Dëshmorët e Dovolanit


Shumë pak njerëz e dinë se para një shekulli,në fshatin e Dovolanit u krye një masakër nga pushtuesit serbë, ashtu si në shumë fshatra të tjerë të Dibrës. Tregimet e më të moshuarve, të ardhura gojë më gojë deri në ditët tona, zbardhin sadopak këtë ngjarje. Pak kohë pas humbjeve të mëdha të serbit në qafën e Kolesjanit, do të vinte një valë e re hakmarrje që nuk do të kursente, asgjë, as shtëpitë, as kafshët, as gratë e fëmijët.Në Dovolan ndoshta ishte dhe një arsye tjetër për të shtuar dozën e hakmarrjes. Në fshat kishin banuar për gjatë kohë, krahas popullsisë muslimane dhe banorë të fesë ortodokse. Ata ishin larguar nuk dihet në çfarë rrethanash. Sot e kësaj dite, disa toka mbi përroin e Dovolanit quhen “ Bahçet e kaurit” dhe mund të ketë pemë të vjetra që nga ajo kohë.
Nuk ishte vështirë për një ushtri të armatosur të sulmonte një fshat me diku te 50 shtëpi. Nuk kishte vend për negociata e bisedime. Çdo gjë do bëhej sipas një skenari të menduar mirë që më parë. Në fillim u bastisën shtëpitë, u muar ajo plaçkë që konsiderohej me vlerë, pushkë e para,nëse kishte të tilla. Më vonë shumë shtëpi u dogjën e u shkrumbuan. Pastaj ishte rradha e burrave të fshatit, për ti lidhur e për ti çuar te vendi i ekzekutimit.
Sadulla Pilafi, një nga banorët e fshatit, tregon se dhe gjyshi i tij ishte një nga burrat, që u kapën e u pushkatuan. Gjyshi i tij kishte po këtë emër, Sadulla Pilafi. Thuhet se ka qenë kryeplak i fshatit në ata kohë. Kishte punuar gjatë kohë në Turqi e pati vënë pak mall e pasuri. Në një moment të vetëm ikën të gjitha, malli, pasuria e pak më vonë dhe jeta e tij. La pas një djalë të vogël, Aqifin vetëm dhjetë vjeç e që në atë moment e për shumë vite më vonë, familja Pilafi provoi një varfëri ekstreme.
Agim Isaku, një tjetër banor i këti fshati tregon një episod interesant për gjyshin e tij, që fatmirësisht i shpëtoi ekzekutimit. Ai ishte lidhur njësoj si burrat e tjerë. Në një moment pak para pushkatimit, oficeri serb pyet nëse dikush kishte para apo pushkë dhe i dorëzonte, atij do ti falej jeta. Gjyshi i Agimit, Qazimi, dinte dhe gjuhën e tyre, pasi kishte punuar gjatë kohë në rrjetin hekurudhor të tyre.
-Unë kam, thotë ai dhe jam gati t’jua jap. Oficeri serb mbetet pak kohë në mëdyshje. E sheh nga koka te këmbët dhe e lejon të shkojë, natyrisht jo vetëm. Dy ushtarë serb e shoqërojnë der te shtëpia. Njëri prej tyre qëndron poshtë dhe tjetri ngjitet lart, në katin e dytë, ku ishin fshehur pushka dhe paratë. Qazimi afrohet tek një arkë e madhe druri, që e quanin çekmexhe dhe mbyllej me një çelës. Ushtari afrohet pranë tij me pushkën gati në duar. Në moment Qazimi e qëllon me bërryl në kokë dhe ushtari bie pa ndjenja. Ai vetëkërcen nga dritarja dhe largohet nëpër rrugicat e ngushta, drejt fshatit të vogël të Gradecit. Ushtari që ishte poshte e sheh dhe qëllon nga pas, por pa mundur ta dëmtojë. Qazimi u fsheh në një shpellë që quhet “ Guri i qenit”, bashkë me familjen. Për gati gjashtë javë fshatarët i dërgonin ushqim fshehurazi, gjoja se bënin një krah shkarpa te kodrina. Serbët e kërkuan, por pa mundur ta gjejnë, derisa u larguan nga fshati. Shtëpia e tyre u dogj që ditën e parë pas kësaj ngjarje, bashkë me shumë shtëpi të tjera të fshatit, duke lënë hijen e një varreze të frikshme.
