Bashkim Lleshi: Një jetë maleve


Në tetor 2020 Botimet M&B botuan librin “Një jetë maleve – Kujtime 3” me autor Bashkim Lleshi, ku përshkruhen kujtimet e viteve të punës në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Gjeologjisë dhe Minierave më 1978-1984.
Vitet e punës 1978-1984, në Institutin e Gjeologjisë dhe Minierave ishin vitet e përpjekjeve të mëdha për ta vendosur Institutin në rolin që i takonte, për të udhëhequr në shkallë kombëtare të gjithë punën kërkimore shkencore, studiuese e projektuese në fushën e gjeologjisë, të minierave dhe pasurimit të mineraleve të dobishme.
Në këto vite Instituti kreu detyra të rëndësishme kërkimore shkencore në fushën e gjeologjisë si përpilimin e HGJSH në shkallë 1:200 000, studime të tektonikës, metalogjenisë, studime stratigrafike, studime të rëndësishme të prognozës së mineraleve të dobishme të kromit, bakrit, hekurit pa nikel, mineraleve të çmuar, qymyrgurit, fosforiteve, boksiteve, etj., mbi bazën e rilevimeve komplekse gjeologo-gjeofizike në shkallë 1:25 000, në zonat e pa shkelura, të Alpeve, Korabit, Mirditës, Krasta-Cukalit, Krujës e Jonike nga veriu në jug të Shqipërisë, në bashkëpunim me të gjitha NGJ, N Gjeofizike dhe ING Fier. Janë kryer Studime të metodikës dhe kondicioneve të mineraleve të qymyrgurit, boksiteve, bakrit, kromit etj., studime e projektime në fushën e minierave, hapjen e minierave të reja për shfrytëzimin e mineraleve të dobishme metalore e jo metalore, si dhe dy vitet e para, studime për ngritjen e fabrikave të reja të pasurimit të mineraleve të dobishme.
Me fuqizimin në këtë Institut të Sektorëve teknologjik të pasurimit, kimisë, studimit e projektimit të minierave, brenda 5 viteve të para u ngritën, Institituti i Studimit dhe Projektimit të Teknologjisë Minerale të Pasurimit (ISPTMP), Instituti i Studimit dhe Projektimit të Minierave (ISPM) dhe Instituti i Kimisë (IK), duke u fuqizuar si Institute më vehte, si dhe u fuqizua më tej Instituti i Studimit dhe Projektimit të Gjeologjisë (ISPGJ) me Sektorin Shkencor të  Gjeologjisë së Shqipërisë (SSHGJSH), Sektorin e Gjeologjisë së Mineraleve të Dobishme (SGJMD), Sektorin e Shpimit (SSH), Sektorin Analitik (SA), Kabinetin e Dokumentacionit dhe Informacionit (KDI), Administrata (A) dhe Repartet Ndihmëse e Ofiçina (RNO) në ndihmë të këtyre sektorëve.
Në pesë vitet e para u krye një punë e madhe për sistemimin e ambienteve të Institutit, duke filluar nga ndërtimi i godinës së re të Repartit të përpunimit të provave, ndërtimi i Ofiçinës dhe kapanone më vehte për çdo makinë, ndarja dhe shtesat e zyrave në godinën 5 katëshe, ndërtimi i depos së kampionaturës, bibliotekës, repartit të marangozit, sharrës së prerjes së kampioneve,  ambiente për strehimin e kuadrove të ardhur nga rrethet që nuk kanë marrë akoma shtëpi, ambiente të riparimit të aparaturave, magazina e re për paisjet fushore të grupeve të gjeologjisë, godina tre katëshe e muzeut, zyrave për grupin e mineraleve të çmuar, petrografët, paleontologët e stratigrafët dhe salla e madhe e konferencave. Të gjitha këto investime janë kryer me minimumin e shpenzimeve me ndihmën e madhe të kolektivit të Institutit, ku secili duhet të jepte kontributin e tij për ambientin e tij të punës. Për  t’u krijuar kushte sa më të mira pune kuadrove të ardhura nga rrethet që do të punonin në terren u shtuan përpjekjet me organet e pushtetit për strehimin e tyre brenda kohës 6 muaj deri një vit.
