Bijtë që nderojnë vendlindjen…


Ramadan Ymer Biba, përpara oxhakut të kullës me tre poda në Katund të Vjetër (Murre) e ringritur.

Pak kohë me parë, kur me ftuan lurianët e nderuar mësuam një fakt sesi gurë-lurasit ndonëse disa banojnë që kanë rregulluar shtëpitë dhe nuk e harrojnë vendin e tyre të shtrenjtë. E thjeshtë, por e bukur, krenarë dhe e madhërishme, emocionuese, por edhe njerëzore që sadopak cilido të bëjë si bijtë e Gurë-Lurës. Puna dhe dashuria, nderimi dhe lartësimi i vlerave, uniteti e vëllazërimi, pasqyrimi i figurave të ndritura e plot të tjera e dritësojnë atë, vendlindja është e mbetet e shtrenjtë si jeta, si familja, si drita e ajri: Vendlindja.

Nderimi për gjyshin…

Krahas punës e dijes Dritan Brunga ndjen peshën e krenarisë e të mallit, obligimin, për atdhetarin, besimtarinë e pajtimtarin e nderuar, Hoxhë Brunga. Ky burrë i urtë ku për 24 vite qëndroi në Stamboll (nga këto 20 vite për inxhinier dhe 4 vite për Hoxhë), shërbeu për 50 vite imam në Gurë-Lurë qysh prej vitit 1928 kur erdhi në Shqipëri. Sulejman Abaz Brunga (Hoxhë Brunga) e deshi shumë vendlindjen, u priu pleqësisë e kuvendeve, ndihmoi për vëllazërimin, unitetin për të lartësuar traditat, kararet. Me të drejtë këngëtari Gëzim Ahmeti me krenari na tha se do t’i këndonte këtij burri të nderuar. Gjurmët e Hoxhë Brungës burojnë në vendlindje në Gurë-Lurë. Ai dha prova urtësie, prova pune ku ndihmoi për ngritjen e sharrave të ujit në Lurë, Kukës, Pukë etj. Vendlindja është “regjistër” i madh, ku nuk i harron kurrë gjurmët e bëmat e bijve të vet: Atij që deshi vendlindjen dhe la rezultatin e provave të mençurisë, të besimit, të punës e të pajtimit s’ke sesi nuk i gdhend vargje shpirti, vargje që ngjajnë si blerime e fllade, vendlindje.
… Çaj Hoxhë Brunga biri i gurit / Besimtar e burri i burrit / Nëpër mote me za betimi / Në krye t’pleqve me drit’ pajtimi / E ndërton Lura mot pas moti / Imam bese – nip Kastrioti / Nipi i Hoxhës çaj Dritani / Mendjendritur e gen luriani / Gjyshin e tij si shqipet n’shkrep /E nderon vendlindja e vet…
Mall dhe krenari, nderim për vlerat, prova dritësimi kanë bijtë e Gurë-Lurës për fshatin e tyre, të cilin nuk e harrojnë, por ndërtojnë e zbukurojnë shtëpitë, lartësojnë gjurmët e atdhetarisë. Bijtë e Kalisë, të Hotit, të Nezhës etj., biri i Brungës: Dritani nuk harrojnë vlerat e vendlindjes. Me të drejtë nipi krenohet me gjyshin. Nderim paç Dritan Brunga i Gurë-Lurës!

Kulla e Fadil Hasan Perhatit (Restauruar, ringritur nga inxhinier Arben Fadil Perhatit, i biri)