Bastisja, grabitja e djegja e shtëpive nuk e kënaqnin si duhet oreksin e ushtarëve serbë. Ata donin më shumë, ishin të etur për gjak. Në hyrje të fshatit, aty ku është sot xhamia filluan të grumbullojnë burrat e lidhur. Përpjekjen e parë e kanë bërë me hoxhën e fshatit, Haxhi Hoxha, gjyshin e Sinan Hoxhës. Thuhet se hoxha kishte studiuar në Turqi dhe ishte njeri shumë i ditur. Jo vetëm i ditur, por dhe patriot, duket se hoxha i ka kritikuar veprimet e serbëve, me siguri duke u kujtuar ushtarëve se një ditë do të jepnin llogari para Zotit. Atëherë ushtarët serbë e kanë vrarë hoxhën, bashkë me një fshatar tjetër e më pas kanë vazhduar me të tjerët.
Nga tëdhënat e shumicës së banorëve të fshatit thuhet se janë kapur e lidhur 24 persona. Nuk dihet përse nuk i kanë vrarë aty në qendër. Ndoshta sepse e kanë pasur më të vështirë për ti varrosur, apo ndoshtaca grimca humanizmi kanë mjaftuar për të mos i vrarë në sytë e fëmijëve. Burrat e lidhur dhe ushtarët serbë me pushkët e ngrehura kanë bërë më pak se një kilometër drejt vendit të quajtur Shavare. Aty kolona e vogël u ndal. Burrat e lidhur e kuptuan se vetëm pas pak minutash aty do të ishte varri i tyre. Nuk kishte më shpresë, nuk kishte më gjëra për tu thënë. Burrat kaluan dhe njëherë me sy ato vende rrotull aq të njohura, aq të dashura, përshëndetën majën e Cuculit, hodhën sytë nga kodrat e malet, sikur të linin amanetin e fundit. U dëgjuan breshëritë e para dhe u këputën disa trupa burrash. Të tjera e të tjera breshëri derisa asnjë prej tyre nuk qëndronte më në këmbë. Vendi ku u vranë është një luginë e vogël dhe një rrëke uji u bashkua me rrëkenë e gjakut, duke vazhduar rrugën poshtë për te lumi i Drinit.
Serbët nuk u mjaftuan me aq. Ndoshta ndonjeri prej burrave kishte marrë plagë të lehtë e mund të mbijetonte! I goditën dhe njëherë me bajonetat e armëve, si për ta çuar deri në fund aktin barbar. Atëherë i tërhoqën zvarrë trupat e tyre, në fund të një rrëpire dhe derdhën mbi ta dheun e shkrifët. Ishte vjeshtë dhe gjethet e pemëve të kuqe e të verdha u bashkuan me dheun e ranë sipër trupave të 24 burrave të vrarë.
Por në fakt, nuk ishin vrarë 24, por 23. Njëri prej tyre, Sefulla Qosja, kishte qenë fatlum. Plumbat kishin depërtuar gjithandej, gërvishtur lëkurën e shqyer rrobat, kurse bajoneta e kishte kapur në zgrip. Por gjithsesi, plagë kishte dhe gjaku nuk ndalej. Ai nuk kish bërë oh, as kur bajoneta i kishte prekur gjoksin. Vetëm kur ushtarët serbë u bindën se aty nuk merrte frymë njeri u larguan për aksionin e rradhës. Më vonë kur dy tre nga banorët e fshatit shkuan vjedhurazi për të parë atë që kishte ndodhur, dëgjuan ca rënkime. U afruan dhe pak dhe panë një njeri ku gjaku, dheu e gjethet qenë ngjitur e bërë një. Nuk e njohën, aq shumë ishte transformuar i plagosuri. Vetëm kur ai pëshpëriti emrin e tij, kuptuan se kush ishte. E morën, dhe e strehuan jashtë fshatit, në Popinarë. Mjeku popullor i fisit Turshilla përgatiste melheme e pomada të mrekullueshme, që freskonin e shëronin plagët e shumta, derisa pak nga pak i mori forcat dhe u kthye në botën e të gjallëve.
Ka kaluar një shekull që atëherë dhe gjërat po zbehen nga errozioni i kohës. Mishi i tyre është tretur, por dhe eshtrat e tyre, po ashtu. Dikur kishte një lapidar në nderim të kujtimit të tyre, ku ishin shkruar emrat e tyre. Sot nuk ka asnjë të tillë dhe bashkë me trupat e tyre po treten dhe emrat. Nuk flitet më për to as në familjet, as në shkollë, as në lëndën e historisë, as kur flitet për vendlindjen. Pluhuri i harresës po mbulon gjithçka.
Të paktën, le ta bëjmë një shkrim në kujtim e në respekt të tyre. Të bëjmë një pllakë me emrat e tyre e ta vendosim te vendi ku u vranë e u varrosën dëshmorët e Dovolanit. Një pllakë tjetër mund të vihet në qendër të fshatit, e pse jo një e tretë të vihet te shkolla e cila mendoj të quhet “Dëshmorët e Dovolanit”.