Vitet 1978-1984 ishin vitet e një pune shumë të madhe e të përkushtuar. U plotësuan pothuajse të gjitha kushtet e punës, u forcua disiplina në punë me plane e programe pune të çdo individi, grupi, sektori e në shkallë Instituti, të kontrollueshme, me kërkesë e dhënie llogarie në linjë shtetërore, partie e bashkimesh profesionale. Gjatë muajve të verës, administrata e Institutit forcoi kërkesën e llogarisë dhe ndihmën e grupeve në terren duke marrë pjesë në bashkërendimin e punës në terren me ndërmarrjet, duke i ndihmuar me mjete e bazë materiale fushore, duke marrë në dorëzim me grupe pune punimet në fund të sezonit, etj. Gjatë këtyre viteve u bë një punë e madhe për kualifikimin e punonjësve. Nga asnjë punonjës me gradë shkencore në vitin 1978, më 1984 arritën në 12, vetëm për vitin 1983 në KSH  janë miratuar 5 disertacione dhe janë të regjistruar 35 kuadro të tjerë në kualifikimin pas universitar. Pothuajse çdo vit janë organizuar konsulta e sesione shkencore për arritjet e Institutit në fushën e gjeologjisë, minierave, pasurimit e kimisë, janë organizuar kurse një e dy mujore për gjeologët rilevues, për kimistët, petrografët, mineralogët, etj.
Për t’u njohur me punën e kryer në Institut dhe për të kërkuar ndihmë për problemet që hasnim gjatë rrugës, vazhdimisht informohej Ministria dhe Organet e Partisë e të Pushtetit në Rreth e në Qendër, sidomos për vënien në jetë të studimeve të kryera.  Por dy vitet e fundit u hasën shumë vështirësi, në kuptimin jo të drejtë të kërkesave të Instituit nga ana e Ministrisë  e  cila organizoi dhe një grup kontrolli, konkluzionet e të cilit përfunduan me një përplasje të madhe në prill të vitit 1984, me një drejtues të lartë Partie që ishte dhe ministër i Industrisë dhe Minierave, si rezultat i së cilës pas 6 muajsh, më nëntor të vitit 1984 Bashkim Lleshi transferohet, inxhinier gjeolog në NGJ Tiranë.
Pas 5 vite pune në Ekipin gjeologjik të Krastës së Martaneshit, një nga ekipet më të vështira të NGJ Tiranë, kolektivi i kësaj ndërmarrje, më mars 1990 nuk pranoi kandidaturën e paraqitur nga Ministria për drejtor ndërmarrje, por propozoi Bashkim Lleshin. Kur propozimi i kolektivit u dërgua për miratim në BP së Rrethit Tiranë, sekretari i parë Gaqo Nesho pyeti: -“Kush e njeh Bashkim Lleshin që kolektivi i gjeologjisë e ka propozuar për drejtor të NGJ ?”. Sekretari i I-rë i KPR 2 Isak Shehu u ngrit dhe tha: “Atë që nuk e bëri Partia për Bashkim Lleshin kur ishte në Institutin e Gjeologjisë e bëri kolektivi i Gjeologjisë së Tiranës që e zgjodhi drejtor të Ndërmarrjes.”

* * *
Drejtoria Gjeologjike e Ministrisë me aksion mbledh shkresa kundër ISPGJ

(Pjesë e shkëputur nga libri)

Pas botimit të artikullit të gazetës “Zëri i Popullit” të datës 24 mars, DGJ e MIM, ngriti një grup kontrolli për Institutin dhe u hodh në aksion për të mbledhur shkresa që i përgatisnin vetë dhe u mernin firmat disa drejtuesve servilë të ndonjë ndërmarjeje gjeologjike ku ankoheshin për bashkëpunimin jo të mirë me Institutin. Një shkresë e tillë e përgatitur nga drejtori i Drejtorisë Gjeologjike H. Caslli dhe specialistët e Ministrisë A. Kodra e L. Goci, është firmosur nga k/gjeologu NGJ Burrel S. Bello, në emër të drejtorit të kësaj ndërmarje B. Duva, ku ankoheshin për bashkëpunim jo të mirë dhe moskryerje të detyrimeve të Institutit karshi kësaj ndërmarje. Menjëherë pas firmosjes së kësaj shkrese, S. Bello u shpërblye nga DGJ duke e transferuar në NGJ Korçë.
Me shkresën nr. 376 datë 29. 3. 1984 me lëndë: “Për studimin e shpimeve të prognozës” drejtuar ISPGJ e për dijeni DGJ të MIM ato shkruajnë:
“Siç jeni në dijeni ndërmarrja jonë ka përfunduar disa shpime me karakter prognozimi në përputhje më projektet e miratuara, gjithashtu disa shpime të tjera janë duke u kryer. Jemi të mendimit që të dërgoni specialistët tuaj në mënyrë që të bëhet marrja e nevojshme sipas instruksioneve e kampionaturës për studime: petrografike, petrokimike, mineralogjike etj. gjë që deri sot nuk është bërë. Gjithashtu të dërgoni specialistët tuaj të sektorit të shpimit për të parë në vend mundësitë e çuarjes në projekt të disa shpimeve po me karakter prognozimi që kanë komplikacione gjeologo-teknike, që deri më sot nuk kemi mundur t’i kapërcejmë si psh në zonën e Lusës (prerja B-B) etj. Në rast se studime të tilla nuk do të bëhen në kohën e duhur, ne nuk do të lejojmë kryerjen e shpimeve të tjera me karakter prognozimi, qofshin këto edhe të miratuara, as në masivin e Bulqizës, as në atë të Lurës.