Murra e vjetër ringre kullat…

Sapo ngjit Kepin e Gjevetit në sfond të shfaqet Katundi i Vjetër (Murra). Gjelbërimi dhe shumica e kullave në këmbë e ata që po ngrihen tregojnë se këtu ka jetë, kurrë nuk harrojnë bijtë e vet. Ja, këtu Sulë Elez Miha që banon në Durrës, po ngre shtëpinë e re, – më thotë ish nxënësi im Haxhi Pasha, i cili ka ardhur tek kulla (u largua, familjarisht nga Instituti erdhi në trojet e vjetra). Diku tej punohet për një rrugë të re në lagjen përtej shkollës për tek kullat e Bibës e të Dukës. Fëmijët e ciklit fillor që luajnë këtë mëngjes, ende pa filluar mësimi me përshëndetjet dhe zërat e tyre më emocionojnë, më çojnë këtu e mbi 50 vite përpara, kur për herë të parë në shkollën e Qafëmurrës nisa profesionin e nderuar të mësuesisë. Në ciklin e Katundit të Vjetër, tashmë me klasa kolektive, jep mësim mësuesi i palodhur e veprimtar Hysen Ibrahim Topalli, kurdoherë, i kudondodhur pranë fëmijëve e prindërve, dikur ish nxënësi ynë shembullor, ku me përkushtim ngjiti udhët e dijes. Mes zërave të ëmbël të fëmijëve largohemi drejt rrugës së re. Ramadan Biba me disa punëtorë po punonte për urën e shtrimin e rrugës së makinës, të cilën e ka çuar deri tek kulla e tij që po rindërton dhe deri tek kulla e Dukës mbi çatinë e të cilës valëvitet flamuri kombëtar në çdo stinë. Pasi vizitojnë kullën e Dukës, ku valëvitet flamuri, drejtohemi tek kulla e Ymer Bibës (ndjesë pastë), ku punojnë disa ustallarë. Dan Biba, që mban emrin e gjyshit nacionalist Ramadan Biba, ka mbi 6 muaj që punon për rindërtimin e kullës, e cila i ngjan një kështjellë qëndrese. Ka punësuar gati 10 punëtorë. Kanë vilat në Laprakë secili vëlla, por po ndërtojnë kullën – kala.

Vendi i shenjte i Katundit te Vjeter (Murre), Teqja e Kros Shehit dhe varri i tij, te ringritura

Tek ngjitim shkallët e kullës për të parë ndërtimet në kate takohemi me mjeshtra, të thjeshtë e punëtorë.
– Jo, ky është nga Hoteshi, nipi i Llan Destanit, është i fisit Skuka, – na thotë Ramadani. A keni dëgjuar për Mehmet Skukën? – e pyes unë.
– Unë jam Mehmet Skuka i ri, mbaj emrin e gjyshit – më tha mbaj emrin e gjyshit – më tha. Ndërkohë m’u kujtuan fjalët e tim eti gati këtu e 60 vite më parë që më pati folur (ndjesë pastë) për Mehmet Skukën e vjetër, për Murrët, Ali Likën, Manukët, Uket e Meret e Luznisë. Ato që më tregonte im atë, pas shumë vitesh, i gjeta dhe te libri i të nderuarës Emrie Skuka (Mera) “Sinoret e Luznisë” (f. 157 etj.). Në katet e kullës së Bibës m’u kujtua historia e qëndresës, bujaria e Ramadan Hysen e Zenel Bibës, brezat e hijeve që nderojnë trojet në fshati Murrë (Katund të vjetër)…
Bij “magnet” për vendin
ku kanë le…

