një njeriu që la emër pas


Më 29 gusht 2020 u nda nga jeta gazetari, publicisti dhe shkrimtari Velo Cfarku. Gazeta i përcjell ngushëllimet familjes.
Ai ishte një kontributor me vlerë në gazetën tonë, duke botuar shkrime, por dhe duke dhënë sugjerime të vlefshme.
Velo Carku ishte një nga lexuesit tanë më të rregullt, i cili shprehej se gazetën “Rruga e Arbërit” e lexoj me laps në dorë”.
***
U nda nga jeta gazetari, publicisti dhe shkrimtari Velo Cfarku
Më 29 gusht 2020 pushoi së rrahuri zemra e gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit Velo Cfarku nga një sëmundje e papritur dhe e rëndë.
Velo Cfarku lindi më 5 maj 1935 në fshatin Gjinovec të Gollobordës, në një familje bujare dhe atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj vazhdoi shkollën pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” dhe plotësim shkollën pedagogjike “8 Nëntori” Peshkopi. Kreu Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë për matematikë-fizikë.
Më vonë mbaroi Shkollën e Lartë të Partisë dhe kursin e lartë të filozofisë. Ka punuar mësues në fshatin e tij të lindjes për 7 vjet në shkollën 7-vjeçare “10 Dëshmorët”, Trebisht. Në vitet 1956-1963 ka punuar drejtor i shkollës 7-8 vjeçare “Spiro Velka” të Klenjës dhe njëkohësisht drejtor zone. Ka punuar 5 vjet instruktor në aparatin e Komitetit të Partisë së rrethit Dibër. Për gati 19 vjet ishte kryeredaktor i gazetës “Ushtima e maleve”, një nga gazetat lokale të kohës.
Velo Cfarku është autor i librave: “Golloborda në optikën e kohës”, “Një jetë mes dibranëve”, “Të parën kemi Dibrën”, “Intelektuali emblematik i Gollobordës”, “Mozaik episodesh e ngjarjesh rrjedhës së Drinit të Zi” si dhe bashkautor i disa librave të tjerë dhe redaktor e recensent i dhjetëra librave.
Për punën e bërë është dekoruar me dinstiktivin “Mësues i dalluar”, me medaljen “Naim Frashëri”, për punë të mirë në arsim dhe me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit II, “Për punë të mirë në drejtimin e gazetës “Ushtima e maleve”.
Edhe si pensionist Velo Cfarku u dallua si qytetar aktiv. Ai nuk pushoi së punuari për promovimin e ngjarjeve e figurave të ndryshme të Gollobordës, Dibrës e Shqipërisë. Dha ndihmesën e tij të veçantë si anëtar i kryesisë së përgjithshme të Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë” dhe si anëtar i kolegjumit të gazetës “Zëri i Pensionistit” prej më shumë se një dekadë.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Kryesia e Shoqatës “BPPSH” i dha Velo Cfarkut titullin e lartë “Nderi i Shoqatës Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë” me motivacion: “Për kontribut të veçantë në forcimin dhe gjallërimin e jetës së BPPSH-se dhe pasqyrimin e problematikave të pensionistëve të Shqipërisë në medien e shkruar”. Po me propozimin e kësaj Kryesie në vitin 2014, Komuna Trebisht e shpalli “Qytetar Nderi “
Faik Xhani, Kryetar i Shoqatës “BPVPSH”