Ju lutemi që këtë problem ta vlerësoni me përparësi në mënyrë që studimet e nevojshme për shpimet prognozë të kryera, të përfundojnë sa më parë, që në këtë drejtim puna të mos pengohet e të eci normalisht. ”
Drejtori Bashkim Duva
Firma është e kryegjeologut Spiro Bello
Shkresa e nisur nga Burreli më 29. 3. 1984 erdhi dhe u protokollua në Institut më 31. 3. 1984. Porsa e mora këtë shkresë thirra në drejtori specialistin e shpimit K. Karabina i cili nuk kishte as dy ditë që ishte kthyer nga Burreli dhe më rraportoi se puna e shpimeve prognozë po ecën normalisht dhe nuk kemi asnjë shqetësim në këtë drejtim. Kur u paraqit Kiçua në zyrën time i thashë: -“Para dy ditësh më raportove se në Gjeologjinë e Burrelit ecuria e shpimeve është normale dhe nuk kemi asnjë shqetësim, por kjo shkresë e ardhur nga Burreli flet ndryshe nga ato që më keni raportuar mua në drejtori. Prandaj do të marrësh këtë shkresë e do të shkosh në Burrel, të takosh drejtorin B. Duva dhe ta sqarosh këtë problem. Lidhur me sa shkruhet në këtë shkresë për problemin e shpimit duhet të më raportosh me shkrim pasi të kthehesh nga Burreli”
Sipas porosisë që i dhashë inxh. K. Karabina shkoi në NGJ Burrel me shkresën e ardhur dhe mori kontakt me drejtorin B.Duva. Pasi i tregon shkresën që kishte nisur ai për në Tiranë, ai i thotë se: “Këtë shkresë nuk e kam firmosur unë por pa dijeninë time e ka firmosur kryegjeologu Spiro Bello, duke mos shkruajtur emrin e tij sepse ka të drejtë firme, por duke shkruajtur emrin tim dhe duke firmosur për mua. Bile kjo shkresë është përgatitur në klubin e Burrelit nga Haki Caslli, Alaudin Kodra e Lulzim Goci dhe është firmosur po në klub nga Spiro Bello. Pasi kanë marrë këtë firmë janë nisur për në Tiranë pa ardhur fare në ndërmarje. Pas një jave si shpërblim për firmën e dhënë Spiro Bello, me urdhët të Ministrisë u transferua në Gjeologjinë e Korçës” (Bashkim Duva, Burrel, prill 1984)
Pas këtij informacioni K. Karabina u kthye në Institut dhe më informoi me shkrim se çfarë i kishte thënë drejtori i NGJ Burrel. Pas një jave unë nisem me shërbim në Bulqizë dhe u ndalova në NGJ Burrel ku u takova vetë me drejtorin Duva. Kur e pyeta se pse ishte bërë një veprim i tillë nga k/gjelogu Bello, ai më shpjegoi edhe një herë ato që i kishte thënë specialistit të shpimit të Institutit K. Karabina. Unë i thashë se për këto që i ke thënë K. Karabinës të cilat m’i përsëriti edhe mua, mund të lindë nevoja e ndonjë ballafaqimi se unë nuk do ta le me kaq. U ndamë me drejtorin Duva se do të ishte i gatshëm të ballafaqohej për këto që kishte thënë, kurdo dhe kudo që unë ta kërkoja dhe sipas tij do të thoshte të njëjtat fjalë. Po atë ditë grupi i MIM me në krye drejtorin Caslli niset nga Burreli dhe nuk erdhi në Tiranë por shkoi në NGJ Shkodër dhe mori një shkresë kundër Institutit nga k/gjeologu E. Delaj.
Shumë vite më vonë në bisedë e sipër inxhinieri e shpimit Astrit Hafizi që punonte në EGJ Batër tregon: “Nga mesi i muajit mars 1983 vijnë me shërbim në Batër drejtori i DGJ të MIM Haki Caslli me specialistët A. Kodra e L. Goci dhe në darkën me gjeologët e Ekspeditës në Batër u bëjnë presion gjeologëve F. Çollaku e Q, Lena të shkruajnë një letër e t’a dërgojnë në MIM kundër Institutit, por ato nuk pranuan…”. Me qënë se me gjeologët e vjetër të Burrelit nuk ia arritën qëllimit këtë detyrë e plotësuan me k/gjeologun S. Bello të cilin e shpërblyen, duke e transferuar në NGJ Korçë.