Kulla e Kros Shehut

Vërtet ata që nderojnë vendlindjen, apo qoftë edhe të jetojnë me krenarinë a vlerat e saj, duke mos e harruar kudo që të ndodhen ngjajnë me magnetin. Këta bij të thjeshtë apo intelektualë, zyrtarë, të varfër a pasanikë, qofshin vetëm blerojnë, vetëm dritësojnë. Në katundin e vjetër (Murrë) fshati më i lashtë i Katër-Grykëve e më gjerë është vendlindja e Hoxhë Kamberit (Prrejit), prijsit popullor Halil Haxhi Daçi, i trimit të mbajtjes së tre bajraqeve Ismail Nika, kapiten Ahmet Perhatit, shkencëtarit Ramadan Perhati, i atdhetarëve të shquar Salë e Maliq Manreka, i intelektualëve të provave të zotësisë si Ramadan Manreka (Dan Sala) Ibrahim Manreka, Fadil Perhati, Osman Miha, Hazis Biba, Halit Miha, Ferit Manreka, Rufat Nika, Qamil Perhati, Dervish Biba, Ahmet Shehu, Ahmet Llan Miha, Luan Manreka, Halil e Dervish Miha, Petrit Perhati, inxhinierit e drejtuesit vyrtuoz të Dibrës, Sefer Manreka, inxhinier Arben Perhatit, heroit të hidrocantreleve Haxhi Manreka e të tjerë.
Murra e vjetër është vendlindja e biznesmenëve human Ramazan Zenel Biba, Rustem Ymer Biba, Latif Hidër Miha, Ferit Shaban Biba, Nderit të qytetit të Bulqizës Osman Miha. Pasi pimë ujë të ftohtë të shkrepit përballë kullave, shikojmë kullën e re të gurtë të restauruar nga inxhinieri Arben Perhati, në sfond janë kullat e Xhemal Perhatit, të Rrahman Nikës, Bajram e Rrahman Nikës, të cilët ndonëse nuk jetojnë, kanë bijtë që u japin jetë e hijeshi kullave. Ky peizazh më ngjan si Akropolisi, vend shkencor me sira kullash dy-tre katëshe, vend plot madhështi e bujari. Vend i bukur e i bekuar, fshat në unitet e vëllazërim, fshati Murrë, i kullave të bardha e plot histori, fshat plot jetë me bijtë “magnet” për vendin ku kanë le…

Ç’m’u kujtua Budi…!

Kulla me tre poda e Ymer Bibes ne ringritje

Duke ecur si nëpër shkallë përmes kullave të Murrës së Vjetër m’u kujtua vargu i ndritur i Budit të Madh:
“Ku janë ata pleq bujarë…?!”
Si në ekran m’u kujtuan të urtët Stafë e Xhemal, Perhati, Kros Shehi, Elmaz Prrejsi, Hidër e Hysen Miha, Salë e Maliq Bajrami (Manreka), Elez Duka i parë, Rrahman e Bajram Nika. Këta e plot të tjerë që ua dëgjova zërin e fjalën, që ua mësova urtitë nuk jetojnë më. Në kullat e tyre janë bijtë, nipat e mbesat, edhe ata që të paktë nga ky fshat që janë larguar nuk e harrojnë vendlindjen. Te kulla e Bajram Nikës, burrit të mjeshtrisë së alegorive, gjej moshatarin e ish kolegun tim të nderuar (tashmë mbi 70 vjeç) Rufat Bajram Nikën. Ai siç duket i ka vënë

Kulla e shembur e Veli Rrahman Shehut

“shpatullat” kullës sikurse Tahir Nika, Ramazan Perhati e Ferit Nika, Qemal Duka etj., në kullat e tyre. S’ke si nuk emocionohesh përpara bijve të këtyre kullave, bij që dritësojnë gjurmët e brezave. Në sfond më shfaqet një kullë-kala gjysmë e shembur. Është kulla përballë vendit të shenjtërisë, kulla e Rrahman Veli Shehit (Kros Shehit), ku sikurse Hysen e Zilë Meta të Selishtës më 1943 i thanë komandantit të lirisë: – Or Llesh Dibra digje kullën! Ky qe Kros Shehi. Sot kjo kullë pret, s’duhet rrënuar ajo mban histori, besë e bujari.
Zbresim nga Katundi i Vjetër me lot në sy, me krenari e dhimbje në sfond shtëpitë e reja të Rustem Bibës, Arben Perhatit, Sulë Elez Mihës më japin shpresë, pak kulla gati të rrënuara më ngjallin dhimbje.

Kulla e qendreses e Rrahman Veli Shehit

Vendlindja pret, vendlindja thërret. Sytë më shkuan edhe tek flamuri mbi kulla si kulla e Dukës, e Bibës etj. Të lumtë Ramadan Biba me vëllezër e cilitdo që nderon trojet, lartësojnë vlerat, që gjallojnë jetën, bijtë që dritësojnë vendlindjen!